Ndal kërcënimeve ndaj Limos Dizdarit

Apeli i 28 intelektualëve May 3, 2016 09:57

Ndal kërcënimeve ndaj Limos Dizdarit

Të shqetësuar nga lajmi se zoti Limos Dizdari, personalitet i shquar i kulturës, është vënë së fundi nën presion e kërcënim, ne një grup intelektualësh shqiptarë shprehim indinjatën tonë të thellë për këtë sfidë të re që i bëhet shtetit ligjor e normave më elementare të bashkëjetesës civile.

Prej shumë vitesh tashmë, zoti Dizdari drejton Qendrën Kulturore e Artistike “Dea” në Ksamil të Sarandës. Ai ka marrë në përdorim sipas të gjitha rregullave e normave ligjore dhe ka rivitalizuar për qëllime mirëfilli kulturore vatrën e dikurshme të kulturës, e cila pas vitit 1997 ishte shkatërruar e kishte dalë tërësisht jashtë funksionit.

Falë pasionit të tij e të bashkëshortes së tij, artistes së njohur Adriana Dizdari, ky mjedis u kthye në një kompleks të vërtetë kulture e diturie, me sallë moderne teatri, bibliotekë të pasur, salla konferencash, galeri pikture, kurse për muzikë e kanto etj.

Në këtë mënyrë, Qendra Kulturore e Artistike “Dea” u kthye në një qelizë të vërtetë dije e kulture mes një mjedisi të degraduar kulturor e social, siç ishte Ksamili i viteve të tranzicionit. Kjo qendër po kryen në atë qytet një funksion shoqëror të pazvendësueshëm.

Siç dihet, territori dhe mjediset e kësaj Qendre, dikur vatër kulture, janë pronë e shtetit shqiptar dhe i janë lëshuar në përdorim zotit Dizdari për qëllime kulturore, në përputhje të plotë me destinacionin fillestar të atij institucioni. Ndonëse i është dashur të përballojë vështirësi e të kryejë sakrifica të panumërta, zoti Dizdari arriti ta ringjallë atë Qendër, duke e kthyer në një referencë kulturore e artistike për komunitetin e Ksamilit, të Sarandës e më gjerë.

Mirëpo, kohët e fundit, persona të caktuar kanë ngritur pretendime pronësie mbi territorin ku ngrihet qendra në fjalë. Nuk është as tagri, as kompetenca dhe as qëllimi ynë të përfshihemi në çështje ligjore pronësie. Për to ka institucione shtetërore, përkatësisht gjykata, që vendosin. Ajo çka na duket e papranueshme për çdo ndërgjegje e mendje të shëndoshë, është që pretendime të tilla po tentohet të imponohen me gjuhën e rrugës, të shantazhit e të kërcënimit.

Është e dhimbshme, që viktimë e një sjelljeje brutale bëhet tani edhe një personalitet i madh i kulturës sonë kombëtare, një autor i mirënjohur për kontributet e tij të mëdha në krijimtarinë muzikore. Ndaj, i drejtohemi organeve të ligjshmërisë dhe në veçanti Policisë së Shtetit që të konsiderojë me seriozitetin maksimal presionet dhe kërcënimet e ulta ndaj kompozitorit të njohur Limos Dizdari dhe të mbajë nën kontroll autorët e tyre.

Sigurimi i jetës dhe i paprekshmërisë fizike të zotit Limos Dizdari dhe i familjes së tij do të ishte hapi i parë i domosdoshëm përpara se të kalohej, siç është e udhës, në zgjidhjen ligjore të çështjes.

Alajdin Abazi, Arben Baboçi, Abdylmenaf Bexheti, Arben Bajo, Jusuf Beshiri, Kujtim Buza, Sabit Brokaj, Pandeli Çina, Nora Çashku, Romeo Gurakuqi, Gëzim Hoxha, Ksenofon Krisafi, Nasho Jorgaqi, Fatos Klosi, Eno Koço, Anila Paparisto, Ina Laço, Llukan Puka, Robert Radoja, Lorenc Radovani, Merita Rexha, Evan Rroço, Sokol Sadushi, Marenglen Spiro, Fatos Tarifa, Anita Tartari, Pëllumb Xhufi, Aleksandër Xhuvani.        

Tiranë, 2 maj 2016 

Apeli i 28 intelektualëve May 3, 2016 09:57
Komento

3 Komente

  1. anticensurë 25642654 May 3, 10:31

    shumë faleminderit limozit për punën e tij!!falemderit dhe ju që i keni dalë në krahë për punën e tij!!
    por nuk do të ishte mirë që të botonit dhe emrat e atyre që pretendojnë se kanë pronë atë shtëpi kulture??
    thjeshtë që të kihet mundësi për të biseduar me ta!!ndoshta gjendet një rrugëzgjidhe!!ka gjithnjë një rrugëzgjidhje për të gjitha problemet!!

    Reply to this comment
  2. anticensurë 25642654 May 3, 17:44

    shumë faleminderit limozit për punën e tij!!falemderit dhe ju që i keni dalë në krahë për punën e tij!!
    por nuk do të ishte mirë që të botonit dhe emrat e atyre që pretendojnë se kanë pronë atë shtëpi kulture??
    thjeshtë që të kihet mundësi për të biseduar me ta!!ndoshta gjendet një rrugëzgjidhe!!ka gjithnjë një rrugëzgjidhje për të gjitha problemet!!
    Duplicate comment detected; it looks as though you’ve already said that!

    Reply to this comment
  3. e njohim mire limozin May 21, 21:01

    Ceshtja eshte ne gjykate dhe gjykata do jape verdiktin e saj. Po ky limozi ka uzurpuar pronen me me vlere ne ksamil . Po sikur dhe pala tjeter te beje te njejten gje, te mbledhi firma? Kjo eshte nje manover e pashprese dhe antiligjore per te vazhduar paligjshmerine .po eshte kercenuar o burra kallzim penal . Devijacione te tilla jane tipike te shvatesve te prones publike e private

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*