Ndalen 177 azilkërkues; ndalohen edhe 4 prindër

September 5, 2017 15:25

Ndalen 177 azilkërkues; ndalohen edhe 4 prindër

 

Vetëm gjatë muajit gusht 177 shtetasve u është refuzuar kalimi jashtë territorit të Shqipërisë përmes Aeroportit të Rinasit, pasi nuk kanë përmbushur kriteret e përcaktuara për frenimin e fenomenit të azilkërkimit.

17 persona të tjerë, 9 prej të cilëve të arrestuar kanë tentuar të kalojnë me dokumenta të falsifikuara.

“Nga analizat tona na rezulton se shumica e personave që i është refuzuar kalimi janë i njëjti kontigjent që janë deportuar njëherë, por që tentojnë sërish të dalin jashtë vendit me qëllim azilkërkimin. Do të vijojmë me këto masa dhe nuk do ketë tolerime në këtë drejtim”, thotë Përparim Dema, Shefi i Policisë Kufitare në Rinas.

Por edhe 4 prindër janë proceduar për braktisje të fëmijëve.

“Kemi edhe raste që udhëtojnë familje dhe më pas braktisin fëmijët në zonën Shengen me qëllim azilin dhe kthehen pa ta. Për çdo rast kemi referuar materialet në prokurori”, shton Dema.

Ndërkohë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur baza e të dhënave për fenomenin e gjakmarrjes në vend e cila pritet të parandalojë abuzimin me kërkesat për azil.

Nga kjo bazë do të bëhet shkëmbimi i informacionit policor me partnerët e atyre vendeve ku shtetas të ndryshëm shqiptarë përdorin këtë motiv për të kërkuar azil.

Gjatë viteve të fundit fenomeni i gjakmarrjes është keqpërdorur nga shtetas të ndryshëm shqiptarë për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar. Vazhdimisht Policia e Shtetit merr kërkesa nga homologët e tyre për verifikimin e deklaratave të shtetasve shqiptarë që pretendojnë se janë në gjakmarrje.

September 5, 2017 15:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*