Ndalu Beg, se ka hendek ! 

March 8, 2016 17:31

Ndalu Beg, se ka hendek ! 

Siç edhe pritej, Samiti BE-Turqi ka skicuar platformën paraprake për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Edhe pse finalizimi apo përmbyllja e marrëveshjes, pritet të kryhet në Samitin e radhës (17-18 Mars) orientimet janë të qarta. Duket se kemi ndjekjen e së njëjtës linjë, iniciativës fillestare të Holandës, që mban edhe presidencën e radhës të BE-së. Iniciativë, që synonte arritjen e një marrëveshje të Unionit me Turqinë, për pranimin në territorin e saj të gjithë migrantëve, që kalojnë në mënyrë të parregullt në tokën greke, me kushtin që BE të marrë nga Turqia një numër të caktuar refugjatësh në vit.

Marrëveshja paraprake me Turqinë, përfshin pikërisht këtë konsensus, me raportin 1/1, pra për çdo sirian të rikthyer nga Greqia në Turqi, BE do të marrë një prej tyre, në territorin e saj. Në thelb, ky konsensus synon sa t’i japë fund fluksit të migrantëve, që nëpërmjet rrjeteve të trafikantëve, arrijnë të penetrojnë në kufijtë e Evropës, por edhe të përcjelle një mesazh të prerë, se çdo lloj migrimi duhet të kalojë vetëm nëpër kanalet e ligjshme.

Nëpërmjet kësaj pike thelbësore, që mund të sjellë fashitjen e flukseve të migrimit, menaxhimin e tyre në Greqinë e mbingarkuar, si edhe administrimin e grumbullimit të tyre në Turqi, automatikisht kjo sjell edhe mbylljen e rrugës së Ballkanit Perëndimor për kalimin e këtyre flukseve. Kjo e fundit, një pikë mjaft e ndjeshme, që edhe pse fillimisht u ra dakord nga diplomatët në Bruksel që të figuronte në draftin paraprak, hasi në një lloj rezistence, e mbështetur kryesisht nga kancelaria gjermane Merkel. Por, edhe pse kemi një kundërshtim të shprehur, ai është i një niveli retorik, pasi në thelb asgjë nuk ka ndryshuar nga formulimi paraprak. Edhe pse, fraza që deklaronte mbylljen e rrugës së Ballkanit Perëndimor u hoq, ajo u zëvendësua me një frazë që në thelb deklaron të njëjtën gjë, por me një hapësirë për një lexim të dyfishtë: “Flukset e parregullta të migrantëve përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor, tashmë kanë ardhur drejt një fundi”. Pra, një frazë që lejon si mundësinë për ta interpretuar se është mbyllur, por edhe mundësinë që është e hapur, pasi nuk është mbyllur tërësisht.

Turqia arriti të marrë nga BE, atë çka kërkonte, rritje të shumave financiare për përballimin e krizës, liberalizim të shpejtë të vizave për qytetarët turq deri në muajin qershor, si edhe hapje të kapitujve të tjerë të negociatave (flitet për 5 kapituj). Për kryeministrin turk, kishte një rëndësi të veçantë fakti i rritjes së shumës financiare dhe përgjatë konferencës për shtyp të orëve të para të mëngjesit,  ai do t’i mëshonte me insistim disa herë faktit se, Turqia nuk po lyp para nga Evropa, pasi Turqia nuk ka nevojë! 6 miliardët e kërkuara, sipas tij, do të shkojnë vetëm ndaj refugjatëve sirianë dhe se qeveria turke, apo qytetarët turq nuk do të marrin asnjë qindarkë nga këto shuma.

Përgjatë fjalës së tij do të spikasnin formulime frazash, të mirë zgjedhura, që krijonin një lloj paralelizmi mes Evropës dhe Turqisë, si qenia në një familje të përbashkët evropiane, pasja e vlerave të përbashkëta, kryerja e veprimeve në unison, respekt pa ekuivok ndaj gjinisë femërore, liri e pamohueshme e shtypit, demokraci e padiskutueshme në Turqi, e rikonfirmuar sërish edhe nga dy palë zgjedhje, etj. Deklarime, që nuk mund të mos binin në sy, tek shoqëroheshin me “gëlltitje të shumta” nga Junker dhe Tusk dhe me një mimikë, që pavarësisht eksperiencës diplomatike stërvitëse, tradhtohej nga lodhja e stërzgjatur e pasmesnatës, tek dukej sikur kërkonin t’i thonin: “ Ndalu Beg, se ka hendek !”

Vështirësia dukej se shfaqej nga prezenca para medias, që komplikon sjelljen, pasi kërkon tjetër standard në përballje. Vërejtjet, që drejtohen me dyer të mbyllura, marrin të tjera përmasa kur bëhen publikisht. Sidomos me Turqinë e Erdogan.

Gjithsesi teksa priten në vijim finalizimet e marrëveshjes dhe marrja me detajet në veçanti, duket se kriza evropiane do të marrë një formë zgjidhje. Për të arritur objektivin e Rikthimit të Shengenit në normalitet deri në dhjetor të 2016, marrëveshja me Turqinë gjithmonë në rast se kemi një angazhim serioz të palës turke, do të sjellë si ulje drastike të flukseve të migrimit, duke i kanalizuar në forma ligjore, por edhe shuarje të tyre drejt rrugës ballkanike. Greqia do të marrë gjithë fokusin dhe vëmendjen e duhur, nëpërmjet një solidariteti të organizuar evropian në terma humanitare, teknike dhe financiare. Përtej menaxhimit dhe administrimit të situatës në Greqi, situata në Turqi do të vijojë të ndiqet me të njëjtin ritëm, duke lehtësuar në marrje të organizuar të një numri të caktuar refugjatësh në vit, nëpërmjet një raporti 1/1, ripranim/rimarrje.

A do të angazhohet seriozisht Turqia në këtë raport me Unionin ?

Marrëveshja e parë u shfaq zhgënjyese, nuk funksiononte, flukset nuk njohën ulje dhe organizmat e të drejtave të njeriut filluan të akuzonin Unionin se paratë e tyre po përdoreshin për të keqtrajtuar  refugjatët. Por, tek ofertat janë rritur, një liberalizim vizash i shpejtë për dy muaj me Turqinë, sigurisht që i intereson politikës turke, çka hap rrugën, apo krijon mundësinë për një bashkëpunim efikas, të paktën momentalisht. Gjithsesi, teksa Erdogan luan me karta të hapura presioni me Unionin, nuk përjashtohet mundësia që pas një liberalizmi vizash, të fillojnë sërish “manovrat politike” për avancim në kapituj të tjerë dhe ritëm më të shpejtë për anëtarësimin e Turqisë në Union. Për sa kohë marrëveshje të tilla nuk kanë një karakter të pastër juridik penalizues, ankimues, ose apelues, palët janë tërësisht të lira të shfrytëzojnë maksimalisht pozicionet e tyre, për të rritur në vazhdimësi përfitimet politike.

Pozicioni turk nuk mund të diskutohet, për sa kohë edhe Unioni ka dalë nga korniza e moralit, teksa e ka nxjerrë për shkëmbim, politikën a aderimit në BE, për të zgjidhur krizat e tij të brendshme. Apo më keq akoma, tek del nga korniza ligjore ndërkombëtare dhe angazhohet për rikthim në masë të refugjatëve nga Greqia në Turqi, tërësisht e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare, në lidhje me të drejtat e azilkërkuesve, pavarësisht referencave ligjore që BE prezanton. Në kohërat e sotme dhe jo vetëm, morali është parë gjithmonë si dobësi, edhe pse propagandohet e kundërta. Në fund të fundit, filozofia e daljes nga kriza e pranon se, “Të rrëzohesh nuk është një dështim, por se, dështim është të qëndrosh atje, ku je rrëzuar!” Morali është thjesht një detaj. Shpeshherë i përbuzur nga ambicia për ringritje./im.ta/

 

 

 

March 8, 2016 17:31