Ndarja administrative, kush ikën e kush do të qëndrojë

Entela Resuli July 8, 2015 12:13

Ndarja administrative, kush ikën e kush do të qëndrojë

Për 12 vite me radhë Artan Shkëmbi drejtoi bashkinë e qytetit të Pogradecit. Shumë apo pak, ky qytet ndryshoi përgjatë drejtimit të tij.

Në fund, u largua duke dhënë dorëheqjen me deklaratën që tre mandate për të ishin mjaftueshëm, nëse do të kërkonte një të katërt do të ishte i tepërt.

Ndërsa tani është në një tjetër pozicion të rëndësishëm, Drejtori i Agjencisë së Zbatimit për Reformën Territoriale. Ajo që ka ngjallur diskutime këto ditë dhe që meriton një shpjegim më të detajuar është fakti se brenda javës së parë të korrikut, Ministria e Financave ka dhënë urdhër për kalimin nga llogaritë e vjetra të 373 njësive të qeverisjes vendore, në 61 të tilla.

Sipas Shkëmbit, ky urdhër ka të bëjë thjesht me faktin që komunat duhet të kryejnë çdo veprim financiar brenda javës së parë të korrikut me qëllim që t’i japin degëve të thesari kohën e mjaftueshme për riorganizimin e llogarive dhe bashkimin e tyre sipas ndarjes së re territoriale.

Ne kemi bërë një bisedë me Artan Shkëmbin, i cili në pozicionin e drejtorit të AZRT-së na ka treguar se çfarë do të ndodh me komunat, si do të shkrihen ato, dhe mbi të gjitha kush janë punonjësit që do të humbasin punën dhe si mund të fitohet pozicioni i ri në bashki.

 

-Z.Shkëmbi, jemi në fund të javës së parë të Korrikut dhe këto janë ditë ndryshimesh për pushtetin vendor, çfarë do të ndodhë me administratën e tyre?

Nuk do të ndodhë asgjë në administratat e bashkive dhe komunave. Ato do të vazhdojnë funksionimin normalisht deri në ditën e konstituimit të bashkive të reja, ditë kur nuk ekzistojnë më komunat, të cilat do të transformohen në njësi administrative. Ajo që ka ngjallur diskutime është moskuptimi si duhet i urdhrit të Ministrit të Financave për kalimin nga llogaritë e vjetra të 373 njësive të qeverisjes vendore, në 61 të tilla. Ky urdhër ka të bëjë thjesht me faktin që komunat duhet të kryejnë çdo veprim financiar brenda javës së parë të korrikut me qëllim që t’i japin degëve të thesarit kohën e mjaftueshme për riorganizimin e llogarive dhe bashkimin e tyre sipas ndarjes së re territoriale. Pra, ky urdhër ka të bëjë thjesht me këtë fakt dhe aspak me ndërprerje aktiviteti ose shkurtim personeli.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore z.Bledi Çuçi është në krye të koordinimit të punëve të të gjitha institucioneve dhe po punohet me përkushtim nga çdo Ministri dhe Institucion në vartësi për marrjen e masave që gjithçka të jetë gati për bashkitë e reja menjëherë pas konstituimit.

-Sa është numri i punonjësve që humbasin vendin e punës me ndarjen e re administrative?

Nuk ka një numër të saktë se sa punonjës të komunave do të shkurtohen sepse shkurtimet janë rast pas rasti për çdo komunë. Shkurtimi i numrit të punonjësve do të bëhet nga kryetarët e rinj dhe vetëm për ato funksione që nuk ekzistojnë më në njësitë administrative si p.sh sekretari i këshillit të komunës (sepse nuk ka më këshill komunal), nënkryetari i komunës, shoferi i kryetarit, disa nga financierët (nëse ka disa do të qëndrojë vetëm një person), juristët, etj, pozicionet e punës së të cilëve do të kryhen nga qendrat e bashkive. Nga ana e Agjencisë sonë janë bërë propozime për strukturat e reja provizore, por janë vetë kryetarët e rinj që do të vendosin sa dhe kë do të shkurtojnë. Një pjesë prej tyre do të mund të punësohen pranë qendrave të bashkive në sektorë të ndryshëm që do të kërkojnë shtesa, por sigurisht që numri i atyre që do të shkurtohen nga ish komunat do të jetë më i madh se ata që do të mund të përfitojnë një vend pune në bashkinë e re. Do të shkurtohen gjithashtu edhe rreth 4500 këshilltarë komunash që në vlerë financiare kishin një kosto të barabartë me rreth 450 kryetarë bashkie (këshilltarët paguhen çdo muaj sa 10 për qind e pagës së kryetarit). E rëndësishme është që asnjë punonjës që ofron shërbime nuk do të shkurtohet, as agronomi, as veterineri, as elektriçisti, as punonjësi i ujësjellësit, as roja e shkollës as pastruesja dhe as punonjësit e pastrimit të ish komunës. Nga administrata gjithashtu do të qëndrojnë punonjësit e gjendjes civile, të ndihmës ekonomike, të arkivës, të taksave lokale, si dhe përfaqësues të sektorëve që shkrihen. Në varësi të shërbimeve specifike që ofron komuna, ky shkurtim shkon nga 10 për qind deri në 40 për qind të punonjësve.

-Që të jemi më konkretë, pasi ende ka kakofoni në informacion, shumë qytetarë nuk janë të qartë se ku do t’i marrin shërbimet që merrnin deri dje nëpër zyrat e komunave. Ku do të kryhen këto shërbime?

Nuk ka asnjë shqetësim për asnjë banor të çfarëdo zone banimi. Gjithkush pas konstituimit do të shkojë tek e njëjta ndërtesë, që tashmë nuk quhet komunë, por njësi administrative. Do të gjejë aty punonjësit e njësisë administrative që do pranojnë çdo kërkesë të banorëve. Askush nuk do të duhet të shkojë në qendrën e bashkisë për asnjë shërbim. Çdo kërkesë do të pranohet në njësitë administrative dhe përgjigja do të jepet po aty. Ajo që është e re është fakti që çdo banor mund të marre çdo shërbim në dy vende: në njësinë e vet administrative dhe po të dëshirojë edhe në qendër të bashkisë, pra ka një mundësi më shumë për të marrë çdo shërbim. Për shkak të mundësive të reja që krijohen nga ulja e numrit të bashkive, së shpejti do të shtohen shërbimet online, që do të thotë që çdo banor do të mund të aplikojë online kudo që ai ndodhet për të marrë një shërbim nga bashkia e tij. Projekti është pilotuar në dy bashki dhe së shpejti do të zbatohet kudo në të gjithë territorin.

-Dhe meqë jemi këtu, kur nis puna për dixhitalizmin e arkivave, sa do u vijë në ndihmë kjo formë zonave të thella të vendi dhe cili do të jetë prioriteti?

Ka filluar dixhitalizimi duke u pilotuar në një bashki dhe një komunë dhe paralelisht po trajnohen grupet e punës për çdo bashki. Pas konstituimit do të fillojë puna në çdo bashki në bashkëpunim të plotë më Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave me qëllim sistemimin në bazë të standardeve të kërkuara nga Ligji, por edhe për një arsye tjetër që lidhet me ofrimin e shërbimeve online. Dixhitalizimi i arkivave i hap rrugën ofrimit të shërbimeve online.

artan-1024x636-1024x636-Z.Shkëmbi, ende nuk është plotësuar kuadri ligjor për ndarjen e re. Keni menduar se si do të zgjidhen anomalitë që krijohen nga vakuumi ligjor?

Nuk ka asnjë vakuum ligjor në asnjë aspekt të funksionimin të bashkive. Legjislacioni në fuqi i jep përgjigje çdo situate. Ligji nr 8652 për qeverisjen vendore u ndryshua me Ligjin 30/2015 duke u përshtatur në përputhje të plotë me reformën territoriale dhe nuk ka asnjë mungesë ligjore. Është abuzim dhe dezinformim i pastër çdo aludim për vakuum ligjor. Çdo ekspert i pushtetit lokal dhe çdo kryetar bashkie nuk do të mund të përmendte asnjë rast të vetëm dhe asnjë çështje të pambuluar nga ligji. Legjislacioni është i plotë dhe mbetet thjesht për t’u zbatuar. A ka nevojë për përmirësime ligjore, kjo është një çështje tjetër që sigurisht mund të diskutohet. Sigurisht që legjislacioni duhet të përmirësohet sepse edhe funksionet e bashkive do të shtohen hap pas hapi për shkak të procesit të decentralizimit që është një proces që nuk ndalet. Dhe përmirësime ligjore do të ndodhin në proces sigurisht me konsultime më grupet e interesit ku një rol kyç kanë kryetarët e bashkive.

Ligji i plotë për qeverisjen vendore i azhornuar, është pjesë e dosjes së përgatitur nga ana jonë për çdo kryetar bashkie, materialet e së cilës i japin përgjigje dhe zgjidhje deri në detaje çdo problematike që mund të lindë gjatë kalimit nga bashkitë dhe komunat aktuale në 61 bashkitë e reja.

-Shumë firma private kanë kontrata me njësitë vendore të mëparshme. Marrim si shembull një firmë të pastrimit të plehrave që ka kontratë me një komunë që është shkrirë, si do të veprohet me atë kontratë, do të kalojë automatikisht te bashkia apo do të ndërpritet?

Ka një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM Nr. 510 datë 10.06.2015) që është po ashtu pjesë e dosjes së kryetarëve dhe që përcakton qartë që bashkitë e reja trashëgojnë nga ato që shkrihen gjithçka, të drejtën e punësimit të administratës, të pronave, të detyrimeve, të të ardhurave, të kontratave etj etj. Pra kontratat trashëgohen dhe merren përsipër nga bashkitë e reja. Për të njëjtin shërbim në njësi të ndryshme ka kontrata të ndryshme, të cilat hap pas hapi, duke pritur përfundimin e afatit të tyre individual, do të bëjnë të mundur prokurimin e shërbimeve për të njëjtën periudhë në të gjithë territorin. Pra prokurimi i shërbimit do të bëhet në njësi të veçanta deri në afatin maksimal të kontratave ekzistuese dhe në përfundim të afatit maksimal do të prokurohet shërbimi i plotë për gjitha bashkinë.

-Nga ana tjetër, si është menduar të zgjidhen administratorët e rinj nga kryetari i bashkisë, do të jenë me konkurs apo sipas preferencave të kryetarëve të rinj?

E drejta e emërimit të administratorëve të njësive administrative ju takon kryetarëve të bashkive. Administratori është person politik dhe si i tillë ai përzgjidhet direkt nga kryetari i bashkisë. Është e drejtë e tij të vendosë kritere, të zhvillojë konkurse apo të bëjë emërime direkte të tyre. I vetmi kusht që parashikon ligji është që administratori duhet të jetë banor i njësisë administrative.

-Opozita vijon akuzat se ndarja e re që është bërë edhe për arsye elektorale. Pas këtyre zgjedhjeve, mendoni se kjo ndarje ka favorizuar mazhorancën?

Asnjëherë nuk e kam parë këtë ndarje territoriale si favor politik të njërës palë. Nëse e gjykojmë politikisht, qyteteve që kanë qenë të qeverisura nga e majta ju janë bashkuar komuna që kanë qenë të qeverisura nga e djathta e në këtë logjikë kjo gjë ka balancuar elektoratin. Fakti që s’ka më veri të djathtë apo jug të majtë, tregon më së miri që kjo ndarje territoriale i ka shërbyer balancimit politik dhe jo favorizimit. Gjithsesi kjo është një analizë e thjeshtë logjike, sepse në ndarjen territoriale ka patur kritere të qarta në bazë të të cilave u bë bashkimi i njësive dhe asnjë nga këto kritere nuk kishte asnjë element politik.

-Nga sa keni parë dhe inspektuar deri më tani, si është gjendja e dokumentacionit dhe si janë mbajtur arkivat, a ka humbje apo djegie të tyre gjatë këtyre viteve. Cila është zona më problematike në këtë drejtim?

Ka problem me dokumentacionin e komunave dhe më pak me ato të bashkive. Nuk konstatohet humbje ose djegie e dokumentacionit, por sigurisht që ka parregullsi në sistemimin e tij dhe në kushtet ku mbahet ky dokumentacion. Procesi i sistemimit të arkivave është pilotuar në një bashki dhe një komunë për të parë problematikën dhe volumin e punës që nevojitet. Paralelisht kryhet dixhitalizimi i arkivës për të patur edhe një kopje elektronike për tre vitet e fundit. Janë krijuar grupet e punës për çdo bashki dhe së shpejti do fillojë puna në çdo bashki dhe Ish- komunë. Projekti STAR po ndjek zbatimin e këtij projekt dhe do të jetë një rezultat i admirueshëm që qeverisjen vendore dita kur çdo bashki do të ketë arkivën e plotë të sistemuar dhe të dixhitalizuar.

-Z.Shkëmbi, për disa vite keni punuar për Pogradecin, si ndiheni tani larg tij?

Është një punë e një lloji tjetër, që ka kënaqësinë e vet sepse këtu nevojitet përvoja e 12 viteve të qeverisjes vendore, por edhe përvoja e aktivitetit tim si përfaqësues për vite më radhë në Asamblenë Lokale e rajonale të BE, si anëtar i Kongresit në KE dhe monitorues zgjedhjesh lokale në disa vende të Europës, etj. Mendoj që mjaftojnë 12 vite për një kryetar bashkie, më tej gjithçka kalon në lodhje dhe ulje efektiviteti për shkak të shumëllojshmërisë së punëve dhe kontakteve të shumta me qytetarët. Ndryshimi i funksionit dhe përdorimi i eksperiencës në fusha të ngjashme është zgjidhja më e mirë.

-Shumë nga kryebashkiakët e rinj të zgjedhur të PD-së nuk u përgjigjën pozitivisht thirrjes se Kryeministrit për takim, keni ndonjë koment për këtë?

Mendoj që ishte një gabim i madh. Keqpërdorimi i tyre nga politika nuk sjell asgjë pozitive as për kryetarët e rinj dhe as për komunitetin. Në 12 vite të punës time si kryetar bashkie nuk kam refuzuar asnjë ftesë dhe ofertë bashkëpunimi nga asnjë qeveri, përkundrazi kam pritur çdo kryeministër dhe ministër, kam bashkëpunuar dhe kam marrë pjesë në çdo event që jam ftuar. Shpresoj që kryetarët e rinj të reflektojë dhe të pranojnë ftesën për bashkëpunim të Kryeministrit Rama. Më pëlqen kultura e treguar nga kryetari i ri i bashkisë së Përmetit, që morri pjesë tek të dy takimet, një shenjë kjo civilizimi, karakteristikë e popullit të Përmetit që e ka zgjedhur.

Entela Resuli July 8, 2015 12:13
Komento

1 Koment

  1. zekthi July 8, 22:48

    Reforma administrative qe u krye dhe qe do te plotesohet me mire pas zgjedhjeve eshte e domosdoshme.
    Rendesi ka qe administrata qe do te caktohet deri tek administratoret e njesive administrative, sidomos per ish komunat te vendosen me pergjegjesite larte , te jene njerez qe e njohin komunitetin, qe kane aftesi drejtuese e kominikuese, qe te kene aftesi te punojne ne grup dhe qe te njoh mire kuadrin ligjor.
    Per keshilltaret e bashkive te cilet marrin pjese vetem nje dite ne muaj ne nje mbledhje, paga qe marrin eshte shume e larte. Per nje dite pune do te ishte e mjaftueshme 3.000 leke per bashkite e vogla deri ne 10.000 leke per bashkite e medhaja. ( Te kategorizohen ).
    Gjat zgjedhjeve gara dhe motoja per keshilltare ishte : “Na votoni te afermin tone te marrij nje rroge 15.000 ose 20.000 leke ne muaj. ” Pra motivi ka qene paga dhe jo cilesia dhe aftesia e keshilltarit qe garoi. Pra si e tille ka qene gare per punesim dhe ka ndodhur qe nga nje familje te ishin kandiduar 5-8-10 anetar edhe me moshe tek 65-70 vjecar.
    Kryetaret e rinj te bashkive duhert te perzgjedhin mire administraten dhe jo te pranojne bruto atamilitante qe u propozojne partite politike. Ne se do te marrin te tille nuk do te bejne asgje nga ato qe kane premtuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim