Është nder apo turp të kesh mik një deputet?!

February 16, 2018 10:47

Është nder apo turp të kesh mik një deputet?!

Bedri Islami

Në të vërtetë, ideja e këtij shkrimi, më kishte lindur shumë ditë më parë, por si ndodh jo rrallë, rrëmuja e ditëve në politikën e tyre të zhurmshme, e la pas, duke menduar se kishte qenë një ide e rastit.

Më kishte lindur në ditët kur Komisioni i Veçantë merrte në pyetje kandidatët për postin e kryeprokurorit të Republikës, i përkohshëm, i cili do të shkonte në vendin e një dallkauku të jurisprudencës sonë, Llallës. Mendimin për këtë të fundit e kisha thënë në disa shënime radhazi dhe largimi i tij ishte, edhe për këndvështrimin më të paanshëm, i domosdoshëm.

Shikoja gjyqtarët e prokurorët kandidatë se si përgjigjeshin kur pyeteshin për lidhjet e tyre me politikanë dhe, sidomos, me deputetë. Duke marrë frymë me zor, sikur t’i kishin pyetur për pjesë në krim, përgjigjeshin se nuk njihnin thuajse asnjë, se nuk kishin lidhje me deputetë të ndryshëm dhe ndonjëri ishte i gatshëm të përbetohej se hasmi i gjithë jetës së tij.

Në të vërtetë, mes politikës dhe strukturave të drejtësisë ka qenë gjithnjë një lidhje e fortë, e qëndrueshme dhe pak herë e mbështetur mbi moralin. Ka qenë, e deri tani edhe mbetet, një lidhje koniunkturale, e sipërfaqshme, përfituese dhe mohuese e ligjit.

Duke e ditur këtë, pra duke qenë njëra palë e kësaj loje të hershme, shpesh herë të pështirë, mes politikës dhe drejtësisë, kandidatët ishin të gatshëm të mohonin gjithçka.

Ishte çasti kur mendova: është turp apo nder të kesh mik një deputetët, të bashkëpunosh me të, ta ftosh dhe të të ftojnë, pra të kesh një lidhje njerëzore. Pse, kaq ulët është niveli i deputetit, që edhe një njeri i drejtësisë, shumë herë ndoshta më i kapur nga e padrejta, tenton të mohojë, qoftë edhe një lidhje miqësore?

Pata menduar se është diçka e veçantë, thjeshtë nga disa njerëz që, për hir të postit ku synojnë, janë të gatshëm të mohojnë edhe veten. Ndoshta në përcaktimin e tyre të mohimit kishte diçka më shumë nga vetja, se sa nga e vërteta.

Këto ditë njerëzit u njohën me mesazhet e dy deputetëve demokratikas, relativisht të rinj në politikë, njëri krejt i ri, duhet thënë, edhe tejet agresiv, që i dërgonin njëri tjetrit mesazhe erotike.

Gjuha e përdorur, që turpëronte edhe një halabak rrugësh, ishte gjëja e parë që të binte në sy. “Mëkate” kanë shumë njerëz, por ky ishte një mëkat deputetësh, nga salla e kuvendit, ku pas pak, si njëri, ashtu edhe tjetri, mund të flisnin me atë pathosin e njerëzve që e dinë se, vetëm duke thirrur dhe treguar forcë, do të jenë përsëri në listën e kryetarit të tyre.

Dukeshin njerëz të shkolluar, një mik i imi shkroi edhe për shkollimin e tyre dhe parashikoi rendje drejt shkallëve të hierarkisë pushtetore, pikërisht se ishin treguar të tillë. E besoj se tek ne ndodh shpesh e kundërta: në vend që të të hapin derën dhe të përzëjnë, dera e hapur të fton për një shkallë të re politike. Sa më i papërgjegjshëm të jesh, aq më tepër do të rritesh në politikë. Aksiomë shqiptare.

Të kesh mik një deputet është nder apo turp?

Në fakt, nëse nuk ke mik një deputet nuk gjen as punë, as nuk merr një kredi të butë financiare, as për fëmijët nuk gjen një degë të mirë universitare, nuk merr dot një tender, nuk ndërton një gjë të vogël pa leje. Një mjeke e re, e specializuar shkëlqyeshëm, që nuk kishte pranuar të shkonte të jetonte e punonte në Angli, ku ishte bashkëshorti i saj, sillej nëpër dyert e ministrisë së Shëndetësisë për një vend pune sipas specializimit të saj të shkëlqyer. Edhe jashtë Tiranës, kudo, por të mos rrinte, pas më shumë se 10 vite studime të larta, përsëri si amvisë. Në Ministri i thonin me mirëdashje dhe të pafuqishëm: “po, nuk e ke mik një deputet, të paktën një”.

“Dialogu “ mes dy deputetëve demokratikas, njëlloj do të kisha reaguar po të ishte edhe mes dy deputetëve rilindas, mund të përshtirosë gjithkënd. Nuk është fjala për diçka private dhe se prekja e privatësisë së tyre është gjë e papranueshme. Ka disa gardhime që nuk mund të shkelmohen, as nga deputetët. Ka norma, ligje, përgjegjësi dhe perceptime që i dallon ata nga njerëzit e zakonshëm. Ashtu si dallohen nga privilegjet, ashtu duhet të dallohen edhe nga përgjegjësitë.

Me deputetë të tillë, është e vështirë të ndjehesh i nderuar nga miqësia e afruar. Ashtu si nga ata që, duke shporrur, qoftë përmes presionit, qoftë përmes parasë, gratë e mundshme për deputete për t’i hapur vendin një kaparoshi pareli, i cili, edhe sikur të pjellë vezë të arta (për dikë edhe i bën), përsëri posti i tij është krejtësisht pandershmëri.

Figura e deputetit po zbehet jashtëzakonisht shpejt, në mos ka shkuar në fundin e greminës. Ata po shndërrohen gjithnjë e më shumë në personifikimin e grykësit, zëçjerrësit, idehumbësit, njeriut pa vizion e shpesh herë pa ndjenjën e vetëdijësit vetjak.

Nëse deputeti i parë pluralist i vitit 1991 dëshmonte se në sallë kishte mjaft figura të një cilësie të lartë intelektuale dhe njerëzore, ky i fundit, ashtu si i parafundit, sundohet nga mediokriteti.

Nëse të parët, në nisjen e tyre, ishin të varfër, të zakonshëm dhe me jetë normale si të tjerët, parlamenti i tashëm mund të jetë më i pasuri ndër të pasurit e këtij trualli ballkanik. Por, ndoshta jam i gabuar, ndër më të pashkolluarit.

Nuk mund të mohoj se në sallë ka njerëz që janë në vendin e duhur, që të bëjnë nder edhe kur të flasin, të dinjitetshëm dhe kurajozë, por , gjithnjë e më shumë po humbin figura të tilla.

Mund ta mendonte njeri se ditën e enjte, që sapo shkoi, dy deputetët “dialog erotik shkrues” që tregonte se pas këtij dialogu ishin ndërtuar marrëdhënie të tjera, do të kishin guximin, që pa iu skuqur faqja, të ishin në sallën e Kuvendit?

E, unë them se, po, mund të mendohej. Disa vite më parë, disa dekada më parë, askush nuk mund ta mendonte. Tani, po.

Nder apo turp?

Kjo është një pyetje që e bën shumëkush, pavarësisht se përsëri në dyert e një deputeti do të trokasin.

Sepse, pa to, nuk të hapen rrugët.

 

 

February 16, 2018 10:47