Nderim luftëtarëve Maman Saliu dhe Jonuz Mersini

August 6, 2018 12:09

Nderim luftëtarëve Maman Saliu dhe Jonuz Mersini

Nga Meto METAJ

Duke shfletuar  materiale të ndryshme dokumentare që posedoj në bibliotekën personale, u ndesha edhe me një shkrim nga Meto Metaj, një nga personalitetet  e spikatura të Forcave të Armatosura, kushtuar bashkëfshatarëve të tij, Maman Saliu dhe Jonuz Mersini.

Ky shkrim është një homazh për gjithë partizanët e çetës”Sali Murati- Vranishti”, me rastin e 75 vjetorit të formimit të saj. Si djali i Maman Saliut, jam ndier krenar që im atë e  përshkoi rrugën e gjatë të jetës në shërbim të lirisë, popullit dhe Atdheut jo vetëm, por me  shokë me vlera të rralla si Jonuz Mersini, Hysen Çino, Ymer Aliko, Nazif Qerimi, Çobo Osmëni, Azis Qerimi, Mumin Selami, Zaho Koka, Llambro Andoni, Laze  Nuro, Vehbi Hoxha, Mevlan Dervishi, Veis Pipa, Bejto Isufi, Reis Malile, Niko Hoxha, Vasil Neranxi, Kiço Gjikopulli, Pilo Shanto, Leo Baka, Ibrahim Dervishi, Kristo Papajani, Nuri Arapi, Et’hem Gjinushi, Avdul Hakiu, Sihat Tozaj e plotë të tjerë nga çdo krahinë e Shqipërisë, pa harruar as ata që u ndëshkuan padrejtësisht si Hito Çako, Arif Hasko, Sali Ormëni, Rrahman Parllaku, Halim Xhelo, Halim Ramohito, Andon Sheti, Kadri Hazbiu etj. Dikujt  që do i lexojë këto rreshta me syze partiake mund të mos i  pëlqejë ndonjë emër i sipërcituar, por e them pa asnjë rezervë, se ky brez burrash që i dhanë popullit lirinë dhe punuan me mish e shpirt në emër të idealeve të pastra për të ngritur në këmbë një shtet të rrënuar në çdo drejtim, mbase nuk ishin të përkryer, por kurrë të përlyer. Të tillë do mbesin në mendjen time edhe im atë e Jonuz Mersini. Pse jo, edhe Meto Metaj.

Arben Saliu

Në shkurt 2007 u nda nga jeta biri i shtrenjtë i Vranishtit të Vlorës, veterani i nderuar i LANÇ Jonuz Mersini. Në ditën mortore u gjenda ballë për ballë me bashkëluftëtarin dhe shokun e tij më të dashur, Maman Saliun. Një dhimbje e thellë pasqyrohej në fytyrën e tij për humbjen e njeriut me të cilin e lidhte një jetë e tërë. Kisha dëgjuar me kohë që ata mbanin lidhje të ngushta me njëri-tjetrin.

Kur vitet e fundit Jonuzi u rëndua nga sëmundja e pashërueshme, Mamani, edhe pse vet me një gjendje fizike jo të mirë, pothuajse ishte përditë pranë shokut të tij të halleve të përbashkëta. Po ku e kishte burimin dashuria, miqësia dhe respekti reciprok midis tyre?

Mos vallë te interesat e vogla dhe meskine? Në asnjë mënyrë! Ato u ruajtën të gjalla e të ngrohta për dekada të tëra, sepse shoqëria e tyre zinte fill qysh nga bangat e shkollës fillore në fshat, me arsimin e mëtejshëm në qytetin e Vlorës dhe do të çimentoheshin gjatë rezistencës antifashiste. Ishin idealet e lirisë, që ata u lidhën së toku edhe si shokë armësh. Këto ideale u përçuan tek ata edhe nga tradita patriotike e fshatit të tyre.

Vranishtjotët, gjatë tërë historisë, në kthesat e mëdha politiko-shoqërore, gjithnjë qenë rreshtuar në krahun e forcave progresive duke marrë pjesë aktive në luftrat dhe përpjekjet për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar e shoqëror. Nga radhët e tyre kanë dalë burra të shquar me pushkë e penë. Midis tyre shkëlqen figura e Heroit të Popullit Sali Murat Vranishtit, babait të Mamanit. Ishte kjo traditë dhe frymë e mbrujtur tek ta dhe brezi i tyre, që ata të përfshiheshin pa hezitim në Lëvizjen Nacionalçirimtare dhe të bëheshin promotorë të saj në Vranisht.

Kështu, me krijimin e çetës partizane “Sali Murati” në gusht 1943, mbi supet e tyre do të binte barra e drejtimit të saj. Mamanit do t’i besohej detyra e komandantit, kurse Jonuzit ajo e komisarit. Qysh nga lufta e Libohovës, aty ku u pagëzua çeta dhe në gjithë rrugën e saj luftarake, si në përbërje të batalionit “Halim Xhelo dhe në Brigadën e Pestë, te  Mamani e Jonuzi dolën në pah cilësi të rralla jo vetëm komanduese, por edhe morale. Mençurisë së tyre nuk i mungoi edhe guximi, vendosmëria e trimëria, prandaj ata në historikun e Brigadës së Pestë figurojnë edhe si drejtues batalionesh, por edhe si  partizanë me plagë të rënda.

Mamani me siguri duhet të renditet ndër ata partizanë shqiptarë që kanë marrë plagë të shumta në trup.  Megjithëse me plagë të pambyllura, ata  nuk iu ndanë Brigadës së tyre të lavdishme dhe luftuan deri në thellësi të tokave jugosllave. Me shporrjen e bishës nazifashiste, Maman Saliu dhe Jonuz Mersini nuk e vunë “festen mbi sy”, por përsëri u gjendën në frontin më të vështirë, atë të përballjes me mbeturinat kolaboracioniste dhe bandat diversioniste.

Çdo detyrë të ngarkuar më pas, ata e kryen me përkushtim e kopetencë profesionale, falë edhe kualifikimit të tyre në shkollat më prestigjoze në Moskë. Këta dy kolonelë të spikatur të strukturave të Sigurisë Kombëtare kudo që punuan e drejtuan lanë gjurmë të pashlyeshme si kuadro me integritet të lartë moral dhe atdhetar.

Vitet e fundit të jetës, si Jonuzi, ashtu edhe Mamani, kryen edhe një detyrim shoqëror e patriotik. Kujtimet  që përjetuan në luftën antifashiste si edhe ato nga koha në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit kombëtar, i imponoi që ato të mos ngeleshin pronë vetëm e  kujtesës së tyre, por t’i hidhnin në letër. Kështu Jonuzi  botoi librin “Alfabeti i lirisë”, kurse Mamani i  përmblodhi kujtimet në dy libra: “Trokitje në kujtesë” dhe “Në vorbullën e jetës”.

Jeta e tyre në shërbim të popullit dhe Atdheut; shoqëria dhe miqësia e pastër, e sinqertë e mëse vëllazërore; lidhjet e ngushta me vendlindjen e bashkëfshatarët; modestia dhe thjeshtësia, jo të shtirura, janë vlera të atilla që na imponojnë, që ndaj këtyre dy burrave të shquar të Vranishtit dhe Labërisë, mirënjohja dhe respekti të jenë të pakufishme.

August 6, 2018 12:09
Komento

1 Koment

  1. Bashkim canodemaj August 6, 19:47

    Jeta një herë të vjen dhe historia një herë të troket, prandaj këta personazhe janë të papërsëritshëm se dhe jeta dhe lufta e tyre është e papërsëritëshme. Kur lexova këtë shkrim, sapo kisha përfunduar librin e Maman Saliut “Trokitje në Kujtesë” Ndoshta me vonesë për kushtet e mia larg vëndit, por kurdo që ta lexosh, ai vjen i freskët sepse autori dhe dëshmimtari ngjarjes, të tillë e ka përshkruar me artistllëkun e tij që i buron nga përkushtimi dhe atdhetarizmi i tij dhe shokëve të tij, patriotizmi dhe tradita e familjes dhe fshatit Vranisht nga ai është, por dhe dija dhe intelekti që kishte. Komandat, komisar, ushtar, akademik ushtarak, intelektual i sprovuar në të gjitha kohët e jetës së tij, por mbi të gjitha njeri i dashuruar me vëndin e tij dhe njerëzit e tij, i lindur dhe i rritur kështu. Nuk është vëndi për të komentuar këtu në gazetë, por ata djem e vajza si Maman Saliu që i falën rininë e tyre luftës për çlirimin e atdheut nga bishat brënda dhe jashtë vëndit që i falën gjakun dhe jetën, janë lapidare që duhet tu përulemi në çdo moment, sepse për popullin dhe Atdheun vunë gjënë më të shtrënjte te tyre: JETËN. Por jo vetëm kaq; shkelën çdo pëllëmbë të tokës shqiptare dhe jashtë saj, me këmbët e gjakosura e pushkën në krahë, me vuajtje e pa ngrënë në diell, borë dhe shi e kurorëzuan fitoren mbi bishën më të egër të njerëzimit në koalicion me gjithë frontin antinazist botëror, për lirinë e popullit dhe atdheut të tyre. U shkolluan, punuan, ndërtuan dhe përsëri sakrifikuan, se ai brez u mësua edhe me sakrificat sublime. Kush mund ta bënte atë që në moshë të re akoma, bashkë me fëmijët të linte Tiranën dhe të shkonte në fshatin e tij për të vazhduar të kontriubonte? Shiko çfarë i shkruante Halim Ramohito , më 29 nëntor 2004 Maman Saliut: “Bashkëluftëtari im i dashur Maman Saliu!
    Shkundu, o ujk i vjetër i luftës dhe i punës, i pushkës dhe i penës për çlirimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e këtij vëndi dhe këtij populli. Është momenti që të hedhësh në letër rezervat që ké akoma në këtë fushë, kujtimet që të kanë mbetur akoma. Se tani jemi drejtë rrugës pa kthim…..” Dhe ai nuk heshti, por me vërtetësinë si vetë egzistenca e tij, i mblodhi në rreshta libri gjithë ato ngjarje e sakrifica sublime, ashtu si mbledh bleta polenin për të ndërtuar hojet që brënda këtyre hojeve, ne të mëpasmit të grumbullojmë mjaltin e ëmbël të luleve, pa mjaltë ka dhe lulja e duahnit, ama ta helmon xhanin…. Bashkim Canodemaj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*