Nderimi si ringjallje për piktorin Spiro Golgota

September 5, 2018 13:05

Nderimi si ringjallje për piktorin Spiro Golgota

 

Nga Moikom Zeqo

Ka raste në jetë që njeriu kujton me intensitet të veçantë një ngjarje që nuk mund të harrohet.

 Një gjë e tillë më ka ndodhur edhe mua, kujtoj vetëtimthi por në mënyrë të pashlyeshme një takim të shumë viteve më parë me një artist dhe një piktor që ka vdekur në 10 dhjetor 1962 në moshën 36-vjeçare.

                                          ***

Një vit para se të vdiste, Spiro Golgota, pra në vitin 1961 jo shumë larg shtëpisë sime ku kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Durrësit, në njërën nga rrugët në formë rrethore, mbështetur mbi strukturën e amfiteatrit të lashtë të qytetit e kam parë piktorin i cili kishte vendosur kavaletën dhe po pikturonte peizazhin me shtëpitë e stilit popullor të shekullit XIX.

 U afrova pranë dhe bisedova me të.

 Ishte një njeri me pamje serioze, me mustaqe dhe me një zë të butë.

 Unë isha në atë kohë 12 vjeç dhe kisha nisur të ndiqja kursin e pikturës në Shtëpinë e Pionierit.

 Punoja me piktorin dhe skenografin e teatrit “Aleksandër Moisiu” Zef Ujkaj.

Zefi mendonte se unë do të bëhesha piktor i vërtetë dhe ngulte këmbë që të mos “i lakoja” dhe t’i shtrembëroja vizat e objekteve që ai më jepte për të vizatuar.

 Unë kisha një liri tepër të madhe për të interpretuar sipas mendjes sime kokat arkeologjike prej allçie, trupin anatomik apo objekte të veçanta si një vesh njeriu i madh, një putër luani, një vazo, një kapitel etj.

Zefi donte të më mësonte përpikërinë e vizatimit.

E përmend këtë gjë sepse dua të shpjegoj pse më bëri përshtypje takimi i papritur me piktorin Spiro Golgota.

Piktori mbante para vetes telajon dhe me penelin e hollë ravijëzonte direkt drejtpërdrejt në kanavacë siluetat e shtëpive, inkandeshencën e muzgut.

 Ishte një ditë vere e nxehtë, diellore, e mrekullueshme.

Nuk mund ta harroj dot përshtypjen e mrekullueshme që më bëri peizazhi me ngjyra i Spiro Golgotës.

Biseda me të ka qenë padyshim një bisedë e dy njerëzve me mosha të ndryshme.

 Ai atëherë ishte 35 vjeç dhe në kulmin e pjekurisë dhe mjeshtërisë së tij artistike.

 Kurse unë qeshë thjesht një 12 vjeçar ende i paditur dhe shumë naiv.

Ndër të tjera i thashë që ndiqja kursin e vizatimit dhe kisha profesor të pikturës Zef Ujkajn.

 Ai buzëqeshi dhe më tha se Zefi ishte shoku i tij i afërt.

Unë i thashë se e kisha të vështirë të vizatoja në mënyrë të përpiktë, të “kopjoja” saktësisht çdo gjë dhe mendoja se kjo gjë qe e mjaftueshme që unë të mos bëhesha kurrë piktor.

Spiro Golgota i përmbajtur buzëqeshi dhe më këshilloi të mos ngutesha, se nuk duhet ta braktisja pikturën sepse vetëm dashuria dhe këmbëngulja të çon tek rezultatet.

Mbaj mend që e kam parë dhe herë të tjera Spiro Golgotën në rrugë.

Silueta e tij ende më duket sikur lëviz në kalldrëmet e lashtë të Durrësit në sfond të kështjellës dhe kullave bizantine dhe veneciane.

Pas pak mbas disa kohësh në 1962 Spiro Golgota mbylli sytë përgjithmonë.

 Lajmin për vdekjen e tij ma dha Zef Ujka.

                                  ***

Kaluan vite dhe unë përherë e më shumë bija në kontakt me pikturat e Spiro Golgotës.

Në Galerinë e Arteve Figurative të Durrësit ishte një koleksion i pikturave të tij.

 Ato më kanë pëlqyer gjithmonë.

 Në vite të ndryshme kam shkruar disa shkrime për artin e ngrohtë dhe të veçantë pikturik të Spiro Golgotës.

 Mua ai më kujtonte një piktor binjak të Vangjush Mios por kjo mënyrë krahasuese shpjegon diçka por nuk është e saktë sepse në fund të fundit .

Spiro Golgota është fokusuar dhe ka mbetur përjetë tashmë në historinë e arteve figurative shqiptare si piktori i parë dhe më i shquar i qytetit të Durrësit, si një artist me individualitet të spikatur.

I kam njohur motrat e Spiro Golgotës, Dhimitrën dhe Stavrullën, kam qenë shumë herë në shtëpinë e tyre në Durrës.

 Këto motra të mira me zemër të madhe, shumë mikpritëse dhe të sjellshme përherë jetuan me kujtimin e vëllait të tyre fatkeq.

 Nuk ka ca kohë që njëra nga motrat, Dhimitra ka vdekur.

 U trondita kur mora vesh vdekjen e saj dhe ky është shkaku që  e  shkrova këtë shkrim për Spiro Golgotën.

Sepse është e padrejtë nga pikëpamja historike dhe artistike, humane,- që të mbulohet nga pluhuri i harresës dhe mosmirënjohjes.

 Emri i paharruehem asnjehere i një artisti të tillë, te shkelqyer dhe te mrekullueshem , si Spiro Golgota.

                                          ***

Po kush është Spiro Golgota?

Ç’dihet për jetën e tij të shkurtër?

Familja Golgota është vendosur në Durrës në shekullin XIX.

Kjo familje kishte ardhur nga Llënga e Mokrës.

 Babai i Spiros, Vangjeli ishte avokat, kurse nëna, Vangjelia qe shtëpiake.

 Kjo familje la emër të mirë në Durrës dhe kujtohet dhe sot për të mirë.

Vangjeli mburrej se kishte qenë nxënës i Bajo Topullit dhe përpiqej të ndihmonte njerëzit.

Spiroja i vogël u rrit në një mjedis intelektual me dashurinë për librat dhe muzikën.

Atë e mahnisnin perëndimet e mrekullueshme të qytetit të Durrësit në det, ekzotika e kështjellës bizantine, rrugicat me kalldrëm, portalet e ndërtuara nga perandori ilir i Bizantit, Justiniani i madh.

 Vetvetiu ky mjedis madhështor dhe i lashtë ka qenë bota e ndijimeve të Spiroja për t’u bërë piktori i ardhshëm.

Në shtator 1939 Spiro Golgota filloi mësimet në liceun “Domenico Chirilo” në qytetin Bari të Italisë.

Shqipëria qe pushtuar nga fashizmi italian.

 Ndonëse i ri Spiroja e ndjente gjëmën apokaliptike të pushtimit.

Ai pasi studioi dhe përvetësoi thellë italishten, u zhyt në botën e librave njohu Danten, Alfierin, Viktor Hygonë, D’Anuncion, Leopardin etj.

                                          ***

Një ndikim të madh tek Spiroja pati muzika klasike.

Vite më vonë Spiro bëri një koleksion portretesh të Bahut, Bramsit, Mozartit, Monteverdit, Vagnerit.

                                          ***

 Në 1944 Spiro u kthye në Durrës.

 I rënduar nga tuberkulozi u bë melankolik, vetëm arti e tërhiqte.

 Në 1946 i ati e dërgoi për t’u kuruar tek doktor Ndroqi në Tiranë.

Pati një përmirësim të shkurtër dhe në 1947 filloi me vrull të studionte artet figurative në studion e piktorit Sabri Tuçi.

Ai vizatonte pa pushim modelet skulpturore prej allçie, me gishtërinjtë e ndjeshëm dhe të hollë.

 Bënte modelime të çuditshme me plastelinë.

                                          ***

Befas ndodh një gjëmë, horizonti i jetës së Spiros errësohet.

 Arrestohet i ati i tij avokati Vangjel Golgota.

 Tmerri i persekutimit mbështolli tani e tutje jetën e Spiro Golgotës.

 E ëma dhe motra qepnin në makinë për bukën e gojës. Spiroja vizatonte, përpiqej të harronte me anë të artit ankthet.

 Nga ato vite ka mbetur një vizatim me motive nga “Ferri” i Dantes.

Në 1950 avokatin Vangjel e nxorën nga burgu.

 Pati një stabilizim të përkohshëm të familjes por Spiro ende vuante nga tuberkulozi.

I pëlqente të shëtiste i vetmuar në bregdetin e Currilave apo tek vendi i quajtur Ura e Dajlanit.

Në 1952 Spiroja punësohet tek Sektori i Pikturës së qytetit.

 Punonte edhe për banderolat, flamujt dhe portretet festive të kohës.

 Në këtë kohë ai bëri një skulpturë me temë partizane “Ndihmë shokut”.

Dy-tre partizanë mbanin shokun e tyre të plagosur.

 Ko skulpturë u ekspozua në Galerinë e Arteve në Tiranë.

 Ishte pikërisht Kristaq Rama, skulptori i njohur që i dha zemër dhe e inkurajoi.

 Nisi të punonte në disa cikle peizazhesh dhe portretesh.

 Bëri një pikturë të madhe për Çerçiz Topullin, si dhe një skulpturë të Aleksandër Moisiut.

 Akoma dhe sot në fasadën e ndërtesës ku ka qenë shtëpia e kulturës së portit detar ruhen dy relieve të Spiro Golgotës, njëri tregon Mujo Ulqinakun me mitraloz kundër zbarkimit fashist italian në 7 prill 1939 kurse tjetri është një spirancë e madhe monumentale.

 Por më shumë se sa skulptor Spiroja qe një piktor i hollë dhe me shije të vërtetë artistike.

Ai la një numër të madh peizazhesh të shtëpive karakteristike në Durrës, në Mokër, në Voskopojë, në Dardhë, dhe në Korçë.

Ai bëri disa akuarele të mrekullueshme të djemve dhe vajzave të reja në plazhin e Durrësit.

Portreti qe një nga mënyrat e tij më të suksesshme të të shprehurit.

                                          ***

 Miqtë e Spiro Golgotës ishin intelektualët e njohur të Durrësit Vangjel Heba, Pjetër Dungu, Gjergj Vlashi etj.

Në shumë familje të Durrësit ka piktura të Spiro Golgotës.

Disa muaj para se të vdiste në 1962 u përurua Ekspozita e Parë dhe e Fundit e Spiro Golgotës ,që pati një sukses shumë të madh.

Një pjesë e këtyre punimeve mendoj se duhet të ruhen në Galerinë e Arteve të Durrësit.

 Po të mblidhen tërë pikturat e tij e kalojnë numrin njëqind dhe mund të krijonim një muze të vogël figurativ me emrin e tij.

Muzeu “Spiro Golgota” duhet bërë patjetër në të ardhmen nga Durrësi.

                                  ***

Në 15 dhjetor 1977 unë kam botuar në gazetën “Adriatiku” një shkrim mjaft vlerësues dhe entuziast për pikturat dhe artin e Spiro Golgotës.

Gjithashtu në një tjetër shkrim të botuar në 18 dhjetor 1986 ,po në gazetën “Adriatiku” , kam shkruar sërish një studim.

Aty nënvizoja “Spiroja krijon harmoni dhe pikturon në mënyrë realiste, shumë të sinqertë, mbështetur në traditën e Mios por pa u identifikuar me të”.

Një studim akoma më të gjatë për piktorin Spiro Golgota unë kam botuar në revistën “Nëntori Nr. 1 1978 .

Por dhe një tjetër studim në almanakun “Adriatiku”, 1980, Organ i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit.

Spiro Golgota meriton    shume me teper, ne te gjitha kuptimet!

Pra,  4  studime ne harkun kohor ne vitet 1977 dhe 1986.

                                          ***

Pse i përmend këto shkrime?

 Për të vërtetuar bindjen time  te thelle se një artist origjinal, si Spiro Golgota , ka vlera  te patjetersueshme dhe nuk duhet harruar në asnjë mënyrë.

Ky artist i pikturës ka vendin e tij të padiskutueshëm jo vetëm në historinë e arteve figurative të Durrësit por edhe të Shqipërisë.

Ai vdiq 36 vjeç.

 Mbiemri i tij i tmerrshëm Golgota të kujton historinë e Kalvarit dhe të Kryqëzimit të Krishtit.

Pse vallë ky mbiemër Golgota, që është toponim në Jeruzalem?

 Nuk dua ta zhbiroj deri në fund këtë motiv veçse dua të them se jeta e shkurtër e Spiros qe në të vërtetë një formë e vuajtjes dhe persekutimit të kotë.

Ai përjetoi kështu Golgotanë e kohës dhe u shua tepër herët nga jeta.

 Por ai la artin e tij   impresionues, delikat dhe  me stil te kultivuar, vetiak, si Trashëgim ne Substancen e Memories dhe te Artit.

Ky Art nuk mund të na lerë indiferentë.

                                          ***

 Këto rreshta që shkrova për Spiro Golgotën nuk janë vetëm një gjest moral nderimi, apo apologji shpirterore, por para së gjithash një nevojë diturake, për hir të së Vërtetës Shkencore dhe të Arteve Figurative në Shqipëri.

                                          ***

Së fundi botimi i një albumi me krijime që ruhen akoma të Spiro Golgotës do të ilustronte dhe krijonte ndjesi të reja dhe më të fuqishme për të gjithë ne e përgjithësisht për kujtesën kombëtare  dhe Historine e Pashlyeshme te Artit Shqiptar.

September 5, 2018 13:05
Komento

1 Koment

  1. Rr. B. Gramshi September 5, 15:52

    I dashur Moikom,
    te falenderoj qe ben nje pune te madhe per kulturen e kombit tone.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*