Ndërlikimet që shkakton skuqja nga nxehtësia

June 25, 2018 18:53

Ndërlikimet që shkakton skuqja nga nxehtësia

 

Pranvera Kola-DITA 

I nxehti bëhet shkak për shpërthimin e sëmundjeve të ndryshme të lëkurës, duke nisur nga ato të stadeve më të lehta, e deri tek format më të rënduara që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor. Një ndër shqetësimet e shpeshta është edhe skuqja nga nxehtësia, prej të cilës rrezikojnë më tepër të vegjlit dhe moshat e mëdha. Në vijim të shkrimit, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “Dita” se cilat janë shkaqet që çojnë drejt kësaj patologjie, simptomat e dukshme, format e trajtimit dhe këshillat për ta parandaluar.

Çfarë është skuqja nga nxehtësia?

Siç e dimë të gjithë, trupi ynë është i mbuluar nga lëkura, e cila si funksion të parë ka mbrojtjen e organizmit tonë nga mjedisi i jashtëm. Ajo na mbron nga infeksionet, ekspozimet kimike dhe rrezet e dëmshme ultravjollcë të diellit. Ajo ndihmon gjithashtu në rregullimin e temperaturës së brendshme të trupit duke prodhuar djersën nëpërmjet gjëndrave të djersës që ndodhen në të gjithë trupin dhe që komandohen nga truri.

Nëpërmjet saj, djersa del në sipërfaqen e lëkurës e cila më pas avullon duke ndihmuar në ftohjen e trupit. Skuqja nga nxehtësia është një inflamacion (infeksion) i butë i kanaleve të bllokuara të djersës.

Kur kanalet e djersës bllokohen, djersa nuk mund të vijë në sipërfaqen e lëkurës dhe bllokohet nën të. Si rezultat kemi një lëkurë lehtësisht me gunga të përhapura në mënyrë të barabartë në zona të ndryshme të lëkurës (si pamja e letrës zmerile të trashë), por edhe të skuqur.

Zonat më të prekura të lëkurës janë zonat e ekspozuara ndaj diellit, siç janë duart, fytyra, qafa, krahët dhe bërrylat. Por, mund të preken edhe zonat e mbuluara kur përdoren veshje të shtrënguara, si për shembull zona e barkut, ijet, rrudhat e kofshës, mollaqet dhe zona poshtë gjinjve.

Cilat janë simptomat më të zakonshme klinike?

Simptomat me të shpeshta përfshijnë një skuqje të shkëlqyeshme, që kruhet, djegie dhe ndjesia  e shpimit me gjilpëra. Forma e lehtë (ose forma kristaline) paraqitet si rruaza të vogla të djersës mbi sipërfaqen e lëkurës dhe kjo formë nuk prodhon simptoma shqetësuese.

Ndërsa forma e kuqe është forma më e zakonshme që ndeshim dhe njihet ndryshe, si: “nxehtësia me gjemba”, për shkak të kruajtjes së shumtë dhe ndjesisë së thellë të shpimit. Inflamacioni në këtë rast është më i shprehur prandaj dhe skuqja e lëkurës është më e shprehur.

Forma e tretë është ajo pustuloze që karakterizohet nga shfaqja e flluskave në lëkurë të mbushura me lëng të bardhë, ose të verdhe (në varësi nga shkalla e inflamacionit). Këto pustula mund të jenë edhe shenjat e para të infeksionit të lëkurës që duhen kontrolluar patjetër tek mjeku.

Dhe rasti i katërt (profund) përfshin rastet kur kanalet e djersës janë të bllokuara në thellësi dhe mund të shkaktojnë infeksione të shtresave të thella të lëkurës, në këto raste, veçanërisht gjatë ekspozimit ndaj nxehtësisë, ose pas sforcove fizike, kemi shfaqjen e gungave të mëdha e të forta nën lëkurë.

Cilat janë shkaqet e kësaj patologjie?

Siç e thamë edhe më lart, shkaku kryesor është bllokimi i kanaleve të djersës dhe gjëndrave të djersës. Lëkura rreth qafës (sidomos kur ka pala), zona e sqetullave, rrëzat e kofshëve që fërkohen me njëra-tjetrën pengojnë avullimin e djersës. Po ashtu veshjet e ngushta rreth belit, barkut, ose gjoksit pengojnë avullimin e djersës. Edhe kremrat e trasgë, vajorë ose fashot ngjitëse mund të bllokojnë kanalet e djersës.

Cilët persona rrezikojnë që të vuajnë më shumë nga ndërlikimet e kësaj patologjie?

Së pari të porsalindurit, ose foshnjat e veshura me pelena të shtrënguara. Të porsalindurit preken më shpesh sepse gjëndrat e djersës janë akoma të papjekura mirë dhe nuk funksionojnë siç duhet për të eliminuar nxehtësinë e trupit. Prandaj ato duhen veshur lehtë dhe duhen ndërruar shpesh.

Pastaj vijnë të moshuarit që nuk mund të kuptojnë se sa janë djersitur dhe nuk ndërrojnë shpesh veshjet e tyre. Po ashtu të jetuarit dhe punuarit në vendet e nxehta është një tjetër faktor që shton rrezikun për shfaqjen e kësaj patologjie.

Si bëhet diagnostikimi?

Diagnostikimi i këtij problemi duhet bërë me kujdes dhe nga mjekët specialistë, pasi më parë duhet bërë diferencimi i saktë me reaksionet alergjike, infeksionet bakteriale, mykotike, apo edhe ekzemat. Në rastet e komplikuara mund të nevojitet edhe biopsia e lëkurës për saktësimin e diagnozës. Në varësi të simptomave të paraqitura nga pacienti, mjeku përcakton edhe llojet e ekzaminimeve dhe kontrolleve të tjera mjekësore që duhet të kryeni.

Lidhur me format se si duhet trajtuar çfarë mund të themi?

Format e lehta zakonisht nuk kanë nevojë për trajtim. Ato eliminohen vetë duke bërë banjo të shpeshta dhe duke përdorur veshje të lehta që lejojnë ajrosjen e lëkurës. Në format e mesme mund të lindë nevoja e përdorimit të kremrave me përqindje të lehta kortizonikësh që lehtësojnë skuqjen dhe kruarjen, por këto duhen përzgjedhur nga mjeku në raport edhe me situatën individuale shëndetësore.

Kjo pasi përdorimi i tepërt i këtyre kremrave mund ta përkeqësojë situatën. Ndaj në asnjë rast nuk duhet të vraponi nëpër farmaci për të marrë këto kremra qetësues në rast se më parë nuk jeni konsultuar me mjekun tuaj specialist.

Ndërsa në format e rënda, të shoqëruara me infeksione të thella duhet një kujdes i veçantë në zgjedhjen e mjekimeve lokale, apo edhe nga goja (sipas rastit).

Çfarë rekomandohet për parandalimin e skuqjes nga nxehtësia?

Krahas trajtimeve specifike të rekomanduara nga mjeku, janë edhe një sërë këshillash që duhet të ndiqen gjatë jetës së përditshme për të shpëtuar nga simptomat dhe shqetësimet e kësaj patologjie.

Këshillohet që të vishni veshje të lirshme dhe me ngjyra sa më të çelëta. Kjo pasi ngjyrat e errëta përthithin më tepër nxehtësinë e diellit.

Gjithashtu, duhet të shmangni ushtrimet fizike në mot të nxehtë dhe të lagësht. Mbani lëkurën të thatë sidomos në zonat delikate (sqetulla, qafa, rrëzë kofshëve, poshtë gjinjve) ku mund të grumbullohet djersa.

Pini shumë ujë gjatë gjithë ditës (sidomos në verë, deri në tre litra) dhe ndaloni aktivitetin fizik nëse ndjeheni shumë të nxehur dhe të trullosur.

Kontrolloni dehidrimin e trupit tuaj nëpërmjet urinës. Nëse trupi është i dehidruar, veshkat do të përpiqen të mbajnë sa më shumë ujë dhe urina do të jetë më e pakët se normalisht dhe më e koncentruar (me ngjyrë të errët). Prandaj në këto raste shtoni përdorimin e lëngjeve për ta bërë urinën transparente, ose pak të verdhë.

Qëllimi nuk është të bllokohet djersitja, por të lejohet eliminimi i saj nëpërmjet avullimit. Kështu ruhet një temperaturë konstante e trupit dhe organizmi funksionon normalisht. Djersitja e freskon trupin nëpërmjet avullimit. Prandaj eliminoni me çdo kusht veshjet e ngushta.

 

p.k/dita 

 

June 25, 2018 18:53
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*