Ndërprerja e ndihmave palestineze, Trumpit ia ka kërkuar Netanyahu

September 3, 2018 20:07

Ndërprerja e ndihmave palestineze, Trumpit ia ka kërkuar Netanyahu

Sugjerimi për ndërprerjen e plotë të fondeve amerikane për agjencinë e Kombeve të Bashkuara dedikuar palestinezëve (UNRWA) raportohet të ketë ardhur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sipas asaj që bën të ditur media amerikane “Axios”, që citon zyrtarë izraelitë, Netanyahu u ka thënë vetëm dy javë më parë zyrtarëve të administratës së Trumpit se mbështeste plotësisht ndalimin e financimeve, edhe pse e ka bërë këtë pa u konsultuar paraprakisht me shefat izraelitë të sigurisë.

Raportimi vjen vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan ndalimin e plotë të financimit të agjencisë së Kombeve të Bashkuara që ofronte ndihma për refugjatët palestinezë.

“Administrata ka rishikuar me kujdes çështjen dhe doli në përfundimin se Shtetet e Bashkuara nuk do të kontribuojnë më për UNRWA-në”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në deklaratën e së premtes së kaluar.

Në atë dalje për mediet, Nauert tha se modeli i biznesit dhe praktikat fundamentale të “UNRWA”-së ishin “të paqëndrueshme”, teksa shtoi më tej se grupi në fjalë ka qenë prej vitesh në “status krize”.

“Axios” theksonte pak javë më parë se sugjerimi izraelit ishte që Shtetet e Bashkuara t’i kufizonin gradualisht financimet për “UNRWA”-në, nëse do të vendosnin të ndërmerrnin këtë hap. Madje, vendi hebre nuk mbështeste ndërprerjen e ndihmave amerikane për Rripin e Gazës, për shkak të frikës se kjo mund të çonte në një kolaps humanitar dhe tensionim të situatës në terren.

Por, Netanyahu e ndryshoi mendjen para pak javësh dhe më tej ia përcolli mendimin e tij administratës së Trumpit në mënyrë private, sikurse edhe anëtarëve të Komitetit për Buxhetin në Senat. Zyra e Netanyahut nuk ka reaguar ende mbi këtë raport.

Megjithatë, përpara shpalljes së vendimit, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas tha se mund të kishte një përpjekje nga administrata amerikane për të ushtruar presion ndaj autoriteteve palestineze.

“Pasi përdorën ndihmat humanitare për të shantazhuar dhe bërë presion ndaj lidershipit palestinez, për të pranuar planin e njohur si ‘marrëveshja e shekullit’, administrata e Trumpit po planifikon të shkaktojë një skandal imoral kundër refugjatëve palestinezë, duke i dhënë të drejtën vetes për t’u mohuar të drejtat historike të tyre”, tha Abbas.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi nga ana tjetër nisjen e diskutimeve për një qasje të re të dhënies së ndihmave për refugjatët palestinezë, me OKB-në, qeveritë përkatëse dhe palët e tjera të interesuara ndërkombëtare.

o.j/dita

September 3, 2018 20:07
Komento

1 Koment

  1. C'a bohet kshtu September 4, 03:43

    Cfare detyrimi ka Amerika qe te ndihmoje palestinezet? Ata kane mbi 30 vjet parazite qe hane pine me ndihmat e Amerikes dhe te Perendimit dhe pastaj rrjeshtohen ne lufte kunder shtetit Izraelit dhe shajne Ameriken.
    Do te punojne ndobjehere keta palestinezet apo do te dalin edhe ne pension me libreze pune dhe pensioni me emrin PARAZIT.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*