Ndihma ekonomike, ku dhe kur duhet të aplikoni?

May 21, 2018 17:43

Ndihma ekonomike, ku dhe kur duhet të aplikoni?

Familjet me të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar jetesën, si dhe disa kategori të tjera specifike kanë të drejtë të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Për të siguruar këtë pagesë duhet të aplikoni pranë njësisë vendore ku dhe keni vendbanimin.

Autoritetet e Shërbimit Social Shtetëror bëjnë me dije se: “Për të përfituar ndihmë ekonomike, kryefamiljari së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji duhet të paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët certifikata) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore”.

Më tej, administratori, në prani të kryefamiljarit, apo individëve të tjerë që plotësojnë kushtet për të përfituar këtë pagesë, plotëson online në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike, duke përmbledhur informacionin për demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin, llojin e banesës, pasuritë/asetet shtëpiake, të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale.

Është me shumë rëndësi që informacioni të jetë i saktë , pasi në rast të kundërt penalizoheni për deklarim të rremë. Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit merret vendimi për këto familje.

Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat.

Më pas, drejtoria rajonale e Shërbimit Social dërgon vendimin final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me arsyet përkatëse kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës.

Kujdes!

Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 muaj tek zyra e administratorit shoqëror, i cili plotëson deklaratën social-ekonomike dhe e hedh në sistem si dhe verifikon gjendjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.

p.k/dita 

May 21, 2018 17:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*