Ndjesa në Ballkan

Artan Xh.Duka May 21, 2014 14:49

Ndjesa në Ballkan

Përtej dëshirës së mirë të qeverisë, zerimi i problemeve me fqinjët nuk varen vetëm prej nesh. Ai rrezikon të mbetet utopi sa kohë klishetë e tabutë e së shkuarës janë prezent matanë kufijve pavarësisht frymës së BE dhe NATO në rajon. Më 1913 fqinjët abuzuan me avantazhin e të ‘parit’ (shtete një shekull para nesh falë tutorëve mes fuqive të mëdha) në kurriz të kauzës shqiptare. Ajo veç shtoi oreksin (Serbia dalje në det, Vorioepiri etj) duke u justifikuar me alibi historike dhe platforma ‘akademike’ rezultat i të cilave janë steriotipet antishqiptare që të shtrira edhe në mentalitetin urban, provokuan kohezionin mes popujve me bashkëjetesë qindra-mijra vjeçare në rajon. 

Zerimi i problemeve imponon çrrënjosje tabush ekstremiste nacionaliste në rajon. Me të shkuarën ende nëpër ‘këmbë’ (Vorioepiri, ligji luftës, Kosova djep i Serbisë etj), ai ngjason me një mision të pamundur. Ku vetçensurimi sigurisht nuk ndihmon.

 

E kaluara që nuk mbulohet dot

Qeveria ka detyrimin dhe privilegjin historik për të sensibilizuar pa komplekse zgjidhjen e problematikave të së shkuarës në rajon. Tanimë që rajoni bart dhe inspiron vlera të BE dhe NATO, ajo duhet të bëjë të qartë pritshmërinë legjitime të saj që qeveritë fqinje të dëshmojnë se nuk i lidh asgjë me episodet tragjike të së shkuarës (genocidi ndaj çamëve, kosovarëve etj). Dielli nuk mbulohet me shoshë dhe paqja me të shkuarën fillon nga ndjesa për të. Qasja ‘allatito’ (kur i deklaronte Enverit se ke të drejtë për Kosovën por duhet gjetur momenti se nacionalizmi sërb nuk do e mirëkuptojë!!!) është thjesht alibi dhe nëse politika fqinje pretendon se përfaqëson apo inspiron civilizimin perëndimor, ajo duhet të distancohet pa asnjë kompleks nga trashëgimia e Zervës apo e Millosheviçit etj në rajon.

Emancipimi perëndimor i politikës në Ballkan nuk pajtohet me  genocidin, asimilimin e djeshëm apo të sotëm të minoriteteve, diskriminimin e emigrantëve etj. E ndërsa Serbia i kërkoi ndjesë Kroacisë për luftën në rajon, ende sot politika, kleri, elita e saj etj jo vetëm refuzon të kërkojë ndjesë publike për genocidin dhe padrejtësinë historike në Kosovë (me përjashtim të një grupimi grash kurajoze) por dhe e përligj atë, qoftë dhe indirekt, duke varur ‘gozhdën’ në Mitrovicë dhe bërë ‘viktimën’ ndërkohë që vijon marzhinalizimi i të drejtave në hapësirat shqiptare në jug të Serbisë.

Ky ngërç ballkanik është po aq absurd në rastin e Greqisë që si shtet ‘veteran’ i BE dhe NATO duhej të krijonte preçedentin e ‘katarsisit’ historik përmes ballafaqimit dhe distancimit kurajoz me shkuarën që mban peng të sotmen nga Çamëria, arvanitasit, ligji i luftës, diskriminimi i emigrantëve, kufiri detar, varrezat, kisha ortodokse, censusi, pensionet, toponimet, emigrantët, ekstremizmi mes ushtarakëve, keqtrajtimi në burgjet greke etj. Mosdistancimi ndaj së shkuarës u lë hapësirë mentaliteteve atavike që në inercinë e tyre zënë vënd edhe në mentalitetin urban duke krijuar steriotipe paragjykimi mes dy kombesh që për mijra vjet kanë ndarë të njëjtin fat, tradita, zakone, lidhje gjaku etj aq sa nëse me të tjerë jemi vëllezër, së bashku jemi binjak.

 

 

 

Jo të gjithë në një thes

Ndërkohë që pjesë e sfidimit të ndjeshmërisë politike ndaj reminishencave të së shkuarës në rajon janë edhe protestat civile, marrja me simbolet kombëtare (psh. djegja e flamujve) kompromenton panevojshmërisht apelin e saj (as në monizëm kur lufta politike ishte në ekstrem nuk vëreheshin eksese të tilla).

Flamuri kombëtar është i çmuar për çdo komb dhe përçmimi i tij sikurse lëndon ne, lëndon edhe matanë. Pyll pa derra nuk ka por flamuri kombëtar nuk është eskluzivitet i ekstremizmit (që ka simbolikat e tij) por simbol i mbarë kombit. Flamuri grek është i shtrënjtë për popullin mikpritës grek dhe politikanët, intelektualët, shoqërinë civile dhe median progresive që distancohen me kurajo prej të papranueshmes dhe diskriminimit në vënd. Ai është dhe flamuri që arvanitasit legjendarë (me të cilët mburremi sot) ngritën për pavarësinë e Greqisë, brezit të ri me dyshtetësi, minoritarëve punëtorë dhe bujar me të cilët bashkëjetojmë dhe kemi lidhje gjaku në shekuj etj. E drejta është në anën tonë por jo për të futur të gjithë në një thes.

 

 

Ndjesa mes vetes

Sfidat në rajon imponojnë kohezion social dhe politik mes nesh. Ndjesa nuk çliron vetëm rajonin. Ajo na çliron dhe ne. Teksa mirëpresim ndjesën fqinje, të mos harrojmë ndjesën e pathënë mes nesh. Nga monarkia për riardhjen dhe ikjen pa lavdi, kuislingu që u bë palë me okupatorin dhe në emigracion iu kundërvu monizmit nën hyqmin e qarqeve tradicionalisht antishqiptare, monizmi që luftën e klasave e çoi në absurd dhe provokoi bumerang prej zellit ideologjik, klasa politike e tranzicionit në ‘turnin’ e së cilës u zhbë një kontribut gjysëmshekullor dhe pasiguria dhe abuzimi fituan terren, deri tek individi që nuk bëri qytetarin ndaj autoritarizmit të të gjitha kohrave duke lejuar nëpërkëmbjen e të drejtave të tij.

Ndjesa nuk është dobësi dhe nuk duhet paragjykuar si e tillë. Ajo meriton respekt sublim. Me të, arrijmë të shihemi të gjithë në sy dhe vetë Ballkani do të jetë shtëpia e madhe ku kushdo do të ndjehet më mirë.

 

 

Artan Xh.Duka May 21, 2014 14:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim