Ndodhi olimpike

June 11, 2019 01:12

Ndodhi olimpike

Nga Moikom Zeqo

Zeusi u shfaq në formën e një Centauri.

Përpara tij mbrritën Aleksandri i Madh dhe Kali i tij i quajtur Bukefal. Kishin lëvizur në tërë hapësirën e vdekjes (të pasvdekjes) për tek caku i Pavdekësisë së Zotave.

Zotat s’mund të vdisnin dot, ndaj nuk udhëtonin (e kishin të ndaluar) mes për mes vdekjes.

Vdekatarët e kishin këtë mundësi të çuditshme.

Ky takim ndodhi diku në shpatet e Olimpit, ose në një peizazh të imagjinuar si Olimp. Aleksandri u habit që e pa Zeusin si Centaur.

Donte ta pyeste por nuk guxoi.

Zeusi e vështroi gjatë dhe tha :

– Ti je…

– Aleksandri i Madh…

– Aleksandri, i një vendi të vogël, Maqedonisë. Vetëm unë Zeusi jam i Madh.

– Kam pushtuar shumë hapësira. Edhe qytetin e Babilonisë. Aty kam vdekur. 33 vjeç. Lavdinë e kam të madhe.

– 33 vjeç? Ç’moshë e papërfillshme për mua! E ç’janë hapësirat që gjoja ke pushtuar? Një pjesë kaq e vockël e hapësirave të pambarimta. Duket se je qenie njerëzore me një koncept të limituar të hapësirës në kokën tënde. Është e vështirë të flas me ty për shkak të koncepteve të ndryshme që kemi. Unë Zeusi i përkas kohës së pafundme dhe hapësirës së pafundme. Tek ty çdo gjë është e kufizuar. Kaq shumë e kufizuar. Ah. Një qenie e kufizuar ka lavdi të kufizuar.

Zeusi fliste ngadalë por me zë të lartë. Gjysma e tij antropomorfe, fytyra e tij, torsi qe me lëkurë gati blu si dita flokët dhe mjekra e gjatë me ngjyrë të artë i valëviteshin. Gjysma tjetër prej kali qe e zezë si nata.

– Pra unë jam Askushi, tha duke belbëzuar Aleksandri.

– Të jesh Askush, apo Dikush nuk ka ndonjë ndryshim. Ti i takon racës së vdekatarëve. Racë e brishtë, që jeton pak. Por që ka ëndrra të mëdha. Ëndrrat burojnë nga zotat. Burojnë nga unë. Ëndrrat përbëjnë shpirtin njerëzor. Ëndrrat janë lënda e emrit tënd, e historisë tokësore. Por vetëm kaq. Ëndrrat nuk ndikojnë dot në lëvizjen e elementeve: të zjarrit, të ujit, të ajrit dhe të dheut. Ëndrrat janë ëndrra.

Aleksandri uli kokën i menduar. Ahere pse kishte jetuar? Pse kishte luftuar? Pse kishte shkëlqyer në artin strategjik?

Kali Bukefal vendosi të fliste (mund të fliste si njeri) mbasi dëgjoi gjithçka.

– Po për mua o Zeus, ç’mund të thuash për mua?

Befas Zeusi u shndërrua. Koka e Zeusit u bë kokë kali dhe trupi në formën e një njeriu vigan. Përsëri centaur. Por ndryshe.

– Ti je kali i Aleksandrit. Je Bukefali. Ti e ke mbartur në betejat Aleksandrin. Ti e çove gjer në malet misterioze të Indisë, në brigjet e lumit Gand. Ti i shpëtove jetën kur atë e plagosën. Pa ty ai nuk do të ishte Aleksandri. Ti ke vrapuar. Intuita jote ka qenë vendimtare dhe shpëtimtare. Lavdinë që ja përmenda Aleksandrit e meriton ti. Për shkak të drejtësisë së mirëfilltë. Por një drejtësi e tillë nuk ekziston për njerëzit. Ti je pjesa prej kafshe e njeriut Aleksandër. Pjesa më e fuqishme, që duron më shumë. Ti s’e ke kërkuar fare lavdinë, ndaj ajo të përket më natyrshëm. Por edhe ti je qenie e limituar. Ti dhe kalorësi jeni një centaur, por jo si unë. Jeni një centaur i një race të njëjtë të vdekshme dhe të përkohshme. Veç e veç s’do t’ju kujtonte kush. Sëbashku arritët diçka. Një unitet i natyrës më shumë se sa i mendjes. Një sintezë megjithatë interesante. Ti Bukefal meriton respekt.

Mbi shpatet e mermerit dhe të granitit u grumbulluan re të bardha.

Zeusi u shndërrua në një sferë vezulluese.

Zeusi tha fjalët e fundit:

– Vetëm një farë filozofi i quajtur Parmenidi ka kuptuar natyrën hyjnore. Ai ka thënë se ka vetëm një qenie. Tërë universi, çdo gjë e përjetshme dhe e çastshme janë një qenie. Dhe unë Zeusi (me këtë emër, ose me emra të tjerë, ose pa emër fare, emri është i panevojshëm) pa qenë e domosdoshme të shfaqem me njëqind maska jam në formë sfere. Sfera është e përsosura dhe absolutja. Ju shihni tani një sferë të perceptueshme në të vërtetë unë jam një sferë e pakapshme nga shqisat. Jam një sferë e frikshme, por edhe indiferente, një sferë qendra e të cilës është gjithkund dhe perimetri askërkund. Gëzohuni që më patë në formën që mund të shihni. Sepse sytë tuaj s’janë për të vërtetën e gjithë të vërtetave.

Sfera u mbështoll nga një pafundësi rrufesh.

Pastaj u zhduk.

U zhdukën dhe shpatet e Olimpit real ose të ëndërruar.

U zhdukën dhe Aleksandri dhe Bukefali.

Çdo gjë u kthye në një boshllëk të pamatshëm.

****

Durrës, 4 gusht 1988. Ribotuar në Dita. Ndalohet publikimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

June 11, 2019 01:12
Komento

2 Komente

  1. nkolla June 11, 07:30

    Te nderuar gazetare te dites mos na botoni me nga zeqe, se ai nuk duket te jete studjue e akademik por nje politikan ipeshtire. Plehere si lesh e list i vertete. A e pate se kujt i dha interviste, nje gazetari te deshtuar si krasta. Krasten e bie ne din e iman vetem berisha i cili megjithese i theu brinjte ky debil vazhdon dhe e adhuron. Mire thone shkerdheu nenen qe te thona baba, njesoj si nkoll lesi.

    Reply to this comment
  2. ttt June 12, 23:34

    Ky egocentristi i mesjetes na merziti me keto perrallat e lashtesise GJITHMONE DYMBEDHJETE I RRI SAHATI.Duket se nuk i pjell gje tjeter truri por perserit te njejtat gjera nder vite vetem per honoraret e DADES .BOLL ME SE NUK TE DUROJME DOT……

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*