Ndoka përcillet në banesën e fundit, prokurorët zbardhin itinerarin para vrasjes

December 10, 2017 15:24

Ndoka përcillet në banesën e fundit, prokurorët zbardhin itinerarin para vrasjes

 

Grupi i hetimit ka zbardhur itinerarin e Aleksandër Ndokës, përpara se ai të qëllohej për vdekje me armë zjarri në qytetin e Lezhës, ku edhe jetonte me familjen.

I ndjeri, sipas prokurorëve, ka qëndruar në lokalin e tij derisa është mbyllur rreth orës 10:30.

Siç kanë dëshmuar punonjësit e lokalit, të pyetur në polici, në mbyllje të aktivitetit ditor në lokal ai i ka përshëndetur dhe është larguar me makinën e tij, tip “Mitsubishi”, raporton Top Channel.

Llogaritet se distanca nga lokali në shtëpi është një distancë fare pak minutëshe dhe siç tregon skena e krimit, autorët kanë qenë duke e pritur, kur viktima t’i afrohej banesës.

Aleksandër Ndoka, që është vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, u gjet i pajetë nga familja disa orë pas krimit.

Pavarësisht dyshimeve jo të pakta dhe pistave të shumta, grupi i hetimit nuk ka ende një pistë konkrete, pasi ka dyshime që krimi është kryer sipas një plani të menduar mirë.

Për profilin e Aleksandër Ndokës, prokurorët thonë se ai nuk ka asnjë precedent penal, ndërkohë që prej vitit 2015 ishte i angazhuar edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.

Por, ndërsa zyrtarisht në lidhje krimin dihet se në vendngjarje u gjetën 14 gëzhoja automatiku, askush nga hetuesit nuk preferon të flasë për pistat.

Mes dyshimeve të shumta, hetuesit përfshijnë edhe konfliktet e të birit, Samuel Ndoka, gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, si dhe konflikteve familjare.

Hetuesit nuk përjashtojnë gjithsesi edhe pista të tjera, për të cilat janë treguar të rezervuar për t’i bërë publike.

Ndoka përcillet për në banesën e fundit

Ndërkohë, sot lagjja ‘Nënë Tereza’ në qytetin e Lezhës ishte destinacioni i mijëra njerëzve që shkuan për t’i dhënë lamtumirën e fundit Aleksandër Ndokës.

Furgoni i policisë së burgjeve solli edhe të birin e viktimës, Samuelin, i cili ndodhet i ndaluar për një ngjarje në Shëngjin, ku mbeti i plagosur një aktivist i LSI.

Nuk mungonin personazhe të jetës politike lokale apo edhe ata të ardhur enkas nga Tirana.

Rrugët u mbushën me automjete, kurse pranë vendit ku janë edhe banesat e familjarëve të viktimës, shihej grumbulli i madh i njerëzve për të bërë homazhe.

U desh edhe mbështetja e policisë rrugore për të normalizuar trafikun që krijohej nga vargu i mjeteve në drejtim të mortit. Në mesditën e kësaj të diele, kortezhi i shoqëruar me qindra njerëz u nis për në varreza.

December 10, 2017 15:24
Komento

1 Koment

  1. XXXL December 11, 04:40

    Te gjitha gjurmet te cojne tek te rinjte e Lesh e Lise ne Lezhe, qe veprojne me urdher te kokemadhes dhe hunderres Monika si dhe deputetit Tushe.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*