Ndotja nga thertoret/ Banorët e Valiasit: Rrezikohemi nga sëmundjet, këtu është si në Siri

May 25, 2018 21:46

Ndotja nga thertoret/ Banorët e Valiasit: Rrezikohemi nga sëmundjet, këtu është si në Siri

 

300 familje të Valiasit të Vjetër kanë denoncuar në Fiks Fare shqetësimin e tyre, pasi në kanalin e hapur të ujërave të zeza që kalon në mes të zonës, derdhen ujërat e një kanali tjetër që shkarkon mbetjet e një thertoreje moderne 700 m larg zonës.

Sipas banorëve në thertoren DACIAL theren mbi 300 kokë bagëti në ditë. Dhe të gjitha mbetjet që nxjerrë kjo thertore si gjak, copa mishi, zorrë, etj, shkojnë dhe bashkohen me kanalin e madh që kalon midis qendrës së banuar.

Banorët e irrituar shprehen para kamerave se me rritjen e temperaturave kanë frikë për përhapjen e infeksioneve të mundshme. Era e keqe kundërmon në të gjithë zonën madje aq sa banorët shprehen “këtu është si në Siri, por të paktën në Siri të bie bomba dhe të merr sa hap e mbyll sytë, ndërsa kjo erë po na vdes dita-ditës”.

Denoncimin e banorëve e përforcojnë edhe më shumë pamjet filmike të kolektorit, i cili nxjerr ujë të kuq. Objektivi i kamerës aty ngjitur fokuson mbetje të copave të mishit, të stomakut dhe zorrëve, etj.

Gazetarët e Fiksit iu drejtuan thertores DACIAL, pronari i të cilës nuk pranon të japë intervistë. Ai jashtë kamerës lejon gazetarët të filmojnë 3 gropat septike të biznesit të tij si dhe tregon një raport vetëmonitorimi të mjedisit, sipas të cilit çdo gjë është ne rregull. Ai gjithashtu u tregon edhe një faturë të pastrimit të gropave septike prej kompanive të specializuara. Pra ai pohon se thertorja është në rregull. Por gjaku dhe mbeturinat në kolektor nga dalin? Duke mos gjetur një përgjigje banorët protestojnë para Bashkisë Kamëz duke kërkuar t’i shkojnë deri në fund problemit të tyre. Ata bëjnë edhe një kërkesë më shkrim për të biseduar me kryetarin e bashkisë, por që si përfundim në takim u del zëdhënësi i bashkisë për median, z. Artan Dervishi. Ai pohoi se ky problem nuk varet nga bashkia, por nga AKU dhe Ministria e Mjedisit që duhet të ndërhyjnë për këtë situatë. “Me informacionin tonë biznesi është me leje dhe ka një gropë septike për derdhjet e mbetjeve të thertores”, përfundon Dervishi.

Në këto kushte Fiks Fare iu drejtua Inspektoriatit Kombëtar të Mjedisit duke e vënë në lëvizje për të monitoruar ndotjen në Valias.

Sipas përgjigjes së IKM –së, nga verifikimi i shkarkimit të kanalit kryesor në kanalin e ujërave të zeza nuk kishte shkarkime me mbetje gjaku. Por një ditë pasi IKM kishte bërë verifikimet banorët shprehen se në këtë kanal nga kjo thertore janë derdhur me tonelata gjaku madje ata edhe kishin filmuar vetë me telefon.

Sërish Fiksi iu drejtua Ministrisë së Mjedisit. Kjo e fundit urdhëroi Ujësjellës Kanalizime Kamëz të verifikojë nëse kjo thertore shkarkon në rrjetin e kanalizimeve mbetje të kafshëve. Drejtori i UKK-së pohon se kanë dërguar një grup kontrolli dhe thertores nuk i kanë gjetur asnjë lidhje dhe kanal tjetër përveç atyre që biznesi i ka të deklaruara. Pyetjes së gazetarit se si ka mundësi ndotja e kanalit me ngjyre të kuqe drejtori shprehet “mund të ketë qenë ndonjë pakujdesi nga ky biznes që ka ndodhur kjo derdhje, por ne do vazhdojmë me monitorime të shpeshta”.

Ndërkohë që banorët pohojnë një zëri se derdhjet dhe ndotja e mjedisit behët pikërisht nga kjo thertore.

Por me sinjalizimin e kontrolleve stopon derdhjen në kanalin kryesor, për ta rifilluar me të mbaruar inspektimet.

a.s/dita

May 25, 2018 21:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?