Ndrekot në Libofshë, djep dhe altar lirie

November 27, 2019 18:07

Ndrekot në Libofshë, djep dhe altar lirie

Nga  Naun  Kule

Familja Ndreko  e Libofshës, derë e madhe, e  hershme dhe  e dëgjuar jo vetëm për numrin e madh që mblidhte sofra e kësaj dere por sidomos, për bëmat e tyre në dobi të atdheut.

 

***

Këta  burra emërmëdhenj, të afërt e të largët ishin modelet e luftëtarëve të kohës për ”Mësuesin e merituar”. Rrugët dhe shokët e kësaj lufte përkushtuese, ndër emrat e herëshëm dhe të rinj të Ndrekove në Libofshë,  doemos që janë shumë më të lashtë se brezat dhe emrat që njohim. Nuk  është e rastit që kjo familje e madhe i ka dhënë vendit jo vetëm atdhetarë të shquar  si mësuesin e Mësonjëtores së parë  të Myzeqesë (1908), apo poetin e parë të këtyre anëve Zoji Ndreko (poema “Shqipëria”, “Kalendari Kombiar” Selanik, 1910), edhe ky Dëshmor i atdheut, deri tek i treti Dëshmor, djaloshi Ndrekë Ndreko.

Si për gjithë shqiptarët, LDB, ishte një provë e re edhe për familjen Ndreko të Libofshës.  Bijtë e kësaj familje mbushën rreshtat partizane dhe luftuan trimërisht gjer në çlirimin e vendit. Dhe, nuk ishin pak por gjashtëmbëdhjetë partizanë vetëm nga kjo derë..!Të tjerat diheshin; dasmë pa mish nuk ka. Tre prej tyre nuk u kthyen ; Jovani, Zoji dhe Ndreka…!

Ndërsa dy Ndreko të tjerë, Fani dhe Ilia, u mbijetuan viteve të Luftës në kushte të jashtëzakonëshme, me sfilitje fizike dhe shpirtërore. U kthyen të sakatosur dhe  jetuan për pak  vite,  si invalid të Luftës partizane.

 

 

      -Krijuesi dhe mësuesi dëshmor, është më shumë  se  dëshmor…

Poezitë e tij mbetën në dorëshkrim. Vëllimi poetik me titullin simbolik “Po të pres agim i qeshur” shkruar e gatitur në llogoret e Luftës,  zverdhur e zhubrosur në çantën e shpinës së  poetit dhe mësuesit partizan, nuk patën  fat ta shihnin dritën e botimit.

Autori i tyre,Dhimitër Mino, ra në betejë 24 vjeç..!

***

Jovan Kristo Ndreko,1886-1944; Dëshmor i atdheut, Mësues i merituar  Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit. Në vitin 1901 kreu gjysmëgjimnazin greqisht në qytetin e Beratit dhe    shkollën ushtrimore për mësuesi në Çotil të Maqedonisë.Tentativa për ta hapur shkollën shqip në Libofshë në vitin 1905, dështoi dhe nxiti përndjekjen e  Jovanit me shokë.Pas revolucionit xhonturk, në korrik 1908, Jovani është anëtar i klubit “Bashkimi” i formuar në Berat nga Babë Duda Karbunara.

Në gusht, 1908 hap Mësonjëtoren shqip në Libofshë, dhe shërben si mësonjës i parë i saj.  Më 1909, 5 mars, i shkruan gazetës “Rrufeja” në Misir (Egjypt), të cilës i kërkon t’i dërgojë gazeta dhe libra në gjuhën shqipe.

Po këtë vit, qeveritarët xhonturq ia mbyllin shkollën dhe e përndjekin për ta arrestuar. Ismail Qemali, pasi  zbriti në Durrës dhe ecte drejt Vlorës përmes Myzeqesë,  më 24-25 nëntor, 1912, mbërriti në Libofshë dhe darkoi  aty nën   mbrojtjen  e atdhetarëve myzeqarë,  organizuar nga Jovan Ndreko me shokë të cilët, e shoqëruan Burrin e flamurit, deri në   Vlorë.

Pas kësaj,  rihap  mësonjëtoren në Libofshë dhe shton nxënësit e  saj nga gjithë  fshatrat e krahinës. Në vitin 1913, bashkë me klerikët dhe kolegët patriotë nga gjithë Myzeqeja, organizojnë mbledhjen e njohur në manastirin e  Ardenicës  ku vendosën t’i përzënë mësonjësit grekë (Siomolla e co) që kishin ardhur në Myzeqe enkas për të rihapur skolitë greqisht. Në vitet 1914-15 përndiqet nga rrebelët  qamilistë    dhe detyrohet të  largohet nga fshati.  Bashkë me nipin e tij Zoji dhe  klerikun, mësues e luftëtar Ikonom Dhimën me shokë, ishin  organizatorët  dhe mbrojtësit me armë të Kongresit të Lushnjes. Në vitet 1920-24, bashkëluftëtar i ishnxënësit dhe i shokut të tij Naun Doko Priftit, në luftën kundër  feudalizmës dhe qeverisjes zogiste. Ishte anëtar aktiv  i shoqërisë “Bashkimi”  i rreshtuar  me forcat demokratike fanoliste. Pas pushtimit fashist dhe gjer në vitin 1944, ishte organizator i rezistencës  popullore dhe  mbështetës  aktiv i luftës partizane. Në vitin 1943 u zgjodh kryetar  i këshillit NÇL për pushtetin krahinor. Si i tillë u  vra më 10 tetor, 1944.

 

***

Zoji Pando Ndreko, 1889-1944; mësues, poet,Dëshmor i atdheut.

Mësimet e para i mori në skolinë greqisht të Libofshës.

Është organizator i shumë ngjarjeve me dobi kombëtre dhe bashkëluftëtar me shumë figura të shquara kombëtare dhe lokale, të njohura në Myzeqe. Si autodidakt, studjon historinë e Shqipërisë dhe admiron veprën atdhetare të rilindasve. Në vitin 1908 është njeri nga  veprimtarët më aktiv për çeljen e Mësonjëtores shqip në Libofshë, me mësues xhaxhain e tij, Jovanin.

Në vitin 1910, shkruan dhe boton shqip në “Kalendarin kombiar” në Selanik, poemën “Shqipëria” me thirrjen:

“Që kur linda gjer të vdesë/ Shqipëri ty do të thërresë…

…Gjuhën shqipe të mësojmë, në duam ty të mos harrojmë”

Në nëntorin e vitit 1912, organizoi  sigurimin dhe  fjetjen e Ismail Qemalit në Libofshë,(24 nëntor), hedhjen në lundër (në Petovë, lumi Seman)  dhe shoqërimin e tyre deri në Vlorë. Për disa kohë  qëndroi i punësuar në administratën e qeverisë së Vlorës. Në vitin 1914, hap shkollën në manastirin e Kolkondasit.

Zoji Ndreko  me Ikonom Dhimën dhe atdhetarë të Myzeqesë,  drejtonin forcat mbrojtëse në vargun e  kodrave të Ardenicës, në rrugën Vlorë-Fier-Lushnjë, nga mund të  sulmonin forcat italiane.

Gjatë gjithë viteve të Luftës nacionalçlirimtare, është i angazhuar familjarisht  në mbështetje të saj.  Më   1943 u zgjodh kryetar i  Këshillit  NÇL për gjithë  zonën. U vra në krye të detyrës në vitin 1944, nga pushtuesit dhe  spiunët e tyre.

 

***

 

 

  – Ndrekë  Profi  Ndreko, 1920-1944. Dëshmor i atdheut.

 

  U shkollua në vendlindje. I mbetur jetim,   me ndërhyrjen e miqëve u punësua në Durrës. Këtu u njoh me veprimtarët atdhetarë dhe filloi veprimtarinë luftarake kundër pushtuesve. Në  goditjen e Çetës së Myzeqesë, kundër fashistëve në Libofshë, janar 1943, Ndreka ishte njeri nga të rinjtë që preu lidhjet telefonike me Lushnjen dhe Fierin. Ishte partizan i Grupit të Myzeqesë dhe më pas  në Brigadën e 16-të,si   komandant toge. Ra në  luftimet e ashpra për të   mbrojtur Kodrën e Bajrakut, afër Ardenicës-në përleshje me gjermanët që tërhiqeshin pas çlirimit të qytetit të Fierit. Ishte15 tetori,1944. Djaloshi partizan Ndrekë Ndreka, sapo kishte mbushur 24 vjeç.

 

***

    – Dy  Ndrekot, të mbijetuarit e Luftës… si në legjendë !

 

      Ilia Jovan Ndreko,

bir i mësuesit dëshmor, në vitin 1938 kreu gjimnazin e Shkodres ku njohu edhe   heronjtë e ardhshëm Q.Stafa, V.Kushi, H.Dushi, E.Durakun. Në vitin 1936, gjimnazisti  myzeqar Ilia Ndreko, është anëtari më i ri i Grupit komunist të Shkodrës.

Në qytetin Pesaro-Itali, kreu një shkollë ushtrake nga erdhi me gradën n/toger. ..

Në mars, 1945, ushtria e kuqe u fut në Austri. Gjithë natën aleatët  bombarduan. Në mëngjez, rojet s’po i shihnim më. Kapën zv/komandantin e burgut një nazist i pamëshirshëm .E   hodhën  kokëposhtë në gropën e nevojtores. Udhëtuam për në Jugosllavi me trena, me dy flamurë, shqiptar dhe jugosllav. Në Beograd na pritën me banda muzikore. Këtu u ndamë; Kosovë-Maqedoni-Shqipëri. Fjeta një natë në Strugë.  Na  gjetën  makinë mua dhe dy vëllezërve, Tomorr e Besim Çeli. Në Durrës kisha dajat. Aty gjeta edhe motrat të veshura me të zeza për vdekjen time. Komanda e Durrësit më pajisi me leje dhe makinë gjer në Lushnjë. Nga Lushnja telefonova  familjen. Të gjithë më dinin të vdekur. Kur zbrisja kodrat e Ardenicës për në fshat, dëgjoja saze dhe të thirrurat e  barinjëve  me bagëti.. Ishte ditë pazari në Libofshë, e mërkurrë. Pazari u prish, tellalli thërriste cep më cep. Njerëzit  nxitonin përballë grupe grupe…

Unë  i katandisur,  në 30 kg njeri, as flisja, as ecja. I humbur   në kujtesë e në fuqi, mezi… Turma këndonte, qeshte, qante… Unë kërkoja me sy babain. Nuk ishte?! Nuk e pashë…Babai,i nipi Zoji dhe kushua im Ndrekua, kishin rënë… Sazet ia merrnin me oii… Unë hiç. As i gjallë, as i vdekur..!

***

       Fani Themi Ndreko;

Por, ndërsa Ilia e pa vdekjen me sy dhe e sfidoi aq trimërisht sa çuditi të gjallët, kushëriri i tij, Fani edhe e provoi vdekjen…Po, edhe varrimin. Edhe betimin e shokëve mbi varrin e tij.

…Ishte operacioni 1943-44. Dimër dhe gjermanë. Dëborë kishte, dëborë binte. U dha urdhëri që  të nis marshimi për në zonën e Korçës përmes maleve të Skraparit. Në spitalin partizan të Lavdarit na dhanë ca tableta rozë si aspirina, me shije të ëmbël. Dimrit dhe gjermanit, iu shtua dhe armiku i tretë; uria. Tri ditënetë pa ngrënë. Barku u bë zgof.

Fani nxjerrë tabletat. Tundohet dhe provon…një, tri, shtatë, i mbaroi. Iu duk se e theu urinë. Mirëpo… Po ndihej keq e më keq. Nisi të vjella dhe nuk ecte më. E hipën mbi mushkë. Pas një orë udhëtim, ushtari i mushkës tha se Fani u shtri, vdiq. E shtrinë mbi një batanie, hapën një gropë mbi njëmetroshe në dëborë, e mbuluan me nje batanije dhe me borë.

Nderuan e u betuan me grushtin lart, dhe vazhduan marshimin.

…Pas 10-12 orëve, shtresa e borës po fundosej mbi bardhësinë nga ku varri i ri dukej si njollë e zezë. Doli në shesh batania, pastaj koka, pastaj…Fani !? U zgjua si nga një gjumë i rëndë. Nuk kujtonte asgjë. Sa shumë paskam fjetur! mendoi. Po shokët…!? Kishte vdekur klinikisht…!

Duket se ftohtësia e borës e ndihu të rikthehej në jetë. U ngrit, eci, eci..

Trokiti në një portë dhe kërkoi bukë.  Duke ngrënë misërnike dhe gjizë,  eci sa mundi.  Ngrënia dhe mosha e djaloshit, sikur i dhanë forcë.

Pragdarke, hyri në shtëpi. Askujt s’i rrëfeu.  E mbytën me pyetje për djemtë e tjerë të Ndrekove  që  luftonin maleve…

…Gjithësesi, vërtetë atje në Qafën e Beçit, ia hodhi vdekjes, por jo pasojave të saj. Për vite me radhë  bëri jetën e invalidit të Luftës.

Por  nderimi për veprën atdhetare dhe flijimin për lirinë, e rrethoi deri në fund, siç vazhdon ende, ndaj bijëve të tij të devotshëm, nipave dhe mbesave të Fanit, të Ndrekove dhe të gjithë Shqipërisë.

 

 

 

 

 

 

November 27, 2019 18:07
Komento

2 Komente

  1. Popullore November 27, 20:33

    Shkruan bukur qerratai!

    Reply to this comment
  2. Hammerhaituri November 28, 14:49

    Po Fred piloti nga keta rrjedh?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*