Ndryshim i kufijve në Ballkan, kthimi i një ideje të keqe

September 6, 2018 10:25

Ndryshim i kufijve në Ballkan, kthimi i një ideje të keqe

James W. Pardew është një diplomat amerikan, ndërmjetësues ndërkombëtar, ushtarak dhe ish-ambasador i SHBA në Bullgari. Për Deutsche Wellen ai shkroi këtë opinion lidhur me idetë për këmbime territoresh në Ballkan.

 Nga James W. Pardew

Diplomacia amerikane në Ballkan, që nga Marrëveshja e Dejtonit në Bosnjë 1995 deri në deklarimin e Kosovës e pavarur në vitin 2008, nuk ndoqi kurrë idenë e ndryshimit të kufijve të vendeve që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë. Në vend të propozimeve për ndryshimin e kufijve kombëtarë, Uashingtoni favorizoi zgjidhjen e marrëdhënieve etnike si instrument demokracie. Në nivel praktik bisedimet e drejtuara nga SHBA kanë qenë shumë të vështira edhe pa shtuar problemet e pafundme të kufijve të diskutueshëm nacionalë.

Në bisedimet e asistuara nga BE dhe SHBA për marrëveshjen e Ohrit, e cila pengoi luftën civile në Maqedoni, palët nuk e konsideruan kurrë seriozisht ndarjen etnike si zgjidhje të problemeve të tyre. Në fakt, Marrëveshja e Ohrit vendosi si princip bazë që “nuk ka zgjidhje territoriale për problemet etnike”.

Maksimumi që mund të bënte SHBA ishte pranimi në Marrëveshjen e Dejtonit për Bosnjën i një kufiri të brendshëm etnik midis Republikës Srpska dhe Federatës. Ndarja e krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit vetëm sa i dha shtysë helmeve etnike dhe ndarjes dhe inkurajoi ndërhyrjet e huaja në çështjet e brendshme të Bosnjës.

Për fat të keq, herë pas here dikush zbulon idenë e ndryshimit të kufijve territorialë si zgjidhje për konfliktet etnike. Propozimet e fundit, që me sa duket kanë gjetur vend në Prishtinë janë që të këmbehet veriu i Kosovës mbi Lumin Ibër, ku jetojnë më shumë serbë me disa pjesë territori në Luginën e Preshevës, ku jetojnë më shumë shqiptarë. Me sa duket kjo do të lejojë që Kosova dhe Serbia të shkojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këmbimi i territoreve të këmbyeshme është një ide shumë e keqe. Ndryshimi i kufijve kombëtarë si zgjidhje e konflikteve etnike është një praktikë nga periudha e kolonializmit dhe është krijuar për të krijuar territore të pastra etnike. Koncepti pëlqehet nga nacionalistët etnikë dhe mbart jo pak racizëm me vete. Ka kontribuar shumë pak për të ndaluar tensionet etnike në të kaluarën, dhe ka shumë pak mundësi që të kontribuojë tani.

Si do bëhet me serbët që jetojnë në pjesën tjetër të Kosovës? Si do të bëhet me serbët që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe shqiptarët që jetojnë në pronat e tyre në veri të Kosovës?

Këmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë ka shumë mundësi që të krijojë destabilitet të madh në rajon. Nëse bëhet atëherë Serbia dhe Republika Srpska në Bosnjë do të fillojnë të ngrenë zërin për këmbime të tjera terrritoriale.

Përpjekjet e vazhdueshme ruse për të nxitur mungesën e stabilitetit në Ballkan janë një arsye tjetër për të qenë të kujdesshëm rreth këmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës.

Duke pasur parasysh afërsinë e Beogradit me Moskën dhe përpjekjet e Moskës për të parë përçarje kudo në Ballkan, duket se ideja e ndryshimit të kufijve i përshtatet mirë strategjisë ruse për të minuar demokracinë dhe stabilitetin në rajon. Kthimi i kufijve në kufij nacionalë do konsistonte me aksionet e Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Për fat të keq administrata vetë-absorbuese e Trumpit nuk ka njohuri për çështjet e rëndësishme të Evropës. Administratat e republikanëve nuk kanë treguar asnjëherë interes të madh në Ballkan, dhe administrata e Trumpit është edhe më pak e prirur. John Bolton, Këshilltari për çështjet e Sigurisë Kombëtare tha për ironi në Kiev pak ditë më parë se SHBA nuk do të kundërshtojë ndyshimet territoriale midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshimi i linjave në harta duket si zgjidhje e thjeshtë. Por nuk është. Çështjet për serbët rezidencialë që jetojnë në Kosovë dhe shqiptarët që jetojnë në Serbi janë shqetësuese. Barazimi i vlerës së territoreve që do këmbehen do të jetë i vështirë për të bërë. Kosova do të kërkojë njohje të plotë të sovranitetit dhe ndarje prej Serbisë para se të bëjë ndonjë marrëveshje. Aksesi i Serbisë në qendrat historike në Kosovë duhet zgjidhur po ashtu. Çështjet e negociimit janë shumë të vështira për të siguruar një marrëveshje.

Vendimi për t’u larguar nga principet demokratike të barazisë së qytetarëve për t’ iu kthyer tensioneve etnike si koncept alternativë për ndarjen e grupeve etnike sipas territoreve do të jetë një kthesë fundamentale e përpjekjeve të suksesshme ndërkombëtare, që i dhanë fund dhe parandaluan luftërat në Ballkan nga 1995-2008.

Përdorimi i principeve të demokracisë, drejtësi e barabartë, oportunitet dhe trajtim i barabartë i qytetarëve, mund të marrin më tepër kohë dhe mund të kërkojnë më shumë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet etnike në rajon. Por në afat të gjatë, barazia e qytetarëve e ofruar nga demokracia është qasje shumë më e mirë dhe stabile për të zgjidhur çështjet etnike që kanë mbetur në Ballkan, se sa ndryshimi i kufijve.

a.s/dita

September 6, 2018 10:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*