NDRYSHIMI FILLOI / Ylli në ngjitje ka zbritur të takojë popullin e thjeshtë!

February 11, 2020 23:44

NDRYSHIMI FILLOI / Ylli në ngjitje ka zbritur të takojë popullin e thjeshtë!

TIRANË – Një erë e re ndryshimi ka filluar të fryjë në hapësirën shqiptare, duke ringjallur shpresat për zhvillime drastike politike në të ardhmen e afërt, raportojnë burime për Gojët e Liga. Thënë ndryshe, një yll në ngjitje ka vendosur të zbresë për të njohur personalisht hallet e vulgut të panjohur.

Fushata e freskët e kryetarit të Partisë Demokratike, i cili ka zgjedhur të takohet personalisht dhe pa ndërmjetës, me të gjithë përfaqësuesit e shtresave në nevojë, atyre njerëzve anonimë në kufijtë e ekzistencës që preokupimin kryesor kanë bukën e gojës dhe mendimet nuk ua zënë ide të larta filozofike, por çfarë do t’u gatuajnë kalamajve në darkë, po bëhet tema qëndrore e bisedave të ditës.

Dhe me të drejtë, pohojnë burimet. Si mund të të shqitet nga mendja episodi mallëngjyes me protagonist kryetarin Basha, i cili javën e kaluar ndihmoi të kalojë semaforin një plak 70 e kusur vjeç, pensionistin profesionist Sabile Risha?

“Xhaxha, më lër t’i mbaj unë trastat,” i tha Basha të moshuarit, dhe teksa priti të ndizej drita e kuqe për kalimtarët që të kalonte semaforin, shtoi: “Më lejo të të pyes, si e shtyn muajin, a të del pensioni?”

“Xhaxhai i satëme,” ja ktheu i mallëngjyer plaku, duke shtuar, “dhe pensioni i tyt eti, qurrash. Pse, me këto skeçe do t’i fitosh zgjedhjet ti?”

Dhe i moshuari i prekur nga xhentilesa e politikanit të lartë, sugjeroi me mençurinë që të fal mosha dhe përvoja e gjatë mes tallazeve të jetës: “Duhet luftë ore, plumba, bomba, flakë. Duhet revulucion, autoblinda, eksplozivë në shtyllat e tensionit të lartë, dëgjon apo jo?”

Një tjetër episod ishte ai kur Basha trokiti në shtëpinë e intelektualit buxhetor Baldo Umçi, të cilit i hapi frigoriferin: “Tre vezë, brokoli, margarinë, birrë pa alkool… Ja si katandiset një burrë në moshën më të mirë, ja ç’mirënjohje merr nga kombi pasi ia ka kushtuar jetën shkencës!”

Edhe pse Baldo Umçi çuditërisht dha shenja se njiheshin që më herët, pasi bëlbëzoi, “zoti Kryetar, është nder i madh për mua, t’i them sime shoqeje të na bëjë ca meze? Na moj, gruaaa”, Basha ja preu shkurt:

“Jooo! S’është nevoja, ju nuk kini për vete,” dhe i la në kuzhinë nja dy qese me oriz, makarona, patatina dhe një zambak holandez.

Megjithatë, do mbetet në kujtesën historike të kombit takimi i rastësishëm i Bashës me pedagogen e psiko-filo-sociologjisë, Grima Duda.

“Si jeni, sa ju vijnë dritat në shtëpi? Po ju pyes, sepse kur të vijë Partia Demokratike në pushtet…”

“Lul, mos të kemi llafe, unë do jem ministre dhe deputete, okej? Sepse sjelljet e tua klienteliste e sfumojnë kapacitetin e performancës politike që do të duhej të ishte në zenithin e volumit të vet eksploziv, nëse do donim që elektorati i axhituar nga kjo mazhorancë…”

Basha u habit që një pedagoge e popullit i jepte të njohur, ndaj tha:

“Dakord dakord, por unë thjesht doja t’ju kontrolloja frigoriferin, lavatriçen, se tani jam në profilin tim të ri, gju më gju me popullin…”

Por zonja Grima Duda i kishte drutë shkurt:

“Jooo! Nuk ke shans ti të pleksësh gjunjtë me mua, pa më dhënë fjalën se do më bësh ministre, okej? Se ju ka bërë ai Ervis Alianji të gjithë si vetja”.

Fushata e re e Bashës po vazhdon, pohojnë burimet. Në vijim ai po planifikon të zhbirilojë objektet shtëpiake të njerëzve krejt të panjohur të kryesisë së parties, si dollapin e rrobave të Jotida Rabakut, koleksionin e kusive të paçes të dinastisë Fahlliu, mikrovalën e Tritol Shehut dhe bibliotekën gjigande të Edi Palosjes.

 

****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike pro fushatave që bien era… ndryshim.

 

 

February 11, 2020 23:44
Komento

1 Koment

  1. Mala February 14, 09:42

    Po vjedhjet qe I kane bere keta “lider”,duke harruar edhe krimet qe kane kryer,do permirsohej sado pak gjendja e ketij plaku,apo do plotesohej me dic me te vlefshme F rigoriferi I familjarit,apo edhe plotesimi I ndonje kushti me shume I ketij pesionisti.Por….!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*