Ndryshon skema e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së për cigaret

December 16, 2017 17:14

Ndryshon skema e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së për cigaret

Duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, paketat e cigareve pritet të pësojnë një rritje të çmimit, kjo si rrjedhojë e rritjes së akcizës në paketën fiskale që hyn në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo rritje është argumentuar si vijim i politikave për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet.

Ndryshimet në Paketën Fiskale, krahas biznesit të vogël, parashikojnë disa efekte edhe për furnizuesit e cigareve, si në akcizë ashtu edhe në procedura.

Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve ka zhvilluar takime konsultative me përfaqësinë e furnizuesve kryesorë të cigareve në vend, ku në fokus të bisedimeve kanë qenë pikërisht ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2018 të cilat prekin këtë sektor.

Vëmendje e veçantë në këtë takim të zhvilluar në fund të muajit nëntor iu dedikua zbatimit të skemës së furnizimit të cigareve, kryesisht detyrimit për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së për gjendjen e stokut nga furnizuesit e cigareve pas efekteve të ndryshimit të çmimit.

E në fakt, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar udhëzimin përkatës me ndryshimet në skemën e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së për cigaret. Në momentin e ndryshimit (rritjes) të çmimit maksimal të shitjes me pakicë nga furnizuesi kryesor (importuesi ose prodhuesi), në cilësinë e personit përgjegjës për deklarimin e çmimit maksimal të shitjes me pakicë, furnizuesi kryesor, furnizuesit e ndërmjetëm dhe njësitë e shitjes me pakicë, për qëllime të llogaritjes dhe të pagesës së TVSH-së për inventarin gjendje (stoku), në momentin e rritjes së çmimit, inventar ky i cili do t’i nënshtrohet çmimit të ri, detyrohen të zbatojnë procedurën e mëposhtme:

a) Furnizuesi kryesor (importuesi ose prodhuesi) njofton rritjen e çmimit në përputhje me dispozitat e këtij udhëzimi dhe inventarizon cigaret gjendje (për të cilat ka njoftuar rritjen e çmimit me pakicë), në ditën e fundit të çmimit të vjetër. Një kopje e këtij inventari dërgohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar furnizuesi kryesor, brenda 5 ditëve pune nga data e aplikimit të çmimit të ri. Furnizuesi kryesor llogarit dhe paguan TVSH-në për çmimin e ri me pakicë, në përputhje me dispozitat e këtij udhëzimi, për çdo furnizim nga data e aplikimit të çmimit të ri.

b) Furnizuesi i ndërmjetëm, që është furnizuar nga furnizues kryesor me qëllim për të rishitur te furnizues të tjerë të ndërmjetëm dhe/ose te njësitë e shitjes me pakicë, inventarizon cigaret gjendje në ditën e fundit të aplikimit të çmimit të vjetër të shitjes me pakicë. Një kopje e inventarit dërgohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore, ku është i regjistruar furnizuesi i ndërmjetëm, brenda 5 ditëve pune nga data e aplikimit të çmimit të ri. Furnizuesi i ndërmjetëm është përgjegjës për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e TVSH-së, për sasinë e cigareve që ka gjendje në ditën e fundit para aplikimit të çmimit të ri. Për deklarimin dhe pagesën e kësaj TVSH-je, furnizuesi i ndërmjetëm plotëson dhe lëshon një faturë tatimore shitjeje për veten e tij, ku figuron edhe shitës edhe blerës.

Artikujt e kësaj fature janë emërtimet (markat) e cigareve gjendje, për të cilat ka rritje çmimi; sasia është gjendja në ditën e fundit të aplikimit të çmimit të vjetër; ndërsa si çmim për njësi pa TVSH është 5/6 e rritjes së çmimit me pakicë për çdo paketë. Mbi vlerën e tatueshme zbatohet TVSH në shkallën standarde, e cila është e pagueshme nga furnizuesi i ndërmjetëm dhe jo e zbritshme prej tij. Kjo faturë regjistrohet vetëm në librin e shitjeve si shitje e tatueshme me TVSH, në shkallën standarde 20%. TVSH-ja deklarohet dhe është e pagueshme në periudhën tatimore që është lëshuar fatura tatimore si më lart.

Shembull. Furnizuesi i ndërmjetëm N ka gjendje 100.000 paketa të markës X, për të cilat çmimi me pakicë është rritur me 10 lekë për paketë. Furnizuesi i ndërmjetëm N bën një faturë shitjeje për vete me të dhënat që vijojnë: Përshkrimi: “Rritje çmimi cigareje, marka X”; njësia “Paketa”; sasia: 100.000 paketa; çmimi pa TVSH = 8,333 lekë; vlera pa TVSH = 833.300 lekë; TVSH =833.300 x 20% = 166.700 lekë, e cila paguhet nga furnizuesi i ndërmjetëm.

c) Çdo furnizues tjetër i ndërmjetëm (shitës me shumicë), tatimpagues TVSH-je, që furnizon me shumicë te njësitë e shitjes me pakicë, të cilat janë të regjistruar ose jo në TVSH apo çdo shitës me pakicë i regjistruar si tatimpagues TVSH-je, është i detyruar të inventarizojë cigaret gjendje, në ditën e fundit të çmimit të vjetër të shitjes me pakicë. Një kopje e inventarit dërgohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar furnizuesi i ndërmjetëm apo shitësi me pakicë tatimpagues TVSH-je, brenda 5 ditëve pune nga data e aplikimit të çmimit të ri.

Procedura e faturimit për vete, e deklarimit dhe e pagesës së TVSH-së nga çdo furnizues i ndërmjetëm, shitës me shumicë apo me pakicë, tatimpagues TVSH-je, është njëlloj me procedurën e ndjekur nga furnizuesi i parë i ndërmjetëm, siç përcaktohet në shkronjën “b” më lart.

ç) Furnizuesi kryesor (importuesi apo prodhuesi), llogarit stokun e cigareve gjendje te tatimpaguesit që i nënshtrohen regjimit për bizneset e vogla (njësitë e shitjes me pakicë pa TVSH), bazuar në llogaritjet si vijon:

Për çdo markë cigaresh për të cilat është deklaruar rritje çmimi, furnizuesi kryesor merr në konsideratë sasitë e shitura prej tij gjatë 90 ditëve të fundit para aplikimit të çmimit të ri, në bazë të të cilave llogarit shitjet mesatare ditore. Për rastet kur një markë cigaresh ka më pak se 90 ditë që furnizohet në treg, atëherë për llogaritjen e shitjes mesatare ditore merren ditët faktike nga dita e parë e furnizimit të kësaj marke cigareje.

Furnizuesi kryesor është përgjegjës për TVSH-në shtesë për vlerën e rritur nga rritja e çmimit me pakicë, për stokun gjendje te shitësit me pakicë, tatimpagues të biznesit të vogël, që nuk janë të regjistruar në TVSH, duke u bazuar në furnizimin mesatar ditor shumëzuar me 30%. Për sasinë e stokut të llogaritur në këtë mënyrë, furnizuesi kryesor lëshon një faturë për vete dhe llogarit, deklaron dhe paguan TVSH-në për vlerën e rritur nga rritja e çmimit me pakicë, njëlloj siç vepron furnizuesi i ndërmjetëm për stokun e vet, siç përcaktohet në shkronjën “b” më lart.

Procedura e mësipërme zbatohet në rastin e rritjes së çmimit maksimal të shitjes me pakicë të cigareve si pasojë e ndryshimit ligjor (rritjes) të nivelit të akcizës.

Kjo procedurë zbatohet gjithashtu edhe në rastin e rritjes së çmimit maksimal të shitjes nga furnizuesi kryesor (importuesi dhe prodhuesit vendës të cigareve), por vetëm sipas kushteve të mëposhtme:

– Furnizuesi kryesor ka gjendje stoku në magazinat e veta jo më pak se 50% të sasisë së importuar/prodhuar për atë markë cigaresh.

– Rritja e çmimit, tej çmimit të deklaruar fillimisht, nuk mund të bëhet më shumë se një herë në vit për atë lloj marke cigaresh.

– Rritja e çmimit, tej çmimit të deklaruar fillimisht, nuk mund të bëhet për më shumë se 25% të llojeve të markave të cigareve që importohen dhe tregtohen.”

December 16, 2017 17:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*