Në 29 nëntor, një garë e çmendur

Entela Resuli November 27, 2014 18:34

Në 29 nëntor, një garë e çmendur

Edvin Kasimatin e gjejmë në punë e sipër, në pistën më të madhe të garave të realizuar ndonjëherë në vendin tonë. Në datën 29 nëntor, për herë të parë, do të këtë një garë me makina e motorra.

Do të zhvillohet Kupa e Republikës e organizuar nga Federata Shqiptare e Motoçiklizmit. Në të njëjtën kohë do të zhvillohet një garë me 4×4 organizuar nga “Rally Albania”.

Me të kemi folur edhe për turizmin.

Këtë vjeshtë ai ka mundur të sjell shumë turist në vjeshtë, e gjitha kjo vetëm falë një djali të çmendur pas motorëve, makinave të mëdha dhe skutave më të bukura të këtij vendi. E pikërisht për këtë ai ka ftuar të huajt që ta vizitojnë Shqipërinë në vjeshtë.

Kasimati ka udhëhequr dhjetëra turistë të ardhur në Shqipëri nga vende të ndryshme. Ai na tregon se edukata dhe kultura që këta të huaj sjellin në turizmin shqiptar i bën edhe më mirë vendit tonë. E së fundi, ata mund të jenë ambasadorë në botë për të sjellë sa më shumë miq në Shqipëri.

Me thënë të drejtën të gjithë “të huajt” që takoj unë ose janë në kontakt me organizatën tonë nuk kanë shumë interes për bregdetin e jugut, por për pjesë malore të Shqipërisë. Sigurisht që veriu është i bukur dhe i ashpër, por edhe pjesa malore qendrore e zona e vargmaleve të Juglindjes është mbase edhe më e bukur. Kam shumë pak me “të huajt” që kërkojnë plazhet e jugut të Shqipërisë ose edhe ata janë shumë pak. Plazhet e jugut të Shqipërisë kanë shumë pak ndryshim nga ato të Greqisë ose Kroacisë ose Turqisë, madje ofrojnë shumë pak kushte se konkurrenca. Ndërsa malet e Shqipërisë janë unike. Por fatkeqësisht, asnjë shqiptar nuk ka ndërmend t’i vizitojë ata në të ardhmen e afërt. Për momentin malet shqiptare janë të mbushur me turistë evropianë”- tregon Edvini.

 

Edvin, në 29 nëntor, do të kemi një garë interesante në kryeqytet, na tregoni diçka më shumë?

Po, është e vërtetë, “Motorsport Club Albania” në bashkëpunim me “Tirana Expo Center” do të organizojë ditën e shtunë datë 29 nëntor 2014, garën “Off-Road Dual Track” në pistën e re të ndërtuar në Tirana Expo Center. “Tirana EXPO Dual Track”, është emërtimi i kësaj gare dhe siç kuptohet është pistë e tipit ‘Dual Track’. Kjo është gara e tretë e organizuar nga MCA pas asaj të Voskopojës dhe Priskës. Pista do të jetë e gjatë 1.2 km dhe e gjitha mund të shihet nga publiku. Pjesa e parë e saj është çakull, pjesa e dytë trial dhe pjesa e tretë baltë. Kategoritë e mjeteve do të jenë mjetet Off-Road, 4×4 dhe 2×4. Kosto e regjistrimit është falas. Gara 4×4 do të zhvillohet individuale me kronometër (pjesa e parë) dhe me kualifikim të drejtpërdrejtë (pjesa e dytë).

Edvin Kasimati

Edvin Kasimati

Sa do të jetë numri i pjesëmarrësve?

Do të jenë rreth 50. Është Kupa e Republikës e organizuar nga Federata Shqiptare e Motoçiklizmit. Në të njëjtën kohë do të zhvillohet një garë me 4×4 organizuar nga “Rally Albania”.

Ndërkohë sapo keni përfunduar një tur, i cili ishte ekskluzivisht për vjeshtën apo jo…?

Po, quhet “Albania Raid” është një udhëtim i tipit RAID, që nga anglishtja do të thotë lëvizje në vende të reja. Turi që sapo përfundoi është organizuar për herë të tretë. Ideja nisi nga gara “Rally Albania” dhe nga kërkesat e shumta që kishte, por shumë pjesëmarrës ose nuk kishim kohë në atë pjesë të vitit ose gara për ta ishte shumë impenjative dhe kërkonin diçka më të qetë dhe më turistike. Ndryshimi nga dy vitet e para është pjesëmarrja e plotë sipas parashikimit. Këtë vit kemi realizuar një trajektore më të gjatë dhe kemi përfshirë të gjithë Shqipërinë, nga Valbona deri në Delvinë.

A shkoi gjithçka mirë?

Në përgjithësi gjithçka shkoi mirë. Kuptohet aksidente të vogla, rrëzime, pak të gërvishtura e goditje të vogla janë gjithmonë të përfshira dhe nuk përbëjnë shqetësim. Për sa i përket pjesës të turizmit, sigurisht që shkoi mjaft mirë. Turi kalon nëpër vende, male, pyje, lumenj e shumë vende të tjera, ndër të cilat 95 për qind e shqiptarëve as i kanë parë e as nuk kanë plan që t’i shohin ndonjëherë. Shqipëria është një vend i bukur, por nëse të kanë detyruar që të jetosh për dekada në ato vende, nuk ke më asnjë dashuri ose dëshirë të shkosh e t’i vizitosh përsëri.

Çfarë i habit turistët kur vijnë në vendin tonë?

Hera-herës janë plehrat që janë shokuese për sasinë dhe papërgjegjshmërinë në lëshim, dhe nuk flas për plehra personale, por për plehra masive. Nuk ka ndonjë këshillë të veçantë sepse turistët nga Evropa Veriore janë të rezervuar në këshilla dhe të tillë ishin shumica këtë vit.

Dhe pse zgjodhët këtë stinë, vjeshtën?

Vera është shumë e nxehtë. Dhe trafiku është shumë i rënduar dhe i rrezikshëm në atë periudhë. Pastaj ky është një lloj turizmi disi elitar dhe jo domosdoshmërish pjesëmarrësit kanë vetëm verën si kohë pushimi. Dhe një fakt tjetër është se, për udhëtim me motor dhe i veshur, korriku dhe gushti është shumë i vështirë.

1

2 3 4 5

Entela Resuli November 27, 2014 18:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*