Në ç’bjeshkë vajton Ajkuna!…

August 12, 2018 17:20

Në ç’bjeshkë vajton Ajkuna!…

Zylyftar Hoxha

I ndodhur në një luginë tepër piktoreske, midis Nikajt dhe Mërturit në rrethin e Tropojës, ose në një pamje më të gjerë gjeografike, midis Thethit dhe Valbonës, bash në palcë të Alpeve të Veriut të Shqipërisë, fshati Curraj-Epër është fshati më i bukur dhe më i veçantë në Shqipëri (nuk e teproj kur them, më i bukur edhe se dy fqinjët në të djathtë e në të majtë që përmendëm më sipër, Thethi dhe Valbona!)…

…Por (më duhet ta theksoj këtë por), për fat të keq dhe fat të zi të atyre që e kanë drejtuar dhe e drejtojnë këtë vend, është fshati më i humbur, më i panjohur, më i izoluar i Shqipërisë dhe i rajonit, Kosovë dhe Mali i Zi që janë një “vrap pele larg”.

E, ndërsa Kryeministri kap veshin e majtë me dorën e djathtë duke shpërndarë mëngjes për mëngjes foto të të huajve për mrekullitë shqiptare dhe ministri i tij i Turizmit nuk lë cep të Shqipërisë duke u munduar t’u mbushë mendjen shqiptarëve se ne kemi resurse të papara të turizmit të të gjitha llojeve, Curraj-Epër, si një thesar i fshehur rri atje, i strukur, i braktisur mes malesh, me një rrugë këmbësore 4-5 orë më këmbë nga Curraj i Poshtëm nga ku e lë makina, larg syve dhe projekteve të tyre, vetëm e vetëm se nuk shkon makina deri atje! Se arsye tjetër duket se s’ka!

Sot i vetmi mjet transporti drejt kullave të këtij fshati të harruar është mushka. Miq të rrallë janë turistë të aventurës, ata më të çarturit dhe më të paorganizuarit që kalojnë aty, të cilët mahniten me bukuritë, bëjnë foto, çlodhen, pinë ujë në burimet brisk të ftohtë dhe ikin me vrap mos i zërë nata aty. Kaptojnë matanë në Kosovë, në Theth apo në Valbonë të mërzitur me kokën mbrapa, që në një parajsë të tillë nuk kishte një vend ku të hanin një çap bukë apo të futnin kokën për të kaluar natën.

Një perlë në guackë

Nuk e them këtë nga ndonjë emocion i çastit prej pamjes që më shfaqet përpara, që natyrisht të turbullon me bukurinë e saj, por dua të bashkoj zërin me banorët e larguar të këtij fshati, që para viteve ’90 kishte mbi 150 shtëpi, ndërsa sot 4 – 5 të tilla dhe vetëm për verë, të cilët e dinë se çfarë kanë lënë pas, një perlë në guackë: një natyrë, që largësia nga zonat e banuara, mungesa prej më shumë se njëzet vjetësh e rrugës, e njerëzve, e sëpatës, e kanë bërë edhe më të virgjër; një histori krenare dhe thellësisht të admirueshme që nuk i mposhti dot sunduesi shumëshekullor osman, serb dhe malazes; një mikpritje proverbiale e regjistruar dhe “dokumentuar” edhe në shënimet e udhëtarëve të huaj, Nopça, Edit Durham, Roze Wander Lane e shumë të tjerë; një traditë dhe kulturë materiale e shpirtërore kullash që kanë në thelbin e tyre postulate dhe moralizime të legjendave homerike të Veriut, të Mujit dhe Halilit, të Gjergj Elez Alisë etj.; një kuzhinë dhe sofër tipike malësore me bulmet erëmirë, por mbi të gjitha me zemër të çiltër dhe bujare.

Lumi Curraj, një “Valbonë tjetër” po aq e bukur, po aq e famshme

Këtu vera është veçanërisht e freskët, freski që vjen nga një “Valbonë tjetër” po aq e bukur, po aq e famshme, që ndan fshatin si një gajtan i kaltër vezullues dhe që quhet Lumi i Currajt. Shtëpitë-kulla prej guri, gjelbërimi i dendur me ahishte dhe lëndinat plot tërfil e lule, me Majën e Hekurave në sfond,  i japin gjithë luginës një pamje të rrallë përrallore. Edhe dimri këtu, megjithëse i egër dhe i gjatë, me reshje të shumta bore, është i bukur dhe i gjallë si dhe vera, me mundësi të shumta të zhvillimit të sporteve dimërore, ngjitje alpinistike, ski, ekskursione etj., jashtë në terren, por edhe brenda odave, me lojën karakteristike të Kapuçave dhe rapsoditë me çifteli.

Temperatura mesatare vjetore është 11,5 gradë C. Nga reshjet ujore lumi i Currajve merr përmasa të reja të një lumi të vërtetë n vjeshtë dhe në dimër. Ka kullota të pasura alpine.

Ku ka vajtuar Ajkuna!?

Bashkë me Nikaj –Mërturin, kufijtë e kësaj zone janë të vendosur që nga Mali i Hekurave, Qafa e Kolçit, në lindje, vazhdon me Qafën e Agrit, në perëndim dhe në jug me Toplanën. Lumi Drin e ndan këtë zonë me Pukën. E ndërsa kapërcej nga një shteg në tjetrin, nga një qafë në tjetrën, nga një majë në tjetrën, lodh sytë e vras mendjen se në cilin bjeshkë, lug a rudinë Ajkuna ka vajtuar Omerin! 

Siç e kemi thënë edhe në fillim të këtij shkrimi, Curraj-Epër bashkë me Qeresh-Mulaj ka qenë një fshat i madh dhe i bujshëm me 1200 deri në 1500 banorë, tani në dimër s’ka asnjë, ndërsa në verë vijnë disa familje që mbarështojnë blegtori, disa të tjera që shfrytëzojnë të mirat natyrore, të cilat fshati i ka me shumicë, si bimë mjekësore, mbjellje perimesh, përpunime frutash etj.

Fiset më të njohur në Curraj-Epër janë: Përpepaj, Nikbibaj, Prabibaj, Vatnikaj, Mrishaj, Çokaj, Gecaj dhe Ndrevataj (do të na falet nëse kemi harruar ndonjë tjetër pa përmendur, pasi informacionin e kemi patur të kufizuar nga mungesa e banorëve autoktonë).

Të ndjeshëm ndaj vendlindjes

Të gjithë e duan vendlindjen, sado e vështirë, e egër dhe e largët të jetë ajo, por Currajt janë të veçantë në këtë pikëpamje, jo vetëm sentimentalë, që shprehin dashuri për vendlindjen, por edhe bëjnë shumë për të, organizohen dhe shkojnë shpesh te shtëpitë e braktisura. Ngrihen nga janë e nga s’janë, nga SHBA, Anglia, nga Tirana, Durrësi a Shkodra dhe vijnë në Curraj-Epër. Madje ata janë edhe të organizuar në një shoqatë të quajtur Unioni i Curraj-Epër, kanë edhe faqen e tyre zyrtare në internet dhe Facebook që komunikojnë me njëri-tjetrin…

…Se vërtet Curraj-Epër është larg syve dhe mendjes së qeverisë, por është pranë zemrës së banorëve të tij, të cilët kanë filluar të mendojnë për të, për ta zhvilluar dhe kthyer në një vend atraktiv të vizituar nga turistë nga e gjithë bota. S’do të jetë e largët dita, kur shtëpitë e braktisura të këtij fshati të bukur, do të kthehen në hotele dhe bujtina mikpritëse.

 

 

 

 

 

 

 

August 12, 2018 17:20
Komento

2 Komente

  1. Tironsi August 12, 18:06

    Kam degjuar nga nje i ri tropojan te flasi per bukuritë e Curraj-Eperm,edhe pse vet ai ishte nga Lekbibaj i Tropojes, por fotot e hedhura ne kete shkrim e konkretizuan me shume tregimin e te riut tropojan.
    Mendoj se c’do krahine e vendit tone ka bukuri kolosale . Psh. per rivjeren tone thuhet se eshte e habiteshme per nga bukuria. Po keshtu Valbona e mbrekullueshmja Lure, te cilen e dhuroi natyra ,por e shkaterruam ne keto vite te demokracise edhe pse ajo nuk e njihte komunizmin e komunistet. Edhe po ti njihte do ti falenderonte se ne kohen e komunisteve Lura ishte aq e bukur sa ia kishte dhene natyra e nuk u prek,perkundrazi u rinua me druret halore qe rriteshin aty. PO tani ? Lura vdiq. Sa per largimin e banoreve , nga 150 shtepi kane mbetur 4-5 edhe ato me banim te pjesshem , duhet ti thurim ” Hymne ” politikes se viteve 1990. Athere behej thirrje se ne bote popullsia rurale,emeri ri ky ne demokraci, banohej jo me shume se 6-7 % e popullsise. Dhe banoret sigurisht per nje jete te mire oburra ne Tirabe se atje jeton duke shitur edhe nje arke me banane. Me vjen mire qe banoret e atij fshati me bukuri perrallore i jane kthyer me sa kuptoj turizmit malor . Shume mire e u qofte puna e mbare se s’do dalin te humbur ,por te fituar. kete e tregon eksperienca botrore, Nje shembull i mire i ketij turizmi ishte dhe fshati Polene i Korces, Nje mbrekulli e vertet,si ne urbanistike e ne buqesi. Te mos harrojme thenien e popullit : ” S’behet vreshti me urata,por me kazma e lopata’ C’do fshat te organizohet e te ndertoi jeten e vet. Artikullshkruesin e falenderoj me zemer e na ka sjell nje perle te ketij vendi me emrin e bukur SHQIPERI.

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D. August 12, 22:47

    Sa keq me vjen..ato perla natyrore-braktisur.

    Faleminderit i nderuar komentues”Tiransi” ,nga une “tiransi pemetar” nje jete aty, mendien ne”Dangelline Naimjane”,
    Fatkeqesisht te njejtin fat,pesues par viteve 90t, sidomos 97tes.Nga 64 shtepi Zavalani im,apo deri Frasheri emer degjuar,aqe kane mbetur, sa Lura juaj sot 4-5 shtepi…
    Ata banore mbetur atje i falenderoj,sa te larguarve, te kthejne syte e vrasin mendien,per andej deshiroj.
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*