Në dashtë Zoti!

Albana Qemali April 15, 2013 08:24

Në dashtë Zoti!

Ndërsa ndërprerja e reshjeve ka sjellë një përmirësim të lehtë të gjendjes në zonat e përmbytura të Nënshkodrës dhe niveli i ujit ka pësuar rënie, përsëri tokat vazhdojnë të jenë nën ujë, ndërsa shpresa e këtyre banorëve është vetëm tek mosrënia e reshjeve.

Të dëshpëruar, pa rrugëdalje dhe të pandihmuar nga askush, këta banorë akuzojnë, apelojnë për ndihmë, edhe pse nuk shpresojnë se ajo do u vijë, së paku nga shteti. Fshati Shirq në komunën e Dajçit është dhe ai që ka sasinë më të madhe të ujit të pranishëm në të gjithë këtë zonë. Ndërsa fshati Obot në komunën Ana e Malit vazhdon të jetë i rrethuar nga uji dhe vetëm varkat mundësojnë banorët të dalin në rrugën nacionale.

Rruga drejt Dajçit deri të enjten kalohej vetëm me kamionë, ndërsa rënia e nivelit të ujit mbi të ka bërë të mundur kalimin dhe të furgonëve apo fuoristradave, ndërsa autoveturat akoma e kanë të pamundur.

Banorët e Shirqit, që janë përmbytur 7 herë në 27 muaj, akuzojnë para së gjithash shtetin për hapjen e portave të hidrocentraleve njëherësh, për investimet e dështuara të bëra në argjinaturat e kësaj zone dhe për indiferentizmin e skajshëm të shfaqur këtë herë.

Prej një muaji të rrethuar nga uji, teksa shohin që prodhimi i parë që tashmë duhej të ishte i korrur ka përfunduar i kalbur në ujë, këta banorë ndihen të braktisur më shumë se asnjëherë. “Këtu uji ka mbuluar gjithçka dhe derisa të largohet ne kemi falimentuar. Pjesa më e madhe e tokës ka qenë e mbjellur me jonxhë, pasi njerëzit e kanë planifikuar rezervën ushqimore për bagëtitë deri në prill ku të merrej prodhimi i parë i jonxhës.

Por ky prodhim tani është nën ujë, i kalbur dhe bagëtitë nuk kanë ushqim. Kur nuk kanë ushqim ato, nuk kanë as njerëzit, pasi me ato jetohet. Po kështu, toka e mbjellë nën ujë ka shkatërruar dhe bimët dekorative, një biznes ky i përhapur në këtë zonë. Askush nuk thotë asgjë. As nuk sjell asnjë kg ushqim për bagëtinë. Sot jemi më keq se kurrë. Më 2010-n kishim 2m ujë në shtëpi dhe na mbaroi gjithçka. Nuk na ka dhënë askush asnjë lekë deri tani. Por dëmi i këtij viti është më i madh pasi ka mbaruar ushqimi për blegtorinë dhe nuk kemi ku dhe me çfarë ta blejmë, ndërsa toka vështirë të japë prodhim këtë vit”, shprehen banorët e fshatit Shirq në komunën e Dajçit, tokat e të cilëve janë nën ujë. Për të gjitha ka një fajtor: ai është shteti.

 

Investime për të vjedhur

“Thonë gjendja është nën kontroll. E kanë mbushë liqenin e Fierzës deri 296.41 m dhe e lëshojnë ujin me na mbyt ne. Lavdërohen me investimet e bëra, sepse i konsiderojnë vetëm lekë që kanë shpenzuar. Vërtet lekë kanë shpenzu shumë se tenderat i kanë ba me vlera të mëdha për me vjedhë më shumë për vehte, me marrë përqindjet, por efikasiteti i investimeve ka qenë zero.

Për Dajçin është zero. Kanë vendos çimento në argjinaturë, por e kanë vendos kot, vetëm me rrit koston dhe me fitu më shumë nga përqindja. Argjinaturat ne i kemi tash 42 vjet dhe nuk jemi përmbytë prej tyre. Ka pasë dëmtime që është dashur të riparohen, pa çimento, diku me e ngrit, diku me e forcu, por investimi duhej të ishte bërë tek kanali i Vilunit në Velipojë.

Këtu kanë hapë gropa që tani janë mbush me ujë dhe nuk kanë efekt. Aty ku duhet me shku uji, nuk shkon sepse është barabar si këtu në gropë, ashtu dhe në dalje.

Ka qenë kanali vaditës me beton tek Aerelat e Shirqit, por në 22 vjet është prishë vaditja. Ai ka shërbyer dhe si pritë për mos me përmbytë fushat, por dhe ujin e ka marrë nga argjinatura. Është heqë, është prishë dhe tek Bendi argjinatura ka ujë  2 m poshtë, ndërsa këtu uji ka mbuluar fushat.

Nga përvoja, pasi jemi autoktonë në këtë vend, kanë bërë më shumë dëm se hajër.

Unë kam qenë drejtues bujqësie dikur dhe e di ç’do të thotë për tokën të qëndrojë me muaj nën ujë. Mbaron jonxhja, gruri, misri etj. Të gjitha bimët që kanë qenë të mbjella, kalben, pasi kanë qenë në fazën e rritjes e tani duhej korrur prodhimi i parë i jonxhës. Është turp për shtetin që na e bën këtë.

Ne kemi pasur gjithmonë ujë, edhe sikur janë hapur portat,  por shkarkimet kanë qenë graduale e jo njëherësh,  kullimi ka funksionuar dhe uji nuk ka ndejtë më shumë se një javë.

Argjinaturat i kemi mbajtë dhe me karroca me dhe dhe kur uji ka kalu mbi argjinaturë, i është dhënë rrugë e ka ikë se tokat kanë pasë kullim.

Sot tokat kanë 1.5 m ujë dhe 30% e kësaj që na ka ndodhë sivjet është nga moti dhe 70% nga shteti. Vërtet nuk ndalet uji, por menaxhohet. Para 1990 kishte njerëz që mblidheshin dhe nuk e lejonin që Fierza të shkonte deri 285 m dhe bëheshin shkarkime të planifikuara. Tani e lënë të shkojë në 295 m dhe pastaj e lëshojnë.

Është katastrofë. Unë kam 20 dynym jonxhë të mbjellë pasi kam 30 copë dele. E mbjell, tre herë në vit, ndërsa stallën pas 2010-s e kam çu më lart. Por nuk kam ushqim për bagëtinë. Më 2010 ika me gruan dhe bagëtitë, por tani ku të shkojmë.

Dëmshpërblimet e dhjetorit 2010 nuk u dhanë, i patën dhënë ato të janarit 2010, por dhe ato me militantizëm dhe korrupsion. U kanë dhënë atyre që nuk janë përmbytur, shumë më tepër se ato që u dëmtuan rëndë. Për 10 koshere blete në mal kanë dhënë 11 milionë lekë të vjetra dhe pse në mal nuk pati ujë dhe asnjë bletë nuk humbi. Patën sjellë ushqime të skaduara. Investimet e bëra janë të dështuara pasi janë bërë për përfitime.

Argjinaturën e Darragjatit e kanë bërë me zhavorr dhe atë e mori uji. Ai bypassi atje në Shkodër është lënë përgjysmë dhe ai me zhavor që e merr uji. E keqja është tek drejtuesit qendrorë, atje në qeveri dhe tek kryeministri dhe pastaj dhe tek drejtuesit vendorë.

Askush nuk ka ardhë këtë herë. Nuk kemi shpresë, por nuk dimë as ku të shkojmë”, thotë Fran Maçaj, banor i fshatit Shirq, ish-drejtues bujqësie para viteve ‘90. Situata është e vështirë edhe për banorët e Obotit, Goricës, Muriqanit në Anën e Malit, Trushit të Poshtëm në Bërdicë apo malit të Jushit në Bushat.

 

Teli: Thellimi i grykëderdhjes së Bunës, zgjidhje për përmbytjet

Toka plot me ujë, banesa të rrethuara nga uji dhe mungesë zgjidhjeje. Si mund të shpëtohet nga përmbytjet zona e Nënshkodrës për një periudhe 10-vjeçare? Një përgjigje për këtë jep navigatori Ismet Teli, i cili për 47 vjet ka punuar me marinën detare shqiptare dhe është studiues autodidakt.

Ai thotë se e ka gati projektin, i cili konsiston në thellimin e grykëderdhjes së Bunës 10 metër, nga 1 metër e 40 centimetër që është sot. Gjithashtu duhet të ndërhyhet edhe në 10 nyje të lumit Buna, në gjatësinë nga Shkodra deri në detin Adriatik.

“Sa herë thellohet Buna, me ardhjen e erërave të jugut, ajo mbushet. Në situatën ku ndodhet aktualisht, me metodën që unë propozoj, pa draga, pa eskavatorë e pa buldozerë, për 3 ditë e gjysmë punë largohet uji dhe evitohet përmbytja për sivjet. Kjo për 3 ditë e gjysmë punë 24 orë siç bëjmë ne detarët dhe jo duke ndejtë nëpër kafene.

Kjo metodë parashikon shkatërrimin e grykëderdhjes aktuale të lumit Buna dhe çuarjen e saj në 10 metër thellësi nga 1m 40 cm që është aktualisht. Buna e ka shpejtësinë 0.8 m3 ujë në sekondë, duke e bërë 10 metër të thellë grykëderdhjen e saj në det,shpejtësia e ujit rritet 9.8 herë dhe shkon 7.84m3ujë në sekondë.

Me 220 m që duhet të hapet dhe me 8 m thellësi, ajo përballon 13.500 m 3 ujë në sekondë. Pra, në qoftë se llogarisim se janë përmbyt 6000 ha tokë për 10.000 m2 sipërfaqe që ka secili, i thonë 60 000 000 m2 sipërfaqe toke.

Sipas llogaritjeve të shpejtësisë mesatare të ardhjes së ujit dhe duke e pjesëtuar me shpejtësinë që përballon grykëderdhja e Bunës, uji largohet shpejt. Për këtë duhen 6 sonda dhe pantonet që ka ushtria si dhe tubat që do të vendosen nën dhe.

Kjo mund të bëhet edhe tani, vetëm duhet që gryka e derdhjes së Bunës të jetë e qetë. Ndërsa për të eliminuar përmbytjet për 10 vjet  duhet të lëvizen 5 milion e 573 metër kub dhera nga shtrati i Bunës, një volum pune qe kryhet për dy muaj ku qershor- korrik është periudha më e përshtatshme.

Për këtë duhet të ndërhyhet në 10 pika ku Buna është e zënë. Po të realizohet kjo, le të hapen portat e hidrocentraleve sa të duan se uji ikën për 5 ditë.

Në qoftë se llogarim 6500 m3 ujë në sekondë shkarkime nga portat, 500 m3 ujë në sekondë nga turbina si dhe ujin që vjen nga Liqeni, të cilin e kam matur tani që është në nivelin e tij maksimal, bëhen mbi 7000 m 3 ujë në sekondë shkarkime. Duke e çuar 3 m mbi nivelin e detit, uji ikën më shpejt”, thotë Ismet Teli.

Ai ka disa vite që studion ujërat në zonën nga Liqeni i Shkodrës deri në grykëderdhjen e Bunës, në  detin Adriatik. Projektet e tij për të mënjanuar përmbytjet në këtë zonë kanë zgjuar jo pak interesim e specialistëve. Ka pasur shumë diskutime dhe debate rreth tyre, por deri tani nuk ka ndonjë ndërhyrje praktike. Koha kalon dhe Zona e Nënshkodrës vazhdon të përmbytet çdo dimër, duke shkaktuar dëme të mëdha për banorët që jetojnë këtu.

 

 

 

 

Albana Qemali April 15, 2013 08:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*