“Në dhimbje nuk më përgjigjet askush“

September 23, 2016 10:50

“Në dhimbje nuk më përgjigjet askush“

 

Nga libri në punim, disa poezi nga Bedri Islami

 

HISTORI E SHKURTËR

Në fillim ishte Gjergji,
e tradhtoi Hamzai,

pastaj për shumë vite nuk ishte askush,
rrinim nën mjegull,

me trishtimin e viteve erdhi Ismaili,
e tradhtoi Esati,
Esatin e vrau Avniu,
Avniun e vrau Ahmeti,
Ahmetin e përzuri Enveri,
Enverin e përcolli Ramizi,
Ramizin e burgosi Saliu,
Saliun e hëngri dreqi,

…po ne ku ishim…

mbetëm duke pritur
kur do të rivijë Gjergji…

 

KUR TË KTHEHESH

Kur të kthehesh kësaj nate në shtëpi
do të gjesh nga unë
lulet e blirit të vjetër
në oborrin e shtëpisë së ëndrrave…

Këmbanëzat e argjëndta të fjalëve
do të tringëllijnë
si notat e harpës së vjetër..
ndërsa
nata kalon përmes syrit tënd,

do të doja të isha aty,
të të dashuroja deri në fundin e shpirtit
dhe përmes drithërimit
të të thoja
atë që e di prej një shekulli..

Pastaj, përmes puthjes së
Natës së mirë
të mos rikujtoja asgjë
veç mrekullisë së ardhjes tënde…

kujtimet lëvizin përmes luleve të blirit…

 

KOHË TJETËR

Nuk janë më dëbornat e dikurshme,
hojet e zgjatura nuk ngrijnë më nën strehë,
erërat e murlanit janë zbutur,
vijnë rrotull natën si zonjusha budallaqe,
shirat bien mërzitshëm,
si të mbështjella nën një çarçaf hiri
i ftohti nuk të ngrin në faqe….

edhe fjalët e mia janë tmerrsisht të qeta,
më kot e bind veten se koha është e tillë,
vajmedet,
po mbesim larg njëri-tjetrit
si lumenj të tharë…
në këtë kohë të tjetërsuar
kur fjalët nuk ngjitin
dhe asgjë nuk është si më parë…

Ah, dimrat e ftohtë kanë parë
si e sillnin duart tona pranverën.

 

E VËRTETË

E vërtetë, e kam dashur me shpirt,
Nuk ka asnjë nënkuptim, të fshehtë a përçartje…
Të duash me shpirt nuk është mëkat,
Megjithëse koha ish e mëkateve…

Nuk jam vërvitur pa shpresë, zhuritur nga largësia
Penduar nuk jam për asgjë, gjithçka është brenda meje,
Zotin me flatra e pashë, nga dashuria,
Pendimi nuk më vinte nga pas si një qerre..

Me shpirt kam dashur, si i marrë, e vërtetë,
Jam dehur nga fjalët, kam plasur si gur,
Nëse kohrat do të shtyheshin prapa në jetë
Do doja përsëri si dikur…

 

PËRSËRITJE

Historia përsëritet pambarimisht
miku im,
në një skaj të pyjeve
unë jam stërgjyshi im,
druvar, i zbardhur nga motet,
djalë i ri, në natën e martesës,
prek brumin që ka bërë fisin tim
gjyshi im jam,
mbështetur në gardhishtet e lista,
dyzimi i së djeshmes,
rikthim i të parëve,
prag i së ardhmes,
kumti pagan i natës së zjarreve..

ditëfundi i tim eti,
koka e mbështetur në shkëmb,
ndjekur nga hijet dhe ëndrrat,
askund nuk jam dhe jam gjithkund.

Nesër, a pas një shekulli
një tjetër si unë do të vijë,
i butë, çamarrok, inatçi, i dashur,
dashuronjës si fëmijë,
i tradhtuar, tradhtonjës,
i heshtur, zhurmonjës,
bujk a poet,
shkapetës dyersh a përkdhelës ëndrrash,
puhizë a dallgë mbi det,

unë do e mbaj atë
si më mbajtën mua,
qetësisht, pa zhurmë…
ai do të mbajë një tjetër,
si e mbajta unë…

 

MBRËMJE

Në mbrëmjen e shtrirë
mbi çetinat e vjetra
duke pritur erërat e detit
nuk harrova dot vjeshtën e shkuar,
skuqjen e mollëve,
dhe trëndafilin e bardhë,
rënë pikëllueshëm
në një fillim rruge…..

Ende sot,
më duken
petalet e trëndafilit
si dallgët që më erdhën
tek këmbët
dhe shkuan
së bashku me mëngjesin…

erërat e detit,
si kujtimet,
është e pamundur

t’i qetësosh…
as t’i mbash në vete

përmes tyre mund të shkërmoqet
gjumi yt i brishtë
si një ëndërr vjeshte…

 

LUMI I VDEKSHËM

Lumi i vdekshëm i jetës sonë
rrjedh drejt së panjohurës së vjetër,
në çastin e shterrjes së tij
fillon udhëtimin
lumi i vdekshëm i dikujt tjetër…

në shkëmbimin e lumejve
të gjitha ndryshojnë,
ekzistenca,
iluzionet, papërshtatshmëria,
e vetmja që
mbetet njëlloj,
në gjithë lumejt e vdekshëm,
dashuria…

në lumin absolut të kohës kozmike
pafundësisht mister dhe të prekshëm,
si nga e ardhmja paraekzistuese
rrjedhin
të gjithë
lumejt e vdekshëm..

 

ETJE

 

Pikat e shiut, duke u shuar,

Përplasen në fytyrën e saj

 

degëzohen pastaj,

në sytë e mistershëm,

në faqet e skuqura,

 

mblidhen në oazën e gojës..

 

vetmi të shkreta,

 

gjithë jetën,

aty u përkula të shuaj etjen

dhe i etur mbeta.

 

 

 

SHITJA

 

Ai tha:

“ky është Jezusi”…

Ai vetë…

 

Pastaj numëroi asprat,

Dhjetë,

Njëzet,

Tridhjetë..

 

Vetëm kaq?

 

Asprat u rrokullisën në pluhur…

 

Të ishe në kohën time

O Judë

Jezusin e shenjtë..

Do e kishe

Shitur

Shumë më shtrenjtë.

 

Për sa aspra më kanë shitur?

 

MARRËZI

Të marrët
Janë njerëz të lumtur
Nuk e ndjejnë
dhimbjen.

I marrosur
isha pas teje

Ç’m’u desh
që u bëra i mënçur.

 

NË MBRETËRINË E HESHTJES

Kjo është mbretëria e përjetshme
E heshtjes
Vija dikur këtu
Dhe njihja vetëm tim atë,
Askënd tjetër – për fat..

Tani, miqtë më të shumtë
Janë këtu – të heshtur
Ne, të paktët,
Kemi mbetur vetëm
Duke pritur
Të bëhemi – të shumtët..

Tirane, 21 mars 2016, mesnatë

September 23, 2016 10:50
Komento

3 Komente

  1. vasili September 23, 12:48

    Ndjej,ne to mendim njerzor,qe endet me breza trup dhe shpirt i zhuritur,ne shkretetiren arnautistane te Europes.
    Mendoj se ndjenja do te behesh ashtu si e ka ne shpirt autori,nqse vargu do te kish me teper melodi dhe ritem.
    Autori thote qe judet e sotem do ta kishin shitur me shtrenjte Jezusin,kurse une mendoj,qe ata per ta hequr sa me pare qafe,ose do ta kishin dhene badjava,ose do ta kishin vrare vet.
    Ju faleminderit shume,qe na futet ne boten e vertete te perjetimeve te thella njerzore,larg, vorbulles gjirizore shqiptare,qe vazhdon te vije verdalle,nate e dite, mbas vrimes se zeze Sali,ne hapesirat e mesjetes orientale..

    Reply to this comment
  2. poezi September 23, 17:32

    te bukura…kur i lexon mbetesh njeri qe shpreson per jeten……por
    sot ra shi
    dhe ajri u pastrua
    sikur gjallerohemi
    mbushemi me fryme
    me frymen per jeten
    me ajrin e paster
    qe e nxin karburanti
    qe e vret djegesi i pyjeve
    sot ra shi
    por jo
    neser do vijne plehra
    e do bashkohen me tonat
    se ne mungon qytetaria
    i hedhim kudo,dhe nga ballkonet
    por edhe jashte kazaneve pa kapak
    se edhe ato jane plote
    por nuk i sheh parlamenti
    pra do i inportojme
    sa na mungojne
    o riciklim

    Reply to this comment
  3. Mergimtari September 24, 14:18

    Po, Vaso,
    duket se tek secili nga skifteret e se perditshmes, urtohet nje shpirt tjeter….!

    Per fat, neve na mbetet ne mend Bedriu Tjeter, skifteri, teksa do duhej te ndodhte e kunderta.

    psh, le ta rilexojme njeren:

    LUMI I VDEKSHËM

    Lumi i vdekshëm i jetës sonë
    rrjedh drejt së panjohurës së vjetër,
    në çastin e shterrjes së tij
    fillon udhëtimin
    lumi i vdekshëm i dikujt tjetër…

    në shkëmbimin e lumejve
    të gjitha ndryshojnë,
    ekzistenca,
    iluzionet, papërshtatshmëria,
    e vetmja që
    mbetet njëlloj,
    në gjithë lumejt e vdekshëm,
    dashuria…

    në lumin absolut të kohës kozmike
    pafundësisht mister dhe të prekshëm,
    si nga e ardhmja paraekzistuese
    rrjedhin
    të gjithë
    lumejt e vdekshëm..

    del se eshte krejt e kunderta me vjershen me siper kur Bedrua, gaztari, i shemb te gjithe, te gjithe me te gjitha, prej Ismail Bej Vlores e deri tek Sala!!!
    Kur shkruan article ose vjersha si article nuk kujtohet dot se jemi pjese te vockla nga lumenj te vdekur….

    Urime per Lumi i Vdekshem, Bedri. Ne te bashkohet jeta dhe arti dhe Bedriu njeri…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*