Në Divjakë, ku pelikanët ngrejnë folenë…

May 15, 2016 18:25 Updated

Në Divjakë, ku pelikanët ngrejnë folenë…

 Ka një “mbret” që mbretëron  në parkun e Divjakë-Karavastasë. Dhe ai “mbret” është një shpend  i çuditshëm, nga më të rrallët në botë. Një fakt disi i pabesueshëm për të gjithë ata që nuk kanë njohuri për këtë shpend me cilësi të veçanta. Ai, pra Pelikani Kaçurrel, jeton dhe shumohet vetëm në Karavasta, në asnjë vend tjetër të Evropës Perëndimore. Por fakti tjetër, që ky shpend zë 6.4 për qind të të gjithë popullatës botërore, i bën edhe më të paprekshëm “kufijtë” e parkut Divjakë-Karavasta. Është me të vërtetë Monument Kulture dhe Natyre që duhet të mbrohet nga shteti.

Për çka thamë rreth cilësive të veçanta që ka Pelikani Kaçurrel, 10 maji është caktuar si dita e tij, është caktuar si një datë ku Ministria e Mjedisit, organizatat dhe shoqatat  e tjera mjedisore ndërmarrin iniciativa të reja për mbrojtjen dhe shumimin e këtij shpendi me rëndësi globale.

13221665_1608914212760077_207152981573718249_nËshtë viti i dytë që Pelikani Kaçurrel mbledh dhe vë në lëvizje instancat e pushtetit dhe ata që merren përditë me kujdesin ndaj tij. Vërtetë ndjehesh mirë kur aty, rreth 200-300 metra larg folesë së pelikanit, mblidhen kuadro e specialistë, punonjës që rrinë aty dite e natë për të ruajtur e mbajtur nën vëzhgim shpendët gjigantë. Në këtë mjedis të gëzueshëm e festiv u sollën rezultatet e punës të një viti të tërë, duke përfshirë tek pelikanët  kaçurrelë edhe shpendët e tjerë, kryesisht ata migratorë.

Sot në parkun e Divjakë-Kravastasë rriten plot 53 çifte pelikanësh, duke arritur shifrën e 20 viteve më parë, të viteve kur ky shpend i rrallë filloi të zhdukej. Karavastaja, veç si maternitet i Pelikanit Kaçurrel, është shtëpia e shpendëve. Ajo strehon në territorin e saj numrin më të lartë të krahëfluturuesve. Sot mban dhe trajton gjatë gjithë vitit mbi 245 lloje shpendësh, nga 330 të vrojtuara në të gjithë Shqipërinë. Ky park përbën një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vendit.

13220942_1625160897809664_8678461086459432190_nKa mëse dy vjet që organizata mjedisore Franceze “Noe Conservation”, ku punon me shumë pasion ambientalisti Sajmir Hoxha, është duke zbatuar një program në rajonin e Mesdheut, ku përfshihet parku Kombëtar Divjake-Karavasta, por edhe  liqeni i Shkodrës në Malin e Zi dhe Liqeni i Kerkinit në Greqi. Në krah të saj, madje me të njëjtin pasion e dashuri për mbarështimin Pelikanin Kaçurrel, punojnë e kujdesen edhe organizatat simotra PPNEA, AKZM, INICA, MAVA, EURONATYR etj.

Në Ditën e Pelikanit Kaçurrel, në këtë ditë të veçantë, me synimin e promovimit të turizmit dhe rritjen e të ardhurave për komunitetin lokal u organizua edhe panairi i produkteve lokale, kryesisht të restoranteve që zhvillojnë veprimtarinë tyre në zonën e Parkut dhe të Plazhit.

 

May 15, 2016 18:25 Updated
Komento

2 Komente

  1. Arben May 15, 20:20

    DO TE JETE NJE GJYNAH I MADH NESE NJE DITE NUK DO TE KISHIM ME DIVJAKEN ASHTU SIC ESHTE.

    Reply to this comment
  2. Kutalli May 16, 12:49

    Ka një “mbret” që mbretëron në parkun e Divjakë-Karavastasë. Dhe ai “mbret” është PELIKANI.
    POR SE SHPEJTI KY MBRET DO TE ZEVENDESOHET ME MBRETIN BEGJET PACOLLIN.
    KESHTU VAZHDON PERRALLA….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*