Në drejtësi po ndodh e paimagjinueshmja. Po Vetting për pronën?

August 7, 2018 11:50

Në drejtësi po ndodh e paimagjinueshmja. Po Vetting për pronën?

Artan XH. Duka

Reforma në drejtësi po dëshmon se me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar mrekullitë apo të pamendueshmet kanë filluar të ndodhin.

Tani pritshmëria është që Vettingu apo reforma reale të ndërmerren edhe për vetë pastërtinë e politikës, respektimin e pronës, kodin zgjedhor etj “tabu” të tranzicionit demokratik.

Reforma në drejtësi është kyç për përshpejtimin e integrimit dhe shtetformimin demokratik.  E ndërsa “ferrat” e ditës në rrugën drejt BE sot janë “peshqit” e mëdhenj, “mullari” i madh që duhet kapërcyer për t’u ndjerë realisht në BE mbetet prona e dhunuar dhe kapja e votës 30 vjet.

Dhe që shpresa të mos mbetet e pashpresë, i duhet dhënë fund si abuzimit antiligjor ashtu dhe “kopsitjes” me ligj të abuzimit si deri më tani.

 Ishim keq për pronë apo për sipërmarrje private?

Kështu si e katandisëm pronën me problematika pafund ekonomike e sociale prej saj, do të ishte shumë herë më dinjitoze dhe efektive që pas viteve 90 pasuria natyrore – toka, pyjet etj, prona shtetërore – ndërtesat e banimit, ndërmarrjet, tregtia etj  të mbeteshin shtetërore dhe të aplikohej regjimi i qerasë nga të interesuarit duke kompensuar realisht ish-pronarët historik se sa… të miratohej një ligj si ai 7501, të privatizohej klientelisht prona shtetërore, të  legalizoheshin tokat e uzurpuara nga migrimi kaotik dhe i përllogaritur politikisht i popullsisë etj në kurriz të interesit publik, pronarit historik etj.

Fundja, se sa keq për pronën, deri dje ishim keq për sipërmarrjen private sepse dhe vetë qiraja është rutinë për ekonominë e tregut sot e kur vjen puna për tokat, minierat, pyjet, ujrat etj., pasuri natyrore por dhe investime shtetërore, ha logjikë edhe mbajtja në duart e publikut. Pasuritë natyrore nuk janë krijuar nga njeriu dhe të gjitha zinxhirët e shit-blerjeve në breza kanë në origjinë “tapinë” e parë bazuar tek uzurpimi i më të “fortit”, dhurimi prej sundimtarit të kohës etj.

Menaxhimi i pasurisë në këtë rast do të ishte më efektiv, deri dhe vetë pasuritë e bëra nga njeriu si fondi banesave të monizmit apo dhe banesat e reja do të mund të menaxhoheshin më kollaj sot nga ekuivalenti i “Pasurisë së shtetit” apo vetë ndërtuesit (që do aplikonin dhënien me qera) sesa nga “administratorë” me çelësa kashte që enden lagjeve ku veç fqinjësi si dikur nuk ka më.

Nëse do të ruhej prona publike e trashëguar nga monizmi, shoqëruar me një kompensim real të pronarit historik nga ana e shoqërisë (sikurse ndodhi me ish të persekutuarit), do të krijohej jo vetëm një mjedis i favorshëm e transparent për biznesin në përgjithësi por dhe do të ruhej kohezioni dhe mirëkuptimi social duke shmangur ndasitë, tensionet, klientelizmin politik etj.

Por ndërsa kjo nuk ndodhi, fatkeqësisht proçesi i privatizimit të pasurisë e pronës nuk u mirë-administrua dhe nga një faktor lehtësues për ecurinë ekonomike dhe investimet e huaja u shndërrua në gangrenë për ecjen përpara me shenjat e “gishtrinjve” të politikës abuzive kudo.

Prona u abuzua me ligj e pa ligj dhe me 7501, privatizimin klientelist të pasurisë publike e natyrore, legalizimin e zonave informale etj pronarët historikë u braktisën 30 vjet dhe sot shoqëria shqiptare është futur në një rreth vicioz të auto-pengmarrjes nga ku e fituar mbetet vetëm politika abuzive e tranzicionit.

Prona, edhe pa futur duart në të politika është një çështje komplekse që nëse zgjidhet me drejtësi është shtysë pozitive për gjithccka. Në të kundërtën, shndërrohet në bumerang që cenon harmoninë shoqërore dhe sensin e drejtësisë. Politika e ditës sot nuk është më pjesë e zgjidhjes por vetë problemi ndaj pas 30 vjetësh demagogji ka ardhur koha për platforma radikale politike dhe protagonizëm të ri.

 Prona duhet të shkojë tek i zoti dhe jo tek më i “zoti”

Shumë gjëra janë tepër komplekse për t’u kthyer pas – ligji 7501, legalizimi i zonave informale etj. Por me vullnet politik sot duhet të shndërrohet në prioritet kompensimi real  dhe i menjëhershëm i pronarëve, rishikimi i privatizimit klientelist të pronave shtetërore e publike në vite, debati i privatizimit të mëtejshëm i pasurive natyrore etj.

Pronarët që u diskriminuan nga ligji 7501 apo iu uzurpua prona nga migrimi kaotik, nëse është e pamundur rishpërndarja (rasti kur secili kthehet në tokën e vet) duhet të marrin urgjentisht kompensimet me çmimet e tregut të lirë dhe jo referenca të shekullit të shkuar! Njësoj si ish të persekutuarit. Ndryshe tensionet sociale do të vijojnë dhe prona e kujtdo do të mbetet e pasigurtë jetë e mot sa kohë nonsensit juridik të mbivendosjes së tapive i shtohet edhe diskriminimi i pronarit historik. Për këtë, ligji 7501 dhe ai legalizimeve, në mos anuluar, duhen amenduar që të respektojnë realisht të drejtën e kompensimit.

Në radhë të parë duke përfshirë në këtë skemë edhe sektorin privat bankar. Nëse subjektet që kanë përfituar pronën e tjetrit nuk kanë mundësi financiare për të shlyer (me një zbritje favorizuese për pagesë të menjëhershme) këtë detyrim ndaj pronarit historik, atëherë shteti, në emër të shoqërisë që ka përgjegjësi historike për këtë katrahurë, duhet të nxjerrë ligj dhe të ndërmjetësojë për kredi afatgjata bankare me interes të butë apo pa interes (marrë përsipër nga shteti) që pronari historik të marrë lekët menjëherë dhe pronari i ri të ndjehet realisht pronar duke paguar këste të shtrira në kohë dhe patur si kolateral pronën e tij. Një përfshirje e tillë e sektorit bankar nuk do të rëndonte buxhetin e shtetit dhe do të respektonte interesat e palëve dhe të drejtën e pronës.

Një precedent ky që ndodhi me banesat e ish-pronarëve me specifikën që pronarët ri-morën banesën e tyre dhe qiramarrësit morën kredi bankare (një tjetër sagë e pronës dhe diskriminim social ky kur ndërkohë që për 230 000 familje banesa u privatizua ndaj një pagese modeste, për afro 5 000 familje në shtëpitë e ish-pronarëve, sa herë ndërroheshin qeveritë ndryshonin dhe politikat dhe pozicioni i vetë gjykatës më të lartë në vend.

Po ashtu, nëse subjektet që përfituan prej 7501 kanë prona të të parëve gjetiu, ata të kenë mundësi zgjedhjeje duke lëshuar njërën prej tyre apo përllogaritur atë në funksion të detyrimit ndaj pronarit historik.

Ndërkohë si alternativë për përfituesit e tapive prej 7501 apo në zonat informale etj mund të ofrohet edhe kontrata e qerasë afatgjatë me pronarët historik apo vetë shtetin kur ndodhen në pronë shtetërore.

Për prona të tjera (p.sh. toka) që janë përdorur më pas nga shteti (pallate, ndërmarrje etj), shteti të kompensojë qoftë financiarisht ose në natyrë me privatizimet e rradhës së objekteve e aseteve të tjera publike (nëse do vijojë kjo praktikë) – ndërtesa, pyje, hapësira në bregdet sikurse në rastin e tenderave për kulla tregtare e zona banimi, shteti të ketë të drejtën e posedimit të hapësirave që mund të vihen në funksion të kompensimit të pronarëve.

Gjithccka është e mundur sa kohë ka vullnet politik. Më keq se është nuk bëhet por sa kohë që ky vullnet mungon e prona nuk shkon tek i zoti apo kompensohet realisht ai, do bëjmë vëndnumëro.

Gjërat duhet të shkojnë deri në fund dhe politika duhet të ndjejë presionin e shoqërisë për këtë gjë sikurse dhe me reformën në drejtësi kur ndërsa hiqen me bujë prokurorë e gjykatës, mbetet për t’u parë nëse do të … rishikohen e prishen edhe moria e vendimeve të padrejta që janë dhënë në të shkuarën ndaj interesave të ligjshme të qytetarit shqiptar.

Me reformën në drejtësi “shejtani” doli nga shishja dhe politika abuzive e ka humbur toruan. Tani që politika është në panik për fatin e saj, nën presionin qytetar, shoqatave, medias progresive, partnerëve ndërkombëtar etj, prona, vota etj “tabu” të tranzicionit kanë shansin të dalin nga “kthetrat” e politikës abuzive dhe trajtohen denjësisht. Integrimi në BE nuk është punë “letrash” por shteti ligjor dhe standardi demokratik që garantohen nga drejtësia e pavarur, prona e drejtë dhe vota e lirë.

August 7, 2018 11:50
Komento

1 Koment

  1. Nji shqetesim i vertete ! August 8, 19:55

    Ne nji shtet normal do duhej te kishte patjeter
    Vetting per pronen ,
    me te cilen eshte abuzuar nga Politika me shume
    se me gjithcka tjeter ne Shqiperi gjate 29-vjetesh
    dhe do dilnin poshtersi e Skandale nga me te paparat
    e padegjuara ndonjiher ne Historine e ktij vendi ,por edhe ne Bote !!!!!!!!!!!!!!!
    Problemi eshte se ,” Ata “te cilet e shndruan Shqiperine ne kte kaos e anarshi me Aktoret qe vune
    ne krye te shtetit Shqiptare kto 29-vjet ,
    kane bere te tjera hesape me Shqiperine ,
    pra kane then shqip Plane te tjera me Shqiperine .
    Jo me kot eshte akoma i lire salih Berisha & Co

    shumica e tokave ne Shqiperi i eshte shitur ose dhuruar te Hujave Miqve te Shqiperise ,
    nga kta kriminele te tipit Berisha ,qe sot akoma vazhdon ,te mbeshtetet e mbrohet nga Ligji e Drejtesia
    nga Miqte tane te nderum .

    Te behej Vetting mbi Pronat ,
    shqiptaret do kuptonin se i ka ngekur aq shume pak
    kohe jete mbi ate toke .
    Neser kann me i quajt me nji tjeter emer si psh skllav
    ose neger alban

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*