Në ferr do të zbres, të shndrisë veç për të vdekurit

April 9, 2018 08:53

Në ferr do të zbres, të shndrisë veç për të vdekurit

Përshëndetje, z.Thano

Perveç urimit per nje mbremje te mire, dua t’ju njoftoj se jam nje lexues i rregullt i gazetes suaj. Duke pare ngjarjet e fundit ne Kosove (ratifikimin e demarkacionit te kufirit me Malin e Zi) kam shkruar nje shkrim (opinion) rreth kesaj teme. Po jua dergoj te bashkengjitur kete shkrim dhe, nese e shihni te arsyeshme, mund ta botoni ne gazeten tuaj te resopektuar. Me urimet me te mira, ju pershendes!

****

Në prozën mitologjike shqiptare tregohet për një malësor të ri, të cilit çdo natë nisi t’i vinte në kullë një zanë. Kjo nuse e bënte atë të lumtur me kusht që ai të mos fliste për të, ndryshe do të humbiste gojën. Por malësori nuk e përballoi dot tundimin dhe e këmbeu një çast çlirimi, d.m.th. rrëfimin për zanën, me memecllëkun e përjetshëm

Më 21 mars 2018, kur kalendari shënoi ekuinoksin pranveror, në natyrë ishte dimër. Në Çakorr, Kullë e bregut të Bjelluhës kishte dëborë, thuajse edhe Perëndia mundohej që t’i mbulonte gjurmët e një tradhtie kombëtare.

Më në fund u siguruan 80 vota që do të vulosnin një copëtim të territorit tonë. Paradoksalisht kësaj here nuk pati nevojë për një Traktat të Shën Stefanit, as për Kongres të Berlinit e as për Konferencë të Ambasadorëve; rolin e tyre e luajtën Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj. Ata nuk lanë gurë pa lëvizur që ta prishin ekuilibrin territorial të Republikës. Ajri, zjarri, toka dhe uji na u ndanë. Këto katër elemente janë të domosdoshme për një ekuilibër të botës, sepse pa njërin prej tyre, energjia dhe renditja e Tokës do të dobësohej. E Treshja e sotme udhëheqëse, që ngjan me sfurkun e djallit, pa pikën e turpit e falën atë ujë burimi, e falën atë erë pishe, e falën atë tokë të ndezur. Po në emër të kujt i falën? Në emër të liberalizimit të vizave, në emër të zhbllokimit të proceseve integruese të Republikës. Argument qesharak, që kurrsesi nuk e përligj veprën e tyre prej një tradhtie kombëtare. E katandisën atë copë toke e po kështu na katandisën edhe neve si popull. Aty më nuk do të shkëlqejë plisi i dheut, por kapica e malazezit; aty edhe dielli, që i buzëqeshte puthjes së dheut e qiellit, nuk do rrezojë më, bile do të klithë në kulm të zemërimit: “Në ferr do të zbres të shndris veç për të vdekurit”!

A duhet të jemi kundër një demarkacioni? Jo. Asnjë mendje normale nuk është dhe nuk duhet të jetë kundër shënjimit të një vije kufitare me vendet fqinje qoftë Mali i Zi, qoftë Serbia. Shënjimi i kësaj vije dëshmon shtetësinë dhe sovranitetin tonë. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi kundër mënyrës së marrëveshjeve për shënjimin e kësaj vije kufitare, bash atëherë kur kjo marrëveshje bëhet në një mungesë të plotë transparenceje, bash atëherë kur injorohet kuvendi, bash atëherë kur injorohet opozita, bash atëherë kur injorohet shoqëria civile. Merreni me mend, Greqia për çështjen e kufirit detar me Shqipërinë organizon tryezë diskutimi me Presidentin, Opozitën dhe me Kishën. Dhe në fund nuk ka si të ndodhë ndryshe, përveç miratimit të një marrëveshjeje në rast se do të jetë e arritshme. Kurse te ne, këtu në Kosovë, gjithçka jo transparente cilësohet jo vetëm si moral politik, po dhe zgjuarsi politike. Sikur kjo marrëveshje të ishte diskutuar me faktorët relevantë të brendshëm, kjo çështje do të ishte kryer atëherë para tri vitesh dhe nocioni demarkacion sot në praktikë do të ishte kufi mes dy legjendave. Dhe jo vetëm kaq, po do të instalohej edhe një model i një komunikimi pozitë – opozitë, siç nuk është zakon ndër ne.

Por kjo nuk ndodhi. Të gjithë u turrën për miratimin e mashtrimit të madh. U turrën edhe ata, që vetëm nëpër fushata elektorale u thirrën në një filozofi politike të një “lideri historik”, idhull për ta; u turr edhe ai djali nga Gllogjani, që bënte “bé e rr’fé” se kufiri do të kthehet në Çakorr dhe që dyshonte në atë djalin nga Broja në i ka “dy ditë shkollë”. Por asnjëra palë nuk doli e sinqertë. E para, LDK-ja, dëshmoi se për ta ajo filozofi e ish-liderit të tyre është inekzistente, kurse ai lider historik jo që nuk respektohet, por as nuk përfillet; kurse ky djali i Gllogjanit doli se nuk e ka përfunduar as abetaren. Ky gllogjanas jo vetëm që nuk përfilli peticionin e dyqind e pesë mijë qytetarëve që ishin kundër kësaj marrëveshjeje, por nuk denjoi as t’ia lëshojë sytë e përgjumur këtyre nënshkrimeve, që i kishte para vetes si piramidë kufiri. Ky dëshmoi se është i gatshëm të bëjë çdo kompromis në dëm të këtij vendi që e lindi, që e rriti, vetëm e vetëm të arrijë e ta jetësojë ëndrrën për një karrige. Kështu që ai pësoi metamorfozë. Sa turp për një komandant në luftë e për një ushtar modest në politikë! Çka tash pas ratifikimit të demarkacionit (lexo: delimitacionit)? Me çfarë marrëveshjeje dhe transparence do të votohet  i ashtuquajturi Asociacioni i Komunave Serbe? Me çfarë marrëveshjeje dhe transparence do të votohet shënjimi (lexo: caktimi) i vijës kufitare me Serbinë, si vija më e gjatë kufitare e Kosovës? Assesi ndryshe. Marrëveshja me Malin e Zi do të shërbejë precedent edhe për këto dy të tjerat e radhës. O tempora, o mores!

Kryerja e këtij akti nuk është gjë tjetër, veçse një kapitullim moral e politik i kësaj klase politike të pamoralshme. Këta ranë aq poshtë, sa që për t’u ringritur u duhet një sakrificë, mu sikurse e Qerosit në përrallën shqiptare. E sakrificën e mendojnë dhe e shohin te shpirti i përgjithshëm e jo tek ai personal. Pavarësisht kësaj rënieje, historia ndodhi. Dhe “krenarë” do të jenë pjesë e kësaj historie, bile do të hyjnë mu aty ku e ka vendin edhe Efialtesi me Kuislingun, edhe Bucefali me Rosenantin. Epoka e tyre shënoi edhe një “fitore” të radhës. Por në jetë ka edhe humbje krenare, edhe fitore të turpshme. E kjo e tyrja nuk është gjë tjetër veçse një fitore e turpshme. Çuditërisht edhe këta kanë filluar t’i festojnë humbjet si fitore. Edhe unë, si qytetar i këtij vendi, dua të marrë pjesë në këtë “gëzim” dhe t’i “uroj” me mallkimin “Ju marroftë i madhi Zot!”.

P.S. Jo më kot e fillova këtë shkrim me një paragraf nga mitologjia jonë. Nuk këmbehet një humbje e përjetshme territori me një vizitë të përkohshme jashtë shtetit, edhe në t’u dhëntë kjo mundësi. Medet!

Ma. Alban Krasniqi

 

 

April 9, 2018 08:53
Komento

5 Komente

  1. pelivan April 9, 12:07

    Zoti Thano!
    Perse nuk na mundesohet berja e komenteve,ne blogun e B.Dukes?

    Reply to this comment
  2. zana April 9, 16:22

    Ore Alban djali, jo qe ndokush tani ka ndonje respekt apo simpati per lideret qe ti i pemend qe shiten Cakorrin por te jeme te sinqert, trevat qe ti permend dhe shume te tjera edhe me te medha u humben para 100 e ca vjeteve.
    Mali i Zi dhe Serbia i moren me lufte qe ne nuk mundem ti mbronim. Po te mos ishin antagonizmat serbo malazeze kufiri mund te ishte tek Patrikana e Pejes, 3 km siper qytetit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*