Në fillim është poezia. Dhe pastaj fjala!

Gazeta "Dita" January 24, 2013 15:05

Në fillim është poezia. Dhe pastaj fjala!

Gjurma e padukshme e një gjetheje. Kështu është për Erinën, që poezinë e ndjen. Një gjendje që e realizon e mbush dhe vazhdon ekzistencën e saj

Anida Lera

“Është një libër që krijon atmosferë të brishtë delikate, ku ndihen lëvizjet fluide shpirtërore, luhatjet e gjendjeve të holla psikologjike dhe një përpjekje për të funksionalizuar fjalën në një atmosferë emocionale të poezisë”. Me këto fjalë do të shprehej poeti Agron Tufa për një tjetër poete, Erina Pavle Çokun, e cila këto ditë promovoi librin e saj “Gjurma e Gjethes”.

Në një atmosferë  të ngrohtë mes të afërmve, miqve e dashamirësve të poezisë, Erina transmetoi ndjeshëm një shpirt të bukur e të brishtë, të bekuar për të krijuar poezi. Në fakt, poezia e saj vjen e lehtë, si gjethe vjeshte që lë një gjurmë të padukshme në përkëdheljen që jep ndërsa bie. Erina vjen gjithashtu e tillë. Duke folur për gazetën “Dita”, ajo përcjell emocionet dhe kënaqësinë e dhuratës poetike për dashamirësit e poezisë. Me një fjalor të pasur dhe me një kapacitet njohës të gjuhës shqipe, mund të themi pa drojë, se Erina vjen ndryshe.

Erina, ç’është  poezia për ty?

Poezinë e shoh si një  gjendje, si një mënyrë të nxjerrjes në pah të vetes, shprehësi që më realizon, më mbush dhe më bën ta vazhdoj ekzistencën time. Nuk e mendoj poezinë, e ndjej. E shoh më tepër si mënyrë të qenies, si ide që shfaqet në rrafshin e shpirtit. Poezia për mua është gjendje, perceptimi ndjesor që kam brenda vetes. Fjalët vijnë më pas. Poezia është një gjallim i përveçëm.

Simbolika e gjethes….

Gjurmë të padukshme për syrin, por jo për ndijimin…

Poezia po lexohet e shkruhet gjithmonë e më pak. A mund të flasim për një krizë të poezisë?

Duam gjithnjë t’i referohemi botës si nevojë estetike për t’u shijuar. Të mos flasim për krizë në art qoftë edhe atëherë kur mund të themi se nga vetë mënyra e jetesës, njerëzit kërkojnë të lehtën. Poezia do kohë, do përkushtimin e duhur. Ka krizë të tregut, por jo të dëshirimit.. Në krizë është konsumi, jo poezia.

Kthimi në  poezi…

Më mirë ta quajmë  ardhje te lexuesi sesa kthim në poezi, sepse nuk kam pasur shkëputje prej saj. Të shkruarit është një nevojë e brendshme, pa të nuk bëj dot. Pas botimit të librit të parë, para 15 vjetësh, ky moment i dytë më bëri të ndihem më e pjekur dhe më e paraqitshme në profilin tim poetik.

Ndihesh e përkedhelur e fatit që shkruan? Apo poezia të bën të ndihesh ndryshe?

Poezia vjen bashkë me atë  çka ndihem, ndaj nuk e identifikoj veten si të ndryshme nga të  tjerët për shkak të saj… Tjetër gjë pastaj se si perceptohem prej tyre, duke qenë se unë e nyjëtoj, e paraqes unin tim me anë të fjalës në një formë e thurje të saj, jo të zakontë për të përditshmen…

Si e percepton ‘të bukurën’?

Si një këngëzim melodioz që duhet dhe mund ta përcjellë vetëm fjala si e tillë…

Sa rëndësi ka njohja e fjalës në poezi?

Mendoj që e para është poezia e pastaj vjen fjala. Kështu që këtë të fundit si pjesë të pandashme të poetikës si të tillë e shoh si gjak të saj, si trupëzim, si veshje për ta bërë të dukshme që të tjerët të mund ta shohin, ta perceptojnë…

Familja, sa të  frymëzon…

E gjithë “Gjurma e gjethes” i është kushtuar familjes që  është pema ku merr shpesh limfë muza ime. Prindërit, motra ime e dashur, vëllezërit, bashkëshorti janë në qelizë të shpirtit tim. E mbi të gjitha bijtë… Kam dy djem, Erdin dhe Mateon, të cilët janë bërë për mua frymëzime të rrumbullakëta. Mëmësia është një ndjenjë shumë e bukur, e papërsëritshme për femrën, është një prag kur qenia fillon e rritet ndryshe e zbulon veten si femër, të vërtetat e saj, në një ëmbëlsi të pambaruar.

Një nënë  e përkushtuar kur e gjen kohën për poezinë?

Është vetë poezia që ma zgjedh kohën e saj e unë i bindem..

Sa e vështirë  është të botosh një libër?

Është një vështirësi relative, në këndvështrime të ndryshme.

Pret kritika?

E mirëpres kritikën, përherë. Për poezitë e mia e kam parë të arsyeshme të përballem me mendimin profesional, (të cilin e vlerësoj mjaft) të profesor Behar Gjokës, kritik, shkrimtar, njeri shumë i talentuar. Ai është redaktori i “Gjurma e gjethes”. Gjej rastin ta falënderoj si latues të shijes sime poetike dhe si njeriu që më ka ndihmuar shumë në udhën letrare.

Mendon se do të  kalosh në prozë një ditë?

Ndoshta… por gjer tani më  mirë se poezia nuk gjej formë tjetër të fjalës për t’u shprehur.

Në promovim lexove edhe disa nga poezitë e tua. Ç’ndjesi të jep leximi i ndjenjave para të tjerëve?

Të lexosh poezinë para të tjerëve, t’u japësh edhe zërin tënd, është një ndijim i veçantë. Është  bukur, është edhe droje, sepse përballesh me lexuesin sy më sy, në një moment kur ti tingullon veten tënde më të brishtë, të shpërfaqur që prej skutës më të thellë e më të vërtetë të gjallimit të shpirtit. Aty dhe atëherë ku ke thënë në mënyrën më të zhveshur tërë përfytyrimin tënd e më tej, në formën më të guximshme e më të sinqertë.

 

Udhëkryqe të lakuara

Ti pëshpërite se,

kemi pushuar së dashuri

këngët tona të fshehta,

ata tinguj që s’ mbërrijnë

në buzët tona.

E më s’ i durojmë

dallgët e shpirtit

të zhaurijnë në portën e durimit.

A thua?

Dimri pas dyerve rri fshehur

ai përgjon

vjeshtën e paqtë

në pikëllimin e çdo bulëze

e zgjuar ka, dhimbjen e amullt.

Heshtja e largësisë zhurmon nëpër shpirt

Ajo çjerr gëzimin tim të epërm.

e bjerr

një rrugë të madhe,

një rrugë të vogël,

një rrugë dredhuese…

Gazeta "Dita" January 24, 2013 15:05
Komento

6 Komente

  1. Lediana January 24, 16:49

    Urime Erina! Mos t’u ndalte muza jote poetike. Kemi nevoje per poezi te vertete!

    Reply to this comment
  2. Matilda January 24, 19:43

    Nje interviste shume e kendshme…….Shoqeria sot ka vertet nevoje per libra te mire, qe ti terheqe vemendjen per ti larguar nga rutina e perditshme mbytese….

    Reply to this comment
  3. Matilde January 24, 20:24

    Gracias Erina.Intentaré encontrar tus poemas en España,leerlos y comentarlos en tu página.Un abrazo

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*