Në kërkim të At Pando Sinicës

August 15, 2016 14:26

Në kërkim të At Pando Sinicës

Fuat Memelli, Boston

Prej vitesh kisha dashur të shkruaj për priftin patriot sinicar, At Pando Sinica. Informacionin e parë për atë e kam patur nga një fotografi si dhe pak radhë poshtë fotos së tij, të cilat ndodheshin në muzeun e Sinicës në rrethin e Devollit. Pas viteve ’90, si shumë muze edhe ai i Sinicës, u dëmtua. Me ardhjen time në Amerikë pesë vjet më parë, dëshira për të rënë në gjurmët e tij, u shtua, pasi ai kishte jetuar në këtë vend. Për kontributin e tij, lexova edhe te gazetat shqiptare “Illyria” dhe “ Dielli” që dalin në Amerikë. Nga këto gazeta mësova se At Pando Sinica kishte qenë një nga firmëtarët e Memorandumit që gjashtë klerikë ortodoksë shqiptarë që jetonin në Amerikë, me në krye Nolin, i kishin dërguar presidentit amerikan, Willson, sekretarit të Shtetit Lasing si dhe disa ambasadave në vitin 1918,  për mos copëtimin e trojeve shqiptare. Ky Memorandum, u dërgua disa ditë para mbledhjes së Konferencës së Paqes në Paris, si dhe para nisjes së delegacionit shqiptar në atë konferencë, e cila u zhvillua në janar të vitit 1919.

Jo më kot Fan Noli, kishte zgjedhur edhe At Pandon, për të qenë një nga firmëtarët e kësaj letre të rëndësishme. Emri dhe veprimtaria kishtare e At Pando Sinicës gjendet edhe në dy botime këtu në Amerikë: në librin e veprimtarisë të kishës shqiptare në Uster si dhe në botimin kushtuar Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, me rastin e 50-vjetorit të saj, 1908-1958, hartuar nga Fan Noli.

Misioni

Për të rënë në gjurmët e varrit të tij, pyeta disa sinicarë që jetonin në Amerikë. Ata kishin  pak informacion. Sinicari i vjetër, Sotir Guta, i cili jeton në Çikago, më tha se ky fis në Sinicë e ka patur mbiemrin, Kondemelo, ndërsa shtëpinë e kishte diku mbi xhade. Sipas tij, ky fis është shpërngulur nga fshati në vitet e Luftës së Parë Botërore ose edhe më parë. Më tepër ai nuk dinte. Vetëm Hirësia e tij, Peshkop Ilia Ketri, me origjinë nga Sinica, por lindur e rritur në Amerikë, më informoi se At Pandua kishte jetuar në qytetin e Usterit, që ndodhet rreth një orë larg Bostonit, e aty duhet ta kishte edhe varrin. Dhe unë nisa kërkimet për të gjetur varrin e At Pando Sinicës.

Krahas misionit të gazetarit, i cili më nxiste për këtë punë, ishte edhe origjina ime e përbashkët me At Pandon, nga fshati Sinicë. Ky zë, sikur më thoshte: Gjeje varrin e At Pandos! Është një homazh për kontributin e tij në shërbim të fesë si dhe çështjes shqiptare.

“Trokitje” në Uster

Për të rënë në gjurmët e varrit të At Pandos, për herë të parë bisedova në telefon me dardharin, Petrit Skënde, i cili jeton në Uster (Për ata që nuk e njohin petritin, dua të them se ai është një nga fizikantët më të mirë shqiptarë. Ka qenë nën drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë).

“Unë nuk kam informacion për personin që kërkon, por do të rekomandoj një dardhar tjetër, Franklin Zdrulin, i cili gjithashtu jeton këtu dhe është i lidhur me kishën Shën Mëria në Uster. Kam besim se do t’ju ndihmojë”, më tha Petriti.

Fola me Franklinin dhe ai m’u përgjigj se At Pando Sinica ka qenë prift në kishën e Usterit, se nuk ia dinte varrin, por do pyeste një person tjetër, korçarin Lui Pero, i cili me siguri do t’i ndihmonte.

Më në fund…

Një ditë janari të këtij viti, u nisa për në Uster, bashkë më shokun tim, gjirokastriten Kostandin Mosko. Kishim dy qëllime atë ditë: të shkonim të varri i At Pando Sinicës dhe të merrnim pjesë në promovimin e librit të Thanas Gjikës, për ardhjet e Shën Palit në Iliri.

E nisëm me problemin e parë. Në Uster na priti Franklin Zdruli, të cilin gjej rastin ta falënderoj për ndihmesën e dhënë.  “Shkojmë drejt e në varreza, na tha ai, pasi aty na pret Lui”. “Ja ku është varri i At Pando Sinicës, na tha Lui, kur u afruam, para 30 vjetësh ka qenë diku gjetkë, por një grup besimtarësh mblodhëm të holla dhe e sollëm këtu ku janë varret e ortodoksëve.

Ishte një varr i thjeshtë, siç janë shumica e varreve në Amerikë. Kur u afrova te varri, m’u duk sikur zbulova një të panjohur. U përkula dhe vendosa një tufë lule. M’u duk sikur ajo tufë lulesh, ishte në emër të gjithë sinicarëve. Te pllaka e varrit ishte vendosur vetëm viti i vdekjes, 1922, ndërsa ai i lindjes, jo. Por, vitin e lindjes na i jep Noli te libri kushtuar 50-vjetorit të kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Noli përmend edhe fshatin e tij të lindjes, Sinicë.

Bëra disa foto edhe me shoqëruesit e mi dhe pastaj ia lashë fjalën Luit, për të më thënë diçka për At Pandon.

Tre dollarët e bekuar të At Pandos…

Familja ime ka një histori të largët që lidhet me At Pando Sinicën, nis të tregojë Lui Pero. Babai im kishte ardhur në Uster nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare. Duke shkuar në kishën e Usterit ku shërbente At Pandua, ishte njohur me të. Një ditë At Pandua i thotë: “A vjen me mua në një qytet tjetër, se kam për të mbajtur një meshë”? “Mirë”, i përgjigjet  babai.

Shkuan në qytetin përkatës dhe pas meshës At Pandua i jep babait tre dollarë, që në atë kohë nuk ishin pak. Babai u gëzua dhe e falënderoi. Miqësia e tyre vazhdoi deri sa At Pandua ndërroi jetë në vitin 1922.  Babai na thoshte shpesh se atij i vajti jeta mbarë në Amerikë, pas dhuratës prej tre dollarësh dhe bekimit që i bëri At Pandua. Filloi punë, krijoi familje, u bë me fëmijë, etj. At Pando Sinica si prift ka mbajtur gjallë shqiptarizmën dhe gjuhën shqipe. E kemi amanet nga babai që të kujdesemi për varrin e At Pando Sinicës e të vendosim lule. Unë dhe motra ime, Sherli, vijmë këtu dhe vendosim lule.

Kaluam një ditë të ngjeshur e të ftohtë, por unë ndihesha i kënaqur se kisha gjetur varrin e At Pandos dhe kisha marrë informacion më tepër për të. Megjithatë, mendoj se ka vend për të “gërmuar” përsëri për figurën e At Pando Sinicës.

Vitin e kaluar, me rastin e 165 vjetorit të kishës së Shën Kollit në Sinicë, unë me ndihmën edhe të sinicarit Marijon Pano, përgatita disa dëshmi “Mirënjohje” për priftërinjtë që kishin shërbyer në këtë kishë, për disa besimtarë të përkushtuar si dhe për At Pando Sinicën e Peshkop Ilia Ketrin. Kur një ditë të ndërtohet muzeu i këtij fshati, emri i At Pando Sinicës do të zërë aty një vend nderi .

August 15, 2016 14:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*