Në kërshëritë e grykës piktoreske të Këlcyrës

Zylyftar Hoxha March 27, 2016 10:46

Në kërshëritë e grykës piktoreske të Këlcyrës

Sa kalon urën e Dragotit në Tepelenë, rruga për në Përmet gjarpëron në një grykë të ngushtë, 13 km të gjatë, gjithsesi panoramike me gjelbërimet e buzujërave të Vjosës, ngjirrave të kaltra të lumit që shfaqen herë pas here, arave rrip të gjata dhe maleve thikë në të dy krahët. Kjo është pjesa më mbresëlënëse e gjithë luginës së Vjosës, një panoramë e bukur, të cilën e shijon vërtet, po qe se rrugën e ke marrë me qejf për në Përmet.

Në gjithë atë grykë të ngushtë, që, kur përpiqesh të shohësh majat, “të bie kapelja nga koka”, domosdo një njeriu të ndjeshëm i ndizet fantazia dhe bën krahasimet me ato që ka lexuar në libra apo ka parë në filma. Mua, psh, në këto pamje më kujtohet një kolegu im, gazetar i vjetër, që s’jeton më, që për një grykë të tillë të ngjashme në Skrapar, e kishte nisur reportazhin e tij me fjalët: “Qafa e Dëvrisë, këtu një zabit mban një taborr”. Megjithëse një metaforë brilante, redaktorët e asaj kohe ia hoqën nga shkrimi. Por sot, besoj se s’do të ma heq njeri këtë perlë artistike që “ngjit” kaq shumë me grykën legjendare të Mezhgoranit që na del përpara. Nuk e di, por një tik nervor më sjell ndër mend në këto çaste, më shumë se heroizmin e Hasim Zenelit, zërin e fuqishëm të Mentor Xhemalit “Një zë po del nga gryk’ e Mezhgoranit…”.

Nga të dy shpatet e gjatësisë së Grykës së Këlcyrës derdhen burime të panumërta. Njëri nga këta është më i veçanti, ai quhet Burimi i Ujit të Zi, pasi pellgu ku derdhet, për shkak të thellësisë, duket i errët. Ujërat që zbresin nga shpatet përveçse janë të pastër, kristal, në fund, në lum, mbulohen nga një bimësi e dendur dhe rrepe shekullorë, që krijojnë mjedise të mrekullueshme për piknikë.

Në kërshëritë e Grykës së Këlcyrës, një kompleksi industrial uji, lokalit dhe burimit përbri tij, përshtypje të bën edhe një objekt kulti, kushtuar ushtarëve grekë që ranë në Luftën Italo-Greke në vitin 1940, në dukje i paqtë, por fyes dhe provokues, po të kesh parasysh motivin, kohën dhe mënyrën se si u ndërtua. Në emër të shenjtërisë të këtij memoriali është trazuar një çorbë e tërë gjeopolitike, që çdo udhëtari që kalon aty nuk i bën gjë tjetër, veçse i prish humorin. Por, shyqyr që Këlcyra është disa minuta më tej, dhe që të gjitha lokalet që janë aty, si çdo gjë tjetër, edhe kafen e bëjnë të mirë!…

Pas një kafeje në Këlcyrë…

Por le ta lëmë këtë histori dhe ta shijojmë këtë copë herë këtu në Këlcyrë, një qyetth i vogël province, për të cilën, personalisht, kam një dobësi të veçantë. Dhe e dini pse? Jo se kam ardhur shpesh aty, kjo është hera e dytë që vij kalimthi, por se Këlcyra ka histori të lashtë dhe të re, që unë nuk e kam mësuar më shumë nga pleqtë e vjetër në Skrapar, se sa nga librat. Pleqtë tanë flisnin me nostalgji për Këlcyrën, ku shkonin pothuaj çdo javë për të bërë pazar. Unë tani po e kuptoj prekshmërinë e tyre shpirtërore për Këlcyrën.

82833629Ka shumë e shumë arsye që krahina e Skraparit me atë të Përmetit të kenë  afërsi e  ngjashmëri me njëra-tjetrën në shumë pikëpamje, aq sa një i huaj vështirë t’i dallojë, ndërsa një vendës i kujdesshëm nuk e ka vështirë të gjejë nuanca dallimesh nga më të ndryshmet. Megjithatë, të dy komunitetet, në qoftë se do t’i quajmë kështu, rrezatojnë një kulturë tradicionale shembullore, falë pozicionit të favorshëm gjeografik, lidhjeve e marrëdhënieve midis tyre dhe me fqinjët e tjerë, fateve të tyre të njëjtë historikë, lidhjeve shpirtërore me anë të martesave e miqësive etj.

Kufij Skrapari me Përmetin në jugperëndim ka Taroninën, Qafën e Shelqit, Dërrasën e Kajcës, Tendën e Qypit, në Vëndreshë deri në Valë është përroi i  Bubësit. Ç’rrjedhin ujërat matanë në Vjosë, është Përmet, dhe ç’rrjedhin në Osum, është Skrapar.

Këta janë kufijtë natyrorë, njëkohësisht edhe administrativë, që ndajnë të dy rrethet.

Por edhe Taronina dhe Tenda e Qypit ulet e bëhet shesh kur është fjala për disa lidhje të tjera, siç janë ato shpirtërore midis dy krahinave. Krushqitë, miqësitë dhe lidhjet familjare të Malindit, të tre Sevranve, me Pacomitin, Kutalin, Xhanajn; të Çepanit, Rogut, Muzhakës, Prishtës, Rovicës, Nishicës, Veleshnjës, Cerovës me fshatrat e Deshnicës së këtejme e të përtejme rrëzë Taroninës si Zhepovës, Shelgut, Kajcës, Rodenjit, Sukës e deri në Katundishtë; të  tri Vëndreshave, Valës e Therepelit, me tre Bubësat dhe Ballabanin; të Koprënckës, Gjergjovës e Potomit me Miçanin, Frashërin e Kreshovën janë aq të shumta, të ndërthurura më keq se fijet e merimangës, ku nuk vë dot dorë. Se njërin ta pickosh në Prishtë, oh, ia bën tjetri në Zhepovë!

Raki, verë dhe muhabet, si në Këlcyrë dhe në Përmet

Veç historisë, KëlcyLokalet_ne_grykerës i ka dhënë emër rakia dhe vera e famshme, ndoshta nga më të mirat në Shqipëri. Në periudhën socializmit këtu ishte një nga fabrikat më të famshme dhe nga më të mëdhatë në vend për prodhimin pijeve alkoolike dhe verës. Në luginën e Përmetit, ku bën pjesë edhe Këlcyra me Dëshnicën, kultivohen gati të gjitha varietetet e rrushit, muskati, reieslingu, afuzaliu, sulltanina dhe debina autoktone. Lamë në fund merlotin, rrushin e famshëm që për herë të parë në Shqipëri ka hyrë në vitin 1959 dhe që Përmeti dhe Këlcyra mbeti si “vendlindja” e tij e dytë. Merloti i njohur i Këlcyrës ka veti specifike, përqindje të lartë sheqeri (alkooli), vjetrohet shpejtë dhe s’ka nevojë për ngjyrues artificialë. Është kjo arsyeja që merloti është një nga verërat më të degustuara dhe më të preferuara në të gjithë vendin, konkurruese dinjitoze me verërat e importit. Edhe tani në Këlcyrë për shkak të traditës prodhohet verë dhe raki, por jo në përmasat dhe sasitë e dikurshme. Është ulur sasia e prodhimit të rrushit dhe fshatrat për rreth e përpunojnë vetë. Si të gjitha qytetet shqiptare, edhe Këlcyra jeton, vegjeton dhe “piqet me dhjamin e saj” me ato që sjellin emigrantët, me lokalet dhe dyqanet e shumtë që me reciprocitetin e tyre mbajnë sa për bukën njëri-tjetrin.

 

 

****

Një histori e Enver Hoxhës për bejlerët e Këlcyrës

Pazari-i-VjeterNga një lokal ku kemi ndalur për kafe këtu në Këlcyrë, vështrimi shkon sipër, rrëzë Trebeshinës, ku si një karakoll që kontrollon tërë luginën e Vjosës dhe të Dëshnicës, duken muret e rrëzuar të sarajeve të Ali Bej Këlcyrës. Në fakt ato duhet të kenë qenë shumë të mëdha, se kanë formën dhe përmasat e një kalaje mesjetare. I zoti i tyre, Ali Beu, të cilin na e kanë paraqitur si gogol dhe ne s’e njohim hiç, ose i njohim vetëm anën e zezë, ka qenë një burrë jo pa mend, me kulturë oksidentale, luftëtar i shquar i Luftës së Vlorës, pozitar me potencë, por edhe opozitar i Zogut, kompleks si figurë. Gjatë luftës, megjithëse me merita historike, u pozicionua keq dhe mori damkën e një tradhtari një pariparueshëm. Enver Hoxha në librin e tij “Në vitet e vegjëlisë”, nuk e di për ç’arsye, po i bën një përshkrim të hollësishëm prejardhjes së familjes Këlcyra, të cilët kanë ardhur nga Azia e vogël me ferman të veçantë të Sulltanit. Enver Hoxha shpjegon aty “shkencërisht” edhe prejardhjen e evgjitëve të Përmetit, të cilët i solli beu që andej si hyzmeqarë të oborrit. Qehallarët dhe oborrtarët e bardhë abuzonin seksualisht me evgjitkat, të cilat i ishin nën hyqmin e tyre. Kështu që ato lindnin fëmijë të shartuar ose të bardhë, por kjo dihet, shkon në linjë të gjatë gjenetike. Ndaj, thotë Enver Hoxha, pjesa më e madhe e evgjitëve të Përmetit është e bardhë.

Zylyftar Hoxha March 27, 2016 10:46
Komento

1 Koment

  1. N.VJOSA March 27, 11:06

    O Zylo,
    ke shkruar me dashuri i gjithe reportazhin, por ne fund e paske menderosur me keto qe ti i quan “evgjitkat e evgjitet e Permetit”, … ata jane asimiluar ne tradita e zakone , ky term racist eshte perbuzes per ta.Ata jane njerez shume fisnikë dhe nuk i dallon dot nga pjesa tjeter e popullsise…!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*