Ditari i ish-ambasadorit: Çfarë ndodhte në Moskë gjatë gjenocidit serb në Kosovë

April 13, 2019 09:15

Ditari i ish-ambasadorit: Çfarë ndodhte në Moskë gjatë gjenocidit serb në Kosovë

Shaqir Vukaj*

16.04.1999

Nga shumë burime diplomatike me të cilat jemi në kontakte të përditshme, analistë e komentatorë, qëndrimet e Moskës ndaj bombardimeve të NATO-s,  në Jugosllavi konsiderohen si pasqyrim i vetë situatës së brendshme të pastabilizuar të Rusisë, e cila është e mbarsur me mosmarrëveshje, luftë për pushtet, rreziqe e paralajmërime për shkarkimin e presidentit, shpërndarjen e Dumës Shtetërore,  të qeverisë,  nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Komuniste etj.

Ditët e fundit shohim se ka një rritje të dukshme të aktiviteteve nga presidenti.

Megjithëse ishte paralajmëruar dhe vendosur që më 15 prill Duma të fillonte procedurën për impiçmentin e presidentit, kohët e fundit u vunë re lëkundje në radhët e disa deputetëve të majtë, ndaj dhe u hodh ideja që kjo procedurë të shtyhej për në mesin e muajit maj që, sipas disa komenteve, bëhet për të mbajtur Jelcinin nën presion .

Nga ana e tij vetë Jelcini i kërkoi Dumës publikisht (nëpërmjet televizionit) që ose ta fillonte procedurën ose të hiqte dorë prej saj. Ashtu siç njihet e siç e ka ai për natyrë, megjithëse nën presion, ai kritikoi qeverinë e kryeministrin për të cilin tha se “Tani për tani ai është i vlefshëm, më vonë shohim e bëjmë”.

19.04.1999

Jelcini ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me Klintonin. Biseda është përqendruar në gjetjen e rrugëve për daljen  nga kriza.

Te dy kanë vlerësuar pozitivisht takimin e Oslos midis Ivanovit dhe Ollbrajtit. Jelcini ka përsëritur si rruga më  e mirë, dhënien e një autonomie të zgjeruar Kosovës, duke ruajtur tërësinë territoriale të Jugosllavisë. Krahas tjerave është diskutuar për kthimin e refugjatëve,  shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, por, sipas Jelcinit, kjo duhet zgjidhur vetëm me pjesëmarrjen e udhëheqjes jugosllave.

Jelcini përsëri ka kërkuar ndërprerjen e bombardimeve në Jugosllavi, si kusht i domosdoshëm për rregullimin e krizës në Ballkan.

Sot përsëri Ministri i Jashtëm Ivanov dha një konferencë shtypi. Ai deklaroi se problemi i refugjatëve lindi mbas 24 marsit dhe se “për këtë e dinë mirë në Maqedoni dhe në Shqipëri“

Lidhur me UÇK-në tha se ajo po përgatitet e armatoset për t’u përdorur si një forcë sulmuese “për spastrimin e territoreve ku ndodhet ushtria jugosllave. Për këtë po thirren instruktorë dhe mercenarë nga vendet e Lindjes së Afërme dhe të Mesme“.

Përsëriti kushtin e vënë nga Beogradi se për largimin e trupave të “tepërta“ jugosllave nga Kosova, krahas tjerave, duhet të largohen nga kufijtë e Jugosllavisë, trupat e NATO-s që ndodhen në Shqipëri dhe Maqedoni.

 

20.04.1999

Ditët e fundit në propagandën zyrtare ruse nuk përdoret me ai ton shumë i ashpër kundër SHBA dhe NATO-s, që u përdor ditët e para mbas fillimit të aksionit ushtarak të NATO-s kundër Jugosllavisë. Janë ndërprerë ose janë rralluar  demonstratat para ambasadave amerikane, gjermane apo britanike. Nuk reklamohen si më përpara aksionet për regjistrimin e vullnetarëve për të shkuar në Jugosllavi. Edhe në anketat që botohen, vërehet një rënie e numrit të atyre që kërkojnë të ndërhyhet për të ndihmuar Jugosllavinë, për ta furnizuar me armatime etj. Në këtë kuadër është rritur dukshëm numri i atyre që shprehen kundër përfshirjes së Rusisë në konflikt ushtarak. Sipas një ankete të botuar, tani 86 përqind e rusëve të pyetur shprehen kundër përfshirjes së Rusisë në konfliktin ballkanik.

Gjithnjë e më pak politikanë, gjeneralë apo ish – gjeneralë shihen të dalin nëpër televizione apo në media, që të kërkojnë të ndihmohet direkt Jugosllavia, siç bënë Rutskoi, Lebed e të tjerë që në intervista televizive kërkuan që t’i furnizohen Jugosllavisë armatimet më moderne, si komplekse raketash S-300, sisteme moderne kundërajrorë etj.

Përgatitjet që u bënë ditët e para të këtij muaji për të nisur për “stërvitje„ në drejtim të Detit Adriatik gjashtë anije ushtarake (më vonë numri i tyre shkoi në nëntë), u anuluan dhe u deklarua zyrtarisht se ato nuk do të shkojnë në Adriatik, por do të stërviten në Detin e Zi.

Dje në një takim me gazetarë presidenti Jelcin foli gjatë për rolin ndërmjetësues të Rusisë midis NATO-s dhe Jugosllavisë, për dëshirën e saj për t’u aktivizuar në këtë proces. Mos i fryni – iu drejtua ai gazetarëve – problemit të marrëdhënieve midis Rusisë, Bjellorusisë dhe Jugosllavisë ”Ne për këtë do të mendohemi, do të mendohemi”. Dje, ai për herë të parë përmendi nevojën e vendosjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë.

Sot, gjatë një takimi me guvernatorët e subjekteve të Federatës, Jelcini i kushtoi përsëri vëmendje të posaçme situatës në Jugosllavi. Siç u shpreh ai, atë e shqetëson, ndërmjet të tjerave, fryma antiperëndimore që është përhapur në opinionin rus, epitetet fyese që përdoren për udhëheqësit e vendeve perëndimore që janë vendet më demokratike etj.

Sigurisht që të gjitha këto nuk kanë ardhur si rezultat i ndonjë ndryshimi rrënjësor të politikës së Rusisë. Për mendimin tim, ditët e fundit kanë marrë më shumë krah forcat që i shohin më realisht zhvillimet e sotme rreth Jugosllavisë e analizojnë më esell situatën e rrugën pa krye të Rusisë. Pikërisht këto forca të grumbudhuara rreth Jelcinit, veçanërisht mbasi e shmangu në një farë mënyre Primakovin nga problemi jugosllav, duket se kanë filluar të dominojnë poltikën ruse.

Por nuk duhet menduar për asnjë moment se kanë ndryshuar qëndrim ata politikanë, gjeneralë apo të tjerë që deri para një jave  çirreshin për të ndihmuar Jugosllavinë apo për t’u konfrontuar edhe ushtarakisht me NATO-n.

Dhe kjo duket sapo t’u jepet rasti të bëjnë ndonjë deklaratë, intervistë apo shkrim në ndonjë gazetë. Kështu, duke marrë shkas edhe nga disa deklarata të Solanës, Klarkut apo ndonjë tjetri, disa herë gjatë këtyre dy – tri ditëve është folur për mundësinë e ndërhyrjes tokësore të NATO-s në Jugosllavi. Dhe për këtë janë aktivizuar sidomos ushtarakë të cilët, në shumicën e rasteve, flasin me të njëjtën gjuhë, atë të forcës.

Po gjatë ditës së sotme, Çernomerdini, në cilësinë e të ngarkuarit të posaçëm të presidentit Jelcin, u nis për Gjeorgji, Azerbaixhan dhe Ukrainë për të diskutuar rreth situatës në Jugosllavi. Më bën përshtypje se përse ai shkon në këto vende, të cilat, në një formë a në një tjetër, janë shprehur kundër politikës së Millosheviçit ndaj shqiptarëve e në përgjithësi mjaft të matur ndaj veprimeve të NATO-s.

 

21.04.1999

Ditët e fundit Rusia po përpiqet të jetë më aktive në kontaktet ndërkombëtare për problemin jugosllav. Ndërmjet të tjerave tërheq vëmendjen një vizitë e papritur e delegacionit të Grupit të Kontaktit të Konferencës Islamike për Jugosllavinë në Moskë, në përbërjen e të cilit ishin ministra dhe zv/ministra të Iranit, Malajzisë, Pakistanit dhe Senegalit.

Në takimin e këtij delegacioni me Ministrin e Jashtëm Ivanov, të dy palët janë shprehur dakord me parimet e rregullimit të konfliktit në Kosovë dhe, konkretisht : Palët kërkojnë ndërprerjen e represioneve ndaj shqiptarëve të Kosovës, kthimin e refugjatëve, ripërtëritjen e procesit politik, si dhe u shprehën për domosdoshmërinë e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Por siç e bëhet e ditur edhe nga burime zyrtare, ka patur mosmarrëveshje thelbësore. Përfaqësuesit e Konferencës Islamike janë shprehur se duhet filluar me ndërprerjen e represioneve ndaj shqiptarëve dhe kthimin e refugjatëve. Ivanovi ka insistuar që fillimisht NATO-ja duhet të ndërpresë veprimet ushtarake dhe pastaj të fillojnë bisedimet.

Në komentet për këtë vizitë nuk mungojnë edhe mendime të tilla si “Irani bën thirrje për t’u dhënë shqiptarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur vetë për fatin e tyre, me shpresë qe luftëtarët kosovarë të krijojnë në qendër të Evropës një shtet radikal musliman” ose “Vendet islamike ( sidomos ata që kanë probleme me SHBA-në) kanë frikë se do të jenë viktima tjetër e bombardimeve të NATO-s”.

Në kuadrin e aktivizimit të politikës ruse, dje shkoi për vizitë në Beograd, Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë Aleksei II. Duhet të theksoj se për shumë arsye, roli i Kishës Ortodokse Ruse sa vjen e rritet , si në jetën e brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme. Në këtë kuadër duhet parë edhe udhëtimi  i tij në Beograd.

Gjatë kësaj vizite ai është takuar dhe ka zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë vendas, që nga Millosheviçi. Siç komentohet nga analistë vendas, Millosheviçi nuk ka mbetur i kënaqur nga ky takim. Siç duket ai ka pritur më shumë, madje ai pret shumë më tepër nga gjithë Rusia, ndaj së cilës ka filluar të shfaqë pretendime e kërkesa më të mëdha. Siç komentohet, ai nuk ishte fort entuziast për këtë takim që më përpara, gjë që e shprehu direkt vëllai i tij, ambasadori jugosllav, në aeroport, para nisjes së patriarkut, kur, në prani të gazetarëve, u shpreh se “ përse duhet shkuar në Beograd?. Duhet bindur NATO-ja që të ndërpresë agresionin”.

Ndërmjet të tjerave patriarku u bëri thirje NATO-s dhe Jugosllavisë që të ndërpresin veprimet luftarake, ndërsa udhëheqjes jugosllave  iu drejtua me thirrjen që të ndihmohen refugjatët të kthehen në Kosovë.

Megjithëse nuk jepen hollësira, sipas njoftimeve zyrtare ai është takuar edhe me I. Rugovën.

 

23.04 1999

Sot me kërkesën time u takova në Ministrinë e Punëve të Jashtme  me drejtorin e drejtorisë  III për Evropën, .A. Tollkaç. Qëllimi im ishte të shkëmbenim mendime rreth problemit të Kosovës dhe, sigurisht, për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Dua të theksoj se edhe para fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, në Rusi ndjehej një frymë antishqiptare, ç’ka u bë me e dukshme mbas fillimit të bombardimeve kundër Jugosllavisë. Për të realizuar këtë takim kisha bërë tri herë kërkesë dhe vetëm herën e tretë m’u përgjigjen pozitivisht. Ky fakt s’ka nevojë për komente…e, kur mendon se ambasadorin rus në Tiranë e pret sa herë të doje ministri i jashtëm.

Në takim shkova me Sekretarin e parë të ambasadës, z. Ligor Cullufe. Që në përshëndetje, tek dera, ai tha se nuk kishte më shumë se gjysmë ore kohë. E pashë mirë se takimi do të ishte ose për të shkuar radhën ose i tendosur….

Duke e falënderuar për pritjen, i thashë se është hera e tretë që kërkoj takim por e shoh që drejtori është shumë i zënë, mbasi edhe sot nuk ka më tepër se gjysmë ore kohë për ne. Sidoqoftë, e konsideroj të nevojshëm shkëmbimin e mendimeve për situatën e krijuar në Kosovë, por edhe për marrëdhëniet tona e ecurinë e tyre të mëtejshme.

-Situata në vendin tonë është më e stabilizuar – fillova unë dhe, menjëherë ai më ndërpreu :

– Nga që Shqipëria është e pushtuar nga trupat e NATO-s.  Si mund të jetë e stabilizuar kur në vendin tuaj kanë ardhur disa dhjetëra mijëra refugjatë, kur në portin e Durrësit (dhe filloi të lexonte  të dhëna të nxjerra nga gazetat shqiptare ) kanë ardhur dhe vazhdojnë të vinë vullnetarë, të cilët armatosen dhe nisen drejt Veriut për t’u hedhur në Kosovë, apo kur me detyrim rekrutohen të rinj e burra për të luftuar në radhët e UÇK-së?. Apo kur në pallatin e sportit në Tiranë organizohen ceremoni për nisjen e vullnetarëve dhe në to marrin pjesë edhe autoritetet e vendit?. Apo kur presidenti  juaj ka bërë thirrje për fillimin e operacionit tokësor të NATO-s?. Apo kur në Shqipëri kanë ardhur e vazhdojnë të vinë trupa amerikane dhe teknikë ushtarake, ndërmjet të cilëve edhe helikopterë “Apaçe”, që janë të destinuar për luftën kundër tankeve. Ju duhet ta dini se në se sulmi fillon nga territori juaj, vendi që sulmohet ka të drejtën e përgjigjes, pra edhe Shqipëria mund të përfshihet në konfliktin e armatosur.

Ishte tepër e rendë të dëgjoje me gjakftohtësi gjëra të tilla, deri edhe kërcënime direkte. Megjithatë ky dreq zanati është i tillë që duhet të ruash gjakftohtësinë e të matesh në çdo fjalë, prandaj  e ndërpreva, duke i thënë :

Në se nisemi nga ato që shkruhen nëpër gazeta apo që thuhen nëpër televizione, atëherë po ju them se, sipas shtypit tuaj, deri tani janë regjistruar 70 mijë vullnetarë për të shkuar në Jugosllavi që të luftojnë përkrah serbëve , kundër shqiptarëve, pa folë për antishqiptarizmin e dukshëm që shihet kudo këtu

Dhe vazhdova: Ne jemi një vend sovran dhe ftojmë kë të duam në vendin tonë. NATO-ja nuk na ka okupuar, por, përkundrazi, po jep ndihmë për shpërndarjen e ndihmave në radhët e refugjatëve, që tani  kanë kaluar shifrën e 360 mijë vetëve dhe vendi ynë është i gatshëm të presë edhe ata , të cilët do të jenë të detyruar të largohen nga vatrat e tyre nga  forca e armëve të kriminelit Millosheviç e shokëve të tij. Mund t’u them se tani opinioni ndërkombëtar dhe demokratik po ndihmon të zgjidhet problemi i Kosovës dhe çështja shqiptare, duke ndrequr kështu një herë e mirë fajet që janë bërë në të kaluarën ndaj popullit shqiptar.

– Do të pyesja, sa refugjatë ka patur në Shqipëri para fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe sa ka sot?.

– Rreth 20 mijë, kurse numri i refugjatëve në tërësi ka qene shumë më i madh, rreth 400 mijë, ka patur rreth 2000 të vrarë dhe  1500 vetë të zhdukur.

– Ka pasur 300 vetë të vrare, nga të cilët gjysmën i kanë vrarë ushtarët e UÇK-së. Banojnë rreth 60 mijë shqiptarë në Beograd dhe ata nuk i ka përzënë kush prej andej, por jetojnë normalisht. Shqiptarët gjithmonë kanë jetuar normalisht në Jugosllavi. Fillimi i bombardimeve e shtoi numrin e refugjatëve, populli që po e vuan më shumë agresionin është populli shqiptar e jo ai serb.

-Informacioni që kemi ne, ndryshon prej atij që keni ju, por, më sa shihet, ndryshojnë dhe burimet e të dhënave. Ato ne i kemi nga organizatat ndërkombëtare. Vërtet po vuan populli shqiptar se Millosheviçi po kërkon të realizojë planin e përgatitur me kohë për genocid dhe spastrim etnik. Përsa i takon shqiptarëve që banojnë në Beograd, nuk jam i sigurt që ata jetojnë normalisht, shqiptarët në Serbi kurrë nuk kanë jetuar normalisht, sepse gjithmonë kanë qenë të shtypur. Gjithsesi – vazhdova më tej – Shqipëria ka qenë për zgjidhjen e problemit me mjete paqësore, ndaj ka mbështetur dhe përshëndetur çdo nismë që i ka shërbyer zgjidhjes së problemit. Në këtë kuadër ne përshëndesim edhe përpjekjet e Rusisë, mbasi e dimë rolin e saj specifik, sidomos për të bindur Millosheviçin të tërhiqet e,në këtë kuadër, edhe vizitën e z.Çernomerdin në Beograd, për të cilën ende nuk kemi informacion të plotë.

As unë nuk kam informacionin e duhur, por tani nuk mund t’ju them dot gjë. Sot mblidhet Këshilli i Sigurimit i Rusisë e, mbas tij, qeveria, ku do të diskutohen rezultatet e vizitës së Çernomerdinit në Beograd. Ne nuk mbështesim Millosheviçin, as politikën e spastrimit etnik. Javën e ardhshme pritet intensifikim i veprimtarisë diplomatike lidhur me gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e konfliktit. Presidenti Jelcin ka komunikuar me Klintonin dhe me Blerin dhe i ka paralajmëruar për pasojat, në se ata do të fillojnë operacionin tokësor. Ato do të jenë shumë të rënda sepse në Rusi janë shumë të forta ndjenjat anti – NATO. Operacioni tokësor do të thotë luftë serioze. Cilido individ mund ta ketë fajin por e pëson populli i thjeshtë. Të mërkurën pritet të vijë në Moskë K. Anan.

Më tej ai na shpjegoi planin rus për zgjidhjen e konfliktit si më poshtë:

1- Ndërprerja e bombardimeve të NATO-s (të jeni të sigurt se asnjë refugjat nuk do të kthehet në Kosovë pa u ndërprerë bombardimet – shtoi ai)

2- Tërheqja e ushtrisë dhe e milicisë nga Kosova, po jo e të gjithëve

3- Kthimi i refugjatëve. Garantimi i kthimit të tyre nga një forcë paqeruajtëse, ku të mos bëjnë pjesë ushtarët e atyre shteteve që kanë marrë pjesë në agresionin kundër Jugosllavisë (Përndryshe Jugosllavia nuk do ta lejonte), dhe me pjesëmarrjen e Rusisë.

5- Hartimin e një plani për rimëkëmbjen e ekonomisë jugosllave të shkatërruar nga lufta

6- Rifillimin e procesit të bisedimeve për autonominë e Kosovës. Kuptohet që për Rambujenë nuk bëhet fjalë, por mund të shfrytëzohen teza të ndryshme të saj. Aktualisht është vështirë të gjenden liderët politikë shqiptarë të Kosovës. Rugova me të cilin mund të bisedohet, tani nuk përfaqëson të gjitha forcat politike

– Aty ka qenë edhe më parë, por nuk është kujtuar kush për të -ndërhyra unë për t’i kujtuar atij se Moska nuk ka dashur të mbante lidhje me të.

– E vërtetë,  faji është i Millosheviçit, mbasi me Rugovën mund të bisedohej. Por sot duhet të bisedohet edhe me forca të tjera, perveç Rugovës, por jo me Thaçin, Krasniqin apo ndonjë tjetër si ata. Edhe një herë do të përsërisja se me veprimet e NATO-s, OKB-ja po pushon së ekzistuari. Gjithçka po merr përsipër ta bëjë Aleanca, madje edhe shpërndarjen e ndihmave, kur për këtë punë ka mjaft njerëz dhe jo pak në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

– Pavarësisht nga situata, marrëdhëniet dypalëshe ne duhet t’i vazhdojmë, janë disa projekte që kanë mbetur pezull, si Marrëveshja për ekujvalentimin e dipllomave, projekti i shkëmbimeve në fushën e arsimit të lartë etj – i thashë ndërmjet tjerave – më tepër për të parë qëndrimin e reagimin e palës ruse.

-Të presim njëherë sa të stabilizohet situata, pastaj bisedojmë për marrëdhëniet tona. Njerëzit tane kanë frikë të shkojnë në Shqipëri, sepse aty janë shumë të forta ndjenjat antiruse, kanë frikë nga trupat e NATO-s, aeroportin tuaj e ka okupuar NATO etj.

– Aeroporti punon. Vërtetë ka patur një periudhë të shkurtër qe u mbyll, atëherë kur nuk shkoi në Tirane delegacioni juaj i doganave, por gjithësesi nuk ka qenë i okupuar. Njerëzit tuaj mund të shkojnë lirisht në Shqipëri, sepse nuk u ndodh asgjë e keqe.Vetëm ditët e fundit kanë shkuar atje mbi 15 gazetarë ruse që po vazhdojnë punën normalisht dhe, siç thonë e shkruajnë prej andej, ata janë shumë të kënaqur. Mirë njerëzit tuaj që paskan frikë të shkojnë në Shqipëri, po shqiptarët nuk kanë frikë të vijnë në Rusi, ndaj ato veprimtari  mund të bëhen këtu.

-Mirë. Na thoni saktësisht se kur mund të vijë delegacioni juaj në Moskë, se mos na ndodhë që të mbyllet aeroporti ynë.

E pashë që në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohej më, prandaj  u ngrita, duke i lënë të kuptonte se kështu nuk mund të flitej. Takimi ishte mjaft i tensionuar. Mendimi im është se, megjithëse ai njihet si proserb (ka punuar rreth 14 vjet në Beograd), qëndrimi i tij sot ishte i porositur. Rusët mendojnë se në këtë mënyrë na bëjnë presion. Në dalje  ai  tha se, me që në këtë kohë ai është  shumë i zënë me punë, për çdo problem që do të dalë, mund të takohet këshilltari i ambasadës me zëvendësin e tij. Shihej qartë se ata donin të ulnin nivelin

Rusët përsëri po gabojnë ndaj nesh, ashtu siç kanë gabuar edhe herë të tjera…

(Vijon)

*Ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në  Federatën Ruse

 

April 13, 2019 09:15
Komento

4 Komente

  1. MH April 15, 16:02

    Te dy qeshin.
    Jelcini qesh si karabush aspak me fines.Origjinal si muzhik rus para govates se groshes.
    Ndersa e qeshura e te madhit Clinton tregon nji fines me plot intiligjence e modesti.

    Reply to this comment
  2. Moderatori April 16, 21:40

    MH,

    TA Dini Ju pse qeshin.
    Pjaneci jelcin , me fale per shprehjen,
    Pordhi ne ate Moment.

    Prandaj Clinton spushonte se qeshuri dhe jelcin gerdalla rtinte Si shejtan budallai.

    Shane Stalinin dhe Putin, se i duan Lolo Si ky i pjerdhuri jelcin dhe gorbacov brekdhjeri Si ramizi Tone.

    E ka thene TV gjerman

    Reply to this comment
  3. La verita April 16, 21:41

    MH,

    TA Dini Ju pse qeshin.
    Pjaneci jelcin , me fale per shprehjen,
    Pordhi ne ate Moment.

    Prandaj Clinton spushonte se qeshuri dhe jelcin gerdalla rtinte Si shejtan budallai.

    Shane Stalinin dhe Putin, se i duan Lolo Si ky i pjerdhuri jelcin dhe gorbacov brekdhjeri Si ramizi Tone.

    E ka thene TV gjerman

    Reply to this comment
  4. MH April 16, 23:37

    Moderatori – La verita !

    Tashti dhe une po qeshi e s’mund te ndalem mbas nji rrefimit tend.
    Pershendetje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*