Në mes të Vrimës së Skëterrës

May 26, 2017 13:56

Në mes të Vrimës së Skëterrës

 “Brukseli është një qytet i bukur, shumë i bukur, kam qenë aty 20 vite më parë, por tani është si të jetosh në një vrimë skëterre!” Me këto fjalë, do t’i drejtohej publikut amerikan, Donald Tramp, gjatë fushatës presidenciale, tek prezantonte planin e tij për ndalimin e migrantëve myslimanë në vend.

Por, po me të njëjtat fjalë dhe parulla do ta mirëpriste edhe Brukseli !

Me të gjitha format dhe mënyrat iu bë e qartë se, Ai nuk është aspak i mirëpritur në Belgjikë! Në sheshet e qytetit, jo e jo! Por, as në  sallat e koncerteve, ku ishin afishuar mesazhe solidarizuese me kauzën, se: “Këtu, nuk ka bileta për Tramp.”

Madje edhe krijuesit e lojërave elektronike, kishin hedhur në treg një lojë “skëterre” se, si të ndihmohej Tramp që të dilte nga labirintet e frikshme të Brukselit!

Si rrallëherë, të gjithë ishin bërë bashkë. Protestonin, edhe pse i përkisnin ideologjive të ndryshme!

Një mobilizim, që nën kamerat e mbulimit ndërkombëtar, synonte ndërgjegjësim ndaj politikave populiste ultra të djathta, që nuk reshtin së sulmuari jo vetëm kategoritë më të pambrojtura në popullata, por edhe minoritetet, migrantët, gratë, të varfrit, personat me paaftësi fizike, shtypin e lirë, deri edhe mjedisin.

Por, Brukseli nuk është qyteti i vetëm i sulmuar nga retorika e fushatës presidenciale amerikane, pasi në të njëjtën linjë u përshkruan nga Tramp edhe qytete, si Parisi apo Berlini. Ndaj dhe presidenti amerikan, do të tregohej shumë i kujdesshëm thuajse në të gjitha takimet e tij me drejtuesit belgë, duke shprehur madje edhe falënderimet e tij në Tuiter për mikpritjen e ngrohtë të Belgjikës.

Sigurisht, kishte edhe episode paksa të shpenguara, teksa shtynte drejtuesin malazez, për t’u pozicionuar i pari në fotot protokollare, por në fund të fundit filozofia e shpallur politike e tij “Amerika e para” nuk nënkupton domosdoshmërish elegancë diplomatike dhe finesë.

Gjithsesi, përtej revoltës që shkakton dalja nga korniza e etikës diplomatike, të personaliteteve politike me peshë të rëndësishme botërore, i rëndësishëm ngelet kuadri dhe formati i bashkëpunimit mes aleatëve të vjetër. Linjat në të cilat do të pozicionohet politika e jashtme amerikane, dhe se si do të mund të formësohet bashkëpunimi i ardhshëm me partnerët evropianë.

Jo rastësisht planifikimi i axhendës, shfaqte edhe linja të qarta të preferencës presidenciale amerikane.

Një takim relativisht i shkurtër me të gjithë drejtuesit evropianë. Duke filluar takimin me Tusk në orën 10:00, në godinën ku mbahen samitet evropiane; pesë minuta më vonë nis mbledhja mes të treve: Tuskut, Junkerit dhe Trampit; çerek ore më vonë, rrethi zgjerohet me Shefen e Diplomacisë evropiane Mogerini dhe Presidentin e Parlamentit Evropian, Tajani. Pra, brenda një ore duhej që çështjet të përmbylleshin. Rendi i ditës, thjesht një “marrje kontakti” për të kaluar me shpejtësi axhendën transatlantike.

Ndërsa me Francën dhe presidentin e ri francez, axhenda përfshinte një takim pothuajse në të njëjtin interval kohe (një orë) që pati takimi me të gjithë drejtuesit e BE-së. Jo kafe, si me drejtuesit evropianë, por një drekë pune. Në fakt, Presidenti amerikan e ka shprehur qartë vullnetin e tij se preferon më shumë të përqendrohet tek drejtuesit e vendeve të rëndësishme të BE-së se, sa në bisedime të thelluara me vetë BE-në.

Prej kohësh, edhe nën drejtimin e Obamës, Franca ka pasur vlerat e një aleati të rëndësishëm, me një fuqi ushtarake, që gjendet e mobilizuar thuajse në të gjithë globin. Me një rritje të vazhdueshme të shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, sidomos pas sulmeve të vazhdueshme terroriste, Franca vlerësohet për sistemin e saj ekzekutiv, që i mundëson vendimmarrje pa miratimin e parlamentit (ndryshe nga sistemi britanik) duke e profilizuar atë si një aktor dhe aleat të fuqishëm, sidomos në raste krizash emergjente.

Por, po në të njëjtin fokus preferencial të bisedimeve dypalëshe, duke shmangur BE-në, do të ishte edhe takimi i zhvilluar pak kohë më parë, më 17 mars, me kancelaren gjermane Merkel.

Takim, që u cilësua si “takimi i akullt”, teksa presidenti amerikan do të refuzonte t’i jepte dorën Merkelit, kur ajo po ia kërkonte këtë përpara mediave, që po mbulonin takimin.

Gjatë takimit, Tramp do të sugjeronte që vendet evropiane në mënyrë individuale duhet të negociojnë vetë, pra në mënyrë të drejtpërdrejtë, marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA, duke anashkaluar bisedimet aktuale SHBA-BE. Dhe Merkeli do t’i shpjegonte me durim Presidentit të ri amerikan, se kjo gjë nuk është e mundur, pasi Gjermania është pjesë e tregut të përbashkët evropian. Një shenjë, që u interpretua nga ekspertë të ndryshëm, se marrëveshja tregtare SHBA-BE, TTIP, mund të rikthehet sërish në tavolinën e negocimeve, pavarësisht vështirësive, që ekzistonin ende pa hyrë Tramp në skenë.

Preferenca për marrëveshje individuale me vende të ndryshme në BE, duke shmangur BE-në si institucion, buron nga një logjikë pragmatike fitimprurëse, pasi BE shikohet si një barrierë, që imponon rregulla për lojtarët e mëdhenj, të cilët janë mësuar me idenë e dominimit. BE shikohet si një mekanizëm që gjeneron rregulla të forta, procedura hetimore dhe masa ndëshkimore, gjoba dhe penalizime. Diçka që vendet individuale nuk kanë kapacitetin për të vënë në jetë një mekanizëm të tillë rregullues. Nëse BE nuk do të ekzistonte, kompani të mëdha si Ejpëll, Gugëll, Mikrosoft, apo Fejsbuk, do të lundronin në një parajsë ekonomike, me rregulla të imponuara kryesisht nga aktorët e mëdhenj.

Dhe në takimin e shkurtër të zhvilluar me drejtuesit e BE-së, Tusk do të konfirmonte se palët ranë dakord mbi luftën  ndaj terrorizmit por, se ngelen të hapura çështje si tregtia, apo klima. Çështje që do të diskutohen edhe gjatë zhvillimit të G7 ditën e sotme.

NATO

Përpara se të zgjidhej, Presidenti Tramp, argumentonte se NATO ishte tashmë e vjetruar dhe e tejkaluar si ide, me mbarimin e Luftës së Ftohtë. Pak kohë më pas, në muajin prill, ai do të korrigjonte këtë argumentim, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ide, që do të përforcohej më pas, në të njëjtën linjë edhe gjatë Konferencës së Munihut, duke përfshirë angazhimin amerikan të mbrojtjes kolektive, nën nenin 5, me moton : “Të gjithë për një dhe një për të gjithë”.

Mbledhja speciale e NATO-s, ditën e djeshme, rikonfirmoi kërkesën amerikane për rritje të kontributit financiar në fushën e mbrojtjes nga vendet anëtare, në mënyrë që barra të mos ngelet vetëm mbi kontribuesit amerikanë.

Një kërkesë, që nuk vjen rishtazi, dhe aq më tepër nuk mund të shikohet si kritikë ndaj aleatëve, pasi kjo çështje ka qenë një pikë kyçe, e diskutuar si gjatë konferencës së Munihut, por edhe gjatë takimit të fundit të Tramp me kancelaren gjermane Merkel, se të gjithë vendet anëtare të NATO-s, duhej të paktën të shpenzonin 2% të GDP-së së tyre, mbi mbrojtjen. Një kërkesë e shtrirë në kohë edhe përgjatë administratës së kaluar dhe në përputhje me angazhimin e aleatëve në Samitin e 2004-s, në Uells.

Drejtuesit evropianë në kohë, kanë inkurajuar vazhdimisht SHBA-në, në lidhje me rritjen e shpenzimeve, me argumentimin se, qasja e BE-së ndaj sigurisë është shumëplanëshe, dhe në të cilën përfshihen burime domethënëse, për ndihmën dhe zhvillimin. Ndërkohë, planet e SHBA-së për të rritur prezencën amerikane në Evropë po aktualizohen siç edhe ishin planifikuar, por ka një shqetësim evropian, që lidhet me faktin se rritja e buxhetit amerikan në fushën e mbrojtjes (+54 miliardë dollarë) ndoshta nuk është e mjaftueshme, veçanërisht për njësitë amerikane, që do të zhvendosen në Evropën lindore dhe që po përballen me shkurtime personeli dhe pajisjesh të nevojshme.

Është pikërisht, pasiguria mbi qëllimet e administratës së re amerikane, që kanë bërë që brenda BE-së, të thellohen bisedimet mbi bashkëpunimin e thelluar në lidhje me mbrojtjen e Unionit. Siç do të ishte edhe përmbyllja e fazës së fundit, mbi ngritjen e një selie komandimi operacional në Bruksel, me perspektivën e zgjerimit të saj në të ardhmen. Por, duhet thënë se ngelen hapa modestë, gjithmonë në pritje të një pozicionimi të qartë strategjik të administratës së re amerikane, sidomos për sa i përket politikave të jashtme.

Gjithsesi, kjo nuk ishte veçse vizita e parë e Trump në Evropë, dhe siç do të deklaronte përpara vizitës, një prej analistëve të mirënjohur politik të Uashington Postit, Dana Milbank: “Nuk duhet pritur diçka substanciale nga kjo vizitë. Është një udhëtim i parë dhe një rast për Tramp të sigurojë evropianët, dhe t’iu provojë se nuk është një kërcënim për NATO-n dhe për Evropën. Dhe do të ishte shumë, nëse ai do të arrijë ta bëjë këtë. Në pamundësi për të kërkuar falje për “vrimën e skëterrës”.

Im.Ta.

DITA

May 26, 2017 13:56