Ne, normalët e Ballkanit

Mira Kazhani October 18, 2014 09:20

Ne, normalët e Ballkanit

Tani që ujrat po kthjellohen dhe emocionet e ditëve të para pas 14 tetorit janë përtharë edhe e vërteta bëhet më e afërt. E vërteta është se deri tani Serbia nuk ka gjetur autorësinë e dronit fluturues. E vërteta është se UEFA ende nuk ka dalë në një përfundim dhe se çdo gjë që është thënë lart e poshtë, mund të ketë qënë edhe për shkaqe emocionale. Emocionet nuk kanë kombësi, ato kanë kudo një shije, atë të njeriut dhe vende-vende marrin shije shtazarake. E vërteta është se Edi Rama nuk e anuloi vizitën prej emocioneve të përziera të një ndeshje apo edhe mizat që shoqëruan qëndrimet zyrtare serbe, të cilat u unifikuan me huliganët.

E vërteta është se një udhëheqës dëshmohet i tillë kur arrin të dalë mbi mizat e emocioneve dhe nuk vihet nën presion. Negativisht jo e jo, por as kur ndjenjat janë të drejta. Një vend nuk ecën përpara me ndjenja por me objektiva dhe racionalitet.

E vetmja gjë që ende s’dimë është se çfarë do kërkojë Kryeministri nga politika e Beogradit. Ndoshta kur axhenda e tij të mësohet do të jemi më të qetë. Është e rëndësishme që nga kjo vizitë, kryeministri ynë të mos tregojë thjesht e vetëm se ai është Normal, as të kërkojë të futet në histori por të pyes për preshevarët, të pyes për dhunën, të kërkojë barazi e të ofrojë fqinjësi.

Edhe kombit më të nakatosur nga historia e disfatat ju vjen një ditë fati në dorë dhe të gjithë e kanë një mundësi hakmarrje si i forti dhe i dobti në këtë botë. Por a është kjo qasja e kohës që jetojmë? A kanë fuqi këta nacionalistë të epërm të shpenzojnë kaq shumë energji kur bota e zhvilluar po mendon për jetën e atyre që ende s’kanë lindur? Cili shtet në rajonin tonë është aq i fuqishëm ekonomikisht, aq i lumtur shpirtërisht, sa të kridhet në aventurën e rrezikshme të nacionalizmit të dhunshëm?

Historia ka dëshmuar se shqiptarët kanë vuajtur shumë kur kanë shpikur armiq, kur kanë bërë armiq, kur janë sjellë armiqësisht. Dhe po historia ka vërtetuar se ky popull është i mirë me fqinjin dhe se duron deri në palcë. E vërteta është se shqiptarët nuk i kanë marrë armët kurrë për të sulmuar ata i kanë përdorur për vetmbrojtje dhe kjo është një pasuri.

Nacionalizmi i dhunshëm nuk është kur ngrihen flamur dhe simbole, (si shqiponjat ajrin e meritojnë edhe sorrat, të dyja fluturojnë edhe pse nuk kanë të njëtën fisnikëri) ai është i tillë kur cënohet vërtet paqja e komshiut, mirqënia dhe stabiliteti.

E vërteta ne shqiptarët nuk kemi pse biem pre e nacionalizmit të dhunshëm, sepse pikërisht atë format po gjykojmë sot. Madje kur vjen puna për nacionalizëm, ne jemi pa frikë , Normalët e Ballkanit dhe për këtë kemi dhënë prova:

 

1-

Kosova edhe pse shtet i mëvetësuar vijon të ketë ende sot prefiksin serb. Importet nga Serbia janë rreth 500 milion euro në vit. Për të mos llogaritur këtu informalët dhe kontrabandën që zhvillohet me Serbinë. Kompanitë kryesore që importojnë janë Devoli, Elkos, M&sillosi etj. Importet e Serbisë shtrenjtohen çdo vit mbi kurrizin e kosovarëve. Kosova blen nga Serbia, “aleati” tregtar i parë për të: grurin, naftën, miellin, detergjentë, sapunë, moblije, mallra për ndërtim, ushqimore. Me pak fjalë 70 përqind të tregut atje e dominon Serbia. Nëse do bëhej nacionalizëm i dhunshëm do ishte bllokimi i të gjitha këtyre shërbimeve të cilat zor se do e merrnin veten edhe sikur në Beograd , Rusia të bëjë të mundur të bjerë pilaf nga qielli.

 

2-

Në Greqi jetojnë dhe punojnë rreth 1 milion shqiptarë. Ata janë detyruar të ndërrojnë emrat por nuk janë ata që i shkaktojnë dhimbje koke Greqisë që ka vite që përpëlitet në një krizë të tmerrshme ekonomike pothuaj në faliment. Përkundrazi, shteti shqiptarë nuk ju bëri thirrje që gjatë kohës së krizës të tërhiqnin kursimet e tyre nga bankat greke. E imagjinoni se çfarë dëmi do kish qënë për shtetin grek.

Në asnjë rast Tirana zyrtare nuk i ka orientuar shtetasit e saj drejt kurtheve nacionaliste, hakmarrjes primitive por përkundrazi ka nxitur bashkëjetesën dhe harmoninë. Në Shqipëri minoriteti grek ka patur jet e mot respektin e autoriteteve shqiptare. Ata kanë mësuar në gjuhën e tyre, janë përfaqësuar në qeveri. Ka 23 vjet që mbajmë në krye të Kishës Auteqefale një prift grek. Jo se ka qënë e pamundur të gjendet një patriark shqiptarë në vend të Janullatos, sigurisht që jo, sepse Kisha Autoqefale në shqipëri nuk u themelua në 1991 por shumë shumë më herët me një prift të përmasave si Noli.

Në Shqipëri mbahen mesha në gjuhën greke dhe askush nuk ka kërcënuar askënd. Vjen edhe nje patriark serb në Tiranë, Irinei, mbledh disa huliganë e bën thirrje “Kosova është Serbi”. Incidenti kaloi vetëm me një qëndrim të kryeministrit dhe u tret në eter sikur nuk kish ndodhur asgjë.

Të gjitha këto, jo se nuk dinë shqiptarët të bëjnë agresivin, por se Shqipëria shikon nga nga një derë e vetme, Europa, dhe atje shembujt janë të bashkëjetesës.

Kushdo që ka udhëtuar me makinë në shtetë të ndryshme të këtij kontinenti të magjishëm katedralesh, picash, mode dhe harmonie ka përjetuar bukurinë e të udhëtuarit pa pritur në rradhë në kufij. Nuk e ndjen kur kalon nga Franca në Gjermani, nga Parisi në Londër. Europa është si një tren romantik. Shqiptarët kur u liruan nga zinxhirët e diktaturës zgjodhën Europën sepse të tillë duan të jenë. Disa edhe vdiqën rrugës për tek ajo, por këta të sotmit nuk duan as të vdesin, as të luftojnë, as të çirren. Kanë duruar gjithfarë provokimi pa u bërë qaramanët e rajonit, pa u sjelle si viktima, pa psikozën e luftës.

3-

Ne e duam Ballkanin të jetë si e gjithë Europa!

Mira Kazhani October 18, 2014 09:20
Komento

9 Komente

  1. Preng Pjetri Lezhe October 18, 01:53

    Çdo Shqiptar besoj bashkohet me mendimin tënd largëpames. e nderuara gazetare e Dites

    Reply to this comment
  2. vaso. October 18, 02:54

    dy fjale per zonjen kazhani

    -Ke bere nje shkrim ne nivelin mesatar……por ajo shprehja kur thua se
    “Shqiptarët kur u liruan nga zinxhirët e diktaturës zgjodhën Europën “..na shkaton shqtesime ne stomak..sinqerisht lane nam se nuk ju rrihet pa marre ‘Certifikaten” e disidentit…

    -jeni bere shume bajate me keto shprehje qe kishin kuptim deri nga 1996-1997 kur shteti shqiptar u karbonizua si asnje shtet tjeter gjate historise boterore.

    -po behet nje cerk shekulli dhe pa frike mund te them se Europa e Platinise i ka vene zinxhiret te rinj shqiptareve.

    jo vetem zinxhire (te kujtoj vizat per ne europe si lejet e ushtarit ne kohen e enverit) por dhe lridaljet duan ti heqin se jane mbushur azilet me famiije te ngujuara dhe numri i tyre ka kaluar 10 mije vetet.

    ne normale …ne asnje menyre pse do thoni ju ?

    bere nje goxha interviste me Izet Haxhine dhe te pergezoj per kete..por cfare ndodhi ?? sepse ai dha fakte dhe argumente 100% te vertetuara se berisha eshte jo vetem kriminel por dhe terrorist (kujto makinen e bliduar te bankes,terroristat e shikut dhe urdheri salut per per te qelluar amerikanet dhe gjermanet per tja futur rebeleve te kuq)

    pra ne kemi saliserbin qe eshte me i zi se vete serbet..pra a eshte normale kjo ?

    prandaj ajo palo europe qe thote Gjergj Fishta qe na mori 2/3 e teritoreve shqiptare nuk duhet te vazhdoje te na trajtoje si ne kohen e bismarkut qe na quanin territore.

    ne beograd 95% e fajit ishte i serbit dhe po na barzojne viktimen me agersorin

    eshte identik me 21 janarin 2011 ku receta e arvizuse barazoi vrasesin me ate qe i thirri ne proteste

    eshte identik me barazimin qe ju be genocidit te 1 miljon shqiptareve ne 1999 nga serbet me 5-6 veta qe i moren melcite apo zorret te shtepia verdhe qe “presopuzohet” dhe te zbuluara nga spiuni Lulzim Basha kur punonte ne kosove per serbet

    eshte identik me greket qe tradhetari bersh & bash i ngriti varrezat e L2B SIPAS VIJES SE VORIO EPIRIT kurse nga ana tjeter harruan dhe varrosen genocidin ndaj cameve.

    Ne fakt vetem nje shqiptar ka nxjerre ai komb qe i shkerdheu nenen (na falni per shprehjen)grekut dhe serbit…Enver Hoxha e kishte emrin qe shqiptaret e krijuan dhe e mitizuan deri ne 1991 dhe pastaj i hengren dhe kockat tamam si skenderbeut para 550 vjeteve..kjo nuk eshte normale..qe me enverin e vdekur u beme trima kurse me saliserbin kemi mbyllur syte qe pasi na vrau,na vodhi,na la pa shtet,pa ekonomi,pa financa,pa ushtri pa dinjtet tani po tallet bota me ne duke barazuar nje qese plasmasi me ngjyra me kasaphanen e 30 mije vetave.
    As gjermanet ne kohen e Hitlerit nuk do vepronin ne ndeshje sportive me cifutet ne kampet e perqendrimit.. ne kete menyre si serbet. qe bene ‘live” ne shekulli e 21-te por te pakten nuk vrane si kelyshet e tyre ne 21 janar 2011 qe pasi vrane po i pshurrin viktimat duke thene se i vrame sipas kornizave ligjore.

    Pra ne nuk jemi normale kur pranojme dhe votojme kriminelet e bandes 2B qe pambarimisht ne menyre ofenduese njeri u quajt burre shteti dhe tjeti yll ne ngjtje.

    Reply to this comment
  3. mustafa October 18, 09:18

    Jo Mira ne nuk jemi normale. E arsyet besoj do t’i rendis më poshtë:
    1- Pas atij trajtimi që na bënë në Beograd ne bëhemi më katolikë se papa këtë e shesim për europianizëm. Thjesht është dobësi totale e shtetit tonë.
    2- Pas deklaratës së Miloseviçit se ato 15 mlm dollarë ishin komvertuar ne diegien e këtij vendi çfarë bëri ky mavri shtet? Asgjë!
    3- Ne kërkojmë marrëdhënie normale me Serbinë por pa kërkuar asnjë penalizim për ta e as një dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara prej Serbisë ne brezin kufitar.
    4- Asnjë presion ndaj një shteti që ka zhdukur pa lënë gjurmë mijëra njerëz të etnisë shqiptare. Kujtoj K/M se me kushtetutë jemi të detyruar të mbrojmë çdo shqiptar në çdo vend të botës. Më duket nuk e kemi bërë.
    5- Të gjithë shtetarët tanë kanë qejf t’i përcaktojnë si faktor stabiliteti. Vetëm se jemi faktor stabiliteti duke shitur vendin e duke braktisur detyrat.
    Ka aq shumë për të shkruar sa nuk kam nerva. E nderuar gazetare! Anormalitetin tonë e kemi kthyer në normalitet. Jemi dakord të shqyejmë njeri tjetrin e të falim armikun pak a shumë si në luftën e dytë botërore. Italianët që ishin pushtues, që kishim vrarë, djegur, internuar e burgosur, pas kapitullimit i strehuam ne shtëpi duke rrezikuar jetën nga gjermanët. Ndërsa ballistët e nacionalistë të tjerë që ndofta kishin shkarë pak i çuam drejt vdekjes. Këtë dobësi tonën e kanë shfrytëzuar sa është bota. Ndaj them se jemi anormalë.

    Reply to this comment
  4. Santana October 18, 09:19

    Zonje e nderuar gazetare po cilat jane shkaqet qe Ballkani nuk eshte si Europa nuk na i the !
    Cilat jane kontradiktat e Ballkanit e ato nuk jane sot , po shqiptareve ju eshte fshehur e verteta nga ata qe e pushtuan dhe po ata dolen e akoma sot mbahan se i kane dhene panvaresine.
    Pashallaret osmanllinje qe kane bere krimet me te ndyra neper Perandorine e potureve te zeza osmanllinje ne Bejrud e gjetke ju qau zemra per tokat e “tyre “te dhena si shperblim te osmanllinjve e kjo u quajt panvaresi .Vazhdon fallsiteti mbi historine shqiptare.

    Reply to this comment
  5. Ericson October 18, 12:28

    Une do te kisha mirenjohjen me sublime nese ky posteri fluturak do te kishte nje autor shqiptar, e prandaj mos llomotit kot, e sorre je per vete, se shqiptaret jane kombi me i ashper e luftarak ne bote pas gjermaneve, ruseve e japonezeve!

    A e ke pare ate filmin amerikan ku luftetaret shqiptare u ishin qepur shkembinjve e nuk dalloheshin nga ta ,me fustanella e huta ne dore?

    -Atje,atje …shqiptaret!

    Degjo ketu, ti e njohe Izetin e arratisur ne Turqi. Izeti, sado i prape qe eshte, ai eshte shqiptar e ja thyen turinjte i vetem edhe nje bande mangupesh serbe, e si ky jane shumica e shqiptareve!

    Ne keta jemi, nuk leme kerkend te na bjere me qafe, ty po s’te pelqeu shko e gremisu e nderro emrin e ndac edhe llagapin ne Greqi !

    Nuk ke pune hic ketu te zesh ngoje diktaturerat , se perndryshe edhe jugosllavet kishin Titon e kinezet Maon qe ka cfarosur me miliona njerez e prape i mbajne ne krye te kendit.Secilli komb ka interesat e veta jetike, e perderisa Jezui nuk ka zbritur akoma ne toke, nuk mund te besohet se do te kete drejtesi ne kete bote, e prandaj shtetet mbajne ushtri e armatosen gjer ne dhembe e jo se tremben se mos ju vije ndonje sulm nga Marsi a Jupiteri!

    Mos u merr me ideologjira e politikera, po shiko t’i dalesh zot Vendit qe te ka bere koken, i mire a i qortueshem qofte,… nuk po te thote askush rrembe dyfekun e shko ne Afganistan , po te pakten mbaje nje cope kalem e shkruaj me dashuri per vellezerit e motrat e tua shqiptare!

    Reply to this comment
  6. vlera e vertete October 18, 14:49

    ju lumte z.Mira per kete shkrim.
    si gjithmone e qarte dhe e lexueshme per te gjthe.
    vlerat e shkrimit jane sa te qarta e kuptimplote aq edhe diplomatike.
    ata qe quajne dobesi,qytetarine, normalitetin fqinjesine e mire e kerkojne lloqe boshe nuk jane te
    vemendshem me diplomacine Gjermane ne B.Edhe te SH.B.A si lider,ne mardheniet nderkombetare me diolog dhe pastaj me saksione.
    vlerat shqiparet nuk i tregojne per dobesi.
    edhe kombetarja i tregoji.
    koha do na jape shperblimin qe meritojme,si paqeruajtes ne paqeruajtesit e botes demokratike
    ju uroj suksese.

    Reply to this comment
  7. Ip October 18, 21:23

    Mira, ke harruar dicka aty ne renditjen e arsyetimeve. Kur flet per Janullatosin, moj cupke, fol dhe per hoxhallaret qe flasin e marrin para nga arabet, fol dhe per peshkopet italiane qe meshojne jo shqip ne kishat tona katolike te cilat raportojne tek Vatikani, fol dhe pak per ca bema te ne shqiptareve qe nuk jemi engjej dhe qe shpesh bejme me faj Boten (nuk e kam aspak fjalen ketu per cfare ndodhi ne beograd, ku nuk u ve absolutisht asnje faj shqiptareve). Me pelqejne shkrimet e tua, vazhdo te punosh e mesosh shume.

    Reply to this comment
  8. gjermani i fundit October 18, 21:32

    E di ate vjershen e Brehtit qe thote:”Lufta qe mbaroi s’do jete e fundit.Do pasohet nga luftera te reja.Te varferit e humbesve do jene prape te varfer,po keshtu dhe te varferit e fituesve”.Kemi kohe dhe dy jave Mira te shpalosim argumenta folklorike,Pastaj do lodhemi se ngreni evrope ne kaushe iluzionesh.Sipas teorise se re te Konsumizmit ne duhet te shkojme mire qe tregjet te rriten.Tregjet ne fakt lulezojne,mirepo Bursat bien,ke pare sa kane rene bursat keto kohe?Duket se ngritja ekonomike ngjan mundim Herkuli ndaj qeveritaret ballkanas e kane me lehte me badjavane kombetariste.Po te ishe serbe do ishe e bindur se e keqja botes i vjen nga shqipot,se dava ketA nuk jane evropiane e turli te tilla te konsumuara qe te bejne te qeshesh.Para shume vitesh nje ish sekretar shteti kur i thane pé Evropen e bashkuar kerkoi prefiksin e Evropes,edhe sot Evropa nuk ka prefiks,prandaj me ngadale me ekzaltimet europeiste.Kane dhe atje mjaft probleme te natyres etnike,psh referendumi skocez,duan dhe katalonjet,po Lega Nord,flamandet,Qipro,etj.Shkurt fare,ne tavolinen e te forteve s’ka vend per te dobetit.Serbet me Evropen po i lidhin inreresat e ngushta ekonomike,ndaj ata perkedheken,mos bli Fiat 500L se prodhohen ne Kragujevac,qe nje slogan i tille dhe ne Itali,se Fiat u delokalizua,shkoi ne vend tjeter per te paguar me pak taksa,dmth eshte italiane por aq i ben per Italine.Beji nje interviste kryeministrit Mira,kam besim se do gjeje kohe,por jo kafeneve,se nuk duam pershkrimin e formes se filxhanit,por ne zyre.Pyete cfare do behet me investimet,a mundet tu hap vend industrive kineze,japonwze,koreane,patjeter me avantazhe per ata,por te levize industria.Vetem industria do na beje “Evrope”,llogjet e Evropes virtuale me”detyra shtepie”po i hame perdite dhe s’po e mbushim barkun.

    Reply to this comment
  9. Turku Erdogan October 19, 09:10

    Mira, cmoj talentin tuaj,por me lejoni te thom se shkrimi i sotem ka mjaft subjektivizem.
    Dhe po te jetojme me mendesi te tilla ,nuk do ndryshojme asnjehere.Dhe kemi kaq shume nevoje te ndryshojme .Pse ? Se nuk jemi aspak te mire.
    Aty pikerishtfillojne te keqiat.
    Shpreh simpatine ,urime!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*