Në Paris po vriten hebrenj. Përsëri.

March 30, 2018 19:38

Në Paris po vriten hebrenj. Përsëri.

Ka ndodhur disa herë që kryeministri izraelit të ngjallë zemërim mes hebrenjve të diasporës. Por tre vite më parë, Benjamin Netanyahu, mbajti një fjalim prej të cilit mori kritika pothuajse universale.

Pas disa sulmeve terroriste në qytete europiane si Parisi apo Kopenhageni, Netanyahu u bëri thirrje hebrenjve të largohen nga Europa. “Sigurisht, hebrenjtë meritojnë mbrojtje në çdo vend. Por u bëjmë thirrje hebrenjve, vëllezërve e motrave tanë: Izraeli është shtëpia juaj”, tha ai, duke i bërë jehonë komenteve që i kishte thënë më përpara, me më pak bujë, një muaj para sulmeve në Sinagogën e Madhe të Parisit.

Sugjerimi i Netanjahut për “emigrim në masë” ishte “i papranueshëm”, sipas rabinit Menanchem Margolin, kreu i Shoqatës Europiane të Hebrenjve. Abraham Foxman, në atë kohë kryetar i Lidhjes Kundër Shpifjeve, tha se kjo politikë do t’i jepte Hitlerit “një fitore pas vdekjes”. Krye-rabini i Danimarkës, Jair Melchior, tha se ishte “i zhgënjyer”. Smadar Bar-Akiva, drejtori ekzekutiv i JCC Global, tha se “thirrjet që u bëhen hebrenjve francezë për të marrë plaçkat e për t’u zhvendosur janë shqetësuese dhe vetë-shkatërruese”.

François Hollande, në atë kohë president i Francës, duke folur edhe për shumë udhëheqës të tjerë europianë, u përgjigj fort dhe u bëri thirrje hebrenjve: “Vendi juaj është këtu, në shtëpinë tuaj. Franca është vendi juaj.”

Por a është vërtet?

Kjo pyetje ia vlen të bëhet pas vrasjes mizore të Mireille Knoll, javën e shkuar.

Znjsh.Knoll, 85-vjeçare, e besoi z.Hollande. Franca ishte vendi i saj, shtëpia e saj. Parisi ishte qyteti i saj.

Ajo kishte besim, pavarësisht faktit që po në atë qytet, kur ajo ishte nëntë vjeçe, policia mblodhi 13,000 hebrenj parisienë, 4000 prej të cilëve fëmijë, dhe i futi te “Velodrome d’Hiver”, një stadium çiklizmi, para se t’i transportonin drejt vdekjes në Aushvic. Znjsh.Knoll i shpëtoi për një fije dëbimit më të madh të hebrenjve nga Franca dhe u arratis në Portugali, me të ëmën.

Pas lufte ajo u martua me një burrë që i kishte mbijetuar Aushvicit. Më pas u kthye në vendlindje, ku ngriti familje. Franceze thellë në shpirt, ajo qëndroi në Paris edhe kur nipërit e saj u shpërngulën në Izrael.

Ajo ndodhej ende te apartamenti i saj, në lagjen e famshme Arrondissement 11 të Parisit, e sëmurë me Parkinson, kur u qëllua 11 herë me thikë. Më pas apartamentit të saj iu vu zjarri. Zjarrfikësit e gjetën trupin e djegur të premten në darkë.

Autoritetet në Paris po e hetojnë vrasjen si “të motivuar nga anëtarësimi i viktimës (i vërtetë apo i supozuar) me një fe specifike.” Por eufemizmat s’duhet të kenë vend kur vjen puna për të përshkruar natyrën e vdekjes së Mireille Knoll. Ajo u vra nga njerëz të fryrë nga e njëjta urrejtje që kishte Hitleri.

Janë arrestuar dy të dyshuar, një 29 dhe një 21-vjeçar. 29-vjeçari është një fqinj që znjsh.Knoll e ka njohur që fëmijë. 21-vjeçari, sipas raportimeve, është i pastrehë. Një nga të dyshuarit i tha hetuesve se tjetri thërriste “Allahu Akbar” teksa vriste znjsh.Knoll, sipas Le Monde. (Një avokat i familjes Knoll, Gilles-William Goldnadel, e pohoi këtë në një telefonatë.) Të martën, Ministri i Brendshëm francez, Gérard Collomb, i tha parlamentit se një nga sulmuesit i kishte thënë tjetrit: “Është hebraike. Duhet të ketë para.”

Në fakt, znjsh.Knoll ishte e varfër, sipas djalit të saj, Danielit. Ajo kishte kaluar pothuajse gjithë jetën në apartamentin e paguar nga shteti, aty ku u vra.

Kjo lagje ka dëshmuar dhe një tjetër krim pothuajse të njëjtë. Rreth një vit më parë, një vejushë 65-vjeçare, Sarah Halimi, u vra nga fqinji i saj, 27-vjeçari Kobili Traoré. Fqinjët thanë se e dëgjuan z. Traoré të bërtasë “Allahu Akbar” teksa godiste znjsh.Halimi, një doktoreshë në pension, duke e lënë të vdekur që në orët e para të 4 Prillit, 2017. Pastaj e tërhoqi trupin zvarrë në oborrin poshtë pallatit.

U deshën disa muaj që vrasja e saj të quhej krim urrejtjeje kundër hebrenjve. “Ishte skandaloze”, thotë z.Goldnadel, avokati, që gjithashtu përfaqësonte familje Halimi.

Këtë herë autoritetet franceze nxituan ta quajnë krimin me emrin që ka. Të hënën, Presidenti Emmanuel Macron shkroi në Twitter: “Shpreh keqardhje për krimin e tmerrshëm kundër znj.Knoll. Rikonfirmoj vendosmërinë absolute për të luftuar antisemitizmin.” Të mërkurën ai tha që ishte vrarë “sepse ishte hebraike”, gjatë homazheve për policin e vrarë gjatë një tjetër sulmi islamik. Z.Macron ka marrë komente pozitive nga bashkësia hebraike e Francës për qartësinë morale që tregoi duke e përshkruar antizionizmin si “një trajtë e re të antisemitizmit”.

Antiseimitizmi konsiderohej një sëmundje e të djathtës ekstreme. Por njerëzit që po vrasin hebrenjtë sot në Francë nuk janë anëtarë të Frontit Kombëtar. Janë islamikë.

“Shumica e krimeve kundër bashkësisë së hebrenjve (Ilan Halimi, vrasjet në Tuluzë; vrasjet në Hyper Cacher, Sarah Halimi) të gjitha janë kryer nga islamikë të radikalizuar”, thotë Rober Ejnes, drejtori ekzekutiv i CRIF, një organizatë “çadër”, pjesë e grupit të shoqatave hebraike në Francë. “Këta të rinj kanë karta identiteti franceze, por urrejnë çdo vlerë për të cilën qëndron Franca. Kjo është natyra e problemit që po hasim. Dhe është shumë e vështirë të flasësh për këtë”.

Ja disa fakte për të cilat është e vështirë të flasësh: edhe pse hebrenjtë përfaqësojnë më pak se 1% të popullsisë në Francë, 51% e sulmeve raciste në vitin 2014 janë kryer kundër tyre, sipas Ministrisë franceze të Punëve të Brendshme. Gjatë një sondazhi që u krye po atë vit nga “AJC Paris” dhe grupi i ekspertëve francezë “Fondapol”, 1000 qytetarë francezë që nuk e kishin deklaruar përkatësinë fetare, dhe 575 persona të deklaruar si myslimanë,  u morën në pyetje dhe u zbulua se myslimanët kishin dy deri në tri herë më shumë prirje se francezët për të pasur ndjenja anti-hebraike. 19% e të gjithë pjesëmarrësve në sondazh thoshin se hebrenjtë kishin pushtet politik të tepruar. Mes myslimanëve, ky numër ishte 51%. Kur u pyetën për fjalinë “Zionizmi është organizatë ndërkombëtare që do të ndikojë botën dhe shoqërinë në favor të hebrenjve”, 44% e myslimanëve e quajtën si të vërtetë. Pjesa tjetër e rezultateve të sondazhit është po kaq tronditëse.

Franca ka vite që përdor forca të armatosura për të mbrojtur sinagogat dhe shkollat hebraike. Por dhuna në rrugë (një 15-vjeçare me uniformën e shkollës hebraike u ça me thikë në fytyrë; një tetë-vjeçar me kapelë “kipah” në kokë u sulmua; fëmijët adoleshentë të një familjeje u quajtën ‘çifutë të ndyrë’ para se të rriheshin) nuk ka pasur rënie. Të mërkurën, pak orë para një marshimi në nder të Mireille Knoll, zyra e Bashkimit të Studentëve Franko-Hebraikë në Sorbonne u plaçkit dhe muret u shkarravitën me mbishkrime si “Viva Arafat” dhe “Vdekje Izraelit”.

Çfarëdo tjetër të nxjerrin hetimet për vrasjen e znjsh.Knoll, kaq gjë e dimë me siguri: njerëzit që akuzohen për vrasjen e saj po jetonin në një kulturë ku hebrenjtë fyhen nga e ekstremet e djathta, dhe çdo ditë e më shumë edhe nga ekstremet e majta; kulturë në të cilën shumë njerëz janë udhëhequr nga ndasitë kulturore për shumë kohë; kulturë ku sulmet kundër hebrenjve janë shpjeguar duke ua ulur rëndësinë, si ngjarje të motivuara politikisht nga zhvillimet në Lindjen e Mesme. Në një kulturë të tillë nuk duhet të jetë habi që disa njerëz arrijnë në përfundimin se gjaku i hebrenjve ka pak vlerë.

Pas vrasjes së znjsh.Knoll dëgjuam të përsëriten frazat e zakonshme. Antisemitizmi është urrejtja që nuk vdes kurrë. Dhuna që nis me hebrenjtë nuk mbaron kurrë me ata.

Të gjitha këto janë të vërteta. Është gjithashtu e vërtetë që antisemitizmi është urrejtja më e vjetër në botë, sepse është ushqyer nga individë të ndryshëm të çdo brezi. Nuk mund të mposhtet nëse nuk shihemi sy më sy me këta njerëz e me këto kultura.

Çdo hebre francez – si miliona hebrenj të tjerë nëpër histori – do të vihet para vendimit nëse duhet të largohet nga shtëpia për një vend më të sigurt, apo të qëndrojë e të luftojë për vendin që u takon, në një shtet që krenohet si pishtar i lirisë dhe vëllazërisë. Por ndoshta mençuria më e madhe vjen nga mesazhi që postoi në Facebook mbesa e Mireille Knoll, që nga Izraeli, pas vrasjes së saj: “20 vite më parë u largova nga Parisi duke ditur që aty nuk gjeja dot më as të ardhmen time, as atë të popullit hebre”.

Nga Bari Weiss, New York Times

Përktheu: Top Channel

s.a/dita

March 30, 2018 19:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*