Në Përmet, çastet e fundit të jetës së akademikut Jorgo Bulo

Zylyftar Hoxha November 27, 2015 09:50

Në Përmet, çastet e fundit të jetës së akademikut Jorgo Bulo

Për ndarjen nga jeta të akademikut Jorgo Bulo, lajmi u bë i ditur për publikun shqiptar gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, kur drejtuesja e seancës Valentina Leskaj u kërkoi deputetëve të mbajnë një minutë heshtje. “Bulo ishte në një aktivitet në Përmet kur humbi jetën”, tha Leskaj.

Por më duhet të shtoj edhe disa detaje të tjera rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, pasi, për fatin tim të keq, jam ndodhur edhe unë në momentet e fundit të jetës së profesorit të shquar, ku, si dhe profesori, isha ftuar në të njëjtën veprimtari, në “Natën e Bardhë Naimane”, organizuar nga Shoqata Atdhetare Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” në Përmet, dhe që, gjatë gjithë aktivitetit dhe të gjithës darkës, kam qenë në krah të tij.

Në këtë veprimtari merrte pjesë, veç intelektualëve dhe krijuesve të tjerë nga Përmeti dhe Qarku i Gjirokastrës, edhe poeti Xhevahir Spahiu dhe kryetari i Bashkisë së Përmetit, Niko Shupuli. Veprimtaria ishte planifikuar në orën 17 mbas dite të datës 25 nëntor në një nga sallat Qendrën Kulturës Përmet dhe në orën e caktuar, njerëzit ishin grumbulluar dhe po prisnin nga çasti në çast që të fillonte takimi.

Në këto momente del në podium kryetari i shoqatës “Vëllezërit Frashëri” dhe organizatori i veprimtarisë, Tomorr Kotorri, i cili iu kërkoi të pranishmëve falje dhe të bënin pak durim sa të vinte nga Gjirokastra Akademiku Jorgo Bulo, i cili kishte qenë edhe atje në një veprimtari të organizuar nga Bashkia e këtij qyteti për 10-vjetorin e pranimit nga UNESCO të Iso-polifonisë shqiptare si pasuri botërore.

Nuk vazhdoi gjatë, veçse disa minuta dhe profesori hyri në sallë i pritur mes duartrokitjesh. Pas hapjes së veprimtarisë nga kryetari i shoqatës, fjalën e mori profesor Bulo, i cili, me një korrektesë të admirueshme lexoi çdo germë të kumtesës së tij me një diksion të qetë, të natyrshëm, por edhe me një pasion të pafshehur (çast që s’do të më hiqet kurrë nga mendja si mua dhe të gjithë atyre që ishin në sallë) për kolegun e tij të letrave, Dritero Agollin, si emblema e letërsisë shqipe.

Veprimtaria vazhdoi më pas me një konkurs të Fjalës Artistike, ku konkurruan nxënës të tri shkollave të mesme të Përmetit, ku profesori, megjithëse i lodhur, ndoqi dhe duartrokiti të gjithë debutuesit në sallë.

Në darkën e shtruar me këtë rast, të cilën ai e mbylli me një gotë të vetme vere, bëri dolli ku, natyrisht, përmendi vëllezërit Frashëri, vlerat e qytetarisë përmetare si dhe për shëndetin organizatorëve. Pas një darke që nuk zgjati shumë, u shpërndamë në hotel. Nga ora 23.30, dikush merr në telefon se Jorgua nuk është mirë.

U zgjuan të gjithë, mjekët bënë të pamundurën, por pas 3 orësh përpjekjesh mes jetës dhe vdekjes, fitoi kjo e fundit…dhe profesori u nda përjetësisht nga ne. Në këto çaste më ka ardhur në mendje gjithë ajo punë kolosale, gjithë ajo vepër e tij, që do ta bëjë të paharrueshëm.

Lamtumirë, Profesor Jorgo!…

***************

Jorgo Bulop2Veprimtaria në Përmet

Shoqata Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” dhe Bashkia e Përmetit, me rastin e 115- vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar “Naim Frashëri”, organizuan ditën e mërkurë, datë 25. 11. 2015 konferencën shkencore “Dritëro Agolli dhe Xhevahir Spahiu, dy figura të shquara të kulturës dhe letërsisë shqipe”. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti kryetari i kësaj shoqate, Tomorr Kotorri, ndërsa kumtesën e parë me titull “Dritero Agolli, emblema e letërsisë shqipe”, Profesor Jorgo Bulo. Më pas mbajtën kumtesat “Struktura e figurshme e poezisë së Xhevahir Spahiut” nga profesor Idriz Metani, “Metafora e pelegrinit në poezinë shqipe” nga Lumo Kolleshi, “Xhevahir Spahiu dhe vendlindja e tij, Skrapari “ nga Nuri Çuni. Më pas u zhvillua konkursi i Fjalës Artistike të nxënësve të shkollave të mesme të qytetit të Përmetit.

Në fund të veprimtarisë profesor Jorgo Bulo u nderua me titullin “Nderi i Shoqatës Kulturore Mbarëkombëtare Vëllezërit Frashëri”, të cilën ia dha kryetari i shoqatës Tomorr Kotorri.

Zylyftar Hoxha November 27, 2015 09:50
Komento

5 Komente

  1. Gramozi i Larte November 27, 11:19

    Nderim dhe respekt profesorit te nderuar Jorgo Bulo! I shprehim ngushellime te sinqerta familjes.

    Reply to this comment
  2. Islami November 27, 14:07

    Prof.Jorgo Bulo me punen e tij pasionante mbetet nje nga figurat kolosale te letersis Shqipe,veprat e tij jane nje thesar dhe do te kujtohen per brezat e sotem dhe te ardheshem,
    ngushelime te aferme dhe familjes se tij

    Reply to this comment
  3. sokrati November 27, 15:48

    Ngushellime familjes se nderuar te akademikut Jorgo Bulo. Ne vecanti ngushelloi vjazen e tij ,per te cilen ruaj nje respekt te vecante … Ngushellime Anyla !

    Reply to this comment
  4. Viktor November 27, 17:24

    Ngushellime familjes se profesorit te nderuar.Humbja nuk eshte vetem e tyre por edhe e gjithe kombi shqipetar.

    Reply to this comment
  5. Moza November 27, 17:59

    Ngushellime famikjes se akademikut te shquar,Jorgo Bulo.Humbje per znj Kristina,mesuesen e Paharruar te shume brezave,edhe timen.Humbje per albanologjine,kombin.Por ai la vepra te shquara per ceshtjen shqiptare dhe ato do te rrojne ne historine e ketij kombi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*