Në personalitetin e Luiza Xhuvanit ndjej tingujt dhe shpirtin e Hamletit

September 23, 2015 00:21

Në personalitetin e Luiza Xhuvanit ndjej tingujt dhe shpirtin e Hamletit

“Të rrosh a të mos rrosh…” – Mbrëmjen e 10 tetorit, këto fjali të Hamletit do të recitohen në Teatrin Kombëtar Eksperimental nga një grua: Luiza Xhuvani.

Mbi supe ajo do të mbajë një prej personazheve më të njohura të teatrit, herë prej mesazhit e herë prej tragjedisë. Aktorja e njohur i rikthehet teatrit e veshur nën petkat e një burri shekspirian. “Mjaft regjisorë e kanë bërë këtë eksperiment, por në Shqipëri ndodh për herë të parë. Regjisori e zhvendos figurën e Hamletit nga mashkull në femër, për të rritur dimensionin përfshirës të veprës dhe të personazhit”, ka thënë drejtori i TKEKS, Kiço Londo.

Regjisori Enko Fezollari me shfaqjen “Hamleti”, do të bëj historinë teatrale, pasi që, për herë të parë në këto pjesë rolin e Hamletit ia ka besuar një gruaje. Në këtë intervistë, Fezollari ka treguar për këtë shfaqje duke u nisur prej idesë e deri te provat që tashmë janë duke u mbajtur. Premiera e shfaqjes do të jepet më 10 tetor në Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë.

Fillimisht ku ishte ndërlidhja me Shekspirin dhe pikërisht me Hamletin?

Në maj të vitit 2014 pata mundësinë të ndiqja në Athinë shfaqjen “Zj.Margarita” të regjisorit Kiço Londo dhe u magjepsa nga interpretimi i Luiza Xhuvanit dhe regjia e Kiço Londos. Ata më ofruan udhën e bashkëpunimit, dhe në bisedat që shkëmbyem ramë dakord që të ishte një pjesë nga Shekspiri dhe lindi ideja për “Hamletin” sepse, sipas meje kjo pjesë është kryevepra e këtij shkrimtari. Veprat e Shekspirit përveç poezisë që përmbajnë dhe madhështinë që kanë, të krijojnë mundësinë për t’i parë në shumë këndvështrime. Teatri i Shekspirit është politika e vetë qytetarëve të një vendi. Ai jep fakte, nuk gjykon personazhet, tregon histori me të gjithë gamën e ngjyrave dhe çdo spektator merr atë që i përket. Shekspiri në veprat e tij ngriti pyetje dhe përgjigjet i japin vetë spektatorët kur dalin nga salla. Hamleti është një njeri që shkon kundër politikës së pushtetit dhe manipulacionit dhe dhunës që buron nga pushteti i Danimarkës dhe shoqërisë së saj, që sigurisht është një shoqëri e kalbur. Hamleti me mjeshtëri dhe me veglat që të jep teatri vesh maskën e marrëzisë për të marrë hakun e vrasjes së babait të tij. Të tregojë fajtorët dhe t’i bëjë të përjetojnë ferrin e tyre. Çështjet që përmban vepra e Hamletit janë më të larta sesa gjakmarrja. Të jetosh një jetë pa kuptim apo të vdesësh duke luftuar për një ideal e një jetë me vlera. Hamleti ka të gjithë përbërësit e jetës që epoka jonë i ka degraduar.

Është menduar që premiera e kësaj shfaqjeje të prezantohet më 10 tetor, por kjo premierë do të sjellë një qasje tjetër të Hamletit në trojet shqiptare, Hamletin do ta luajë një grua. Sa kohë t’u desh deri te marrja e vendimit?

Rolet nuk kanë gjini kur flasim për antikitetin dhe veprat klasike. Mos të harrojmë që nga viti 1700 shumë femra aktore janë përpjekur të luajnë rolin e Hamletit, që nga Sara Brenard më 1886, më 1910 Enke Fezollari, regjisorkur filmi danez me protagonisten Asta Nilsen deri më vitin 2011 në Teatrin Kombëtar të Spanjës dhe në Filadelfia të Amerikës nga një aktore me ngjyrë. Së dyti, për mua roli i Hamletit është poezi dhe poezitë nuk kanë gjini. Mos të harrojmë që magjia e teatrit është që të bëjë të besueshëm atë që personazhi trajton. Në personalitetin e Luizës ndjej tingujt dhe shpirtin që mendoj se ka Hamleti. Duhet të mos harrojmë që aktori është mjeti i shpirtrave, rolet janë shpirtra dhe ne ju japim atyre trupin dhe rastin të lindin dhe të vdesin dy orë, çdo natë bashkë me spektatorin në skenë.

Luzia Xhuvani do të jetë aktorja që do të prezantohet në rolin e Hamletit. Çfarë të rrëmbeu te kjo grua që ta shndërrosh në mashkull?

Luiza mban në kurrizin e saj një karrierë të pazakontë për historinë e teatrit tonë. Kur isha i vogël ishte një adhurim i fëmijërisë time. Vitet kaluan dhe universi më dha mundësinë të bashkëbisedojmë nëpërmjet kësaj vepre. Teatri është një vend dhe sidomos veprat përmbajnë bërthamat e jetës dhe gjithmonë regjisori, aktorët dhe spektatorët janë në një ndërveprim të hapur. Kështu edhe ky komunikim nëpërmjet veprës së Hamletit. Luiza sjell në skenë lidhjen midis brezave. Ka një frymë si aktore që sjell frymën e aktoreve të mëdha shqiptare si Marie Logoreci, Liza Laska. Është një aktore me të njëjtat vlera si Isabel Iper ose Angela Wrinkler. Ajo që më bën më shumë përshtypje është angazhimi i saj në prova, profesionalizmi dhe thjeshtësia e dashamirësia për të gjithë aktorët si role të vogla si edhe për rolet e mëdha.

Mirëpo, ne e kemi parë Luiza Xhuvanin në shumë projekte, qoftë filmike por edhe teatrale, dhe të gjithë njohim feminitetin e saj. Sa me rrezik ka qenë vetëm ideja e këtij shndërrimi?

Nuk besoj se ka rrezik, sepse aktorit duhet t’i jepet gjithmonë mundësia për të provuar gjëra të reja. Duhet të mos harroni që Luiza ka luajtur rolin e Andromakës, Bernarda Albës që janë role që përmbajnë femrën por më shumë burrin në vetvete. Edhe në jetën tonë reale mjaft nëna janë bërë edhe gra edhe burra për të mbajtur familjet tyre. Njeriu i përfshin të gjitha. Mos të harrojmë fotografitë që këto ditë shohim nga emigrantë sirianë që luftojnë për familjet e tyre dhe të gjitha këto foto nuk kanë gjini. Janë thjesht njerëz që luftojnë për jetën.

Po besojmë që tashmë jeni drejt formësimit të shfaqjes. Sa i kënaqur je me pritjet e tua?

Jam shumë i kënaqur, sepse shikoj tek ekipi i aktorëve një dashamirësi dhe një vullnet të pakrahasueshëm. Ishte një vështirësi për mua, sepse mungoj prej 23 vitesh në Shqipëri dhe vij nga një vend që është atdheu i dytë, por me durim i tejkaluam vështirësitë e para. Besoj se gjuha e teatrit është universale. Rikthimi im për këtë shfaqje më trazoi nostalgjinë, sepse ne shqiptarët që jetojmë jashtë vendit e kemi atdheun më lartë dhe traditat tona i mbajmë si thesar në zemër. Më solli afër tek trojet e mia, në zhgënjimet në dashuri dhe më jep një kënaqësi, më zgjon shqisat e mia dhe shpresoj që kjo gjë të ndihet edhe në shfaqjen që do të shihni. Premiera e kësaj shfaqjeje do të jetë në Tiranë, duke pasur parasysh se është hera e parë që shndërrohet një grua në rolin e Hamletit në rajonin tonë, do të ishte një gëzim i madh për ne që të kishim ftesa edhe nga Kosova dhe nga mbarë vendet ku ka shqiptarë.

Dhe në fund, përpos kapërcimit rajonal, keni piketuar ndonjë festival ku mund ta prezantoni këtë shfaqje?

Shfaqja sigurisht do të ketë rrugëtimin e saj. Në agjendën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, janë parashikuar disa pjesëmarrje në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.

September 23, 2015 00:21
Komento

2 Komente

  1. Arben September 24, 19:21

    PERSONALITATI I KESAJ ZONJES NDOSHTA VLEN, POR

    E SHKRIU PASURINE QE I BIRI TE MOS MERRTE TE PERJETSHMIN, SIC I TAKONTE.

    TANI QE NUK U DHA I PERJETSHMI PER DJALIN E KESAJ, QE KA VRARE 5 NJEREZ, ME MIRE TA HEQIM FARE NGA LEGJISLACIONI, SE MARRIM ME QAFE KOT NJEREZ QE NUK KANE BERE ME SHUME SE 1 VRASJE.

    HAHAHHAHAHAHHAHAHAHAHHAHAHAHHA

    Reply to this comment
  2. SuloKapedani September 24, 19:48

    Koment iditesh,Ç’farè lidhje ka profesioni tani me aktin e te birit qe mori denimin pavarsisht se sa?Keto jane te pa falshme per kedo qe bene lidhje te tilla sidomos jashte politike.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*