Në përvjetorin e 80-të të lidhjes së marrëdhënieve Shqipëri-Poloni

May 14, 2017 10:55

Në përvjetorin e 80-të të lidhjes së marrëdhënieve Shqipëri-Poloni

 

 

Fatet e njëjtë historikë bashkojnë kombet dhe shtetet

Prof.as.dr. Genci Luarasi

Sivjet, mbushen 80 vjet të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Polonisë me Mbretërinë e Shqipërisë. Në fakt nga dokumentet e dy shteteve këto marrëdhënie u rikrijuan pasi Shqipëria me shpalljen e pavarësinë pas shkëputjes nga perandoria turke në 1912. Kjo, pasi në përpjekjet e saj shekullore për të qene e mëvetme, qysh nga bashkimi i principatave shqiptare nën drejtimin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i cili gjatë 25 viteve të qendrimit në krye të bashkimit të principatave, vazhdoi të luftojë kundër perandorisë osmane, periudhë, e cila këtë vit përkon me 550 vjetorin e tij.

E fundit në Ballkan, në 1912, Shqipëria arriti ditën e pavarësisë së saj dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, pavarësisht që fuqitë europiane asnjëherë nuk mbajtën një qëndrim miqësor dhe mbështetës ndaj vendit të shqiptarëve. Pranohet që pas Kongresit të Lushnjes, Shqipëria nisi rrugëtimin e saj europian, së pari si një republike parlamentare dhe pas vitit 1928, si mbretëri e trashëgueshme me mbret Ahmet Zogun I. Por, gjendja ekonomike e sociale ishte e mjerueshme, kështu që Mbretit i dilnin detyra të mëdha, sidomos se kishte fqinjë aspak mirëdashës si dhe Europa me politikën e saj pas Luftës Ballkanike, Konferencës së Ambasadorëve dhe sidomos Luftës së Parë Botërore, një vendi  të vogël u mundua t’ia priste krahët në çdo anë të kufijve të vet, aq sa Mbretëria Shqipetare u tkurur si asnjë vend në botë e kufizuar me vende me popullsi shqiptare.

Genci Luarasi

Pra, edhe ekzistenca e saj ishte jashtëzakonisht e pasigurt, që nga formimi e jetësisë së shtetit shqiptar. Kështu, ndërtimi i shtetit administrativ kërkonte një legjislacion të mirëfilltë dhe një zbatim rigoroz të ligjeve. Nga ana tjetër në fushen diplomatike Mbretëria Shqiptare duhej të realizonte lidhjen e marrëdhënieve që shteti i ri të ruante qendrushmërinë e vet.

Në historinë e diplomacisë shqiptare shikojmë një perpjekje të madhe për t’u përligjur, duke aktivizuar intelektualë jo vetëm me prejardhje sociale, por edhe të përgatitur në shkollat e huaja. Vetë koha solli që në Turqi dhe Europë të ishin shkolluar mjaft personalitete të devotshëm, të cilët u përfshinë në realizimin e një politike të vëmendshme dhe realiste ndaj shteteve europiane, krahas atyre të Ballkanit.

Në përgjithësi në vitet 1935-37 u përpunua një strategji për t’u afruar me vendet e Europës qendrore  si Hungari, Belgjikë, Poloni, Gjermani duke patur parasysh që të shfrytëzoheshin edhe kushtet ekonomike që kishin lidhje me vendet e Ballkanit. U arrit krijimi i lidhjeve me Belgjikën, Spanjën, Hungarinë, Çekinë dhe së fundi me Poloninë.

Pas krijimit të shtetit polak në 1918, edhe duke mos patur marrëdhënie diplomatike, Shqipërinë e kanë vizituar polakë me profesion gjeologë, gazetarë, ushtarakë të fuqive të mëdha, kryesisht për të njohur këtë vend ekzotik.

Qysh para 1939 në vendin tonë jetonin një numër tejet i kufizuar polakë si, gjeologët Jan Strzetelski (1878-1943), Stanislaw Zuber (1893-1947), gra të martuara me shqiptarë intelektualë të shkolluar në Europë.

Në vitin 1949, në Tiranë në familjen e diplomatit polak Micel, lindi gazetarja e ardhshme polake, Jolanda Micel-Thor.

Wladislaw-Guenther Schwarzburg

Ndërkohë, në përvjetorin e 80-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të shk. XX është interesant të njihet korrespondenca diplomatike e  dy vendeve tona të shkëputura që nga koha e Skënderbeut. Në arkivat përkatëse disponohen dokumentet e përpjekjeve të vendosjes së tyre me Mbretërinë Shqiptare. Interesant është dokumenti i Letrës Krediencale për z. Ministrin Fuqiplote Wladislaw-Guenther Schwarzburg,  drejtuar nga Presidenti i Republikes së Polonisë, Madhërisë së Tij Zog I, Mbret i Shqiptarëve, të cilin e vlerëson si mik të madh dhe shumë  të nderuar. Kjo letër në gjuhën frënge, nga përmbajtja dhe me një kaligrafi shumë të bukur, mund të vlerësohet nga specialistët e marrëdhënieve ndërkombëtare, u hartua më datën 10 prill 1938, nënshkruar nga Presidenti i  Presidenti i Republikës së Polonisë, Ignjac Moscicki dhe kundërfirmuar nga ministri i saj i Jashtëm, Josef Beck.

Këto janë lidhjet e para për ripërtëritjen e marrëdhënieve midis këtyre shteteve. Por, cili ishte diplomati polak, që do të përfaqësojë vendin e tij në Mbretërinë e Shqipërisë?

Nga të dhënat e njohura, zoti Wladislaw-Guenther Schwarzburg, është lindur në 1885, në rajonin e Polonisë së jugut dhe ka përfunduar  Universitetin e Sorbonës në lëmin e filologjisë me titull doktor (1908). Në shërbimin diplomatik u përfshi në vitin 1918 në shtetin tashmë të pavarur polak me një karrierë të pasur të nisur në  Prage 1919, vazhduar në Ankara 1926, Itali 1927, Belgrad 1931, Athinë 1936 dhe së fundi, në Shqipëri më 1938.

Pas vitit 1939, Evropa u përfshi në zjarrin e Luftës II Botërore kështu që pas 1941 ai vijoi në Angli në Qeverinë e Emigracionit në poste diplomatike, dhe, së fundi, dolli nga karriera dhe vazhdoi të  punonte në Universitetin Polak të Emigracionit në lëmin e gjuhës e letërsisë polake. Në vitin 1974 ai ndiq në Londër në vitin 1974. Gjatë karrierës së tij ai u nderua me 14 Urdhra dhe dekorata të shkallëve të ndryshme të larta.

Në fakt ambasada e Polonisë në Shqipëri nuk arriti të hapej, së pari: për arsye se  ai mbajti edhe postin e Ambasadorit në Athinë dhe, së dyti: qeveria shqiptare e kohës nuk arriti të krijonte mundësitë logjistike, pasi një vit më vonë, më 7 prill 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, pavarësisht përpjekjeve të saj për të ruajtur një neutralitet, por ajo ishte pushtuar që më përpara politikisht dhe sidomos ekonomikisht në saje të traktateve e kredive të marra nga Italia, të cilën Evropa e kishte caktuar si tutore në marrëdhëniet e saj. Nga ana tjetër edhe Shqipëria me pamundësitë e vazhdueshme financiare nuk arriti të hapë një seli në Poloni, që e arriti vetëm në vitin1946, por si mundësi që ambasadori i Parë i Shqipërisë në Moskë të ishte edhe diplomat i qeverisë shqiptarë në Poloni, detyrë që në atë kohë e kreu Koço Tashko.

Ndërkohë më datën 27 prill 1938 në gazetën “Kurier Warszawski” (Lajmëtari i Varshavës) në artikullin e botuar nga dr. Henryk Batowski, veç fakteve historikë që janë përmendur më sipër,  shpreh “një farë pakënaqësie që Polonia, e cila me shumë shtete veçanërisht të Evropës kishte marrëdhënie diplomatike, por me Mbretërinë Shqiptare nuk kishte vendosur marrëdhënie diplomatike, ndërkohë që Shqipëria me shumë vende të Evropës dhe të Ballkanit i kishte këto marrëdhënie ndër ta edhe me shtete më të vegjël se Polonia, si Çekia, e cila qysh para 10 vitesh kishte vendosur lidhje pavarësisht se nuk mund të ishte aq aktive sa Polonia. Ndërkohë, thekson autori, Shqipërinë e kanë vizituar funksionarë të Ministrisë së Jashtme, si Dr. T. Lubaczewski, gjeologu i njohur Profesor Zuber, etj.

Megjitheatë, marrëdhëniet në mes dy vendeve edhe pas viteve 1946 nuk ishin kurdoherë të njëtrajtshme. Duke qenë brenda suazës socialiste, KNER, Traktatit të Varshavës deri në vitin 1961, ato u zhvilluan sipas linjës së vendosur nga Moska, sigurisht me specifikat e secilit. Shqipëria pati në fushën e ekonomisë një marrëveshje këmbimi mallrash e pajisjesh, ndërsa Polonia përfitoi nga turizmi dhe këmbimi ekonomik e tekniko-kulturor, por që u ndërpre pas viteve 1967.

Ndikim në to pati dhe një ngjarje politike në mes dy shteteve, në vitin 1966, kur në Shqipëri erdhi ilegalisht një nga eksponentët e Partisë Komuniste polake Kaszimiez Mijal, i cili për gati dhjetë vjet gjeti strehim politik duke kryer nëpërmjet radios shqiptare një politikë anti-polake dhe bllokut socialist, pro politikës së Mao Ce Dunit. Në 1977 ai u largua nga Shqipëria në Kinë, por edhe aty nuk gjeti terren politik dhe u kthye në Atdhe, ku u arrestua në vitin 1984. Por, strehimi i tij në Shqipëri pati ndikime mbi mjaft familje me përbërje polake, pasi u survejuan e disa prej tyre edhe u burgosen me trajtim të rëndë.

Megjithatë në vitin 1992 të dy vendet, të shkëputur nga sistemi socialist dhe sidomos  hapjes ndaj Evropës, i rivlerësuan këto marrëdhënie me rihapjen e ambasadave  të tyre. Kështu, u ngritën përsëri nivelet e marrëdhënieve të ngrira duke dhënë nje hov reciprok marrëveshjeve të ndryshme, sidomos për arsimimin e specialisteve, këmbimeve kulturore–artistike, shkëmbime përvojash, në fushat e organizimit të shtetit  si të Kontrollit të Shtetit, Avokatit të  Popullit, studimeve shkencore, sidomos në arkeologji, botimeve të letërsisë, riaktivizimit e organizimit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, përkthimeve me nivel të letërsisë polake nga z. A. Beqiraj, paraqitjes së filmave në qendrën “Marubi”, aktiviteteve koncertore, të Shoqatës “Frederik Shopen” ekspozitave tematike pjesëmarrje në botën shpirtërore të përfaqësuesve të besimit katolik dhe motrave në shembullin e Nënë Terezës.

Sot, në Shqipëri banojnë e punojnë të përhershëm rreth 50 nënshtetas polakë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare të dy vendet janë në partneritet në NATO dhe Polonia anëtare e BE ndihmon Shqipërinë për t’u përgatitur në detyrën e  anëtarësimit në BE. Gjithashtu Polonia është aktive edhe në Kosovë në kuadrin e detyrave ndërkombëtare te Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Me rastin e këtij përvjetori jubilar u organizua seminari përkujtimor i 80-vjetorit të vendosjes  së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve tona, në të cilin morën pjesë Ambasadori Fuqiplote i Republikës së Polonisë, z. Karol Bahura, si dhe studiues që me fjalët e tyre, vlerësuan momentet historike si dhe arritjet e deritanishme.

 

May 14, 2017 10:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*