Në qershor, ligjërisht falen gjobat për biznesin

Edlira Shehu May 19, 2014 09:29

Në qershor, ligjërisht falen gjobat për biznesin

Fundi i muajit maj bën aktiv projektligjin e propozuar nga qeveria shqiptare për faljen e gjobave ndaj biznesit të vëna në periudhën 1 mars 31 gusht 2013. Ndonëse ligji “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore, të kryera për periudhën 1 Mars deri 31 Gusht 2013” u miratua në fund të prillit, vetëm pak ditë më parë ai u botua në fletoren zyrtare. Bizneset që janë gjobitur me të padrejtë dhe që kanë pritur këtë “amnisti” nuk mund të kryenin asnjë veprim në banka, për shkak të bllokimit të llogarive të tyre, si shkak i gjobëvënies selektive. Fatura e kësaj falje sipas përllogaritjeve të bëra nga qeveria është rreth 30 milionë dollarë dhe janë të përcaktuara qartë cilat biznese përfitojnë nga kjo falje.

 

Si do të bëhet anulimi i gjobave?

Ligji i botuar tashmë në fletoren zyrtare në numrin 67 është ndërtuar me 7 nene, ku përcaktohet objekti i tij, personat që përfitojnë faljen, dënimet administrative që falen, përjashtimet nga falja dhe në nenin 5 dhe 6 përcaktohet procedura e shuarjes se detyrime që falen dhe aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Sipas relacionit të të argumentuar nga Ministria e Financave, nëpërmjet një udhëzimi, janë përcaktouar qartë proçedurat dhe kushtet që duhet të plotësojnë personat fizikë dhe juridikë, që përfitojnë nga kjo falje, si dhe cilat masa administrative (gjoba) falen. Të gjitha këto, do të jenë të harmonizuara dhe të bazuara vetëm mbi bazën e konstatimeve abuzive dhe të kundraligjshme në vendosjen e gjobave ndaj biznesit dhe sipërmarrjes. Përfitojnë nga ky ligj të gjithë tatimpaguesit, persona fizikë dhe juridikë, të regjistruar në administratat tatimore, qendrore dhe vendore, dhe që janë debitorë për detyrimet tatimore të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji.

 

Çfarë parashikon neni 3 për faljen e gjobave?

Sipas ligjit falen gjobat e vendosura si pjesë e detyrimit  tatimor, që janë të evidentuara sipas datës së nxjerrjes së njoftim-vlerësimit (akti administrativ) ose të kontabilizuara në regjistrat e administratave tatimore, qendrore dhe vendore, gjatë periudhës 1 mars deri më 31 gusht 2013, ndaj tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar në administratat tatimore. Gjithashtu falen gjobat e vendosura, që janë evidentuar sipas pikës 1, të këtij neni, të cilat, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ankimuar dhe janë në proces ankimi administrativ apo në proces gjyqësor. Të gjithë tatimpaguesit që janë dënuar me gjobë administrative për punonjës të padeklaruar apo të deklaruar me vonesë, për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo moslëshim të kuponit tatimor ose moslëshim të biletave, u falen shumat e gjobave të vendosura.

 

Kush përjashtohet nga falja?

Përjashtohen nga falja e çdo dënimi administrativ (gjobës), të përcaktuar sipas nenit 3 të këtij ligji, masa e tatimit dhe kamatëvonesat. Po kështu sipas ligjit përjashtohen nga falja gjobat e parashikuara në nenin 3, të këtij ligji, të cilat janë të llogaritura dhe të regjistruara automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve, për shkak të shkeljeve të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Si do të bëhet rimbursimi i gjobave të paguara?

Subjekteve që kanë bërë pagesat e gjobave, të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji, u rimbursohen në masën 100 për qind shumat e paguara të gjobave, sipas radhës së datës së pagesës së bërë. Procedura e shuarjes së detyrimeve të falura nga ky ligj parashikon që brenda 5 muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administratat tatimore, qendrore dhe vendore, fshijnë dënimet administrative, të falura sipas këtij ligji, dhe bëjnë pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e tyre. Lista e subjekteve përfituese dhe vlera e gjobave përkatëse publikohen brenda 5 muajve në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

 

 

Edlira Shehu May 19, 2014 09:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*