Në Reçin e famshëm: Të luftës dhe të gështenjave…

November 12, 2017 12:04

Në Reçin e famshëm: Të luftës dhe të gështenjave…

 

Zylyftar HOXHA

Një rast fatlum na çoi në mesin e vjeshtës së këtij viti në Reç të Shkrelit në Malësinë e Madhe. Organizohej në masivin me famë të gështenjave, në këtë monument natyror, të shpallur të tillë që në vitin 1974, “Dita e Agroturizmit në Parkun Rajonal Shkrel”, një festë që organizohet çdo vit këtu nga Ministria e Turizmit, e mbështetur edhe nga disa organizata dhe shoqata mjedisore vendase dhe të huaja.

Udhëtojmë drejt veriut me studentë e pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, specialistë të tjerë të lartë, si dhe përfaqësues të disa ministrive dhe të Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Udhëtimin na e bëri më të këndshëm prania e dy punonjësve shkencorë të Institutit të Resurseve Gjenetike pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës, profesorët, Fetah Elezi dhe Sokrat Jani, që, si dhe ne, mezi e kishin pritur këtë rast për punën dhe pasionin e tyre të përditshëm.

***

Aroma e luleve të bjeshkëve, që shihen në horizont pak më sipër, ndihet që këtu, në fushë të Koplikut, ku fermerët e kësaj zone, tradicionalisht punëtorë e mendjemprehtë, kanë “sjellë” në një farë mënyre malin në fushë. Plantacione të tëra të mbjella me sherebel, lavandro, çaj mali, rigoni, mendërze shtrihen në të dy anët e rrugës që të çon drejt bjeshkëve të Shkrelit dhe të Thethit.

Ndërsa autobusi çan drejt verilindjes, dikush mes këtij gjelbërimi të plumbtë sherebeli tregon një gërmadhë. Çudi dhe ironi fati, ky paska qenë Instituti i Bimëve Medicinale dhe Etero-vajore, para viteve ’90 të shekullit të kaluar, mbi të cilin, si duket, paska vepruar ligji i mohimit të mohimit i filozofisë materialiste. Trupi nga e cila “doli brinja” që mbushi gjithë këtë hapësirë, dergjet i braktisur, i rrënuar, i përçudnuar në mënyrën më të keqe!…

Por çuditë shqiptare, si kudo edhe këtu, në Malësinë e Madhe, nuk kanë të sosur. Pikërisht aty ku mbaron fusha dhe fillon mali me dy këmbëza shkëmbore, që shërbejnë si direkë të një porte e cila të fut në Alpe, aty ku duhet të ishte një tabelë e madhe me mbishkrimin “Wellkome to Alpe” (Miësevini në Alpe), në një sipërfaqe prej disa hektarësh, është ndërtuar me ndihmën e Komunitetit Evropian(!) një burg i sigurisë së lartë (burg VIP-ash, thonë)!…

Edhe ta kërkosh me qiri shëmtinë dhe ironinë, vështirë se do t’i binte të ishin pikërisht këtu, në portën e parajsës natyrore shqiptare, në të cilën mund të ishte një simbolikë tjetër frymëzuese, optimiste, e gëzueshme, e jo një burg, qoftë edhe VIP!…

Ëë, do të thosha, hallall dhe ta gëzojmë këtë burg, nëse në të do të futeshin aty ata që e kanë hak dhe që ende sot qëndrojnë atje lartë duke vazhduar, pa iu dridhur dora, të hedhin firma për marrëzi të tilla!…

***

S’kalon shumë, dhe punë minutash, gjendemi në qendër të fshatit të Reçit, në një pyll me gështenja gjigante, mes të cilit ishin ndërtuar dy bujtina, shikojmë mjaft makina të ardhura nga gjithandej, por, më të shumtat, nga Shkodra. Në një shesh më sipër, në një radhë çadrash dhe tavolinash, fermerët e zonës, prezantonin prodhimet e tyre: fruta, bulmetra, gështenja, produkte të konservuara etj. Ndërsa në një kënd të tjetër të sheshit ishin ndërtuar bokse brënda të cilave gjeje dele, dhi, cjep…

Aty pranë, një burrë i ngadaltë, bisedonte e bisedonte me pronarët e atyre kafshëve. E quanin Atif Dema, profesor i vjetër. Gati në lutje, ai u thoshte fermerëve t’i ruajnë racat autoktone që janë drejt zhdukjes: Delen Shkodrane, Dhinë e Kallmetit, Caporen e Dragobisë, Dhinë e Hasit, Delen Bardhoke të Alpeve etj.

Në kohën e kufizuar që kemi deri sa të fillojë veprimtaria, bashkë më gazetarin e vjetër, Dhimitër Shtëmbari, “gjejmë një të çarë” dhe ngjitemi, përmes gështenjave, në një majë të një kodre aty pranë, ku befasohemi nga panorama që na del përpara: shtëpitë e rralla, arat që tani ishin kthyer në livadhe, vreshtat dhe gardhet ornamentalë me petavra (drurë të çarë me sëpatë), ndërsa sipër fshatit shtrihej masivi tjetër i gështenjave, më i madh se sa ky ku jemi vendosur ne.

Reçi ka një masiv prej 450 ha, me mbi 30 mijë rrënjë gështenja. Ai kufizohet nga veriu me Kelmendin, nga lindja – me Pultin, nga jugu – me Gruemirën dhe, pjesërisht, me Koplikun dhe nga perëndimi – me Kastratin e Koplikun. Me “krahët” e shtrirë në tërë zonën, është një zbutje mes fushës poshtë dhe Alpeve lartë.

Në Reç ka një larmi të madhe gjenesh, speciesh, ekosistemesh e peizazhesh. Në këtë zonë kultivohet rrushi, molla, qershia, domatja, gështenja, misri, sherbela, lavandula, sallata, frutat e egër, thana, kumbulla e malit, trëndafili i egër etj.

Për turistë, veç pyllit të gështenjave, ka shpella, ka kala të vogla, si dhe vende që tregojnë kulturën e hershme të zonës. Psh, kalaja e Qafë – Gradës i përket periudhës së Bizantit. Këtu gjendet edhe Kalaja e Balshajve apo ajo e Ballçit, kjo e fundit ka rënë fill mbas asaj të Drishtit, 5 – 6 javë më pas, sipas Marin Barletit. “Shpella e Bogdanit” edhe sot vizitohet, dhe pse gjendet paksa larg.

Është kjo arsyeja që Ndoc Rustemaj, një studiues shumë i pasionuar i shpellave, po në këtë ditë kishte marrë me vete disa studentë dhe ishte nisur të vizitonte Shpellën e Pllumbave.

Aktualisht zona ka filluar të frekuentohet nga të huajt, pasi ka interes për bukuritë dhe pasuritë e Reçit, përsëri, turizmi këtu është ende në fillimet e tij.

Por Reçi ka edhe një problem tjetër, që duhet të interesohet veçanërisht qeveria shqiptare, duke patur gështenjën si pasuri kryesore, duhen investime dhe subvencione nga shteti në këtë fshat. Dhe jo vetëm për prodhimin, por edhe për tregtimin dhe përpunimin, pasi e gjithë sasia e gështenjave ikën jashtë, në Itali. Sa mirë do të qe sikur këtu të mund të ndërtoheshin objekte të ndryshme industriale, që të mund ta përpunonin me cikël të mbyllur gështenjën e mrekullueshme të Reçit.

“Agroturizmi ka të veçantën që fshihet te çdo pemë, bimë e kafshë, te ajo e veçantë që nuk gjendet në asnjë fshat apo zonë tjetër. Mbrojeni virgjërinë e pemëve dhe të kafshëve tuaja, që të mos deformohen kultivarët e racat, sepse kështu do të mund të arrini atje ku synon edhe ky aktivitet” – ishte thirrja, që, me të drejtë, bënë organizatorët në fund të veprimtarisë.

 

Lufta e Reçit

Nuk ka shqiptar edhe me njohuri minimale, të mos i ketë zënë veshi Luftën e Reçit. Është një nga përpjekjet më të mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, një luftë popullore, me pjesëmarrjen e gjithë krahinës, pavarësisht bindjeve e drejtimeve politike. Ja si përshkruhet kjo luftë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botimi 2008:

Lufta e Reçit (30-31. 08. 1943). Përpjekje e ashpër me armë kundër forcave pushtuese italiane në qarkun Shkodrës. Fashistët italianë për të spastruar zonën e Mbishkodrës, ku rritej e forcohej ndikimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndërmorën një operacion luftarak me rreth 1200 ushtarë, të përforcuar me artileri dhe të mbështetur me aviacion. Mësymja armike filloi mëngjesin 30 gushtit. Përballë armikut ndodheshin forcat e çetës së parë (të Reçit) të batalionit partizan “Perlat Rexhepi”, që kishin zënë qysh më përpara pozicion sundues, duke formuar një farë “xhepi” me maskim mjaftë të mirë. Në veprimet luftarake kundër forcave fashiste morën pjesë edhe disa nacionaliste të qarkut. Luftime të ashpra u zhvilluan në të gjithë frontin, por veçanërisht në qafën e Zhbarrit, ku raporti i forcave ishte mjaft i madh në favor të armikut. Me ardhjen e çetës së dytë nga Grizha, me një kundërsulm në dy drejtime, forcat italiane u tërhoqën në fushën ePostopojës. Në ditën e dytë forcat partizane ato nacionaliste dhe fshatarët e zonës, të ndihmuara edhe nga forcat partizane të Mirditës kaluan në sulm të befasishëm kundër armikut përballë, në krahë dhe në shpinë, duke e detyruara të tërhiqej për në Shkodër. Armiku la në fushën luftimeve rreth 114 të vrarë e të plagosur dhe mjaft materiale luftarake. Nga forcat partizane ranë dy dëshmorë dhe dy partizanë u plagosën. Thyerja e forcave italiane në Reç forcoi besimin popullit të zonës dhe të gjithë Veriut në luftën kundër fashistëve. Edhe sot, jo vetëm ata që sakrifikuan, por të gjithë reçianët kanë një krenari të ligjshme për këtë ngjarje. Kjo pasi ishte i vetmi fshat në Shqipëri që në mënyrë të ndërgjegjshme, pa u organizuar nga forcat pjesëmarrëse në luftë, u vetorganizua dhe bëri luftë me një fuqi të madhe, pa marrë parasysh rrezikun.

Vjeshtë gështenjash në Reç

Vjela e tyre sapo ka mbaruar dhe gjethet kanë marrë ngjyrën karakteristike të vjeshtës, një vjeshtë gështenjash që nuk e përfytyron dot po nuk e pe vetë me sy. Gështenja është një frut sa simbolik aq edhe identifikues për Reçin. Po t’i vësh re me kujdes në biseda, reçianët, duket se ndihen krenarë, madje edhe mburren për këtë bukuri dhe për këtë pasuri që u ka falur natyra.

Nuk dihet se sa i vjetër është pylli, por nga madhësia dhe trashësia e drurëve, duket se është qindravjeçar. Ka teza dhe hipoteza, shpesh edhe kontradiktore, për lashtësinë dhe origjinën e pyllit. Disa thonë se pylli është mbi 500-vjeçar. Madje kanë përcaktuar edhe një dru me diametër gati tre metra si më të moçmin, të cilit i kanë vënë edhe matrikullin si të tillë.

Një pjesë tjetër, studiues e banorë të Reçit, dalin me një version tjetër për moshën dhe origjinën e drurit legjendar, që duket se është më afër të së vërtetës. Se gështenja nuk është natyrale, por e kultivuar. Ky dru, sipas tyre, është mbjellë këtu 250 vjet më parë, e sjellë nga Kraja, një territor shqiptar që ndodhet përtej liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi, i njohur për kultivimin e gështenjës.

Kanë qenë krajanët që e kanë sjellë në Reç gështenjën 250 vjet më parë, madje sot akoma është në këmbë pema e parë e gështenjës së mbjellë, që jep 30-40 kg prodhim (bëhet fjalë për atë që folëm më lartë, që thuhet se është 500-vjeçare).

Gështenja siguron të ardhurat kryesore për banorët Reçit, ku prodhohen rreth 600 – 700 tonë gështenjë çdo vit. E gjitha për eksport, ku një kilogram shitet me 1 euro, një çmim i kënaqshëm, kur blerësi të vjen e ta merr në derë të shtëpisë.

Pas gështenjës, në Reç vjen rrushi, sherbela dhe blegtoria. Akoma nuk ka hyrë turizmi, resurset për të cilin Reçi i ka me shumicë. Mbi të gjitha banorët e këtij fshati kanë një pritje të ëmbël, një dashuri dhe bujari karakteristike që vetëm ata dinë ta japin.

November 12, 2017 12:04
Komento

1 Koment

  1. DhShtembari November 12, 19:25

    Reportazh shume i kendshem, me plot informacion dhe me mjaft mesazhe. I shkruar me gjuhe letrare, reportazhi lexohet me shume kenaqesi. Urime, i dashur Zylyftar!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*