“Ne, Rusia dhe NATO”, Shaban Murati: Një paralajmërim për Tiranën zyrtare që të mos gjendet para të papriturave të reja të pakëndshme, që mund të sjellë qeveria e Krivokapiçit në Malin e Zi

April 7, 2021 13:21

“Ne, Rusia dhe NATO”, Shaban Murati: Një paralajmërim për Tiranën zyrtare që të mos gjendet para të papriturave të reja të pakëndshme, që mund të sjellë qeveria e Krivokapiçit në Malin e Zi

Shaban Murati

Botuar në Dita

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, as para hyrjes së Malit të Zi në NATO dhe as pas hyrjes së tij në NATO, që qeveria e shtetit të pavarur të Malit të Zi të dilte me një platformë zyrtare kundër Aleancës Atlantike. E bëri për herë të parë me një deklaratë zyrtare kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, i cili në 24 mars 2021 publikoi një deklaratë të stërgjatë në faqen zyrtare të qeverisë malazeze, ku dënon ndërhyrjen humanitare të Aleancës Atlantike në Serbi në 24 mars 1999, ndërhyrje që ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik të ndërmarrë nga Serbia e kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviç kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Kryeministri i Malit të Zi shpalos një platformë emotive antiatlantike, që përsërit qëndrimet dhe politikën zyrtare të Beogradit, i cili nuk e ka dënuar asnjëherë politikën kriminale të Millosheviçit, përkundrazi e vlerëson dhe e nderon atë sot e kësaj dite. Kryeministri i Malit të Zi zbaton protokollin e zi shtetëror të Serbisë, e cila ka krijuar një “Ditë anti-NATO”, të cilën e celebron zyrtarisht çdo vit me qëllimin për të fshehur krimet makabre dhe masakrat e Serbisë ndaj popujve joserbë dhe për të nxitur urrejtje ndaj NATO-s dhe Perëndimit. Ndaj Krivokapiç hartoi një deklaratë të stërgjatë proserbe dhe anti-atlantike në “Ditën anti-NATO” të caktuar nga Serbia dhe që kryeministri i Malit të Zi e quajti ditë zie.

Njësoj si gjitha qeveritë dhe forcat ultranacionaliste serbe, Krivokapiç sulmon dhe akuzon NATO-n për ndërhyrjen e 24 marsi 1999 në Serbi, dhe me një demagogji tipike deklaron se “si kryeministër, të cilit i dhembin plagët e racës sime, unë përulem para viktimave të pafajshme”. E shkruar me gjuhën e urrejtjes personale dhe politike ndaj Aleancës Atlantike deklarata shpall se ajo që ndërmori NATO as mund të korrigjohet dhe as nuk ka ngushëllim. Kryeministri i Malit të Zi shprehet se nuk i interesojnë arsyet përse aleanca atlantike e 19 shteteve demokratike të botës ndërmori ndërhyrjen humanitare në Serbi: “Sot unë nuk përmend arsyet ose qëllimet, që paraprinë këtë tragjedi, është e tepërt të flasim rreth kësaj kur ne qëndrojmë sot mbi varre”.

Faqja e parë e Dita 07/04/2021

Politika dhe qëllimi zyrtar dhe personal i kryeministrit të Malit të Zi është që të revizionojë historinë moderne të Serbisë dhe të paraqesë NATO-n si agresor dhe Serbinë e Millosheviçit si viktimë. Ai arrin deri atje sa që deklaron: “Në 22 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ne kujtojmë dhe përmendim emrat e  viktimave heroike të 1999”. Kemi një apologji skandaloze të forcave ushtarake dhe policore serbe, që pësuan humbje nga bombardimet e NATO-s dhe u detyruan të ndalojnë agresionin dhe gjenocidin dhe të largohen me turp nga territori i Kosovës së çliruar.

Kulmi i urrejtjes dhe i deformimit historik dhe mental të kryeministrit të Malit të Zi arrin kur ai krahason ndërhyrjet e NATO-s në vitin 1999 kundër agresionit serb me bombardimet naziste gjatë luftës së dytë botërore.

Nuk do të kishte asgjë për t’u habitur që ky politikan filoserb, që ndjehet nacionalist serb, të bënte deklarata të tilla të turpshme dhe të flasë njësoj si Shesheli, Vuçiçi, Dodiku apo Daçiçi të Serbisë. Ajo që përbën skandal politik dhe zyrtar është fakti që Krivokapiç është kryeministër i një shteti anëtar të NATO-s. Platforma anti-NATO, që ai paraqet, nuk është thjeshtë parashtrimi i pikëpamjeve dhe qëndrimeve personale dhe politike të tij. Ajo është portreti i një politike dhe i një qeverie. Ajo është një paralajmërim i madh dhe një dyshim i madh për kursin e ardhshëm dhe për marrëdhëniet e mëtejshme të këtij shteti të vogël ndaj NATO-s.

Politika armiqësore ndaj NATO-s nga qeveria e re e Malit të Zi, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 30 gushtit 2020, pritej. Ndryshimi i qeverisë në Mal të Zi erdhi si rezultat i një operacioni të inxhinjeringut elektoral të përgatitur nga Serbia dhe Rusia për vite me radhë për të sjellë në pushtet në Podgoricë një qeveri proserbe dhe proruse dhe njëkohësisht anti-atlantike dhe anti-perëndimore.

Ndaj kemi sot në fuqi në Podgoricë qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiç, e formuar nga forcat politike proserbe dhe proruse. Tani këto forca qeveritare dhe zyrtare janë përpara faktit të kryer që Mali i Zi është anëtar i NATO-s qysh nga viti 2017. Por duket se operacioni i madh serbo-rus tashmë ka kaluar në fazën e dytë apo në detyrën e dytë për të transformuar Malin e Zi në një shtet anti-NATO brenda NATO-s. Platforma e gjatë anti-atlantike, që parashtroi kryeministri i Malit të Zi në ditën serbe të anti-NATO-s, evidenton një kurs zyrtar të qeverisë së re për të devijuar nga politika atlantike dhe për të reduktuar anëtarësimin në NATO në një formalitet burokratik.

Nuk është rastësi që platforma dhe veprimi anti-atlantik i kryeministrit të Malit të Zi, Krivokapiç, u përshëndetën menjëherë me entuziazëm nga autoritetet ruse. Agjencia zyrtare ruse e lajmeve “RIA Novosti” në 24 mars përshëndeti deklaratën me shkrim të kryeministrit në kujtim të viktimave të bombardimit të NATO-s në 1999 “ gjë që qeveritë e mëparshme të vendit me në krye Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviç nuk e kanë bërë gjatë shumë viteve”. Agjencia zyrtare ruse thekson me këtë rast se qysh kur Mali i Zi shpalli pavarësinë me referendumin e vitit 2006, vetëm partitë opozitare proserbe e kanë përkujtuar 24 marsin. Tani këto parti opozitare proserbe janë në pushtet dhe “dita anti-NATO” e Serbisë bëhet “ditë anti-NATO” e Malit të Zi, gjë që krijon paradoks, sepse është shtet anëtar i NATO-s.

Është një zhvillim negativ, jo i rastësishëm, sepse sinjalizon një kurs ndryshimesh rrënjësore në politikën e jashtme të Malit të Zi, me prirjen e largimit nga Aleanca Atlantike, të cilën qeveria e sheh si armike, dhe prirjen e afrimit dhe lidhjes së ngushtë me Serbinë dhe me Rusinë, dy shtete zyrtarisht anti-atlantike dhe anti-perëndimore.

Për linjën e ndryshimeve anti-atlantike dhe anti-perëndimore të qeverisë paralajmëron e gjithë klima politike, që po krijohet nga qeveria e Krivokapiçit në shtetin e anëtar të NATO-s për të revizionuar historinë e Serbisë, të ish-Jugosllavisë dhe të Ballkanit sipas qëndrimeve dhe interesave të historiografisë dhe të politikës serbe. Nuk duket rastësi që në datën 29 mars ministri i drejtësisë i qeverisë së re të Malit të Zi, Vladimir Leposaviç, doli në parlament me deklaratën skandaloze që vinte në dyshim gjenocidin e Srebrenicës të korrikut 1995 dhe kritikoi Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se ka qenë e “njëanshme” kur e ka shpallur verdiktin e saj për këtë gjenocid. Mohimi i gjenocidit serb në Srebrenicë në parlament nga një ministër i rëndësishëm i qeverisë së Krivokapiçit shungulloi si kambanë alarmi  në mbarë botën diplomatike edhe demokratike. Ministri i qeverisë së Malit të Zi njësoj si qeveritarët e Serbisë dhe të “serpska republikës” mohonte realitetin tronditës të gjenocidit serb.  Një gjenocid për të cilin kanë dhënë verdiktin si të tillë dy gjykata ndërkombëtare, Gjykata e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Parlamenti Europian në vitin 2009 ka miratuar rezolutë të posaçme për gjenocidin serb në Srebrenicë. Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar rezolutë të posaçme në 10 korrik 2010 për gjenocidin serb në Srebrenicë. Por ministri i drejtësisë i Malit të Zi nuk përfill vendimet e institucioneve juridike  ndërkombëtare dhe vë në dyshim gjenocidin serb të Srebrenicës.

Nuk habit deklarata e ministrit si një politikan ultraserb, që ka qenë dora e djathtë juridike e Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi dhe e peshkopit antimalazez dhe antishqiptar Amfilohije. Në fakt ai reflekton mendimin e brendshëm të qeverisë së re. Kryetari i bashkisë së Podgoricës, Ivan Vukoviç, deklaroi me këtë rast se “kryeministri Krivokapiç ka të njëjtin opinion si ministri i drejtësisë”. Madje qeveria e Krivokapiçit e mori në mbrojtje qëndrimin e ministrit të saj të drejtësisë kur në deklaratën e saj të posaçme në 29 mars deklaron se “qeveria e Malit të Zi nuk don dhe nuk mund të ndryshojë vendimet e Gjykatave Ndërkombëtare, por nuk i deklaron disa kombe si gjenocidialë e disa si të shenjtë”.  Në dhjetor të vitit 2020 partia boshnjake në Mal të Zi propozoi një rezolutë parlamentare, e cila njeh Srebrenicën si gjenocid, por shumica qeveritare e kryeministrit Krivokapiç votoi kundër kësaj rezolute.

Në parlament ministri i qeverisë sfidoi qeveritë demokratike të botës dhe opinionin demokratik dhe publik, sfidoi dhe institucionet juridike ndërkombëtare. Ndaj pati dënim të fuqishëm nga Komiteti amerikan i Helsinkit, nga ambasada e SHBA dhe e Britanisë së Madhe në Podgoricë, nga zëdhënësja e Komisionit Europian të BE, nga qindra organizata dhe shoqata rajonale e ndërkombëtare. Demaskimi ndërkombëtar e vuri në pozitë diskredituese kryeministrin Krivokapiç, dhe ai u detyrua që në 5 prill t’i propozonte parlamentit shkarkimin e ministrit të drejtësisë.

Në zbatim të vijës së restaurimit të influencës dhe të politikës proruse e proserbe qeveria e re e Malit të Zi urdhërori revizionimin e vendimeve gjyqësore ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të grushtit të shtetit të dështuar të 16 tetorit 2016, kur shërbimi sekret rus dhe serb u përpoqën që të rrëzojnë qeverinë e ligjshme në Podgoricë dhe të pengojnë anëtarësimin e  vendit në NATO. Tani organet gjyqësore po ndryshojnë proceset gjyqësore dhe vendimet gjyqësore për të  nxjerrë të pafajshëm spiunët e shërbimit të fshehtë ushtarak rus dhe të shërbimit sekret serb, që u dënuan nga procese gjyqësore të rregullta dhe të hapura. Për ironi anti-atlantike, një nga pjesëmarrësit kryesorë në përpjekjen për grusht shteti dhe i dënuar për këtë gjë nga gjykata malazeze në vitin 2017, politikani ultranacionalist serb Milan Knezheviç është sot i emëruar nga shumica qeveritare si kryetar i komisionit parlamentar të sigurisë dhe mbrojtjes.

Klima e re anti-atlantike, proserbe dhe proruse e qeverisë së re të Malit të Zi meriton një ndjekje me vëmendje të veçantë të zhvillimeve në atë shtet, për të mos u gjendur para të papriturave të reja të pakëndshme, që mund të sjellë qeveria e Krivokapiçit. Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s, ku është edhe Shqipëria anëtare. Është edhe shtet fqinj me Shqipërinë. Çdo devijim i Malit të Zi nga kursi dhe nga interesat atlantike dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe interesat jetike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndaj për platformën e turpshme antishqiptare të kryeministrit të Malit të Zi kundër ndërhyrjes së NATO-s në Serbi në vitin 1999 duhet të kishin reaguar edhe NATO, edhe Shqipëria, edhe Kosova.

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

April 7, 2021 13:21
Komento

16 Komente

  1. koment nr 1a April 7, 13:49

    zoti Shaban
    Komentshkruesi eshte i lodhur qe nga koha juaj e pare kur NE lindoret “luftuam me WESTIN”
    .
    Dhe tani ne kohen e dyte tuajen po luftoni “me trimeri” si WEST-MEN kunder Lindoreve..
    .
    Bej pak pushim i nderuari Shaban dhe lexo keto rrjeshta bashke me ato qe te japin honorare.
    .
    Rusia dhe Amerika jane te denuara qe te mos fillojne luften ndak njera -tjetres qe nga viti 1945 i Hiroshimes se fo filloi lufta Amerike-Rusi do fillojne perseri evolucjonet e Darvinit ose Adami me Even
    .
    Pra keto thirrjet tuaja atdhetare jane fallco
    .
    Jane fallco sepse vetem tolerimi qe po i ben Euroatllantiku juntes kriminale biberishiste eshte sherbimi me i mire qe i behet Putinit
    .
    Nuk po vazhdoj me tej se kam dyshim se ky koment nuk do botohet ashtu si nje me pare ku permendja
    “kitaren me nje tel” qe i binte dikur zoti Murati
    .
    Vetem nje fakt te vockel:
    Ky artikull shumezohet me zero nga Visha Ajazi ambasadori i Shqiperise ne Nato ku do permendja “ollgen ruse” te tij nga Kanadaja.
    (vijon)

    Reply to this comment
  2. Koloneli April 7, 14:11

    Jam dakort Shabe,qendrim i ngjashem si dy pika uji I Serbise me Kosovan.

    Reply to this comment
    • boll, me keto obsesione lunatiku, se u bere i pa durueshem . April 7, 15:03

      degjo or’ sperma e “muratovo ftora”; as te mos shkoje ndermend, qe futja ne nato, “lufta e kosoves”, shpallja “vella” e turkut te azise, kthimi i prones “ish pronareve” lufte Kombesh e Blloqesh, etj. etj. te kesaj natyre, kane qene e jane aspiratat e popullit shqipetar .
      thjesht komunizmin, e barazise humane, me “prone te perbashket”, donim t’a zevendesonim me barazi te prones private, te kontrolluar nga shteti, siç mendonim se ishte dhe duhej te ishte ne vendet e europes se..bashkuar . nese ne vendet “demokratike” perendimore, ligjin e Barazise se prones, e zevendeson “PERVETESIMI i Mbivleres”
      krijuar prej forcave prodhuese (KLASES Punetore) nga “sipermaresit” Oligarke (duke paguar nje takse te sheshte QESHARAKE), atehere, kot e hodhem poshte komunizmin dhe pranojme kete situate, ku Derrit i thuhet …Daje .

      Reply to this comment
  3. !!! April 7, 14:29

    « Ndaj për platformën e turpshme antishqiptare të kryeministrit të Malit të Zi kundër ndërhyrjes së NATO-s në Serbi në vitin 1999 duhet të kishin reaguar edhe NATO, edhe Shqipëria, edhe Kosova. » Natyrisht që duhej reaguar. Ky është një skandal diplomatik që nuk mund të kalohet në heshtje. Të mbrosh krimet e Milosheviçit sot, i ke thënë të gjitha dhe nuk ka vënd për diskutim. Ndoshta është me vënd që ky Kryeministër të përgjigjet për krimet e Milosheviçit, meqënëse Milosheviçi vrau veten në burg.

    Reply to this comment
  4. Paul Tedeschini April 7, 15:12

    Duke lexu kete shkrim, kam ndjenjen se po lexoj nji artikull tek gazeta e dikurshme ZERI I POPULLIT, ku VIZIONI MENDOR ishte i ngushte sa bota e asaj kohe MENDJEVOGEL dhe te mbyllur mbrenda vehtes, per nji popull injorant te izoluem hermetikisht.

    Po si thua zotrrote se NATO varet apo influencohet nga politikat e Malit te Zi dhe e Serbise, qofshin keto vegla te Putinit !!!

    Po si thua zotrrote se qeveria e Tiranes, dje, sot apo neser do te kete kompetence te mbaj nji polotike te pamvarun, aqe ma teper qe vete Shqiperia asht antare e NATO-s !!!

    Mos u lodh kot me shkru shkrime te gjata dhe kote.

    Reply to this comment
    • nuk donit te hanit bar bio... April 7, 15:36

      zoti PT

      nga rreth 1 miljon komente qe ke bere vetem ky i sotmi eshte i sakti.
      .
      duhet te zgjidhni

      o ne bordellon demokratike pa pamvaresi sovranitet dinjitet mbrojte sherbime inteligjente..etj

      ose duhet te vlersoni kohen e Enverit qe ishin keto me siper funksionale por me rrip te shternguar

      Reply to this comment
  5. Tani April 7, 16:10

    Paúl Tedeschini ti si Shkodran je Shqiptar apo ndjehesh malazez se shumë nga rraca juaj duartrokitën kur ju pushtoi Mali i zi them se ti duhet të jesh ai fis i pabesë që duartrokitën pushtuesit serb e malazez .Ju jeni fatkeqësia e Shqipërisë u shoft fara e tradhtarëve té Shqipërisë

    Reply to this comment
  6. kam kohe April 7, 17:49

    Mos prit nga Rama asnje deklarate kunder Malit te Zi
    Rama mund te grumbulloje nje thes me fjale pa kuptim, sic eshte shprehja e tije e fameshme “Nuk jam politikan” dhe idiotizma te tjera te tmerreshme qe e bejne Ramen EUFEMI si “KTASTROFE”,por asnje fjale kunder armiqeve te shqiptarevedhe kosovareve

    Reply to this comment
    • kam Fazllicin mik shtepie....o qorra ! April 7, 19:53

      kam kohe …

      me kujtove ME NER ME THON sali berishin kur ne parlament deklaroi kur e vune per shpatulla per muri per fazllicin

      PO FAZLLICIN E KAM MIK SHTEPIE.DONI TA SJELL PER KAFE NE PARLAMENT….

      cfare do me teper o KK

      OSE ilir muten ne 7 korrik 2008 deklarate e regjistruar

      Kam dokumente autentike te SERBERISHA eshte agjent i udb sateme..cfare do me teper qe ke kohe te hash tum

      Reply to this comment
  7. miri April 8, 08:08

    PO LERENI SHABEN TE BEJE NDONJE LEK ME KETA ARTIKUJ QE SHKRUAN ME POROSI EDHE AI DO TE HAJE NDONJE LLOKME.
    FAKE NEWS

    Reply to this comment
  8. Pano Hallko April 8, 22:27

    PËRGËZIME, AMBASADOR I SHQUAR!
    Kjo analizë e radhës, vjen për të hedhur dritë mbi një skutë të errët, në gjitoninë tonë të afërt. E për këtë, meriton edhe vëmendje të veçantë.
    Kryeministri i ngrehinës që quhet Mali i zi, nuk fsheh asgjë në qëndrimin e tij shoven, e antiperëndim.
    Nato-s i duhet të ketë gjurmën e saj atje, pasi i njeh mirë sllavët.
    Është në nderin e autorit, që ai ka si emërues të përbashkët të të gjithë veprës së tij gazetareske dhe diplomatike, Interesin Kombëtar.
    Prandaj, sa u takon kritizerëve gojëndyrë që marrin pozat e “analistëve” këtu, kam vetëm një fjali:
    Hapni zotërinj, shtypin e para viteve `90-të dhe lexoni analizat e Profesor Shaban Muratit. Dhe do të vërtetoni se si atëherë, edhe tani, analizat e tij kanë në themelin e tyre Interesin Kombëtar.

    Reply to this comment
  9. Boss April 9, 04:10

    Qeveria e Malit te Zi u rrezua per korrupsiin sepse Kryeministri kishte 30Vjet ne Pushtet dhe i lidhur me krimin e organizuar dge gjithashtu goditi Kishen Ortodokse dhe lejoj Paradat Gay. Malazezet kane burra dhe jo legens dhe servila qe dhee tanga po dalin sepse ju thote Amerika

    Reply to this comment
  10. kritizeri gojëndyrë April 9, 14:33

    Zoti Pano

    Keto analistet e kualifikuar mire se Murati jane si ato futbollistet elitare qe kunder pagesave luajne ne klube qe paguajne mire edhe pse kundershtare

    Edhe zoti Shaban ne kete rast nuk duhet ti nxjerre karto te kuq Rames per rastin e Malit e Zi ne nje kohe qe per tradhetari i detit Jon Spiuni dhe killeri Lul Basha po behet gati pr portofolim e K.M ka leshuar ca blegerima
    .
    E fundit
    Nese mendoni qe politika e jashtme shqiptare eshte ne dore te Dildove B.R.M.B ndjej keqardhje….Pamvaresi dhe sovranitet ka pasur ne kohen e E.H per te cilen Shabani duhet pergezuar per atehere..

    Lexo nje koment te Gjergj Frasherit qe te dukesh ti Pano me Shaben lilipute per politiken e jashtme shqiptare qe nuk varet nga shqiptaret si ne kohen e Muratit dyte

    Reply to this comment
    • kritizeri gojëndyrë April 9, 14:56

      Zoti Pano

      ju lutem lexoni keto rrjeshta me poshte dhe mos replikoni nese nuk e kuptoni..

      (Sekuenca nga Gjergj Kristo Frasheri drejtuar Shaban Muratit para pak ditesh)

      Qoftë i Fejuari i sotëm, qoftë i Dashuri i rinisë së hershme duhet të mos harrojnë se përmes shtëpisë së vendit të Afërditës së tyre – në Mbretërinë e dikurshme Ilire të shqiptarëve – kalon rruga më e vjetër e botës, autostrada e përjetëshme e ushtrive më të mëdha perandorake të historisë botërore të Dheut, të djeshmes, të sotmes dhe asaj të nesërmes, të Perëndimit dhe të Lindjes.

      Të mos harrojnë, se dashnores së rinisë apo të fejuarës së sotme, i duhet t’i presë dhe t’i përcjellë të Dy kur shkelin në Rrugën e saj, pra ata në çdo rast duhet të mbeten miq në mirësjellje të qytetërimit bashkëkohor – që Ajo të jetë një proamerikane e përkushtuar dhe jo patjetër t’i urrejë rusët.

      Reply to this comment
      • Pano Hallko April 9, 22:44

        Nuk do te replikoj, por jo se nuk e kuptoj.
        1-Nuk replikoj, me njerez anonime. Une kam emer dhe mbiemer.
        2-Fakti se mund te jete dikush i biri i Kristo Frasherit, nuk thote gje, vetvetiu. Sepse edhe Mitati, i biri i Abdylit ishte…
        Per keto arsye, nuk ia vlen te replikoj.
        Respekte!

        Reply to this comment
        • kritizeri gojëndyrë April 10, 02:10

          1-Pano gabohesh te anonimati…nese 95% e komentuesve jane me “nick name” jeni ju jashte mode..megjithate nuk kam problem te shkruaj me emer orgjinal..
          .
          2.Me pelqeu sekuenca e Gjergjit jo pse eshte i biri Kristos por se ne ato rrjeshta lexojme historine e djeshme ,te sotme dhe te neserme..
          .
          Edhe Lul Basha djali i adaptuar i Berishes eshte por demet & krimet kombetare te tyre ja kane kaluar 100 here Krivokapicit te Shabes..

          Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim