“Në Shkodër, një muze i shkëlqyer, ne s’e kemi ende në Vjenë”

April 13, 2019 10:45

“Në Shkodër, një muze i shkëlqyer, ne s’e kemi ende në Vjenë”

Entela Resuli

Arti shqiptar po krijon gjithnjë e më tepër ura komunikimi me skenën europiane, megjithë vështirësitë e një vendi të vogël.

Pak ditë më parë, në Vjenë të Austrisë u mbajt Festivali i parë i videoartit, ku disa artistë shqiptarë prezantuan përpara publikut austriak artin multimedial, e përmes tij, Shqipërinë e dikurshme dhe atë të sotme.

Annemarie Türk, kuratore e këtij eventi, njëherazi promotore e artit bashkëkohor dhe letërsisë shqipe, rrëfen për “Dita” përpjekjet e artistëve shqiptarë për t’u ekspozuar në skenën artistike perëndimore.

Türk është kuratore e pavarur dhe këshilltare nga Austria, që për më shumë se 20 vjet ka punuar në KulturKontakt, që ka mbështetur dhjetëra artistë shqiptarë, por së fundmi, është edhe në thuajse çdo takim letrar në Panairin e Lajpcigut, në Gjermani, por edhe në një sërë takimesh letrare që mbahen në Austri e ku vitet e fundit janë ftuar disa autorë shqiptarë.

Ajo ndodhet këto ditë në Tiranë, bashkë me një grup prej 15 austriakësh, studentë dhe pedagogë, që kanë ardhur për të vizituar kryeqytetin në kuadër të një projekti kulturor.

-Për dy netë, 13 videoartistë shqiptarë i prezantuan publikut austriak artin e tyre në “Déjeneur avec Marubi”, që fokusohej tek Shqipëria e djeshme dhe e sotme. Emra si Anri Sala, Adrian Paci e artistë të tjerë, ekspozuan punët e tyre. A kishte interes nga publiku austriak?

Interesi i publikut ishte me të vërtet i lartë, kjo edhe sepse për të ishte diçka ekzotike, pasi videot shqiptare nuk kanë qenë asnjëherë të prezantuara në një format të tillë. Artistët shqiptarë (S. Agostini, D. Cina, E. Martini, V. Murataj, A. Paci, L. Qylafi, A. Ramaj, A. Sala, E. Teli, E. Zaloshnja, D. Zeneli, F. Zguro), patën mundësinë për t’u prezantuar në një nga muzeumet më të mira të artit bashkëkohor austriak. Publiku i pranishëm, pak dinte për artin bashkëkohor shqiptar, por reagimi dhe komentet ishin mjaft pozitive.

Përveç punëve artistike, të pranishmit pëlqyen së tepërmi edhe diskutimet me artistët, pasi përmes tyre mësuan më tepër mbi Shqipërinë dhe morën informacione që nuk i kishin më parë.

-Çfarë komunikonin videot artistike, për të kuptuar përmes kësaj pyetjeje edhe se nga se frymëzohen artistët bashkëkohorë shqiptarë?

Gjatë atyre ditëve kishim disa sesione. Blloku i parë i videove fokusohej tek historia, ku publiku u njoh me periudhën e regjimit komunist. Ky ishte një prezantim për të kuptuar se çfarë ndodhi në Shqipëri gjatë asaj kohe, pasi vendi juaj ishte aq i izoluar sa askush në Europën perëndimore nuk mundi ta kuptonte se çfarë po ndodhte në të vërtet aty. Dhe për të kuptuar të tashmen, duhet patjetër të njohësh edhe të shkuarën. Një sesion tjetër iu dedikua videove të artisteve femra, më pas patëm dy sesione për periudhën e tranzicionit dhe vitet e para që pasuan, pra rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë. Blloku i fundit ishte për ditët e sotme, ku theksoheshin problemet sociale, ajo çfarë ndodh tani.

-Ju njihni artistë dhe shkrimtarë nga i gjithë Ballkani. Nëse mund të bëjmë një krahasim midis krijuesve shqiptarë dhe atyre nga vendet fqinje, çfarë ngjashmërish dhe ndryshimesh vini re tek temat e trajtuara?

Për fat të mirë, temat janë shumë të ndryshme mes artistëve ballkanas. Secili flet gjuhën e vet artistike dhe nuk ndjek vetëm trendet e artit europian. Ajo që vë re është që artistët e rinj që vijnë nga vendet e ndryshme të Ballkanit janë shumë të interesuar që të trajtojnë historinë përpara rënies së perdes së hekurt, për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur me vendet e tyre, për t’i kapërcyer diktaturat dhe po ashtu për të treguar se si mund të zhvillohen identitetet e tyre europiane nga e para. Nuk është se ata po bëhen europianë tani, ata kanë qenë gjithnjë europianë por gjatë diktaturës kanë qenë të izoluar dhe Europa i harroi disi.

-Duket sikur arti shqiptar po njihet gjithnjë e më tepër në Europën perëndimore. Sipas jush, është shtuar interesi i europianëve për Shqipërinë dhe artin tonë, apo artistët tanë po ia dalin t’i thyejnë kufijtë e të krijojnë më tepër ura komunikimi me skenën europiane?

Artistët shqiptarë janë me të vërtet shumë të zotë dhe me përvojë mjaftueshëm për të hedhur hapin dhe për t’u prezantuar në skenën europiane. Nga ana tjetër, duhet të them që skenat e artit të Europës perëndimore nuk janë dhe aq të hapura për artistët dhe veprat që vijnë nga Europa juglindore. Pra, jo aq të hapura. Ndoshta sepse ka padituri mbi gjallërinë dhe pasurinë e këtij arti. Ndoshta nuk është çështje paditurie, por më tepër, dembelizëm për të mos ardhur në Tiranë, në Shkup apo në Sarajevë, dhe për të mos mësuar mbi artin që lind aty. Gjithsesi, kjo është shumë e ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Për shembull, në vendet gjermano- folëse nuk është shumë e thjeshtë të botosh shkrimtarë shqiptarë në gjermanisht, ndryshe ndodh në Itali dhe Francë, ku letërsia shqipe mbërrin më tepër.

-Në perceptimin tuaj, apo qoftë edhe nga çfarë keni diskutuar me artistët shqiptarë, si mendoni, sa e vështirë është të bësh art në Shqipëri?

Padiskutim që nuk është e lehtë. Të jesh gjithnjë i stresuar dhe të përpiqesh për të mbijetuar duke ditur që veprat artistike nuk të mbajnë me bukë kjo është një sfidë jo e vogël. Ndaj, duhet treguar më shumë respekt ndaj artistëve dhe shkrimtarëve, në mënyrën se si ata e ndjekin karrierën dhe se si gjatë kësaj kohe angazhohen të merren me art. Edhe shtetet kanë një përgjegjësi mbi këtë çështje. Më duket që është e drejtë që të thuhet se shteti shqiptar nuk ka shumë fonde, të paktën jo sa vendet e Europës perëndimore, për t’i investuar ato para në art. Ndoshta s’ka aq para publike për artin, gjithsesi, unë nuk jam në gjendje ta them se sa para vihen në mbështetje të artit shqiptar, por mund të them me siguri që arti dhe kultura nuk mund t’i mbetet në dorë vetëm tregut të lirë.

Shteti dhe administrata publike duhet patjetër ta mbështesin artin. Gjithsesi, në Shqipëri shikoj herë pas here disa gjëra që vlejnë për t’u përgëzuar. Për shembull, në Shkodër është hapur një muze i shkëlqyer fotografie, që ne s’e kemi ende në Vjenë, ndonëse është diskutuar për krijimin e tij.

 -Le të fokusohemi më tepër tek letërsia. Ju jeni një ndër promotoret e letërsisë bashkëkohore shqipe, e ju kemi parë vitet e fundit në thuajse çdo takim letrar në panairin e Lajpcigut, apo gjetkë, në Austri. A mjaftojnë këto promovime që letërsia shqipe të njihet më tepër në Europë?

Pikë së pari, ekziston nevoja për ta bërë një gjë të tillë dhe kam bindjen që është e vlefshme që të realizohen këto aktivitete. Megjithëse, duhet shumë kohë që artistët dhe shkrimtarët shqiptarë të përfaqësohen me të vërtet tek publiku europian, nuk mund të pritet një sukses i menjëhershëm.

Është për t’u përgëzuar ajo që po bën Traduki, apo që e bënte në fillim edhe KulturKontakt. Mënyra që ka zgjedhur Traduki, duke mbështetur dhe përkrahur autorët, pra, është e shkëlqyer, mund të them që nuk mbetet alternativë tjetër përveç kësaj. E rëndësishme është që artistët shqiptarë po mbledhin gjithmonë e më tepër njerëz, në festivalet e filmave, nëpër ekspozita të ndryshme apo në panairet e njohur të librave. Është një proces i vazhdueshëm, i ngadaltë por që po vazhdon, ndaj, artistët këtu nuk duhet të dorëzohen, nevojitet shumë durim.

-Një problem i madh që lidhet me depërtimin e letërsisë shqipe tek lexuesi perëndimor mbetet përkthimi i dobët. A është ky një problem vetëm me gjuhën shqipe, një gjuhë e vogël, apo është problem edhe për shtetet e tjera europiane?

Ky është një problem ndoshta i të gjitha gjuhëve të vogla. Vendet gjermano-folëse nuk kanë përkthyes të mirëfilltë letrarë, megjithatë, më duhet të them që problem me përkthimin nuk kemi vetëm nga gjuha shqipe. Na ndodh t’i shohim probleme të tilla edhe tek letërsia armene, bullgare, etj. Pra, nuk është një problem vetëm shqiptar.

-Ju e keni vizituar Tiranën disa herë, që nga viti 1996, kur ka qenë hera juaj e parë. Meqenëse këto ditë ndodheni këtu, ç’mund të na tregoni për kryeqytetin shqiptar, ju duket ndryshe nga viti i largët i ‘96-ës?

Ndryshimi është me të vërtet shumë i madh. Kam ardhur shpesh në Tiranë, ndoshta jo aq shpesh sa do të doja, por ndryshimet janë të jashtëzakonshme. Të duket sikur ndodhesh në një tjetër qytet. Megjithëse, disa vende kanë mbetur njësoj ose janë rinovuar pak. E rëndësishme është që të mos zhduket pjesa e vjetër e qytetit. Në qoftë se mbahet pjesa e vjetër, edhe me rritjen e qytetit, do ishte një gjë shumë e bukur.

-Meqenëse jemi në këtë pikë të bisedës dhe meqenëse ju keni lidhje të forta me teatrin, a keni dëgjuar për debatin e shembjes së teatrit tonë kombëtar? Nëse po, çfarë mendoni ju, cila do të ishte zgjidhja më e mirë?

Po, kam lexuar pak kohë më parë një artikull në Austri mbi këtë diskutim. Nuk e di ekzaktësisht se si është situata e këtij teatri, sa e rrënuar është godina e tij, sa e rëndësishme është në aspektin urban, sa e rëndësishme është në aspektin arkitekturor, e të tjera si këto. Por, mendoj se do të ishte një zgjidhje e mirë që ndërtesa e vjetër të rikonstruktohej, për të mbetur ashtu siç është, e më pas, të ndërtohet diku tjetër një teatër i ri. Mendoj që Tirana ka nevojë për teatro të tjerë. Do të ishte mirë që të kishte disa mjedise të tilla me profile të veçanta teatrore. Por unë, si austriake, nuk di ta them me vendosmëri nëse është vendim i duhur apo jo shembja e teatrit të vjetër, dhe nuk e di nëse pas këtij debati fshihen çështje politike, ekonomike apo diçka tjetër.

-Le ta mbyllim këtë intervistë me qëllimin e vizitës suaj në kryeqytetin shqiptar, ku shoqëroheni nga 10 studentë dhe 5 pedagogë të tjerë austriakë. Cili është qëllimi i këtij udhëtimi?

Kjo është një vizitë e studentëve të menaxhimit kulturor të Universitetit të muzikës dhe arteve të Vjenës. Këta studentë dhe pedagogët e tyre vijnë për herë të parë në Shqipëri. Ata janë të interesuar për të mësuar më shumë për institutet e artit dhe institucionet kulturore të Tiranës. Do të takojmë këto ditë anëtarë të orkestrës simfonike të RTSH, do të njohim më tepër Tiranën e do të vizitojmë muzeumet e ndryshme, do të vizitojmë Universitetin e Arteve, do të vizitojmë qendrën kombëtare të kinematografisë, do të bëjmë një udhëtim të shkurtër në Durrës, ku do të na shoqërojë shkrimtari Arian Leka, do të vizitojmë disa galeri arti, etj. Tirana, përveç të tjerash, ka edhe një mot të ngrohtë e me shumë diell, që shpresojmë ta gjejmë këto ditë, ndryshe nga dita me shi kur mbërritëm.

April 13, 2019 10:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin