Në shtetin e Rrumit

January 14, 2020 11:50

Në shtetin e Rrumit

Viktor Malaj

Ata që lexojnë titullin e këtij shkrimi mendojnë në mënyra të ndryshme rreth përmbajtjes së tij. Të dashuruarve pas alkoolit iu vete mendja tek pija e famshme e Rumit. Ata që janë lindur në fshat mendojnë se bëhet fjalë për rrumbin, një pjesë e vogël metalike që përdoret për të goditur këmborët e dhenve në mënyrë që i zoti i tyre të mund t’i lokalizojë nga larg. Ata pak njerëz të dashuruar me kulturën dhe letërsinë pandehin se shkrimi do t’i kushtohet poetit dhe teologut të shquar të Mesjetës, Rumiut (Jalal ad-Din Muhammad Rumi). Për fatin e tyre “të keq” ky shkrim nuk ka të bëjë me asnjërën prej temave të mësipërme por do të trajtojë vendin dhe rolin që zë në shoqërinë shqiptare prej 30 vjetësh tipi shoqëror me nofkën “Rrumi”.

Në incidentin e nëntorit të kaluar kur u qëllua me armë automatike kundër makinës ku ndodheshin prokurori i Durrësit, Arian Ndoi dhe shoferi i tij, ndodhej edhe shtetasi shqiptar Aleksander Laho i cili mbante nofkën “Rrumi”. Meqënëse individë të tillë shoqëror gjen kudo në Shqipëri, në qytete dhe fshatra, në jug dhe në veri, përshkrimi i figurës dhe vendit që zë në shoqërinë shqiptare Rrumi nuk do të kufizohet tek personi i lartpërmendur.

Pas vitit 1990, si rezultat i shthurjes morale dhe shoqërore që ndodhi nën maskën e lirisë dhe demokracisë, filloi të evidentohej tipi social i Rrumit. Përgjithësisht, ky tip karakterizohet nga mungesa e shkollimit, niveli i mjerë kulturor, mungesa e plotë e skrupujve moralë, shkathtësia dhe aftësia për t’iu qepur cilitdo qeveritari, qendror apo lokal dhe, rrjedhimisht lidhja e aleancës Rrum-pushtet për të mundësuar arritjen e synimeve të përfitimeve materiale dhe monetare të shpejtë dhe kriminale nëpërmjet përdorimit dhe keqpërdorimit të secilës palë nga tjetra. Është e pamundur që në çdo qytet apo fshat të mos gjesh një e më shumë Rrumë të cilët tregohen të gatshëm të “të ndihmojnë” sa herë ke nevojë të kërkosh dhe gjesh të drejtën tënde. Kur bisedon me të afërm apo me shokë rreth këtij apo atij problemi që lidhet me administratën shtetërore dhe, sidomos, me sistemin e drejtësisë, menjëherë të vjen në ndihmë këshilla: “Tako Rrumin. Ai është nëna e kësaj pune. I ka në xhep kryetarin e bashkisë, shefin e komisariatit, drejtorin e… Vetëm ai të kryen punë”. Domethënë, në më të shumtën e rasteve, edhe pse beson se të takon një e drejtë, ti nuk duhet të humbësh kohë dhe energji duke iu drejtuar organeve përkatëse shtetërore që duhet të zgjidhin problemet e qytetarëve, por duhet të takosh Rrumin e duhur dhe, pasi t’i paraqesësh hallin që ke, duhet të përfundosh duke i thënë: “Veç ma kryej këtë punë dhe të tjerat m’i lër mua…”. Ato të tjerat dihet mirë se çfarë janë.

Rrumët punojnë për vete por hiqen sikur vdesin për të të kryer punë ty, sepse kështu bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm. Tipi i Rrumit gjendet jo rrallë edhe brenda në administratën shtetërore dhe në organet e drejtësisë. Këtu, ai është pak më i shkolluar, më i rafinuar dhe ka stil të veçantë në “zgjidhjen” e halleve të qytetarëve. Ajo që i bashkon të gjithë Rrumët është pafytyrësia në dhunimin e normave morale të shoqërisë dhe guximi për të shkelur çdo ligj të shtetit. Mendimi i shoqërisë për ta nuk iu intereson, ndërsa frikën nga ndëshkimi që duhet të passjellë shkelja e ligjeve ua largojnë xhepat e mbushur plot me para të siguruara në rrugë të paligjshme dhe kriminale. Me disa pushtetarë e kanë vërtetë mirë ndërsa me të tjerët, pavarësisht mosnjohjes me ta, shprehen poshtë e lart se ” Sa të kem filanin unë s’e rruj për askënd “, duke shpresuar kështu, jo pa rezultat, të mbajnë larg vetes institucionet shtetërore të ngarkuar me mbikqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë.

Për të ilustruar më mirë rolin e Rrumit në shoqërinë shqiptare më ndihmoi takimi me mikun tim A.C. i cili sapo ishte kthyer në Shqipëri nga vendi evropian ku jeton prej 20 vitesh. Pasi e takova dhe e pashë se ishte i shqetësuar e pyeta nëse kishte ardhur për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri. Dhe ai ma ktheu: “Çfarë festash të zeza, more burrë? Unë vij nga 4-5 herë në vit në Shqipëri tash 15 vjet”. Menjëherë më vajti në mendje fakti se kishte gati dy dekada që sillej nëpër organet shtetërore dhe të drejtësisë për pronat që trashëgonte prej dy shekujsh në bregdetin e veriut. Pak a shumë, dialogun me të po e sjell në ligjëratë të drejtë për të kuptuar më mirë moralin e shoqërisë shqiptare të mishëruar jo rrallë edhe në sjelljet dhe qëndrimet e shtetit dhe organeve të drejtësisë.

Unë: Vërtetë, si u bë ajo puna e pronave tuaja?

Ai: Siç e dini, unë dhe trashëgimtarët e tjerë të atyre pronave, jemi sorollatur tash 16 vjet nëpër institucionet shtetërore dhe gjykata për të marrë pronat e trashëguara që paraardhësit tanë i kanë zotëruar qysh në fillim të shekullit të 19-të. Përfundimisht, në tetor 2018 e fituam të drejtën e pronësisë me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, mirëpo nuk jemi në gjendje t’i regjistrojmë, gjë që do të thotë se jemi pronarë me letra por jo realisht.

Unë: Po pse nuk mund t’i regjistroni pronat e kthyera me vendim gjyqësor?

Ai: Sepse në kohën që dosja jonë civile për pronat ndodhej në Gjykatën e Apelit, disa banditë, me dhe pa pushtet, me dokumente të falsifikuar, i bënë të tyret gjysmën e pronave tona. Ne i denoncuam ata në prokurori dhe gjyqi vazhdon në Gjykatën e Shkallës së Parë prej 15 muajsh. Në këto rrethana, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ATP) refuzojnë regjistrimin e pronave në emrin tonë pasi i kanë regjistruar ato në emër të disa banditëve.

Unë: Domethënë, në emër të Rrrumit dhe shokëve të tij?

Ai: E keni fjalën për Rrumin e Sukthit?

Unë: Po pra, për atë Rrumin që arriti të marrë gati 100 dynym toka në Lalëz me vendim gjykate, megjithëse nuk ishin të tij.

Ai: Edhe ne kemi Rrumin tonë. Ai është një person rreth të pesëdhjetave, me katër klasë shkollë, biznesmen, me shumë para dhe aspak fytyrë, me lidhje të mëdha me ish-strukturat e pushtetit vendor. Në bashkëpunim me këta zyrtarë, pasi falsifikuan dhjetëra dokumente, arriti të bënte të vetat dhe të bashkëpunëtorëve të tij, qindra mijëra metër katror male, kullota dhe pyje në bregdet dhe ende livadhis i lirë pa i hyrë gjëmb në këmbë. Ne i patëm denoncuar në prokurori dhe, pas përfundimit të hetimeve, gjykata i arrestoi shumicën prej tyre. Por, pas pak ditësh, i la të lirë sepse “nuk paraqisnin rrezik për shoqërinë dhe as t’i shmangeshin gjykimit”. E vërteta është se, pas lirimit nga burgu ata vazhduan “procedurat” e nisura duke regjistruar në emra të ndryshëm edhe pjesë të tjera të pronave, regjistrimin e të cilave e kishte ndërprerë përkohësisht denoncimi ynë…

Unë: Dhe, organet e prokurorisë nuk reaguan fare rreth ndryshimit të masave të sigurisë nga gjykata?

Ai: Prokuroria nuk reagoi, madje ishte vetë prokurori që i kërkoi gjykatës ndërrimin e masave të sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim për paraqitje”. Kuptohet qartë se, në kushtet kur asgjë s’kishte ndryshuar lidhur me provat dhe personalitetin e të akuzuarve, i vetmi shkak për ndryshimin e masave të sigurisë ka qenë “nxjerrja e provave të reja” nga xhepat e të akuzuarve dhe transferimi i tyre në xhepat e punonjësve të drejtësisë.

Unë: Kjo mbetet gjithmonë një hipotezë jo pa baza, por ka nevojë të provohet.

Ai: Në vendin tonë, gjëja që vuan më shumë për t’u provuar është e vërteta. Megjithatë, më duhet t’ju them se njëri nga prokurorët e çështjes, pas përfundimit të hetimit gjyqësor, takoi një mikun tim dhe i tha se kërkonte nga ne 10% të pronave në këmbim të kërkesës që ai do t’i bënte gjykatës për të hequr sekuestron e vënë mbi pronat e tjetërsuara, si dhe kërkesën për të urdhëruar fshirjen e regjistrimeve të paligjshme të bërë nga grupi kriminal që po gjykohet. Merreni me mend se ku jetojmë. Mua m’u duk vetja si ajo femra që për t’iu shpëtuar përdhunuesve ikën me vrap dhe i ankohet policit por ky i fundit, në vend që ta mbrojë, tenton ta përdhunojë.

Unë: Dhe ju nuk e denoncuat Rrumin e prokurorisë?

Ai: Jo, nuk e denoncuam për dy arësye. Së pari, miku im që më informoi për gjobën e vënë nga prokurori, nuk pranonte të dëshmonte dhe, nga ana tjetër, pas pak ditësh, prokurorin në fjalë e nxori Vetingu nga sistemi i drejtësisë si të padenjë.

Unë: Po në organet e tjera shtetërore a jeni ankuar rreth këtyre problemeve dhe çfarë reagimi ka pasur?

Ai: Numri i ankesave që kemi bërë dhe mënyrat e reagimit të organeve shtetërore ndaj këtyre kërkesave janë shumë domethënëse dhe tregojnë qartë që ne nuk jetojmë në një shtet demokratik por në “Shtetin e Rrumit”, siç e thatë edhe ju. Kryeministrit, zv. Kryeministrit, Prokurorisë së Përgjithëshme dhe Avokatit të Shtetit iu kemi dërguar ankesa dhe kërkesa me postë të zakonshme dhe atë elektronike dhe nuk bëzajn fare, sikur nuk ka ndodhur gjë. Merreni me mend shkallën e lartë të degjenerimit dhe degradimit të institucioneve shtetërore. Ka arritur puna deri aty që Zyra e Avokaturës së Shtetit dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave na janë qepur këmba-këmbës duke apeluar çështjen civile në të gjitha shkallët e gjyqësorit, megjithëse pronat janë tonat dhe kjo është vërtetuar me dokumente të AQSH të viteve 1922, 1941, 1945. Nga ana tjetër, po këto institucione kanë heshtur kur i kemi informuar se hajnat, domethënë Rrumët, kanë përvetësuar dhjetëra hektarë prona shtetërore me dokumente të falsifikuar. Kanë heshtur për marrjen e pronave nga Rrumët, nuk marrin pjesë fare në gjyqet ku gjykohen Rrumët dhe heshtin kur ne iu tregojmë punonjësit e zyrave të tyre të implikuar në veprimet kriminale.

Unë: Domethënë, qenka i njëjti qëndrim dhe moral si në rastet e Lalëzit, Lukovës dhe disa zonave të tjera bregdetare ku përfaqsuesit e ATP dhe të Avokatit të Shtetit as kanë marrë pjesë në gjyqet e Rrumëve dhe as i kanë ankimuar vendimet e gjykatave që tokat e shtetit ose të individëve ua kanë dhënë Rrumëve për… “respekt”. Ju, a keni provuar t’i takoni drejtuesit e ATP-së dhe ASHK-së (Agjencisë Shtetërore të Pronave)?

Ai: Kemi takuar Drejtoren e ATP-së, znj. Jonida Baçi dhe i kemi shkruar duke i kërkuar të mos na pengojë në marrjen e pronave tona përderisa nuk ka asnjë shkak juridik për të apeluar apo rekursuar vendimin e gjykatës dhe, në mënyrën më qesharake të mundshme, na është përgjigjur se “Ligji 133/2015 e detyron ATP-në të ankimojë vendimet e gjykatave që kundërshtojnë vendimmarrjet e saj …”. Kur ia tregova këtë avokatit tim, ai më vuri përpara ligjin në fjalë dhe pasi e lexuam që s’kishte asnjë detyrim siç thoshte Drejtorja, avokati më tha: “Ankimimi i vendimeve gjyqësore është një e drejtë e palëve ndërgjyqëse dhe jo detyrim. Kjo e drejtë mund të ushtrohet sa herë njëra palë beson se vendimi gjyqësor është i dyshimtë dhe i pambështetur në prova. Ndërsa, në rastin tuaj, bollshmëria e provave të paraqitura e ka provuar tej çdo dyshimi të arësyeshëm se pronat janë tuajat, por Drejtorja kërkon të ruaj vendin e punës me servilizma dhe veprime burokratike që iu sjellin qytetarëve dëme të konsiderueshme…”.

Gjithashtu, nëpërmjet platformës “Shqipëriaqëduam.com” i kemi shkruar edhe Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, z. Artan Lame. Madje edhe e kemi takuar personalisht dhe i kemi kërkuar të marrë masa ndaj drejtuesve të Zyrës përkatëse që kanë kryer krim duke regjistruar pronat tona në emër të Rrumëve, si dhe të na mundësojë regjistrimin e pronave të kthyera nga Gjykata e Apelit pasi Kodi Civil (neni 92) dhe Kodi i Pr. Civile (neni 36) i bëjnë absolutisht të paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha regjistrimet e bërë nga ZRPP kur ndërkohë ato sipërfaqe tokash ishin objekt gjykimi në Gjykatën e Apelit.

Unë: Po z. Lame si ju përgjigj?

Ai: Mua m’u duk se ai është tërësisht “jashtë loje”, domethënë se ndodhet në vendin e gabuar. Në vend që të dërgojë ekspertët e vet në bazë dhe të verifikojë veprimet e paligjshme të vartësve të tij dhe të marrë masa administrative ndaj tyre siç ia kërkon ligji dhe vendi i punës, ai na udhëzon t’i drejtohemi prokurorisë. Pra, pavarësisht se ne kemi dërguar kallëzimet penale në prokurori, ai beson se duhet t’i lejojë vartësit e tij të vazhdojnë të punojnë dhe të fshehin provat e krimit apo të vazhdojnë procedurat kriminale, ashtu siç kanë bërë edhe pas kallëzimit tonë të parë. E kisha dëgjuar të thotë në TV se ZRPP duhet të jenë magazina dhe jo gjykata që përcaktojnë se kujt i përket prona. Në të vërtetë, zyrat e tij dhe ai vetë, në rastin konkret kanë marrë atributet e gjykatës pasi Gjykata e Apelit e thotë qartë se pronat janë tonat dhe duhet të na kthehen. Duke mos na regjistruar pronat e kthyera ai mban peng të drejtat e pronarëve realë për hir të kriminelëve ose, ndryshe, Grupit të Rrumëve që këto prona i kanë regjistruar me mjete dhe mënyra të paligjshme. Madje, kam marrë vesh se diku paska thënë në konfidencë se “Ceo, me bandat do të përplasemi neo?!”. Sipas logjikës së tij dhe të drejtoreshës së lartpërmendur, pronarët realë duhet të vazhdojnë të sillen nëpër gjykata derisa të vdesin (dhe shkak i kësaj sorollatjeje bëhen në shumicën e rasteve institucionet shtetërore të lartpërmendura) ndërsa ndaj Rrumëve, që s’kanë pasur kurrë prona por i kanë “gjetur” kohët e fundit, këta zyrtarë të lartë heshtin, nuk marrin pjesë në gjyqe dhe as kundërshtojnë vendimet gjyqësore që i bëjnë ata pronarë paligjshmërisht. Ky është morali i nëpunësve të shtetit që e shndërrojnë vetë shtetin në “Shtet të Rrumit”.

Unë: Shpresoj dhe uroj t’iu zgjidhet ky problem sa më parë dhe të bien pengesat e paarësyeshme shtetërore të cilat, fatkeqësisht kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta ndaj shumicës së pronarëve legjitimë. Madje, vetë shteti ka krijuar Korporatë Investimesh dhe mendon që shumë nga pronat e bregdetit t’ua japë “investitorëve strategjikë”.

Ai: Kjo që thoni ju përforcon bindjen time se shteti nuk është i popullit, por i Rrumit, nuk është i pronarëve legjitimë, por i grabitësve të pronave dhe, në njëfarë mënyre, edhe shteti vetë kërkon të shndërrohet në “Rrum” duke marrë padrejtësisht pronat e të tjerëve, me çmime që do ai vetë dhe jo me çmimet e tregut. Nëse do të ecë me këto mend, shteti do të gjejë shpejt belanë. Ose duhet të bëhet shtet i popullit, shtet i votuesve ose “Shtet i Rrumit”. Nëse do të vazhdojë me kokëfortësi të jetë në shërbim të Rrumëve, atëherë problemet mund t’i zgjidhë vetëm “shoku Kallashnikov”.

E solla rastin e mikut tim me bindjen se nuk është një rast sporadik por, fatkeqësisht, i kudogjendur në Shqipëri. Shumë institucione dhe drejtues shtetëror, duke përfshirë edhe Zyrën e Avokatit të Shtetit, janë shndërruar në jo pak raste në armiq të pronarëve legjitimë dhe në bashkëpunëtorë të elementëve kriminelë dhe batakçinj që përvetësojnë pronat shtetërore dhe private. Të ankimosh vendime gjykatash që iu njohin dhe kthejnë qytetarëve pronat e trashëguara, të mbështetur plotësisht në prova dhe në ligj, dhe t’i detyrosh ata të sorollaten me dekada të tëra duke humbur kohë, para dhe energji, do të thotë të veprosh në kundërshtim me moralin shoqëror, me ligjet e shtetit dhe të shndërrohesh nga shërbëtor në armik i qytetarit. Por, kur vjen puna që pronarin legjitim që ndjek rrugët dhe mjetet ligjore për rifitimin e të drejtës së pronësisë e gjurmon dhe pengon në fitimin e të drejtës së tij, ndërsa ndaj banditit dhe kriminelit që tjetërson pronat e huaja me dokumente të falsifikuar e mbyll njërin sy, atëherë këtu kemi të bëjmë me tjetër gjë. Këtu kemi të bëjmë me implikim të shtetit në shkeljen flagrante të të drejtave të shtetasve, të njohura me Kushtetutën e RSH dhe Konventat Ndërkombëtare të Të Drejtave të Njeriut. Këtu shteti largohet gjithnjë e më shumë nga morali, nga populli dhe, madje, shndërrohet në shtet antipopullor.

 

 

 

 

January 14, 2020 11:50
Komento

15 Komente

  1. MH January 14, 12:04

    Demokracia i mbetet:Jo shoku kallashnikov.Po Tavarishi kallashnikov.

    Reply to this comment
  2. ciu January 14, 12:34

    Nuk e di se nga je nisur per kete shkrim qe e ke qare se eshte 100% e vertet por di qe Flamur Ndoka i kalisit kukesit eshte autokton ne ksamil dhe cdo gjee ka me dekomenta

    Reply to this comment
  3. qytetari thjeshte January 14, 12:55

    Shqiperia behet shtet nese zhduket fizikisht e gjithe klasa politike aktuale, e majte dhe e djathte, dhe gjithe rrumet, ne te kundert me keq do te shkoi. Keta Rrume jane ata qe bejne edhe VETINGUN. As te mos i shkoi kujt ndermend se me VETINGUN do kete drejtesi. KURRE.

    Reply to this comment
  4. Kajmakeria e Rilindjes January 14, 13:46

    Jo ne shtetin e Rrumit por te Krye Rrumit. Se Rrumet jane jo vetem ne shoqerine e prokuroreve o Viktori, por jane dhe neper zyra bashkie, edhe ne parlament kishim plot Rrume (ato Frrok, Ndok, Preng, etj). Nuk besoj se i ke harru ato Rrume ne sherbim te atij Krye Rrumit qe i sherben dhe ti Viktor kaq vjet duke u mundu me shkrime tia gelqerosesh zullumet.

    Reply to this comment
  5. Dentisti January 14, 15:42

    Doni nje shembull se i kujt eshte shteti shqiptar sot?

    -Jane mijra banore te Tiranes,qe nuk banojne e punojne ne Shqiperi,por jashte vendit prej shume vitesh dhe kane kerkuar qe te mbyllin kontraten me UKT-ne!
    Por UKT dhe Bashkia e Tiranes nuk ua mbyll kontraten,ne shkelje te Kodit Civil te RSH,sepse do qe t’u grabise keta qytetare me taksat e pa ligjeshme vendore ne kundershtim me vendimin e Keshillit Bashkiak nr.59/2015!
    Behet fjale jo vetem per shkelje ligjore ,por edhe grabitje ne shifra te medha qe u behet ketyre qytetareve!
    I dergova email kryeministrit Rama,por pergjigja e tij ishte skandaloze per nje kryeminister te pergjegjshem:
    -“UKT nuk varet nga qeveria”-ishte pergjigja e pare e tij!
    Me pas i dergoj nje email tjeter,kur i shtoja edhe nje fakt tjeter skandaloz te Bashkise se Tiranes qe nepermjet UKT,jo vetem i mashtron,por edhe i vjedh,tani jo vetem te larguarit jashte vendit,por te gjithe qytetaret e Tiranes,duke u faturuar ujin e pa pijshem,per uje te pijshem dhe per me teper me nje cmim skandaloz prej 6.5 leke per m/3,afersisht sa cmimi i energjise elektrike qe eshte 9.5 leke per kw/ore,kur dihet qe kosto e prodhimit dhe sidomos e importit te energjise eshte shume me e larte se e ujit te piste!
    Shto pastaj edhe faktin se per te pire e gatuar qytetaret jane te detyruar ta blejne ujin e pijshem,aq sa shpenzimet per ujin shkojne me shume se sa ato per energjine elektrike!
    Dhe pergjigja e kryeministrit Rama,pas email te dyte ishte katastrofike:
    -“Keni gabuar adrese”!
    Ja pra kush eshte RRUMI i vertete sot ne Shqiperi!

    Reply to this comment
  6. anticensurë25642654 January 14, 17:02

    O VIKI O VIKI
    shkruan e shkruan sikur të të ketë zënë pizga!shkruan për sistemin e vjetër,sikur ta fshish atë mender bythë me gisht,por harron se sistemi i vjetër është kapur aq fortë nga “të rinjtë”sa nuk ju shpëton dot nga dora!!kurse ty gjithnjë nuk ta bën pena të shkruash gjë për hajdutët e rinj që vjedhin me sistemin e vjetër!
    o viki,dhe ti e nxore kallajin tënd!!ta grreu thartira që ke në shpirt,në atë shpirt që ushqehet me kërmën e re që përdor sistemin e vjetër!
    o viktor,nuk i bën dot njerzit për vete!!të “mbështesin” agjithpropi i dobiçit,të mbështesin debila si haleja e vjosës,por nuk të mbeshtesin njerzit!
    viki,7 vjet më parë,para se ky bir kumlle të merrte pushtetin,ishin të njëjtët qënër,që janë dhe sot, që mbronin berishën!!ne që ishim kundër ishim shumë!!
    sot,qënt kanë mbetur aq sa ishin,në mbrojtje të berishës,por ata që janë në mbështetje të ramës janë shëmbëlltyra të qënëve të berishës,ata që e kritikojnë që e luftojnë,për të njëjtën gjë që luftuan dhe berishën!?
    janë shtuar tmerrësisht shumë!
    viki,ti vazhdo me diarrenë tënde!!do të zgjasë dhe një kohë kjo punë bastardësh,por do të zhduket!!gjëndja do të përmirësohet,njerzit do të kuptojnë!
    kurse ti ke për të ndërruar diarrenë tënde!ti do të bëhesh langoi i dikujt tjetër!!megjithe¨se langua lango mbetet,vetëm pronari ndryshon!!

    Reply to this comment
    • Babale Salianji January 15, 02:54

      Per ” anticensure25642654 “:
      Komenti yt zoterote deshmon nje gjendje te turbullt mendore te nje lexuesi qe as di cfare ka lexuar dhe as cfare thote. Autori i shkrimit flet per maskaralliqet qe behen sot dhe qe jane edhe vazhdim i atyre te bera perpara ketij pushteti. Ai ngre problemin fondamental te raporteve shtet-pronare legjitime ndersa ti, ke pasur apo s’ke pasur prona, del jashte kesaj teme dhe sorollatesh ne banalitetin e nje mendjeje te turbullt. Per njerezit normale shtrohet pyetja: Duhet apo nuk duhet qe prona t’iu kthehet pasardhesve te pronareve te ligjshem dhe a duhet qe shteti te paraqese qindra pengesa ndaj tyre dhe te jete ” liberal ” ndaj hajduteve te pronave publike dhe private. Madje, autori ka sjelle edhe nje rast konkret qe flet shume dhe ka treguar ” me gisht ” zyrtaret shteteror qe mbajne qendrime te paligjshme ndaj pronareve dhe tremben nga grabitesit e pronave ose korruptohen prej tyre. Ky eshte thelbi i shkrimit o njeri pa mend qe perfaqsohesh nga numra pa vlere dhe pa kuptim.

      Reply to this comment
      • anticensurë25642654 January 15, 10:07

        o pabole si e ke mbiemrin
        nuk më ha palla se përse e ka shkruar ky shkrimin,pra këndin e ngushtë që mendon ti!!
        sepse viki nuk ka shkruar si jurist për “çështjen legjendare të pronave”,por politikisht për veprimet e kundraligjshme që bëhen me to!!
        ai nuk godet veprimtarinë e kundraligjshme,por njërën anë të saj!!pra anën e kundërt të asaj që mbron!!pavarsisht se viki një të prekur ja jep dhe anës së tij,ai prap mbetet një propagandist politik i pushtetit,sundimtarit,të sotëm!!
        pabole,nuk është faji tim se ti do të mbash parasy kuajsh,hiqi dhe do të shohësh se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa kujton ti!!
        pabole kjo çështje nuk ka nevojë të vihet në pikpyetje sot pas 30 viteve që është vendosur ligjërisht këthimi”Duhet apo nuk duhet qe prona t’iu kthehet pasardhesve te pronareve te ligjshem”!!
        sepse or pabole,pronat “këthehen” tek pronari,vetëm se jo tek pronari i duhur!!
        ti përveçse e pranon që je pabole,me këto që shkruan tregon se je dhe patru!!
        prano një këshillë nga unë!
        më lër mua të ” del jashte kesaj teme dhe sorollatesh ne banalitetin e nje mendjeje te turbullt” dhe vazhdo e kërko ku ke harruar trurin!!të garantoj se diku e ke lënë dhe nuk të kujtohet më!!

        Reply to this comment
  7. Zigur Qarri January 14, 18:49

    Haleluja.Kete shkrim duhet pasoje dhjetera te tjere.Ne fakt,Artan Lame eshte bishti kavallit.Ai vetem se zbaton urdherat qe i jep Kryeministri D’Rama.Por,por..keshtu eshte kur problemet kryesore mbeten ne harrese,dhe media merret me e lagu se lagu.”Qeveria shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg për bllokimin e çështjeve të pronave”.https://exit.al/2018/08/qeveria-shantazhoi-gjyqtarin-shqiptar-ne-strasburg-per-bllokimin-e-ceshtjeve-te-pronave/

    Reply to this comment
  8. betixho January 14, 23:32

    Te marrish pronen-thote zoti Viktor-eshte krejtesisht e pa mundur mbasi Rrumet jane bere njesh me institucionet e shtetit Shqiptar,ekzekutiv,legjislativ,gjyqesor dhe administraten pefshi edhe avokatin e popullit dhe e drejta eshte shkelur apo me mire varrosur,jam plotesisht dakort dhe edhe une nuk besoj se mund te zgjidhet ndonjehere.
    Megjithate une verej, ose me sakt konstatoj se referimet konforme ligjeve ne fuqi zoti Viktor nuk qartesohen, dhe megjithse gjendja e kalimit te pronave pothuajse eshte minuar plotesisht nga ligjet ne fuqi,,te shkrimi i mesiperm me duket se ngaterrohen.
    Per shembull zoti Viktor kur flet per regjistrimin e prones te fituar me vendim gjykate te formes se prere,ZRPP-ja nuk i regjistron.
    Nuk del e qarte per mua mbasi une e di se sipas ligjeve ne fuqi,gjykata verteton nje prone,por nuk eshte gjykata qe kthen pronat,dhe ZRPP-ja nuk mund te regjistroje nje prone pa patur vendimin e komisionit te kthimit te pronave.
    Pra eshte Komisioni i Kthimit te Pronave qe kthen pronat mbi bazen e dokumentave autentike ose nje vendimi gjyqesor.
    Kthimi i pronave nga Komisioni perkates behet sipas kater varianteve te ligjit 133/2015 ku pjesa e kthimit eshte ndonse me ligj nje tallje me te drejtat e pronarit,por jemi ketu ne rastin konkret i kthen ky Komision dhe jo Gjykata.Gjykata -sipas ligjeve ne fuqi-vetem verteton(njeh) pronesine por ajo nuk kthen prona,nuk eshte gjykata qe kthen prona kur eshte fjala per kthimin e pronave qe jane prone shteterore qysh nga ligjet e monizmit te viteve 1945-1946 ato i kthen vetem Agjensia e Trajtimit te Pronave sipas legjislacioni ne fuqi.Keshtu qe nuk e kuptoj 1 dhe 2 ne bisede me njeri tjetrin.Ka paqartesi ne trajti,vetem ne trajtimin ligjor them jo per sa i perket Rrumeve dhe institucioneve shterore te cilet -eshte ashtu sic thote zoti Viktor-jane ber njesh me hajdutet me oligartket dhe shkelesit e ligjit per perfitime vetiake.Kejo qendron dhe nuk e luan as topi,por ka nevoje per qartesi.Agjensia eTrajtimit te Pronave trajton kthimin e pronave tek i zoti dhe asnje institucion tjeter,as Gjykata nuk mund te ktheje prona.
    Kejo te jete e qarte.
    Ndersa persa i takon Ligjit te pronave-e kam thene dhe insisstoj-se Ligji i Pronave filluar nga ligji 7501,ligji 7698 dhe i fundit 133/2015 duhet te anullohen.Jane ato ligje qe e kane sjelle gjendjen ne situaten e sotme te pa pranueshme,skandaloze.
    Jane keto ligje mbi pronat qe i kane detyruar Shqiptaret te largohen dhe derisa te anullohen ato ligje do vazhdojne te ikin.Vetem anullimi i Ligjeve per pronat dhe miratimi i ligjit te ri per kthimin e pronave tek i zoti sipas kadastres te vitit 1945 do ti mbaje Shqiptaret ketu dhe do ti ktheje ketu ne Shqiperi edhe nje pjese te madhe te atyre qe kane ikur.Atdheu eshte Prona,S’KA PRONE S’KA ATDHE.Vetem kejo do ta zgjidhe njehere e mire edhe thirrjen qe beri sot Preidenti I Republikes mbi alarmin per boshatisjen e Shqiperise sipas raportit te kombeve te Bashkuara.
    E kam theksuar se me demografine e sotme te popullsise eshte rrezuar ligji 7501 si edhe nuk mund te legjitimohet nje ligj si i moralshem kur ai ligj nuk eshte zbatuar ne gjysmen e vendit.
    Nuk ka moral te qendroje ky ligj ne fuqi nderkohe qe nuk njihet ne gjysmen e vendit, ndersa ne gjysmen tjeter numuri i popullsise mbi bazen e te cilit eshte bere llogaritja e normes per fryme eshte larguar pothuajse e gjitha dhe kane mbetur vetem pleqte,kategori e pa afte te vere ne shfrytezim ekonomik pronen e kaluar me ligjin e mesiperm.
    Eshte e domosdoshme hartimi i nje ligji te ri per pronen,jo ligj per forme te re por ligj per rivendosjen e ligjit te prones konforme pronesise se trasheguar nga viti 1945.
    Pra te kthehemi te ligji qe na kerkon Europa dhe ti japim fund ligjeve te trashegimnise komuniste.
    Kejo eshte rruga e mbajtjes se Shqiptareve ne Shqiperi dhe e kthimit te atyre Shqiptareve qe kane ikur ndryshe mos kerkoni me Shqiperi pas vitit 2100.Ne se nuk do kete me Shqiperi per kete pergjegjes do te jini JU politikane qe po ju drejtohemi sot, NE POPULLI.

    Reply to this comment
    • Dentisti January 15, 17:32

      O komentues te fandaksur,qe i kerkoni nje gazetari te shquar si Viktor Malaj,qe te ndreqe me “llampen e Aladinit” te tera rrumpallen legjislative e politike te ketyre 30 vjeteve!
      Se cfare eshte bere ne keto 30 vjet e dime te gjithe,se ne Shqiperi kane sunduar,jo idealiste atdhetare,por antishqiptare te terbuar,qe vetem per popullin dhe demokracine nuk kane punuar!
      Edi Rames dhe PS-se i erdhi ne 2005 shansi historik te ndalonte rrenimin e shtetit ligjor dhe demokracise,percarjen e popullit dhe militantizmin primitiv te administrates qendrore e vendore,por deshtuan plotesisht duke zhgenjyer shumicen e popullit se ky vend nuk behet me!
      Me mbeshtetjen e nderkombetareve,sot 3 partite banda,qe e cuan vendin ne rrenim te plote,po na hiqen si shpetimtaret e vendit,ne vend qe te shporren nga faqja e historise nje here e pergjithmone!
      Kush do t’i zevendesoje keto?-do thone disa!
      Pikerisht per kete arsye duhet te shporren,se ne nje shtet demokratik,ku ka pluralizem politik,mendimesh,ku ka debate te lira dhe ndarje pushtetesh,doemos qe do te kishin lindur filizet e rinj si burre shtetas!
      Por ka 30 vjet qe Shqiperine e sundojne nje tufe sundimtaresh,qe i kane kthyer partite e tyre ne “Toka te djegura”,qe kush kritikon kryetaret,qeverisjen etj ai lincohet nga bandak kriminale bvrenda partive,qe shkarkohet nga posti ne qeveri duke u cilesuar me sharjet me banale,qe nga vete kryetaret e tyre!
      Kur kane zhdukur demokracine ne parti,si mund te ndertojne demokracine ne shtet?
      Ja kete gje bejne sikur nuk e kuptojne nderkombetaret sot,kur u bien borive se,”URRA,U PAJTUAN DINOSAURET SHQIPTARE”!
      Po per cfare u pajtuan?
      Doemos per te sunduar kete popull sa me lehte,sa me shume etj!

      Reply to this comment
  9. gjermani i fundit January 15, 00:08

    Rrum Palla

    Reply to this comment
  10. E èma e Zeqos January 15, 14:40

    Si pèr “fillim”, jo keq Viktor Malaj.

    Kohèt e fundit, refuzoja tè lexoja gjithçka qè dilte nèn emrin tuaj. A e dini pse?
    Mè dukej sikur po shkruante RRUMI.
    Pèr ata qè pèrjetonin çdo ditè realitetin e Kandaharit taliban shqipfolès, fjalitè tuaja tè shkruara, ishin tè nxjerra nga goja e Rrumit.
    Mirè bètè qè e takuat mikun tuaj (nèse vèrtetè egziston).Iu paska larè xhamat e syzeve.
    Shikim tè pèrhershèm Zotèri. Do i shèrbenit reputacionit personal dhe shoqèrisè shqiptare, duke pasqyruar,,,,,ATÈ QÈ SHIHNI.

    Reply to this comment
    • albani January 16, 20:16

      Me fal o zonja e “Ema e Zeqos”, por duket qe nuk e lexouakeni Viktorin. Keni krijuar nje mendim se mbron Ramen, ashtu si dhe ndonje tjeter komentues dhe gaboni duke mos e lexuar. Ky zoteria Viktor nuk eshte shares, por kritike i Rames si rrallekush.
      E

      Reply to this comment
  11. Kola January 17, 23:38

    Zigur Qarri, ju lumte!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*