Në spitalet e vdekjes

June 2, 2017 11:04

Në spitalet e vdekjes

 

Dr. MATT HITO (USA)

 

Lajmi i vdekjes së vajzës 15 vjeçare në Spitalin Kontinental tronditi jo vetëm Tiranën, por gjithë Shqipërinë. Vajza do të operohej në artikulacionin e gjurit nga një traumë dhe mjekët e garantuan të atin se operacioni është i thjeshtë dhe suksesi është i garantuar! Por mjekët nuk i thanë asgjë babait si edhe vajzës për rreziqet që e kërcënonin nga narkoza, ishte detyrimi moral dhe ligjor i tyre t’ia bënin të qartë nënës dhe babait të vajzës se vajza e tyre kërcënohej direkt nga mundësia e shfaqjes se HM si rezultat i përdorimit të lëndëve narkotike inhalatore të cilat në rastin e vajzës përbënin rrezik real për jetën e vajzës (mbasi vetë babai iu kishte deklaruar se vajza vuante nga asthma bronkiale). Është pikërisht kjo arsyeja që vajza hyri në operacion e buzëqeshur në orën 19:30, por doli e vdekur në orën 1:00 (në mesnatë duke u gdhirë dita e hënë)!

Babai i vajzës akuzoi mjekët dhe spitalin se i vranë vajzën, në deklaratën e tij ai tha:

“Kërkoj që drejtësia të vihet në vend për jetën e vajzës që ma morën. Shteti të vërë duart për këto klinika që janë hapur, si klinika ‘Continental’. Dua drejtësi për këtë njeri që më mori jetën e vajzës. Vajza ime ka qenë një artiste, ka qenë një nga vajzat më inteligjente”, vazhdon rrëfimin Bardhyl Pepa, babai i vajzës që humbi jetën një ditë më parë në Tiranë.

Po kështu, i menjëhershëm ishte dhe reagimi i spitalit Kontinental: “Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se protokollet e anestezisë të aplikuara në Spitalin Continental në këtë rast janë të njëjta me ato të vendeve të BE-së. Gjithashtu sigurojmë se niveli profesional i anestezistëve të spitalit tonë është tejet i lartë dhe veçanërisht i mjekut që u përball me këtë komplikacion të rrallë, i cili e ka trajtuar atë me profesionalizëm të lartë dhe devotshmëri në një afat kohor prej disa orësh.”

Ne media u dha edhe një deklaratë nga Profesor Dr. Tritan Shehu, ku konkretisht u tha: “Vdekja në sallën e operacionit të 16 vjeçares nga hipertermia malinje është një rast fatkeq që nuk mund të shmangej me asnjë medikament apo teknikë mjekësore.”

I këtij mendimi është një prej ekspertëve më të njohur reanimator në vend, Tritan Shehu, njëherazi kreu i shoqatës së reanimatorëve të Shqipërisë (u tha në media)!

Profesori vazhdon: “Në një intervistë për ‘News24’ Shehu thotë se komplikacioni në fjalë është më i rëndi që mund t’i ndodhë një mjeku reanimator gjatë operacionit dhe është i pakapshëm nga analizat paraoperatore që kryhen në spitalet shqiptare.”

Shehu e përforcon mendimin e tij duke analizuar mosefektshmërinë e medikamentit të vetëm, që injektohet në të tilla situata, Dantrolenit, që sipas tij nuk ka dhënë efekt në rastin konkret.

Pyetja është: Kush ka të drejtë?! Babai i vajzës apo Profesori?! Babai i vajzës nuk është mjek, akuzën ai e mbron vetëm me një fakt: “Vajza ishte absolutisht e shëndoshë (ajo hyri e buzëqeshur në sallën e operacionit), mjeket i garantuan se operacioni do të jetë i suksesshëm, por vajza vdiq dhe mjeket nuk e thirrën për t’i thënë të vërtetën”.

Si dhe përse vdiq vajza, babai thotë se: “Ne hymë me forcë në sallë. Për të parë vajzën, por u tmerruam kur pamë se vajza ishte e vdekur!”

Personalisht e besoj se ajo që thotë babai është e vërtetë. Por a duhen besuar deklaratat e Profesor Shehut? Po deklaratat e spitalit, a janë të besueshme?

Le të flasim me gjuhën e fakteve, për këtë le të rikujtojmë vdekjen e fëmijës Denis Almadhi (fëmijës 11 vjeçar që vdiq në spitalin francez (QSUT Nënë Tereza, Tiranë, 7 Nëntor 2012) nga një operacion në qëpallat e syve. Edhe Denisi u operua nga mjekë të huaj irlandez, po kështu dhe anestezisti ishte i huaj (irlandez).

E përbashkët është se si Denis Almadhi dhe Blerta Pepa ishin absolutisht të shëndoshë dhe operacionet e tyre nuk përbënin rrezik për jetën (ishin operacione estetike), por të dy vdiqën nga narkoza e përgjithshme (me lëndë inhalatore) që provokuan HM në sallën e operacionit, në të dy rastet para vdekjes viktimat nuk morën asnjë ndihmë mjekësore, është fakt se në të dy rastet mjekët anestezist ishin absolutisht të paaftë dhe të papërgatitur për të përballuar një katastrofë vdekjeprurëse siç ishte MH.

Është i rëndësishëm fakti se Dr. Kelvin Clarcson, mjeku anestezist që i dha anestezinë fëmijës Denis Almadhi deklaroi para gjykatës se, edhe pse kishte një eksperiencë 27 vjeçare dhe i diplomuar në disa universite europiane dhe amerikane, ai në 27 vjet nuk ishte përballuar asnjëherë me MH në sallën e operacionit dhe është pikërisht kjo një nga arsyet pse vdiq fëmija Denis Almadhi nga pakujdesia e tij, po kështu edhe mjeku anestezist shqiptar, pavarësisht nga eksperienca e tij si anestezist, ai thjesht ka një diplomë nga fakulteti i mjekësisë Tiranë dhe absolutisht asnjë eksperiencë në trajtimin e një krize të HM. Ky fakt është i mjaftueshëm për të kuptuar se mjekësia shqiptare edhe sot është absolutisht e paaftë dhe e papërgatitur për të trajtuar një krize të HM, pavarësisht deklaratave të bëra nga profesori dhe ekipi i anestezistëve të Spitalit Kontinental.

Fakti që në të dy rastet me HM diagnoza është dyshuar në pragun e vdekjes dhe në trajtimin e krizës nuk është përdorur Dentroleni, na jep të drejtën morale të themi se vdekja nga HM në spitalet tona është prezente në 100% të rasteve, ç’ka do të thotë se ne jemi akoma në vitet 1960 para erës së zbulimit të Dentrolenit. Personalisht do të thoja se, po t’i referohemi statistikave nga viti 2012 (viti në të cilin vdiq fëmija Denis Almadhi) deri më sot, duhet të kenë ndodhur edhe mbi 8-10 vdekje në Shqipëri po nga MH, por këto nuk janë diagnostikuar. Dy vdekjet e para ( D. Almadhi B. Pepa) u diagnostikuan thjesht sepse fëmijët ishin të shëndoshë dhe ishte shumë e qartë që vdekja ishte pasojë e HM nga general annestezia, e cila absolutisht nuk duhej bërë në të dy rastet. Është fakt se fëmija Denis Almadhi ishte me patologji gjenetike, fakt ky që në mënyrë absolute nuk duhej bërë anestezia gjenerale, mbasi në këtë rast është kondraindikacion absolut. Fëmija vdiq pikërisht sepse mjekët vepruan në kundërshtim me standardet e trajtimit të HM kur ekziston rreziku potencial i një komplikacioni nga HM, po kështu vdekja ndodhi sepse edhe kur ndodhi MH nuk u përdor Dentroleni.

Prindërit e Blerta Pepës i thanë mjekëve se vajza vuan nga astma bronkiale. Edhe ky një shkak që vajza absolutisht nuk duhej operuar me anestezi të përgjithshme. Mjekët me injorancën e tyre mbi pasojat e narkozës së përgjithshme, pa asnjë njohuri dhe trajnim për HM bënë pikërisht atë që nuk duhej bërë. Vdekja e vajzës nga HM është provë dhe akuzë se mjekët dhe në veçanti anestezisti nuk kishte asnjë njohuri mbi HM dhe natyrisht vdekja e vajzës është rezultat i injorancës dhe paditurisë absolute mbi ekzistencën e Grupit Europian të HM. Kjo thjesht vërtetohet me faktin se kirurgu ishte i parapërgatitur thjesht për një operacion jo më shumë se 15 minuta (mbas operacionit ai “fluturoi” për në Athinë) .

Po kështu si anestezisti dhe kirurgu nuk ishin të parapërgatitur për një katastrofë si kriza E HM, ku shanset në rastin konkret ishin të larta.

Në rast se ata do ta parashikonin mundësinë e një krize të HM (dhe ishin të detyruar ta parashikonin sepse ishin ata që vendosën se vajza do të operohej me narkozë të përgjithshme) dhe në protokollin e Grupit Europian të HM kjo përcaktohet qartë, si anestezisti dhe kirurgu nuk duhej të hynin në sallë të operacionit (dhe jo më të operonin vajzën) të papërgatitur! Do të pranonim se mjeku i njihte standardet e Grupit Europia të HM në rast se ai nuk do të pranonte të hynte në sallë të operacionit në rast se spitali nuk i kishte garantuar (vendosur) minimumi 50-60 flakon Dentrolen mbi tavolinën e operacionit!

Natyrisht është i njohur fakti se kriza e HM është e rrallë (1:5000 anestezi të përgjithshme) ose le të pranojmë 1 raste në 1.000.000 (sipas statistikave të profesor Shehut, askush nuk na garanton se kjo nuk do të ndodhte tek vajza (Blerta)! Edhe ky fakt bëhet i qartë nga Grupi Europian i HM (vdekja e vajzës është akuza më e rëndë për mjeket dhe spitalin, që ende kanë kurajon të mashtrojnë.

Por le ti rikthehemi deklaratës se Spitalit Kontinental: “…Gjithashtu sigurojmë se niveli profesional i anestezistëve të spitalit tonë është tejet i lartë dhe veçanërisht i mjekut që u përball me këtë komplikacion të rrallë, i cili e ka trajtuar atë me profesionalizëm të lartë dhe devotshmëri në një afat kohor prej disa orësh.”

Personalisht do të dëshiroja të ishte kështu! Por vdekja e vajzës më bind se kjo që thuhet është jo vetëm e pavërtetë por edhe një histori e sajuar për të mashtruar opinionin.

  1. Kant ka thënë: “Mjeku është i vetmi njeri që nuk duhet të gënjejë.”

Së pari të shpjegojmë se cili është standardi i trajtimit të HM nga Grupi Europian i HM. Eshtë e rëndësishme të themi se për të arritur deri këtu Europës i është dashur jo më pak se një shekull (100 vjet). Kjo ka bërë të mundur që sot në trajtimin e HM nuk merret mendimi i një njeriu të vetëm, por këto standarde krijohen apo ndryshojnë (përmirësohen) nga një kongres ku shprehin mendimet dhe eksperiencën e tyre me mijëra profesorë të fushave të ndryshme të mjekësisë nga specialistët e gjenetikës molekulare deri në anestezist të klinikave universitare.

Shkurt: Çfarë përfaqëson Grupi Europian i Hypertermisë Maligne?

Ky grup është krijuar me përbërjen e disa shteteve europiane dhe ka në misionin e tij përcaktimin e standardeve më të larta në njohjen (diagnostikimin) e hershëm të HM dhe trajtimin e suksesshëm të krizës hypertensive. Këto standarde krijohen nga studime serioze të bëra në institutet më serioze europiane që drejtohen nga autoritet më të njohura shkencore (profesorë të njohur në të gjitha fushat shkencore që lidhen me gjenetikën, gjenetiken molekulare, institutet më serioze farmaceutike si edhe profesorë në fushën e kirurgjisë dhe anestezisë etj. etj.

Grupi Europian i HM u krijua mbas grupit amerikan ose me qartë Shoqatës Amerikane të Anestezistëve Amerikanë (MHAUS).

Sot të dy grupet kanë një qëllim të përbashkët: Zhdukjen ose përdorimin në minimum të lëndëve narkotike që provokojnë MH, si edhe diagnostikimin e hershëm të njerëzve të predispozuar gjenetikisht për të pësuar kriza të HM në sallën e operacionit. Paralelisht me këtë janë përcaktuar standarde mbi trajtimin e krizës hypertensive në sallën e operacionit, ku standardi kryesor i përket diagnostikimit dhe trajtimit të menjëhershëm të HM ku guri themeltar është Dentroleni (i vetmi medikament i njohur në trajtimin e HM i cili deri më sot ka rikthyer në jetë jo më pak se 1 milion jetë!

Ose më thjeshtë, cilat janë këto standarde dhe ku qëndron “mrekullia” e tyre?

Po qëndroj në më kryesoret:

I – Dihet se MH është një killer i heshtur që shfaqet në individë të veçantë me probleme të trashëguara gjenetike, kryesisht në sallën e operacionit kur ndërhyrja kirurgjikale kryhet me lëndë narkotike inhalatore. Pikërisht në këtë grup njerëzish bëhen studime të veçanta që kanë për qëllim të ndalohen ose më qartë të parandalohet përdorimi i narkotikeve inhalatore (pra narkoza e përgjithshme) dhe të evitohet rreziku i shfaqjes së HM. Pikërisht kjo duhej bërë në të dy rastet e përmendura. Mjekët nuk e bënë këtë, rezultati është vdekja.

II – Sot po bëhet e “pamundura” që lëndët narkotike të mos përdoren më. Ose të evitohen në maksimum. Është fakt se në klinikat tona përdorimi i këtyre lëndëve bëhet pa kritere dhe ajo që është kryesore, nuk ka një protokoll apo konsultë për të koordinuar veprimet midis anestezistit dhe mjekut kirurg (në të dy rastet tona ky standard nuk është realizuar dhe vdekja ka qenë në të dy rastet pasojë, pra vdekja në klinikat tona deri më sot është prezente në 100% të rasteve).

III – Mjekët kirurg dhe anestezistët tanë nuk e njohin këtë patologji.

Është fakt se në klinikat tona universitare nuk ka asnjë publikim për HM nga viti 1950 deri më sot.

Në të dy rastet tona diagnoza e HM është dyshuar vetëm në momentin kur është konstatuar një temperaturë e lartë dhe vdekja ka ardhur menjëherë mbas rritjes së temperaturës. Sot është përcaktuar qartë se rritja e temperaturës është një nga shenjat më të vonshme të krizës se HM dhe se në këtë fazë mjekimi është pothuaj inefikas.

Përmirësimi i teknologjisë dhe në veçanti i diagnostikimit kliniko-biologjik të hershëm pranë tavolinës së operacionit ka bërë të mundur diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e menjëhershëm të krizës. Sot pranohet se nga viti 1967, vit i zbulimit dhe përdorimit për herë të parë të Dentrolenit tek njeriu janë mbi “një milion njerëz që janë mjekuar me sukses dhe jetojnë edhe sot”.

Sot kemi 1 vdekje në 250.000 operacione kirurgjikale, por edhe kjo vdekje ndodh kur ekipi është i papërgatitur mirë dhe diagnoza është përcaktuar me vonesë.

Është fakt se atje ku mungon Dentroleni vdekjet nga kriza e HM janë mbi 80%, por edhe më të larta.

E kundërta ndodh kur kriza e HM diagnostikohet shpejt dhe Dentroleni përdoret brenda disa minutave apo dhe sekondave.

Rezultatet janë të “pabesueshme”. Pacienti kthehet në gjendje normale brenda disa minutave. Ky efekt spektakolar është i “garantuar” kur trajtimi i krizës HM bëhet nga një ekip i mirëtrajnuar dhe Dentroleni është prezent në tavolinën e operacionit. E përsërisim, Dentroleni duhet të jetë prezent në tavolinën e operacionit dhe jo në sallën e operacionit, mbasi për të arritur suksesin edhe sekondi është i vlefshëm. Po kështu kusht absolut është edhe prezenca e dozës së duhur të Dentrolenit (jo më pak se 36-50 flakon për një pacient).

Injoranca dhe neglizhenca e mjekëve që pranuan të operonin Blertën qëndron jo vetëm në mosnjohjen e standardeve europiane të Grupit Europian të HM, por ata kishin dhe kanë një detyrim moral të mbronin jetën e vajzës dhe për këtë, edhe pse ishin dhe janë injorantë, ata duhet në këto situata të kërkonin së paku ndihmën për të menaxhuar krizën hypertensive dhe të shpëtonin jetën e vajzës dhe kjo është shumë e thjeshtë.

Dihet botërisht se si Grupi Europian i MH DHE Grupi Amerikan (MHAUS) kanë vënë në shërbim të çdo mjeku dhe klinike në botë një linjë telefonike me shërbim 24 orë ku mjekë anestezist me një përgatitje të veçantë dhe eksperiencë për trajtimin e krizës së HM, komunikojnë brenda disa minutave (ndoshta edhe sekonda) me mjekët të cilët kërkojnë një ndihmë tepër të kualifikuar për të trajtuar një krizë hypertensive në momentin që ata përballen me krizën në sallën e operacionit.

Është e drejta jonë morale të pyesim: Përse nuk u kërkua kjo konsultë? Konsultë e cila do të ishte mundësia e vetme për të shpëtuar vajzën nga një vdekje e sigurt.

(Ky numër duhet të jetë në telefonin e çdo mjeku sot)

June 2, 2017 11:04
Komento

6 Komente

  1. prizem June 2, 17:32

    I nderuar Dr Hito.
    E vleresoj pa mase artikullin tuaj per informacionin shkencor qe jep por dua me shume miresjellje te kundershtoj disa argumenta te perdorur ketu:
    1) Artikulli ka me teper nje pamje leksioni per aulat e studenteve / specializanteve se sa nje lidhje konkrete me rastet konkrete dhe situatat konkrete. Ki parasysh rrethanat qe punohet ne spitalet shqiptare (qe padyshim duhet te modernizohen dhe qe te behet kjo duhen shume para dhe ndoshta dhe ca kohe)
    2) Nuk ka asnje lidhje midis Astmes Bronkiale dhe mutacionit gjenetik te HM, po asnje fare. Nese jam gabim ma shkruaj ketu burimin e informacionit (burimi im eshte “up to date” ne USA)
    3) Ne asnje spital, po ne asnje fare ne USA, nese pacienti eshte i shendoshe plotesisht dhe nuk ka asnje incident ai ose ndonje familiar i tij me anestezite e meparshme, nuk i behet analiza gjenetike per te perjashtuar HM. Kjo analize ka nje kosto jo te vogel dhe ka kritere per ta kerkuar ate.
    4) Vdekshmeria ne USA nga HM sot qe flasim eshte tek 5% edhe pse Dantroleni eshte perdorur “lege artis”
    4) Asnjehere nuk mund t’ju drejtohesh te tjereve me fjalen “injorante” e ca me kolegeve te nderuar qe punojne ne sistemin shqiptar. Eshte mungese e theksuar etike qytetare (etika mjekesore po e po)
    Respekte per ceshtjet e ngritura me verejtjet e sa me siper me shprese qe do meren ne konsiderate.

    Reply to this comment
  2. Peter June 2, 18:05

    Pse gjith ky mllef i këtij mjeku që ka ndryshuar edhe emrin, ndaj mjekësisë shqiptare? Kur ka jetuar në Shqipëri a ka qenë aq i suksesshëm sa për të dhënë mend sot?

    Reply to this comment
  3. tani June 2, 21:22

    keto komente per rastet e ndodhura ne mjekesine shqiptare dhe sikur te kene vlere qe dyshoj shume ,duhet te behen ne ambjente profesionale dhe jo per te nxitur akoma me shume urrejtjen ndaj profesionisteve te mjekesise. merrni me shume mjeke ne emisione emancipuese te popullsise sepse kombet e emancipuara nuk e trajtojne ne kete menyre nje komplikacion mjekesore. po shkaterroni dhe ate pak mjekesi qe ka ngelur sepse nuk ja dini vleren .keta mjek qe keni shpetojne shume jete njerezish dhe nuk i permend njeri .jeni gati ti gjykoni vetem kur ndodh nje drame njerezore e cila eshte produkt i shume rrethanav e ku zhvillohet .mos u krahasoni me ameriken se eshte e padrejte.ne amerike shpetojne dhe shume jete njerezish qe ketu perseri vdesin por nuk gjenden gjoja doktor fajtore.duhet qe per problemet mjekesore te krijohet nje grup profesionistesh qe mund tu jepet e drejta te flasin para publikut jo si gjyqtare por si emancipues te opinionit publik qe mbas cdo problemi qe ndodh te reagohet ne shume nivele dhe jo te risim numrin e naiveve para sfidave te mjekesise.mjekesine e mire e krijojne kombet e emancipuara dhe jo doktoret e zote .

    Reply to this comment
  4. Nga larg June 2, 22:12

    Zoti Muhamet(aka Matt) Hito,

    me vjen keq qe nje mjek, paraqitet me nje shkrim kaq konfuz dhe ne vend te sqaroje situaten, e ben me keq dhe i hedh benzine zjarrit. Une nuk e di se ne cfare specialiteti keni punuar ne Shqiperi, po nqs nuk keni qene anestezist, do te ishte me mire qe opinionet tuaja, te ngarkuara emocionalisht, te mos i prezantoni si fakte. Me sa arrij te kuptoj nga shkrimi juaj, duket qe ju nuk keni punuar ndonjehere ne sallen e operacionit. Se perse ju akuzoni kirurget se “s’kane asnje ide dhe jane te pa pregatitur” kur kirurgu nuk ka te beje fare me kete pune ne te dyja rastet. Shkrimi me le pershtypjen se nuk e keni as konceptin e anestezise se pergjithshme. Nqs do te shkruanit se vetem disa nga anestetiket e perdorur per anestezi te pergjithshme mund te shkaktojne HM, do te ishit me i besueshem. Problemi nuk eshte anestezia e pergjithshme, por disa prej shume medikamenteve te perdorura per anestezine e pergjithshme.

    Ju shkruani “Dr. Kelvin Clarcson, mjeku anestezist që i dha anestezinë fëmijës Denis Almadhi deklaroi para gjykatës se, edhe pse kishte një eksperiencë 27 vjeçare dhe i diplomuar në disa universite europiane dhe amerikane, ai në 27 vjet nuk ishte përballuar asnjëherë me MH në sallën e operacionit dhe është pikërisht kjo një nga arsyet pse vdiq fëmija Denis Almadhi nga pakujdesia e tij, po kështu edhe mjeku anestezist shqiptar, pavarësisht nga eksperienca e tij si anestezist, ai thjesht ka një diplomë nga fakulteti i mjekësisë Tiranë dhe absolutisht asnjë eksperiencë në trajtimin e një krize të HM. Ky fakt është i mjaftueshëm për të kuptuar se mjekësia shqiptare edhe sot është absolutisht e paaftë dhe e papërgatitur për të trajtuar një krize të HM” Nese mjeku shqiptar thjesht ka nje diplome nga Fakulteti i Mjekesise ne Tirane dhe absolutisht asnjë eksperiencë në trajtimin e një krize të HM, cila eshte experienca juaj qe ju ben kaq te afte qe te luani rolin e ekspertit. Cili Universitet ju ka dhene juve diplomen e mjekut? Cfare kursesh keni ndjekur qe ju ben ju ekspert ne kete fushe? Ne dy rastet e mesiperme, nuk eshte vetem mjekesia shqiptare e papregatitur, sic mundoheni ta paraqisni ju. Si mjeku irlandez me eksperience nderkombetare, ashtu dhe mjeku shqiptar me te njejten vjetersi pune paten nje komplikacion te rralle dhe fatkeqesisht pacientet nuk mbijetuan.

    Eshte jo etike te deklarosh qe “vajza kërcënohej direkt nga mundësia e shfaqjes se HM si rezultat i përdorimit të lëndëve narkotike inhalatore të cilat në rastin e vajzës përbënin rrezik real për jetën e vajzës (mbasi vetë babai iu kishte deklaruar se vajza vuante nga asthma bronkiale)” Zoti Hito, lexoni dhe do te mesoni se nuk ka asnje lidhje mes ketyre dy patologjive. Une nuk mund te flas per rastin e vogelushit me problemet ne sy, nuk e di se cfare patologjie kishte

    “Pikërisht në këtë grup njerëzish bëhen studime të veçanta që kanë për qëllim të ndalohen ose më qartë të parandalohet përdorimi i narkotikeve inhalatore (pra narkoza e përgjithshme) dhe të evitohet rreziku i shfaqjes së HM. Pikërisht kjo duhej bërë në të dy rastet e përmendura. Mjekët nuk e bënë këtë, rezultati është vdekja. – Dihet se MH është një killer i heshtur që shfaqet në individë të veçantë me probleme të trashëguara gjenetike, kryesisht në sallën e operacionit kur ndërhyrja kirurgjikale kryhet me lëndë narkotike inhalatore. Pikërisht në këtë grup njerëzish bëhen studime të veçanta që kanë për qëllim të ndalohen ose më qartë të parandalohet përdorimi i narkotikeve inhalatore (pra narkoza e përgjithshme) dhe të evitohet rreziku i shfaqjes së HM. Pikërisht kjo duhej bërë në të dy rastet e përmendura. Mjekët nuk e bënë këtë, rezultati është vdekja”. E vetmja menyre te perjashtosh predispozicionin e dikujt per HM, dhe VETEM ne rastet kur kane pasur simptoma qe te lene te dyshosh per HM ne operacionet e meperparshme, ose kane dike ne familje qe ka patur kete problem eshte nje test qe edhe ne USA ku ju banoni, behet vetem ne 4 qendra. (The only definitive way to rule out MHS in a patient with a personal or family history suspicious for MH is to have a negative contracture test, an in vitro muscle bioassay. Some patients prefer to simply consider themselves (and their family members) MHS. They do not undergo contracture testing as it involves a surgical procedure and significant travel and cost; in the United States, there are only four testing centers, and costs may not be covered by insurance [28]. Also, they do not undergo genetic testing since there is a very high false-negative rate. Although this strategy is practical, it may not provide guidance or specific answers to the patient or their family members. Furthermore, the patient is then labeled as MHS forever, with implications for future anesthetics, ineligibility for military service, and possible limitations in occupational and insurance choices. https://www.uptodate.com/contents/susceptibility-to-malignant-hyperthermia-evaluation-and-management?source=see_link&sectionName=COUNSELING&anchor=H23#H23)

    “Rezultatet janë të “pabesueshme”. Pacienti kthehet në gjendje normale brenda disa minutave. Ky efekt spektakolar është i “garantuar” kur trajtimi i krizës HM bëhet nga një ekip i mirëtrajnuar dhe Dentroleni është prezent në tavolinën e operacionit. E përsërisim, Dentroleni duhet të jetë prezent në tavolinën e operacionit dhe jo në sallën e operacionit, mbasi për të arritur suksesin edhe sekondi është i vlefshëm. Po kështu kusht absolut është edhe prezenca e dozës së duhur të Dentrolenit (jo më pak se 36-50 flakon për një pacient)” Prape me fantazine tuaj, perhapni fakte te paverteta. Nuk ka salle kirurgjie ne bote, te mbaje Dantroline ne tavolinen e operacionit. Pacientet qe pesojne kete komplikacion, dergohen per trajtim ne terapine intensive

    Dhe meqe i referoheni Kantit ” “Mjeku është i vetmi njeri që nuk duhet të gënjejë” mire ishte te shtonim ” qe nuk duhet te shpife, qe nuk duhet t’ua beje familjareve dhimbjen me te madhe duke shkruar brockulla”

    “Fakti që në të dy rastet me HM diagnoza është dyshuar në pragun e vdekjes dhe në trajtimin e krizës nuk është përdorur Dentroleni, na jep të drejtën morale” – Me vjen keq, po e vetmja e drejte por edhe detyre morale qe keni me paditurine tuaj eshte heshtja

    Oh se per pak harrove. Ilaci quhet Dantrolene i dashur, jo Dentroline. E nqs do te me thoni se eshte nje nje typo, mundohuni te redaktoni edhe postimet e vjeteve te shkuara

    Nga larg

    Reply to this comment
  5. Besniku June 3, 13:13

    Te emertosh ” Spitale te vdekjes” , spitalet private, eshte makabre. Ne fakt titulli me beri te lexoj kete shkrim, duke menduar se behej fjale per spitalet naziste ne kampet e perqendrimit, ku beheshin eksperimente me te burgosurit.
    T’i vesh nje titull te tille nje shkrimi, qe pretendon ta beje nje mjek nga”amerika” , ku nxjerr vetem vrer per punen dhe profesionalizmin e mjekeve ne Shqiperi, te vete menjehere mendja se ky pseudomjek eshte dashakeqes I Shqiperise.
    Une nuk do shtoj asgje ne lidhje me anen profesionale te problemeve , se ate e kane analizuar me se miri parafolesit. Por mllefi I ketij njeriu, qe mjek nuk mund te jete, ndryshe mjere ata paciente qe mund te kuroje, eshte shume armiqsor, me te gjithe ne shqiptaret. Njeriu nuk mund te perfitoje nga vdekja, sidomos e dy njomzakeve, per te hedhur vrer neperke mbi te gjithe. Sistemi i sotem mjeksor ne Shqiperi eshte njesoj si ne gjithe vendet demokratike. Por demokracia ne vendet e zhvilluara ka disa qindra vjet qe ekziston, por dhe tek ta nuk ka qene niveli I sotem I shendetesise, qe ne vitet e para .

    Reply to this comment
    • Bledi June 9, 22:47

      Shkrimi mjaft I goditur dhe me ndjenje.
      Problem I ngritur eshte aktual dhe mendoj qe doktori ka kurajo te japi disa fakte mjaft tronditese.
      Nuk mund te besohet qe te futesh ne operacion per mjekimin e gjurit dhe te gjesh vdekjen.
      E falenderoj dhe respektoj doktorin per kurajon .

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*