Dy vjet pa Andrean

December 4, 2018 20:05

Dy vjet pa Andrean

Një herë, vetëm një herë në jetë e kam takuar. Në njërën nga rrugët e Tiranës, u ndeshëm përballë njëri tjetrit rastësisht dhe, si duket, nga fotografitë, e njohëm njëri-tjetrin.

Ishim, dhe jemi, të dy bashkëpunëtorë të së njëjtës gazetë, DITA, nuk e di nëse Andrea ishte edhe anëtar i kolegjiumit të saj, por ajo kishte qenë media që na kishte bashkuar dhe na kishte hapur një rrugë të lirë për të thënë atë që mendonim.

Impulsiv, ndoshta më impulsiv se sa mund të pritej, i përpirë në mendimet e tij, ndoshta nganjëherë deri në atë bartje që nuk mund të shkonte më tej, në bisedë ai ishte i qetë, do të thosha disi i ftohtë dhe asgjë nga ajo që vërehej në shkrimet e tij nuk mund të shfaqej përmes fjalëve në një takim të rastësishëm.

Disa ditë më parë kishim pasur dy replika ndaj njëri tjetrit këtu në DITA; njëra kishte lidhje me nocionin e kombit dhe përfytyrimin ndaj heroit të tij, dhe, tjetra, ishte një përgjigje e tij lidhur me nacionalizmin, ku nuk e di ende pse na kishte bërë bashkë në një shkrim Kadarenë edhe mua.

Rrinim në këmbë në qoshen e një rruge dhe pastaj u ulëm të pinim një çaj. U kthyem dhe i rikthyem tek tema që kishim pasur mes nesh dhe, ndërsa më jepte të drejtë për perceptimin tim ndryshe të heroit të një vendi, nuk mund të pajtohej kurrsesi se një kombi të vogël nacionalizmi i bën nder, si isha shprehur unë në replikën time.

Ishte e vështirë të ishe i një mendje me gjithçka ai kishte thënë në shkrimet e tij, por, po ashtu, ishte e vështirë të zemëroheshe për këtë.

Në portretin e tij kishte diçka rebeluese. E gjithë qenia përcillte rebelimin, që nga flokët, mënyrën se si fliste, lëvizjet e befasishme, por edhe mirësia e paskajshme për të të bërë rrugë në mendimin tënd.

Mund të debatoje me të, por nuk mund të ziheshe.

Nuk e dija se ishte i sëmurë. As që më shkonte në mendje se pas atij pasioni qëndronte një trup i cili po brehej nga një sëmundje e pashërueshme dhe asgjë e tij nuk e shprehte këtë.

Fliste me të njëjtin pasion, por qetësisht, tepër qetësisht, dhe asaj dite, por edhe tani, kur ai nuk është më, nuk mund ta mendoj se pasioni i vinte nga që shpejtonte të ishte edhe më tej i pranishëm dhe se qetësia i vinte nga brejtja që po vinte në trupin e tij.

Nuk patëm komunikime të tjera. Shkëmbyem numrat e telefonave, adresat në internet, thamë se do të takohemi përsëri dhe do të kemi një bisedë tjetër, ndoshta më të gjatë, por nuk mundëm të bënim as njërën e as tjetrën. Nuk pati më kohë.

Në vend të saj bëmë edhe një replikë të fundit nga larg për luftën nacional çlirimtare, së cilës më vjen keq që nuk i shkuam deri në fund.

Tani nuk është më. Kur lajmi u dha fillimisht përmes faqes online të gazetës DITA, ishte kaq i befasishëm për mua, saqë edhe tani më duket e vështirë ta besoj.

Nuk ishim miq, nuk patëm kohë të ishim. Një bisedë, në një takim të rastit, nuk është më shumë se sa një bisedë. Por ajo bisedë më mbeti në mendje. Më mbeti në mendje aftësia e tij për të të dëgjuar deri në fund me kujdes, jo i rrëmbyer, jo kryeneç; jo mospërfillës, megjithëse deri në fund në sinorët e mendimit të tij.

Kam menduar jo pak herë sa e lehtë do të ishte nëse njerëzit, edhe pse nganjëherë lëvizin në kahe të ndryshme, nuk do të lejonin që këto kahe të bëhen të kundërt.

Andrea ishte një njeri i tillë. I mungon dhe do t’i mungojë gjatë medias sonë një zë i tillë. Ashtu si jetoi, ashtu edhe u largua. Ndershmërisht.

Në këtë kohë të trazuar, dallavaresh dhe kalkulimesh, të largohesh ndershmërisht, nuk është pak.

 

****

Bedri Islami / Botuar sot në Dita

 

December 4, 2018 20:05

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin