Çfarë duhet të bëni që të mbeteni shtatzanë…

Dr.Adem Harxhi February 15, 2016 23:12

Çfarë duhet të bëni që të mbeteni shtatzanë…

 

Shumica e femrave të gjitarëve, në një moment kohor të paracaktuar, e shpalosin rregullisht afshin ose estrusin. Çdo njeri, që ka një qen ose një mace e di këtë fakt. Krejt ndryshe ndodh me gratë tona. Ato e kanë fshehur afshin dhe e kanë bërë atë të padiktueshëm prej meshkujve. Natyrshëm, lind pyetja: Pse gratë e fshehin afshin, kur ai u tregon burrave se gruaja është duke nxjerrë vezën (ovulacioni) dhe tani është momenti më i përshtatshëm për ngjizje?

Fshehja që i bënë gratë ovulacionit, është me rëndësi për të dy sekset dhe përbën një kuriozitet të madh biologjik. Biologët, janë përpjekur ta shpjegojnë fshehjen e afshit prej grave. Për këtë ka teori të ndryshme. Ato të gjitha arrijnë në një konkluzion: fshehja e afshit nga gratë dhe vajzat është një avantazh biologjik.

 Edhe pse nuk i përflak gjenitalet në kohën e estrusit, siç bën femra e gibbonit, që gjithkush në komunitet e kupton sa ajo është në afsh, gruaja, në mënyrë të pandërgjegjshme, me fare pak shenja, e njofton momentin e afshit (ovulacionit).

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të shpjegoj arsyet socio-biologjike që i detyruan gratë ta fshehin afshin. Ky do të jetë objekt i një shkrimi tjetër. Sot do të flas për ato pak shenja, që tregojnë momentin kur gruaja nxjerr vezën (ovulacionin). Kjo ka shumë rëndësi, si për çiftet që kërkojnë të kenë fëmijë, për ata që duan ta zgjedhin seksin e fëmijës dhe për ata që duan të mos ngjizin fëmijë.

Le të fillojmë.

a- Për të ngjizur një bebe, spermatozoidi dhe veza duhet të takohen në një moment ideal. Ju duhet ta dini kur është koha më e përshtatshme.

 Kur ju dëshironi dhe përpiqeni të ngjizni një fëmijë, ka shumë rëndësi që ju të përcaktoni kohën e përshtatshme se kur duhet ta bëni këtë. Veza (qoftë ajo më e përsosura) dhe spermatozoidi (sa do i aftë të jetë ai), kurrë nuk do të mundin ta ngjizin një bebe, në qoftë se nuk do të takohen me njëri-tjetrin në momentin e duhur.

Kujdes: Çifti që dëshiron të ngjizë një fëmijë, duhet të bëjë seks shpesh, por jo shumë shpesh, përpara se gruaja të ovulojë (nxjerrë vezën).

Që të ndodhë ajo që doktorët e quajnë fertilizimi, ju duhet të planifikoni ta bëni interkursën seksuale 24 orë para ovulacionit (koha kur veza e pjekur lëshohet nga ovari). Ja pse mjekët gjinekologë dhe ekspertët e fertilizimit rekomandojnë të bëni interkursë seksuale një ditë po një ditë jo, veçanërisht, javën para ovulacionit. Duke vepruar në këtë mënyrë, çifti u krijon spermatozoideve mundësinë të takohen me vezën gjatë periudhës fertile të çdo cikli menstrual. Ju duhet të dini gjithashtu se, duke ejakuluar një ditë po një ditë jo, burri e furnizon gruan me spermatozoide të “freskët” dhe i lë kohë vetes të mbushë rezervat e tij.

Mbani mend: Ejakulacioni i shpeshtë, bën që të pakësohet shumë numri i spermatozoideve në spermën e ejakuluar. Kjo bën që shanset për ngjizje të pakësohen shumë.

Duke ditur kohën e ovulacionit dhe duke bërë seks një ditë po një ditë jo (ndonëse kjo nuk tingëllon mirë për disa!) një javë para tij, ju do të gjeni kohën e duhur për takimin vezë-spermatozoid. Kjo do të thotë, t’i përqendroni përpjekjet për të ngjizur fëmijë në kohën kur kjo është më e mundur.

Por ka edhe një arsye tjetër të rëndësishme pse ju duhet ta dini kohën ekzakte të ovulacionit. Në qoftë se ju jeni një çift që kërkoni të bëni një djalë ose një vajzë, pra ta zgjidhni vetë gjininë e fëmijës tuaj të ardhshëm, ju duhet të dini mirë momentin e ovulacionit dhe në raport me këtë të përcaktoni kohën kur duhet të bëni seks për të bërë një djalë dhe kur duhet për të ngjizur një vajzë.

Sot, shkenca i ka rritur shumë mundësitë që prindërit ta zgjedhin gjininë e fëmijës që do të ngjizin. Gjithë puna qëndron tek dijenitë që ju duhet të keni për këtë.

 A ka mundësi që ta përcaktojmë kohën e ovulacionit?

 Po, ka mundësi. Mënyrat si arrihet kjo, do t’i përshkruaj më poshtë. Por, hollësi dhe shprehi praktike për këto metoda, ju do t’i mësoni duke pyetur dhe biseduar me mjekun tuaj gjinekolog, ose me maminë tuaj.

1- Bëni kalendarin e ciklit tuaj menstrual.

Një nga keqkuptimet më të mëdha që shumica e njerëzve kanë lidhur me fertilitetin është: Çdo grua e nxjerr vezën nga ovari në ditën e 14 të ciklit menstrual. Kjo është e vërtetë vetëm për ato gra që kanë cikël të rregullt 28 ditësh. Në qoftë se keni cikël të rregullt, por më të gjatë, ose më të shkurtër se 28 ditë, ju duhet ta llogarisni ditën e ovulacionit në këtë mënyrë: Zbritni dy javë, nga data që ju pritni t’u vinë menstruacionet e radhës. Për shembull: Një grua me cikël të rregullt 30 ditor do të ovulojë probabilisht rreth ditës së 16 të ciklit; një grua me cikël të rregullt 26 ditë, do të ovulojë rreth ditës së 12 të ciklit.

2- Regjistro temperaturën e trupit në kohën e zgjimit.

 Të matësh temperaturën e trupit përpara se të ngrihesh nga shtrati në mëngjes, është një mënyrë tjetër për të përcaktuar ovulacionin. U duhet një termometër special që mat temperaturën bazale të trupit (TBT) në të dhjeta të gradës (këtë e bleni në farmaci). Pasi veza lëshohet nga ovari, TBT rritet disa viza dhe mbetet lehtësisht e ngritur deri përpara se të fillojë periudha tjetër menstruale. Në qoftë se cikli menstrual është i rregullt, duke përcaktuar temperaturën e trupit në kohën e zgjimit për disa cikle, ju do të mund të përcaktoni momentin e ovulacionit.

Mbani mënd: Në kohën që TBT rritet, ovulacioni ka ndodhur dhe ka mbetur pak kohë që veza të fekondohet; do të jetë ideale që spermatozoidet të presin në tubat e fallopit kur veza do të lëshohet nga ovari.

3- Kontrolloni mukusin e qafës së mitrës.

Ndryshimet në mukusin e qafës së mitrës ndihmojnë të përcaktoni fazën fertile pa ndihmën e ndonjë aparati special. Pak ditë pas periodave, mukusi cervikal është ngjitës dhe i trashë; pastaj fillon të hollohet. Në qoftë se ai bëhet rrëshqitës dhe që zgjatet midis dy gishtave – afërsisht si e bardha e vezës – kjo tregon kohën kur gruaja është më fertile.

4- Përdorni një monitor fertilizimi

Kur cikli menstrual nuk është i rregullt, një kit që parathotë ovulacionin mund t’u ndihmojë për të përcaktuar fazën fertile. Shumica e kiteve përdorin urinën e mëngjesit. Matet sasia e hormonit të luteinizimit(LH). Ky hormon rritet, menjëherë, para ovulacionit. Këto kite blihen në farmaci.

Ju duhet të bëni interkursë 24 orë përpara ovulacionit

 Një kit tjetër ovulacioni është ai që përcakton nivelin e estrogjenit në pështymë. Vini pak pështymë në një xham sahati, ose xham syzesh dhe e shikoni atë nën mikroskopin që e ka vetë kiti. Një figurë në formë degë fieri, tregon për fazën fertile të ciklit.

Aparatet më të reja për të dalluar ovulacionin që quhen “OV Watch”, monitorojnë një tjetër lëng trupor: djersën. Ato duken dhe vendosen si orë dore. Paisja përmban sensorë që kontrollojnë rritjen e sasisë së klorurit në djersë. Kjo rritje paraprin një rritje të LH, kështu që ju jeni të paralajmëruar se ovulacioni do të ndodhë në pak ditë.

Përdorni çfarë teknologjie të doni, ato të gjitha do t’u ndihmojnë të identifikoni fazën më fertile në ciklin tuaj menstrual.

Ka edhe pajisje të tjera në shitje:

Clearblue-Digital: Është shumë i avancuar dhe i lehtë në përdorim.

– U tregon 2 ditët më të mira për të ngjizur një bebe

– Është 99% i sigurt.

Ky quhet dhe: DIGITAL OVULATION TEST

Mënyra e përdorimit:

Hapi i parë, përdoret si një test shtatzënie. Testi zbulon rritjen e hormonit luteinizues (LH) në urinë. Kur ky hormon rritet dhe ju jeni më fertile, në aparat duket një fytyrë gruaje e qeshur (happy face). Po qe se u shfaq fytyra e qeshur, hidhni

Hapin e dytë, ftoni burrin tuaj për seks.

 

Dr.Adem Harxhi / Dita

 

Dr.Adem Harxhi February 15, 2016 23:12
Komento

2 Komente

  1. # February 16, 16:03

    Po te jene te verteta keto qe shtjellohen nga dr.Harxhi.
    Bota do mbushesh me djem per lufte.Sidomos ne zonat e thella malore te vendit tone qe duan te jene oxhak i madh dhe i forte.

    Reply to this comment
  2. Lupi February 17, 03:54

    Qe te mbeteni shtatzene duhet te beni seks.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*