Ne vërtetë e hoqëm Dullën, por…

Vargje nga Hysen Ismail Haxhiaj* December 13, 2013 14:41

Ne vërtetë e hoqëm Dullën, por…

Pse o Zot nuk na bekove

mbarësi dhe harmoni?

Por shumë vite na mallkove

Dhimbje, tmerr dhe lemeri?

 

Të gjithë botën e shëtita

Në Azi, Afrikë, Rusi

Ngado shkela u cudita

Sa m’u dhimbse Shqipëri!

 

Lemerisur ngado shkova

I pashë burrat shqipëtarë

Të papun’ sheshesh të huaja

Me shikim e shpirt të vrarë

 

Diku pyeta me vështrime

Pse kështu more të mjerë?

“..Më zu bukë e tokës time

Lashë një drizë e gjeta ferrë…

 

Mbetëm udhëve të harruar

s’kemi shtet që të na mbrojë

Politika e mallkuar

nuk na zgjidh asnjë nevojë…”

 

Dy nga dy në semaforë

Shoh dhe qaj me pikëllim

Vajza që ma bën me dorë

Prostitut’ prej vendit tim?!

 

Shtrëngoj koken ndan’ tryeze

Zot, s’i s’ke një pikë mëshire?!

Mbesollet e Nënë Terezës

Qenkan kthyer në lavire…

 

Kush genjen i hoqëm plehrat

e hedhtë Zoti në humnerë

Ne vërtetë e hoqëm Dullën

Por sot kemi kaq Enverë…

 

Pas na ndjek sërish mallkimi

Nga gremina bjen në hon

Kurrë s’vem’ mend pas një gabimi

Komedia jonë vazhdon

 

Gojë ligj e mbushur mllefe

Njëra-tjetrën shajnë Partitë

Jetë e tyre qejf mbi qejfe

Po shurrojnë mbi pasuritë

 

Nëpër dhëmbët e florinjtë

Nxin cinizm’i “baballarëve”

Shqipërinë vrasin përditë

Për inat të shqipëtarëve?!

 

Por une shpesh kujtoj Naimin

Fjalë-ndriturin poet:

Këta sot që mbollën krimin

Në gojë nesër e kanë vetë

 

Mos qaj gjysh – më thotë mbesa

Teksa un ca lotë lëshoj

Se një ditë do valojë fshesa

Er’e dimrit do kalojë

 

Le të venë dhe pasurira

Mbi mjerimin tonë pa fund

Mostrat me 100 fytyra

Historia do t’i shkundë!

 

Ata që na hapën varre

Dhe s’na lanë të ëndërrojmë

Ne nuk jemi për hakmarrje

Po ama shpagim kërkojmë!

 

O sa më rinon kjo fjalë!

Fjalë të brezit që po rritet

Si ma mbush gjoksin me valë

Sepse shpresa s’mund të vritet!

 

Nuk ma qas më lotin zemra

Se jam lis i kësaj toke

Si shqiponjë po ngrihet kënga

Hapi krahët moj nën’Loke

 

Dil e shih se po vijne bijtë

I thërriska mall i vjeter

Te shpetosh nga ligesite

Dhe nga ligjet veç në letër

 

Si ca diej plot vezullime

I ka çuar Perendia

Mjaft me doçër dhe lavire

Shqipërinë e bën rinia!

 

Nuk e mbaj dot ngasherimin

S’me vjen keq edhe te vdes

Mëmedheu bën rizgjimin

Udh’e kombit s’njeh më kthesë

 

Shpirti ynë vëlla me malet

Shpirt prej dokesh dhe bajraku

Pran’ e pranë të kalojnë hallet

Si vëllezër të një gjaku

 

Shqiperia do të rrojë

Nga Kosova në Prevezë

Ku dhe guri flet me gojë

Vallja çame rreze ndez

 

Nëna jonë tashmë dihet

Është veç një dhe e pandarë

Përmbi qiell Shqipja ngrihet

Ky është shekulli shqiptar!

 

*Autori është ish-i burgosur politik. Titulli është i redaksisë. 

Vargje nga Hysen Ismail Haxhiaj* December 13, 2013 14:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*