Gabimet kryesore që bëjmë në dhomën e gjumit (+16)

Dr. Adem Harxhi December 5, 2017 20:02

Gabimet kryesore që bëjmë në dhomën e gjumit (+16)

Më poshtë, do t’u tregoj për gabimet kryesore, që ne i bëjmë në dhomën e gjumit. Nuk do të bëj teori. Do të flas për ato gjëra praktike, që të gjithë duhet t’i dimë. Do të flas për ato, që shumë çifte i kanë provuar dhe që më kanë thënë se vlejnë. Qëllimi im, gjithnjë, ka qenë, t’u mësoj si ta bëni jetën seksuale më të mirë.

Lejomëni ta filloj këtë shkrim me dy të pavërteta, që janë shumë të përhapura. Njëra ka të bëjë me vajzat e tjetra me djemtë.

– Burra e djem, kjo që do t’u them tani, mund t’u shokojë, por është e vërtetë. Ndryshe, nga sa mendoni ju, gratë nuk duan që ju t’i “ruani të pastra e të paprekura”. Atyre, ashtu si edhe juve, u pëlqen dhe kënaqen me seksin, edhe kur ai është ”kinky” ose i “pistë”.

Gra e vajza, mos mendoni se kur djemtë kërkojnë të bëjnë seks, këtë e bëjnë, vetëm, për veten e tyre. Shumë burra, ashtu siç ju e dini, nuk i shprehin dot me fjalë ndjenjat e tyre të brendshme. Për këtë arsye, nëpërmjet seksit, më shumë se me fjalët, ata përpiqen të tregojnë sa ju duan dhe çfarë ndjejnë për ju.

 

1-Shumica e grave mendojnë se burri duhet të jetë …“gjithmonë gati”

Kjo nuk mund të jetë krejtësisht e vërtetë as për një djalë adoleshent, e aq më pak për të gjithë burrat. Sapo, një djalë arrin moshën 20 vjeç, shumë gjëra të jetës së tij, hyjnë në garë dhe duan të përfitojnë nga energjia e tij rinore. Të tilla janë presioni i punës, faturat që duhet të paguajë dhe gjithë hallet e tjera të jetës së përditshme. Këto të gjitha, janë faktorë seriozë, që e ulin dëshirën e djalit për seks (libidon). Vajza dhe gra, mos e mendoni një djalë, ose një burrë si një… vibrator nga i cili prisni në çdo moment që ai të performojë në perfeksion. Ai, më besoni, nuk e bën dot këtë, edhe pse dashurinë për ju e ka të madhe.

Shumë gra, në letrat që më dërgojnë, ankohen për burrat dhe të dashurit e tyre, sepse ata nuk i plotësojnë gjithmonë kërkesat e tyre seksuale. Ata bëjnë seks më rrallë nga sa ato presin. Kjo i shtyn shumë prej këtyre grave të mendojnë se burrat kanë lidhje të tjera, jashtë martesës ose marrëdhënies.

2: Pajtohuni me trupin që keni…

Në qofte se e vlerësoni veten sipas një shkalle nga 1 në 10, do të kuptoni se ju nuk jeni në nivelin e dëshiruar. Ti e gjen veten tek 4 kur deshe të ishe tek 9 ose 10. Por edhe pse je në shkallë të ulët, seksin nuk duhet ta evitosh. Mbipesha, nuk duhet të jetë, kurrsesi, një arsye për të evituar seksin. Ndodh që dikush ka peshë normale, por nuk kënaqet me trupin sepse ai ka fiksime. Këtu problemi është mendor që lidhen me buliminë dhe anoreksinë mentale. Një grua mund të ketë rrudha, pala, strije, gjoks të varur, etj por këto, kurrsesi, nuk duhet ta detyrojnë të heqë dorë nga seksi. Kur kjo ndodh, diçka nuk është në rregull. Përpiquni të mendoni pozitivisht. Në qoftë se imazhi për veten, e prish jetën tuaj seksuale, është koha të konsultoheni me një seks-trapist dhe të lexoni libra që do t’u ndihmojnë. Kuptoni: Askush nuk është perfekt! Mos e harroni porosinë që e kam thënë shpesh në këtë rubrikën time të së dielës në Dita: çelësi i suksesit në seks është komunikimi i mirë midis dy partnerëve.

3: Mirëpriteni çdo gjë të re që sugjeron partneri

 Shumica e njerëzve, çdo ditë bëjnë të njëjtën gjë. Rutina është e mërzitshme kudo. Ajo është e mërzitshme në dhomën e gjumit, në dhomën e ndenjes, edhe në zyrën ku ti komandon. Është mirë të shtoni pak kripë e piper në jetën tuaj seksuale. Burrat e pëlqejnë ta bëjnë këtë, ndoshta, më shumë se gratë. Përpiquni dhe eksperimentoni me gjëra të reja. Këtu nuk ka asgjë të gabuar. Mos e merrni sugjerimin e partnerit për diçka seksualisht të re, si kritikë për ju. Merreni si kërkesë normale për variacion. Është shumë mirë, që partneri ose partnerja dëshiron ta ndajë këtë kënaqësi me ju. Vlerësojeni këtë pozitivisht.

Një grua në letrën e saj ankohej, se burri kërkon të provojë çdo herë gjëra të reja. Ajo, gabimisht, mendonte, se burri i kishte mësuar këto gjëra të reja, nga eksperienca seksuale që ka me gra të tjera.

4-Mbajeni zjarrin të ndezur

Një nga zhgënjimet e mëdha me të cilin ndeshen çiftet, është edhe keqkuptimi, se po qe se e duam njëri-tjetrin, jeta e jonë seksuale duhet të jetë perfekte. Kjo është vetëm një përrallë e bukur. E vërteta nuk është kështu. Që ta mbash pasionin të ndezur, duhet të bësh përpjekje, vetëm dashuria nuk mjafton!.

Ne nuk jemi edukuar dhe nuk jemi të përgatitur, që ta mbajmë për shumë gjatë jetën e mirë seksuale. Sot, ndonëse, presim shumë nga jeta seksuale, pak bëjmë për ta mbajtur atë të gjallë e vibrante. Shpesh, mërzitemi kur jeta seksuale bëhet monotone dhe ne kërkojmë ta gjejmë kënaqësinë seksuale diku gjetkë.

Shumë njerëz provojnë gjëra të “prapa”, pa qenë të prapë. Ka njerëz që shkojnë në klubet ku këmbehen çiftet, ose bëjnë seks në grup. Ata shkojnë që të kënaqen por nuk ndodh gjithnjë kështu. Një tetëmbëdhjetë vjeçar më ankohej dhe kërkonte ndihmë se në një seancë seksi në grup, ai nuk arrinte dot ereksionin dhe kjo ishte shumë e rëndë dhe turpëruese për të. Në seks-terapi ka një teori e cila kërkon, që njerëzit kur bëjnë seks duhet të jenë në “zonën e tyre të komfortit”. Kjo ka shumë rëndësi. Seksi i mirë nuk mund të bëhet kudo dhe kurdo. Në seks, gratë kërkojnë një marrëdhënie, burrat kërkojnë një vend. Siç e shihni ndryshojnë gratë nga burrat. Ju duhet të bëni gjithçka për të relaksuar njëri-tjetrin. Seksi që të jetë i mirë duhet të ngacmojë, të gërricë.

5-Bëni seks të sigurtë

Siç e keni vënë re, unë jam shumë i prirur për seksin e sigurtë, veçanërisht, për njerëzit që nuk kanë vetëm një partner seksual.

Pyetja shtrohet: Doni të jetoni apo doni të vdisni? Ja sa me rëndësi është kjo çështje. Kur flas për seksin, gjithnjë mendoj dhe nënkuptoj se njerëzit bëjnë seks të sigurtë. Është e vërtetë, që kondomet nuk mbrojnë 100%, nga të gjitha të këqijat e seksit. I vetmi seks i sigurtë është të mos bësh seks fare këtë nuk e zbaton njeri.

Në fund të këtij shkrimi dua të bëj disa pyetje: pse të mos jeni më të përgjegjshëm e ta zgjidhni mirë partnerin tuaj seksual? Pse të mos testoheni për HIV dhe sëmundje të tjera infektive seksuale? Pse të mos përdorni kondomin? Edhe pse asgjë nuk është e garantuar, bëni atë që e keni në dorë. Qendra kryesore seksuale nuk është midis kofshëve, ajo është midis veshëve.

 

Dr. Adem Harxhi – DITA

 

Dr. Adem Harxhi December 5, 2017 20:02
Komento

3 Komente

  1. Richy Walters May 12, 12:12

    i nderuar Doktor
    E nderuar Dita
    jepni disa keshilla per grate qe duan te divorcohen por kane frike

    Reply to this comment
  2. Zeta March 31, 13:28

    Ca muhabeti. Po thirrje burrave qe ta kuptojne qe Grate s’jane gati sa i do i qejfi atyre, pse nuk bene doktor? Ne bote marredhenia jo konsensuale dhe brenda marteses quhet perdhenunim. Ndersa ne Shqiperi e kemi dhe me norme sociale qe gruaja duhet ta bej sa i here i do qejfi burrit. Ky eshte problem me i madh doktor, se ka gra ne Shqiperi qe kane patur sulme te verteta fizike dhe jane kthyer ne dhune, vetem se s’i binden epsheve te burrit. S’ndodh e kunderta doktor.

    Reply to this comment
  3. Syti KORITA December 6, 19:24

    Deri ne c’moshe eshte aftesia Seksuale, per mashkullin dhe femren ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*