Nëna e Edlira Dobrushit: Nuk e përballon ndjenjën e fajit, do tentojë sërish vetëvrasjen

June 22, 2014 14:51

Nëna e Edlira Dobrushit: Nuk e përballon ndjenjën e fajit, do tentojë sërish vetëvrasjen

Edlira Dobrushi, gruaja që disa javë më parë vrau tri vajzat e saj, disa ditë më parë ka tentuar të vetëvritet në qelinë në ambientet e burgut në Itali. Nëna e saj, Atlije Çopa, në një intervistë për gazetën “Panorama” tregon se Edlira i kishte pohuar se dëshironte t’i jepte fund jetës në mënyrë që t’u bashkohej fëmijëve që tashmë prehen në varrezat e fshatit Shën Mëri në Kukës.

“Edlira tani ka ardhur në vete dhe është e ndërgjegjshme për krimin që ka kryer. Kjo po i shkakton një dhimbje mjaft të madhe. Për këtë ka tentuar t’i japë fund jetës, pasi nuk mund të mbajë në ndërgjegje vrasjen e tri vajzave të saj. Pavarësisht vizitave të shumta nga mjekët dhe psikologët, Edlira ende nuk e ka kaluar traumën që ka pësuar. Unë jam e sigurt se Edlira do të tentojë sërish për t’u vetëvrarë, pasi nuk e përballon dot dhimbjen dhe ndjenjën e fajit”, shprehet ajo.

“Qëndrova për më shumë se tri orë me Edlirën dhe vetëm për vajzat fliste. Kur ishte e ndërgjegjëshme thoshte “po vuaj shumë, nuk mund ta besoj që kam vrarë vajzat e mia, i doja më shumë se jetën time. Nuk dua të jetoj më, dua të vras vetën të shkoj pranë tyre”. Ndërsa në momentin që Edlira humbte logjikën thoshte “çfarë kanë vajzat që nuk vijnë për të më parë. Kam kohë këtu dhe ato nuk kanë ardhur për të më takuar”. Gjendja e saj ndryshonte nga momenti në moment, ajo po vuan shumë. Më tha se atë ditë që ka kryer vrasjet kishte dalë së bashku me vajzat për të bërë pazar dhe nga dreka ishin kthyer në shtëpi. Ish-bashkëshorti atë ditë ishte nisur për në Shqipëri. Më tha që i vëllai, djali im, i kishte kërkuar që vajzat të flinin atë natë tek shtëpia e tij, por vajzat nuk kishin pranuar sepse nuk donin ta linin të emën vetëm”, thotë ajo.

Nëna e Edlirës thotë se ajo është braktisur nga i shoqi dhe njerëzit e tij.

“Që prej ditës kur ishte nisur për në Shqipëri (ditën e krimit), Bashkimi nuk është takuar me Edlirën. Ai nuk është interesuar as për procesin gjyqësor dhe as për gjendjen në të cilën ndodhet vajza ime. Edlira më tha që, asnjë prej të afërmve të Bashkimit nuk ka shkuar për ta parë, madje as për t’i kërkuar llogari për krimin që ka bërë, duke e braktisur plotësisht”.

June 22, 2014 14:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*