Nëna ime Shqipëri…

April 27, 2018 12:19

Nëna ime Shqipëri…

…(Vargje për këngë- Një pjesë është kënduar nga Mariola me muzikë të Adrian Hilës)

Shqipëri -o yll e hënë,
jo më kot të quaj Nënë,
se pas Nënës s’kam të dytë,
ndaj të kam si të dy sytë.

Ç’më ke thënë e ç’të kam thënë,
më ke bijë e të kam Nënë,
që kur Bota është zënë,
Nënat dhe shqiponjat s’flenë.

Malet e tua të rënda,
flori jashtë e flori brenda,
i shikoj e ma ka ënda,
sa një mal më bëhet zëmra.

Moj e bukura-përrallë,
më jep krenari të rrallë,
emrin tënd shkruaj në ballë,
këngë e zëmër m’i mban gjallë.

Shqipe je-po je dhe lule,
halle shumë e pak pekule,
por ti kokën nuk e ule,
si flamur në shkëmb u ngule.

Flamurin në shkëmb e vure,
fluturon shqiponja-nure,
po dhe unë që të kam Nënë,
zëmrën në flamur kam vënë.

Moj e rritura me vesë,
më dhe emër-më dhe besë,
jehojnë këngët e mia:
“S’ka në Botë si Shqipëria!”

S’ka në Botë e rruzullime,
se është Shqipëria ime,
se është Nëna jonë e gjirit,
dritë e vezullim i syrit.

Ndaj më shihni kaq krenare,
se jam vajzë shqiptare,
se këngën dhe bukurinë,
i kam veç për Shqipërinë.

Jam E Bukura e Dheut,
se jam mbesë e Skënderbeut,
ndaj e kemi bukurinë,
të na ketë Bota zilinë!

Arben Duka

April 27, 2018 12:19