Nënë Hafize Ferra dhe e bija, Zyhraja, rrethi i vërtetë i kujtesës

Nga Mark Brunga December 10, 2014 16:59

Nënë Hafize Ferra dhe e bija, Zyhraja, rrethi i vërtetë i kujtesës

Hafize Ferra ka vite që është ndarë nga jeta. Plaka e urtë e punëtore, e mbështjellë me një shall të zi mbi supet e brishta, ishte një grua e rrallë e cila kishte përballuar dallgët e përgjakshme të luftës, duke humbur burrin e fëmijët, dhe që mjekoi e ushqeu me dashuri nëne shoqet e së bijës dhe luftëtarë të plagosur, kur i duhej të ushqente dhe fëmijët e shumtë që kishte, dy prej tyre të sëmurë rëndë nga pasojat e luftës… Shtëpia e saj e plazhit ndodhej në afërsi të vënd komandës së marinës dhe cilësohej si një vend i sigurtë strehimi, për të plagosurit e luftës dhe depozitimin e materialeve të luftës nga njësitet guerrile, pasi askujt nuk i shkonte në mëndje se në afërsi të një institucioni aq të rëndësishëm ushtarak të armikut mund të kishte një pikë furnizimi me armë, ilaçe e ushqime për luftën partizane. Në një prej Kongreseve të BGSH ku ishte delegate dhe Hafize Ferra, një nga udhëheqësit e luftës dhe kuadër i lartë i mëpasëm, Hysni Kapo, e dallon mes delegatëve dhe shkon dhe e përqafon me shumë dashuri, duke u interesuar dhe për shëndetin e saj dhe fatin e fëmijëve të tjerë që i kishin mbetur gjallë nga lufta. Në afërsi të saj shkon edhe nëna e Nexhmije Hoxhës dhe pas një bisede të shkurtër bëjnë së bashku edhe një fotografi, e cila ruhet ende në arkivin e familjes Ferra. Një nga pyetjet e bëra nga Kapo atje ishte dhe gjendja shëndetësore e të bijës, pasi veterania Hafize Ferra nuk kishte shumë kohë që kishte përfunduar një “betejë” me diplomacinë jugosllave për kthimin në atdhe të së bijës e cila ishte nisur për t’u kuruar atje dhe pas prishjes së marrëdhënieve shtetërore, mjekët jugosllavë jo vetëm që s’e kuruan, por edhe nuk donin ta kthenin partizanen e parë durrsake të çetës së Pezës.

Ramazan Ferra, i parafundit i 6 fëmijëve të nënë Hafizes, lidhur me këtë situatë të rënduar të jetës së familjes Ferra kujton: “Babai e përkrahu Zyhranë, duke u vendosur në pozicionin e korrierit në çetën e famshme të Pezës. Por më 12 janar 1944, ai kapet në befasi nga gjermanët, të cilët e torturojnë barbarisht dhe më pas e pushkatojnë. Por drama nuk mbaron këtu. Kur Zyhraja shikon trupin e të jatit të masakruar dhe pa jetë, pëson një shok psikologjik që e vuan tërë jetën. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos në vitin 1948, mjekët jugosllavë kryejnë krimin tjetër duke e masakruar për së gjalli. Për Zyhra Ferrën bëhet fjalë edhe në romanin “Rrethi i Kujtesës”, si dhe në filmin me të njëjtin titull. Rasimi, vëllai i fundit teksa kthehej në shtëpi, shtypet nga autokolonat gjermane. Dhe kjo ndodhi pak muaj pas masakrimit të babait”, tregon Ramazani. Dhe që atëherë, nëna e tij i vuri supet punës duke punuar ditë natë me një makinë qepëse, për të rritur fëmijët jetimë…

 

Hafize FerraNËNA E URTE DHE KURAJOZE

Për shkak të një miqësie të viteve të fëmijërisë me Isufin, nipin e nënë Hafizesë, i cili trashëgonte edhe emrin e gjyshit dëshmor, kam pasur fatin ta njoh që herët këtë njeri të rrallë, e cila goditjet e rënda të jetës i përballoi me shumë stoicizëm. E qetë dhe e saktë në të folurën e ngadaltë, mjaft e ëmbël në komunikimin me ne fëmijët. Na priste sapo dilnim nga shkolla “Mujo Ulqinaku” dhe na shtronte gjellë të ndryshme që rrallë amvisë mund ta konkuronte. Dhe kjo nënë e dhimbshme, vetëm një rast mbaj mend që e shprehu pikëllimin e saj me një lot që i rrodhi faqeve të rrudhura nga hallet. Ishte momenti kur i sollën nga spitali të birin Ramazanin, të aksidentuar në shtratin e një lumi gjatë punës kur ishte Drejtor i NSHMN-së në Durrës. Ka qenë 11 janari 1971 kur shkova në spitalin nr 2 në pavionin e kirurgjisë me prindërit e mi. Kur më pa, më porositit të mos tregoja në shtëpi. Mbi kokë kishte mjekët, por Ramazani gjeti forcë vetëm të më porosiste që të mos u thoja të shtëpisë dhe as të birit që e kisha në klasë. Nuk donte ta rëndonte familjen e tejngopur me tragjedi jetësore… Nënë Hafizeja e dinte se djali i saj ishte me shërbim. Pas disa javësh kur u kthye në shtëpi, i fashuar në kokë gjithsesi, ajo shtangu. Kur u bind që i biri ishte mirë, në sinkron me lotin që i rridhte faqeve, tha më gjysëm zëri: “Thashë se m’u shua fati…”. Kjo nënë stoike ishte e bija e të famshmit Sefer Efendi Kazazi. Emrin e të cilit e mban një rrugë dhe një zonë në kodrën e qytetit të Durrësit. Dhe gruaja e dëshmorit Jusuf Ferra.

 

BETEJA PER TE SJELLE TE BIJEN NGA JUGOSLLAVIJA

Në vitet 50-të Hafize Ferra ka zhvilluar një betejë me diplomacinë jugosllave për të sjellë në atdhe të bijën Zyhra Ferrën. Disa herë ka shkuar në ambasadë, ka protestuar për fatin e humbur të bijës. Duke jetuar dhe vetë në ankth rreth 10 vite, shurdhërinë e shtetit titist, deri në kthimin e së bijës së sëmurë rëndë. Në ditët tona ka arritur vetëm një dokument të cilin po e publikojmë.

Zyhra Ferra e tronditur rëndë nga pushkatimi i të atit, kalon një shok nervor dhe kur dërgohet pas disa viteve në Jugosllavi për kurim, ajo nuk lejohet të riatdhesohet pranë familjes së saj. Për këtë, mes shumë përpjekjeve të tjera, e ëma Hafize Ferra i drejtohet Ministrisë së Jashtme (Seksionit Konsullor). Letra mban datën 13 shtator 1958. Në të ajo i kërkon shtetit që të interesohet për fatin e Zyhrasë që ta gjejë duke u interesuar në rrugë diplomatike për ta sjellë në atdheun e saj. Mes të tjerash, e ëma i kujton shtetit faktin se  “Zyhra Ferra është partizane e vjetër. Nga tronditjet e luftës pati një krizë nervore dhe në vitin 1947 dërgohet për kurim në Beograd”. Pas kësaj faze është shkëputur edhe lidhja mes tyre. E ëma i bën me dije shtetit, se pas një viti nga kur ishte nisur për kurim, ajo ishte parë edhe një herë, në gjëndje të përmirësuar. Por qysh prej kohës që u prishën marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, nënvizon e ëma me dhimbje, unë nuk kam asnjë lajm prej saj, as nuk e di nëse rron apo ka vdekur. E ëma Hafize Ferra nuk harron që të rikujtojë në letër kërkesën e saj shtetit se e bija Zyhraja ka edhe 3 dekorata të luftës të Kujtimit, të Trimërisë, të Çlirimit.

 

POLEMIKA SHQIPTARO-JUGOSLLAVE

Shteti shqiptar në këtë kohë ka bërë përpjekje për gjetjen dhe risjelljen e saj në atdhe. Për këtë dëshmon edhe fakti i vendosjes se këtij problemi në qendër të polemikës mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së asaj kohe e cila ndiqte një politikë thellësisht armiqsore kunder vëndit tonë. Gazeta “Zëri i Popullit” në artikullin redaksional me titull “Vrasja dhe persekutimi i shtetasve shqiptarë nuk mbulohen dot me shpifje dhe gënjeshtra” të datës 4.9.1958 duke polemizuar me qeverinë dhe shtypin zyrtar  jugosllav, kërkon llogari se përse “Borba” dhe “Politika” nuk shkruajnë se si autoritetet jugollave po mbajnë me forcë për vite me rradhë të sëmurë shqiptarë si Perlat Frashëri dhe Zyhra Ferra, dhe nuk u përgjigjen kërkesave të përsëritura të legatës shqiptare per riatdhesimin e tyre? Gazeta ka nënvizuar se “të gjitha këto autoritetet jugosllave i bëjnë kundër shtetasve shqiptarë që janë pajisur me dokumenta të rregullta shqiptare. Le pastaj se ç’bëjnë kundrejt vëllezërve tanë të Kosovës”!

 

 

ZYHRAJA, E BIJA E NËNË HAFIZES

Në kujtimet e veta, Myslym Peza ka shkruar se Zyhra Ferra ishte vajza e parë që erdhi nga qyteti në luftë dhe që luftoi deri në fund për çlirimin e vëndit. Bashkëluftëtaret e saj kanë sjellë në kujtesë nëpërmjet shkrimeve që kanë lënë pas, të vërteta të thjeshta por që e lartësojnë këtë figurë të rrallë për kontributin e pakursyer që dha. Ajo qe e para femër që iu besua në demonstratën e 28 nëntorit 1941 mbajtja e flamurit të demostratës. Në demonstratën e 12 prillit 1942, sjell në vëmendje ish kuadri i lartë i formacioneve partizane në Pezë, Sali Verdha, spikatën vendosmëria dhe guximi i saj. Në kohën që ajo mbante në duar shtizën e flamurit kombëtar të demonstratës, xhandarët iu turrën që t’ja rrëmbenin nga dora, por ajo i qëlloi ata me shtizën e flamurit dhe nuk ua dorëzoi. Veterani Spiro Bakalli në kujtimet e veta ka shkruar se në periudhën kur u ndje e domosdoshme armatosja e grupeve të luftëtarëve, Zyhraja ishte e para (ai e ka theksuar fjalën “e para”) që solli një kobure të cilën e përdorën më pas luftëtarët e çetës partizane në aksionet e tyre gjatë betejave të ndryshme që zhvilluan. Sipas materialeve të dokumentacionit historik të asaj periudhe Zyhra Ferra ka marrë pjesë me armë në dorë në betejat e mëdha të njohura të historikut të Pezës: Në Pezën e Vogël, Bërzhitë, Arbanë, Golemas e gjetkë…

 

PUSHKATIMI I TE SHOQIT TE NENE HAFIZES

Nga kronikat e luftës ka shumë dëshmi për ekzekutimin e Jusuf Ferrës. Një dëshmitar okular i skenës së pushkatimit, sipas versionit të veteranëve të luftës tregon se si u pushkatua Jusuf Ferra. “…I kërkuan të tregonte se pse kishte ardhur në Kërçukje. Ai u justifikua se kishte ardhur për të blerë ullinj e vaj për nevojat e familjes. E torturuan në mënyrë çnjerëzore. Spiunët e bashkëpunëtorët e gjermanëve zbuluan dhe nxorrën materiale që ai kishte sjellë me vete për luftëtarët e Pezës. E pyetën se ku do t’i çonte materialet, ku ndodheshin partizanët e se ku ndodhej e bija. Po ai heshti. I nxorrën njërin sy. Ai përsëri heshti. I prenë njërin vesh. Përsëri heshtje. Pa thënë asnjë fjalë rezistoi derisa e masakruan me bajoneta e thika dhe pastaj e pushkatuan kur ndodhej në gjendje thuajse të pajetë. E flakën tutje të pavarrosur. Kjo skenë makabre – theksojnë shënimet – tronditi të gjithë burrat dhe gratë e fshatit. Po në mënyrë të veçantë Zyhranë, e cila kur pa me sytë e saj të atin të copëtuar në atë mënyrë, pësoi një goditje të rëndë nervore dhe u sëmur rëndë… Ky ishte dhe mali i dhimbjeve që përballoi me dinjitet nëna veterane Hafize Ferra. Ka vdekur në vitin 1973.

 

Nga Mark Brunga December 10, 2014 16:59
Komento

2 Komente

  1. muzzammil February 24, 17:37

    UNE JAM INDRIT FERRA,NIPI I KESAJ NENE,QE RREGJIMI KOMUNIST I VRAU BURRIN E SAJ,KRIMET TE KETILLA DIHET I BENIN VETEM JUGOSLLAVET,PER TE TREMBUR POPULLIN,DHE JO GJERMANET TE CILET ISHIN KALIMTAR NE SHQIPERI.,DHE POKESHTU DHE TE BIJEN E SAJ ,QE PAS SHOKUT PSIKOLOGJIK DHE TORTURIMEVE,PERDHUNIMEVE NGA KOMUNISTET,NUK U BE ME AKTIVE PER KETE JET. MOS TE HAROJM SE KJO NENE DHE NJE DJAL TJETER NGA E KUPTUARA CFARE I KISHTE NDOLLUR TE AJIT TE TIJ DHE MOTRES SE TIJ,AI RREGJIM KOMUNIST JA SHTROJ NE SPITALIN PSIQIATIK NE ELBASAN,KU ATY PERFUNDOJ DHE JETEN E TIJ NE KETE DYNJAH. MAMAJA IME FATMIRA GREVA GJITHMON ME KA FOLUR MIRE PER KETE GRUA. ramazan ferra ESHTE INDIVIDI QE U BASHKUA ME KETA KOMUNIST PER EPSHET E TIJ,DUKE MOHUAR,SHPIFUR PER DY FEMIJET E TIJ , UNE DHE TJETRI NE POLONI. KY ESHTE KOMBI SHQIPTAR DHE SONTE,NEN THEMELET E INTRIGES , MASKARADES NJERZORE KU U UDHEHIQET DHE NGA IME AT ramazan ferra , QE E BERA NE VITIN 1994 TE SHTOJ DHE EMRIN NE KETE QYTET MIZERAABEL DURRSIN.ELHAMDULILLAH

    Reply to this comment
  2. FERRA February 24, 17:52

    BISMILAHI RRAHMAN RRAHIM
    E VERTETA GJITHMON TRIUMFON
    NUK ESHTE E VERTET,KOMENTI JUAJ
    TORTURAT BEHESHIN NGA JUGOSLLAVET ME ”PARTIZANET SHQIPTAR”
    GJERMANET ISHIN KALIMTAR,NUK TORTURONI,POR VETEM VRISNIN
    HISTORIA ESHTE E TE BIJES SE KESAJ NENE,PAS SHOKUT PSIKOLOGJIK,TORTUROHET,PERDHUNOHET NGA ” PARTIZANET SHQIPTAR=SERB”
    KESAJ NENE , DHE TE BIRIN E SAJ ,PASI KUPTOJ CFARE KISHTE NDODHUR ME BABAN ,VELLAIN,MOTREN E TIJ PROTESTOJ,PER KETE E CUAN NE SPITAL PSIKIATRIK NE ELBASAN ,KU PERFUNDOJ JETEN E TIJ.
    ramazan ferra. ESHTE INDIVIDI QE E DI SHUME MIRE KETE GJE,POR KA RENE NE MARVESHJE PER TE PLOTESUAR EPSHET E TIJ.KY INDIVID KA MOHUAR DY DJEMT E TIJ,MUA DHE ME TE MADHIN NGA DJEMT NJE VELLA NE POLONI.
    JU” GAZETARI” MARKU ME NJIHNI SHUME MIRE MUA INDRIT FERRA,KU ME KENI ARDHUR NE SHTEPI KU UNE U MARTOVA DHE KEMI PATUR DHE TAKIME TE TJERA. SA TURP PER JU ” gazetar ”
    PROFET INDRIT FERRA,ATESIA RAMAZAN, MEMESIA FATMIRA GREVA,DATLINDJE 23 . 02 . 1967 .
    ELHAMDULILLAH
    ALLAHU EKBER

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*