Nëpër Arbërinë arbëreshe

November 3, 2019 12:26

Nëpër Arbërinë arbëreshe

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Nuk e merrnim vesh si po na ikte koha. Takimet e bisedat vinin varg njëra pas tjetrës e njohjet s’kishin të sosur. Nuk lamë gati asnjë katund arbëresh të krahinës së Katanxaros pa shkelur. Shkuam deri në Marceduzë e në Jaxeri. U ramë maleve e grykave kryq e tërthor. Erdhi një çast kur na bëhej se këta njerëz e këto vende i kishim njohur prej kohësh.

Po “Arbërinë e vogël” nuk e përbëjnë vetëm katundet e Katanxaros. Kufijtë e saj janë më të gjerë e shtrihen në disa krahina të jugut italian, sidomos në krahinën e Kozencës. Madje, arbëreshët e kësaj krahine i mbajnë trevat e veta si zemrën e “Arbërisë së vogël”. Prandaj u dukej e çuditshme që ne jo vetëm nuk e hapëm kursin tek ata, po dhe për t’i parë po vonoheshim. Dëgjonim të na thoshin me ton qortues në telefon:

“Si rrini? Rrini mirë? Mos harroni se jemi dhe na këtu e Ju presim. Ju vetëm na thoni e na vijmë e ju marrim Shqiptari një besë ka! Apo jo? Ishte fjala për disa katunde, emrat e të cilëve tanimë janë pjesë e historisë, e kulturës dhe e letërsisë sonë. Me këta ne ishim mësuar që në bankat e shkollës, kishin të bënin me formimin tonë kombëtar. Do të shkonim në vendlindjen e De Radës, të Serembes, të Santorit;  historia arbëreshe gërshetohej me Rilindjen italiane. Në këto katunde lëvizja e sotme arbëreshe ka vatrën kryesore. Këndej punojnë sa e sa veprimtarë arbëreshë, dalin gazeta e revista, bëhen studime, organizohen manifestime kulturore, shkencore e artistike…

Ishim gjithë dëshira e plot e mendime të zgjuara kur u nisëm nga Shënkolli për në këto treva. Kishin ardhur për të na marrë,prof. Italo Fortino me Xhanin, një student të vetin. Na ftonin studentët arbëreshë të Kozencës që kishin qenë në Shqipëri. Binte pak shi dhe nga mjegulla e dendur nuk dukej mirë rruga.

Rruga për në krahinën e Kozencës është e gjatë dhe pak e vështirë. Midis saj dhe ngulimeve arbëreshe të Katanxaros ngrihen malet e njohura të Silës. Gjithë këto vende i takojnë Kalabrisë, po ndërsa të parat hyjnë në Kalabrinë e Sipërme, të dytat në Kalabrinë e Mesme. Në tërësi Kalabria shtrihet ndërmjet detit Jon dhe detit Tirren dhe përbëhet nga male, kodra e terrene të thyera; aty vazhdojnë malet e Apenineve, të cilat quhen dhe Alpet e Kalabrisë, për shkak të madhësisë e të lartësisë së tyre. Këto vende të ashpra ne do t’i shikonim më se një herë dhe, duke i soditur, do të mendonim sërish për historinë e jetën e vëllezërve tanë këtej.

Duket e çuditshme, por’ është e vërtetë që këto male kanë ndikuar shumë që arbëreshët të qëndrojnë të ndarë në shekuj nga njëri-tjetri. Sigurisht, në këtë mes ka dhe arsye të tjera. Edhe pse vëllezër të një gjaku, ata s’e kanë pasur të lehtë të kapërcejnë qafat e grykat e këtyre maleve. Në kushtet kur mungonin rrugët e mjetet, lidhjet ndërarbëreshe në Kalabri kanë qenë shumë të vështira. Vetëm vonë, gjatë Rilindjes sonë kombëtare, kur idetë e saj të ndritura depërtuan dhe në këto malësi, u bënë disa nga patriotët, por prapë ato qenë më tepër simbolike e të rastit. Malet e Silës mbetën të pakapërcyeshme dhe arbëreshët e këtyre dy vatrave në Kalabri pak e njohën njëri- tjetrin dhe munguan lidhjet e rregullta. Në ditët tona, kur rrugët e komunikacionit nuk janë më pengesë, ata kanë filluar të shkojnë e të vijnë, sidomos intelektualët, megjithëse ngadalë dhe me raste. Jeta, me shqetësimet e hallet e përditshme, s’i jep kohë arbëreshit të shkojë të shuajë mallin pesëqindvjeçar me vëllanë përtej maleve të Silës.

Po këto lidhje të dobëta kanë dhe  katundet arbëreshe të Bazilikatës me ato të Kozencës, të cilat i ndajnë në mes malet e Polinit. Nuk po flasim pastaj për kontaktet e kufizuara me vatrat arbëreshe që gjenden në thellësi, si ato të Puljes, Molisës, Kampobasos, Kompanias, Abrucias etj., kurse për lidhje të drejtpërdrejta me arbëreshët e Sicilisë as që mund të bëhet fjalë, kur në mes tyre hyjnë jo vetëm malet, po dhe deti.

Prandaj, po ta njohësh këtë realitet nga afër, të kesh shkelur në këto vende e t’i dish rrethanat historike e shoqërore, nuk ke pse habitesh që bëhet pikërisht Shqipëria, atdheu i parë, vendi ku arbëreshët, të ardhur nga krahina të ndryshme, takohen e njihen, krijojnë lidhje me njëri-tjetrin, të cilat i vijojnë pastaj në Itali për qëllime të përbashkëta.

Rreth këtyre problemeve bisedonim me Italon e Xhanin gjatë udhëtimit atë ditë me shi, ndërsa makina rrugëtonte nëpër grykat e qafat e maleve të Silës.

Vështroja nga dritarja e makinës këto male dhe mendja më shkonte te arbëreshët. Edhe këto male në njëfarë mënyre lidhen me ta. M’u kujtua libri «Të njëmijtët» i shkrimtarit, të cilët luftonin kundër Burbonëve këtyre anëve dhe përmend me adhurim një arbëresh. Më pëlqen t’ia jap lexuesit fjalë për fjalë atë që shkruan ai:

“Më 1844 patriotët kalabrezë kishin vendosur të hidheshin në kryengritje. U mblodhën një natë në pyjet e Silës… gjithsej një mijë veta… U vendos që të sulmonin Kozencën… t’i bënin thirrje gjithë Italisë të rrëmbente armët, të krijonin një qeveri të përkohshme. Betimet e të përbetuarve i mblodhi një grua e re,  me një bukuri të jashtëzakonshme, vejushë… në moshë të re, zonjë një kështjelle në Sila. Në këtë kështjellë pas mbledhjes u grumbulluan krerët e të përbetuarve nën kryesinë e shqiptarit

Kamadeka, një figurë homerike… (Më Vonë, pas kryengritjes, Kamadekën e burgosën dhe e dënuan me vdekje). Kamadeka flinte kur i njoftuan dënimin me vdekje, dëgjoi pa lëvizur asnjë qerpik, si heronjtë e lashtësisë».

Duke lënë prapa krahinën e Katanxaros, jemi ngjitur për në veri dhe kemi hyrë në Kalabrinë e Sipërme. Po u afrohemi katundeve të Kozencës. Harta që mbajmë përpara, vetëm na orienton, sepse sytë ndeshën në pamje të tjera nga  ç’kemi përfytyruar.

Makina fillon të zbresë tatëpjetë maleve të Silës dhe relievi tani sa vjen e zbutet. Malet ua lënë shpejt vendin kodrave dhe zonave të buta. Para nesh duket Kozenca, kryeqendra e krahinës dhe e gjithë Kalabrisë. Katundet arbëreshe shtrihen në veri të saj dhe në pjesën më të madhe ngrihen në të dyja anët e lumit Krati. Rruga për tek ato gjarpëron nëpër një luginë të bukur e mjaft piktoreske. Para syve tanë hapet një peizazh i butë, me kodra, me shpate e bregore të këndshme, me livadhe e lirishte plot ngjyra. Menjëherë e ndiejmë se këtej ka shpërthyer pranvera. Fryn një erë e ëmbël mesdhetare, kanë çelur lulet dhe blerimi i përhershëm i ullinjve, i portokalleve e i limonave mbulon tokat  në të gjitha krahët. Na duket sikur po udhëtojmë diku në rrethinat e Vlorës a të Delvinës.

Fillojnë të shfaqen nga larg katundet e para arbëreshe, që vijnë njëri ps tjetrit, në shpatet e kodrat më të djathtë të lumit Krati, Shën Sofia, Shën Mitri, Maqi e më tutje Mbusati, Strigari Vakarico…Ata janë pranë, me një konfiguracion pak a shumë të ngjashëm. Lart është katundi me shtëpi të rrethuara nga kopshte, ndërsa shpateve ose poshtë në fushë gjenden vreshtat e ullishtat.

Në anën e majtë të Kratit janë Plataçi, Çifti, Kastrorexho, Frasnita, Ejanina, Shën-Vasili, Firma, Ungro, Firmoza. Më në ‘ thellësi, në mes maleve Apenine janë Shën-Katerina, Çerçeto, Shën-Mërtiri, Cervikati, Shën-Benedikti.

Janë 24 katunde me më shume se 100 000 banorë që zënë rreth 6 për qind të popullsisë së Kalabrisë.

Në asnjë krahinë të Italisë arbëreshët nuk janë aq të përqendruar dhe të afruar, me një histori të përbashkët e të pasur sa këtu.

Në këto vende ku arrijmë atë mbrëmje prilli, do të qëndrojmë disa ditë. Natën e parë e kalojmë në Kozencë e pastaj marrim rrugën për më tej.

Historia arbëreshe në viset e Kozencës na çon në kohën Skënderbeut, në vitet fill pas vdekjes së tij, kur, siç thotë një rapsodi e vjetër shqiptare, «treqind mijë trima ikën. Çanë detin” dhe zbritën, në brigjet e Kalabrisë. Erdhën këtu me anijet e tyre, po një pjesë dhe me anije veneciane, napolitane e raguziane. Për dhjetë vjet (1468-1478) me radhë nuk reshtën valët e refugjatëve arbëresh. Sapo shkelnin, i shpërndanin në thellësi të vendit. Tokat pjellore të Sibarit vetëm sa i shikonin me sy, ata i prisnin toka shterpe e vende të egra thellë maleve. Nëpër to u ngritën ngulime të reja ose u përtërinë fshatra të braktisura. Çdo gjë duhej nisur nga e para.

Në fillim pandehën se qëndrimi në dhe të huaj do të ishte i përkohshëm. Por koha dalëngadalë do të bënte të vetën. Ashtu si vëllezërit e tyre në krahinat e tjera të Italisë së Jugut, dhe këta ç’nuk bënë për të mbijetuar. Por, duke qenë më të shumtë në numër dhe më pranë njëri-tjetrit, bashkësia arbëreshe këtej do të organizonte një qëndresë më të fortë. Nga një anë do të ishin virtytet dhe burrëria, kultura e jetës dhe e punës që kishin sjellë me vete dhe nga ana tjetër lufta e përditshme dhe e shumanshme me opinionin armiqësor të baronëve e të vendësve të prapambetur. Prej kësaj kohe të hershme ka ardhur si legjendë një zakon, që ka të bëjë me kambanat. Të mërguarit, veç të tjerash, kishin sjellë me vete dhe këmbanat e kishave, që i përdornin jo vetëm si mjete për ritet fetare, po dhe si mjete lufte. Sepse ç’ndodhte? Edhe në dhe të huaj, ata i ngritën këmbanat dhe u binin fort, shumë fort, në mënyrë që kumbimin e tyre gjëmimtar ta dëgjonin jo aq vendasit e gadishullit, po jehona e kambanave të ndihej deri larg, përtej detit! Ta dëgjonin osmanët e ta dinin se arbëreshët ishin gjallë dhe një ditë do të shiheshin rishtas në luftë.

Po me kohë gjëmimi i fuqishëm i këmbanave mbeti si një mënyrë për t’u kujtuar herë pas here vendasve se arbëreshët ishin të huaj aty e për më tepër qenë të ndryshëm, me gjuhën e zakonet e veta.

Në këtë vatër, siç do të na tregonin më pas, nuk u shua kurrë zjarri arbëresh. As errësira mesjetare, as dhuna feudale, as “klima” e huaj s’e prekën dot shpirtin e paepur të këtyre njerëzve trima e krenarë. Mbreti i Napolit, princat e baronët gjithnjë do t’ua kishin frikën e s’do t’u besonin asnjëherë. Arberëshët, si kudo dhe në këtë trevë, do të tregonin një ndërgjegje të lartë etnike. Duke e mbajtur të gjallë vegimin e atdheut, kujtimin e zulmeve të një kohe heroike, duke ruajtur e kultivuar zakonet e kulturën e tyre të jetesës, duke përdorur fjalët e një gjuhe plot magji, siç është gjuha e mëmës, të mbështetur fort te njëri-tjetri, ata krijuan një realitet, shpirtëror që u bë barriera e parë për t’u mbrojtur nga rreziqet e asgjësimit. Kështu, pa u ndihmuar e pa u përkrahur nga askush, me një forcë përtëritëse të brendshme, arbëreshët e krahinës së Kozencës qëndruan e s’u dhanë asnjëherë.

Dhe s’kemi pse të çuditemi që tërë energjitë, të ndrydhura në shekuj brenda vetes e katundit, do të shpërthenin me një forcë e bukuri të pashoqe kur do t’i thërriste zëri i lirisë.

S’është e rastit që këto vise, që i takonin mbretërisë së Napolit, gjatë rilindjes Italiane do të ktheheshin në çerdhe luftëtarësh, në jatakë për armiqtë e tiranisë. Mund të kesh lexuar në libra, por, kur dëgjon rrëfimet e vetë arbëreshëve mëson se këto vende kanë qenë arenë e Italisë kryengritese. Lëvizja e karbonarëve kishte një nga strehët më të sigurta në këto katunde. Luftëtarët republikanë që ndesheshin nëpër barrikadat e rrugëve të Napolit, vinin këtej pastaj dhe i ruante e i mbante populli arbëresh.

Idetë e lirisë që do të hidhnin dritë mbi Italinë, disa ngado t’i ndiznin këtu. Prej këtyre anëve dolën luftëtarë e mendimtarë të shquar të epopesë së çlirimit. Disa nga këta pionierë ishin arbëreshë. Prekesh kur s’ka katund arbëresh në krahinën e Kozencës që në një mënyrë a në një tjetër të mos përmendet në kronikën e luftës për lirinë e bashkimin e Italisë.

Lexon këtë kronikë lirike dhe në çdo faqe të dalin emrat e arbëreshëve e thonë vetë historianët italianë. Dhe një mësues nga Vakarica do të na lexonte këto fjalë të Oresto Ditos:

“Më tepër se në provincat e Rexhios e të Katanxaros në provincën e Kozencës ndizej lëvizja liridashëse, veçanërisht për hir të veprimtarisë së arbëreshëve… Madhështorë janë këta bij të Shqipërisë për mendjen e hollë. Në mes plebejve kalabrezë të uritur, të rrëzuar, supersticiozë që i rrethojnë ose në mes pasanikëve të plogësht, të majmur nga qejfet arbëreshët përfaqësojnë elementin më të zgjuar në Kalabri”.

Duke e ditur se ç’vend nderi zinin arbëreshët e krahinës së Kozencës në historinë e Kalabrisë, tani që gjendemi këtu shohim me sytë tanë teatrin e ngjarjeve, të zhvilluara një shekull e ca më parë. Shohin vendet historike, lapidarët, pllakat përkujtimore, shtëpitë e heronjve, sheshet e betejave. Dëgjojmë rrëfimet e pleqve dhe kuptojmë se historia këtu është e gjallë, se arbëreshi nuk harron e di se ç’mban mend, ai e njeh peshën e vetes në atdheun e dytë. Asgjë s’kërkon t’ia falin dhe do që të jetë i barabartë në mes të barabartëve. Vëmë re se veçanërisht pleqve u pëlqen të flasin për traditat, të kujtojnë historinë, të përmendin njerëz e ngjarje. Të bën përshtypje që në fjalët e arsyetimet e tyre nuk ndien vetëmburrje e aq. më tepër mëri e shovinizëm ndaj vendasve, përkundrazi, ata kanë qenë e janë shokë e bashkë luftëtarë me popullin italian kundër padrejtësive për çështjen e lirisë.

– Le të kthehemi prapë te Rilindja italiane. Në rastin tone kjo nuk është aq pikë referimi sesa një kohë e lavdishme, kur u afruan dhe u njohën sa asnjëherë arbëreshët me italianët e kur arbëreshët pas disa shekujsh, që u detyruan të qëndronin në mjegull, u rishfaqën para botës dhe fituan admirimin e opinionit italian. Kështu, historia arbëreshe hyri në historinë e Italisë dhe historia e këtij vendi u trazua me historinë arbëreshe. Lëvizjet e mëdha italiane te kohës u gërshetuan me jetën dhe traditat e kësaj bashkësie trime e krenare. Luftërat e karbonarëve, të maxinianëve e sidomos të garibaldinëve gjetën te arbëreshët partizanë e luftëtarë besnikë e të devotshëm. Këtë e dëshmojnë më mirë katundet arbëreshe të trevës së Kozencës.

Mjafton të shfletosh historinë, kronikën e ngjarjeve nga fillimi i luftës deri në Italinë e lirë e të bashkuar. Askush nuk habitet që në kryengritjet e 1799-s, të cilat përmbysën për herë të parë monarkinë Burbone dhe shpallën republikën, u zgjodhën dhe arbëreshët Paskuale Bafa dhe Xhuzepe Albanezi. Ky ishte vetëm prologu i ngjarjeve të mëdha që do të tronditinin Italinë. Sepse pas kësaj ngjarjeje do të niste procesi madhështor i zgjimit të kombit italian. Do të vinte lëvizja e karbonarëve me zigzaget e veta plot vetëmohim e dhembje. Arbëreshët do të qenë nga të parët që do ti jepnin kësaj lëvizje të feshhtë luftëtarë e do të bënin sakrifica të panumërta. Pak më vonë do të dilte në skenë Maxini. Kronikat e kohës janë plot me emra arbërshesh trima që i shkuan pas. Në mes tyre që organizuan e udhëhoqën kryengritjet antiburbone ne Napoli e Kozencë në vitet 1837, 1840, 1848 është dhe pelajda e intelektualëve revolucionarë arëbershë.

Ata ishin pikërisht nga këto fshatra, nga Shën-Mitri e Vakarico, nga Shën-Benedikti e Kastrorexho, po mbi të gjithë Mauro, që mbahet nga frymëzuesit kryekombëtar në mbarë Italinë e flet historia, ai e luajti jo vetëm me guximin prej luani e me virtytet e një burri arbëresh, po dhe me vlerat intelektuale si poet e prozator, si studiues e gazetar i çmuar.

Kulmin e tyre në këto anë ngjarjet heroike të viteve 40-të e arritën në Revolucionin e vitit 1848, kur nga të gjitha katundet arbëreshë të Kozencës u hodhën në luftë e bënë emër si ushtarë trima e komandantë të zotë dhjetëra e qindra bij arbëreshë.

Betejat më të mëdha e më të përgjakshme janë të lidhura dhe me guximin e me gjakun arbëresh. S’mund të kuptohen epopeja e Kampotenezës apo ajo e Spixanës, pa komandantët e lavdishëm arbëreshë, si D. Darnisi, N. Tarsia, P. Iriani e F. Triflio, P. Beliçi e M. Rafaelo, K. Belici e V. Luci, V. Stratigoi e Xh. Plaku. Këta janë nga Lungro e Çifti, nga Shën-Mitri e Kastrovilari.

Në shtëpitë e këtyre katundeve jemi duke bujtur gjithë këto ditë.

Ishin këto luftëra heroike në Napoli e në Kozencë, në viset e Kalabrisë, që i hapën rrugën Xh. Garibaldit. Jo më kot ai do të thoshte më vonë, duke bërë bilancin e fushatës së tij famëmadhe: «Marshimi për në Kalabri është një triumf i vërtetë i shkëlqyer në mes popullsisë luftarake, një pjesë e së cilës kishin marrë me kohë armët kundër shfrytëzuesve burbonë».

Kjo lëvdatë u takonte dhe arbëreshëve, të cilët e pritën Garibaldin si hero të tyre, që u kujtonte Skënderbeun, dhe i shkuan menjëherë pas plot entuziazëm. Garibaldi do t’i njihte e do t’i provonte ata si njerëz trima e besnikë, të vendosur e të paepur për çështjen e lirisë. Prandaj, sapo riorganizoi qeverinë në Napoli, ai zgjodhi menjëherë tre arbëreshë. A nuk ishin arbëreshët nga të parët që e ndoqën heroin që nga Marsala në fushatën luftarake të Sicilisë? Vëllezërit e këtyre ai i gjeti në Kalabri. Vetëm nga një katund si Lungroja shkuan për të çliruar Napolin 500 luftëtarë!

Heroizmi i tyre shkëlqeu në betejën e Volturanos (tetor 1860). Të nesërmen e kësaj epopeje Garibaldi do të thoshte fjalët e famshme me të cilat lavdëronte shqiptarët të dalluar në luftën kundër tiranisë.

Besimi dhe mirënjohja e tij ishin edhe të popullit italian ndaj kësaj bashkësie liridashëse e luftarake. Vetëm borgjezia dhe aristokracia monarkiste, ashtu siç i shpërdori frytet e fitores popullit italian, i mori nëpër këmbë dhe ato të arbëreshëve.

Kjo është arsyeja e zhgënjimit të hidhur që pësuan arbëreshët demokratë pas krijimit të Italisë. Prandaj ata mbajtën qëndrim opozitar, anuan nga prurjet e përparuara politike e shoqërore, iu kundërvunë synimeve imperialiste të borgjezisë italiane ndaj atdheut të stërgjyshërve. Këtë e bënë De Rada, Dorsa, Stratigoi, Draxnisi e të tjerë.

Arbëreshi dhe në këtë rast do të dinte të tregonte se kush ishte. Ai do të mbetej si gjithnjë njeri me karakter te pavarur, dinjitoz, i pakorruptueshëm.

Na treguan se një studiues, duke u marrë me hulumtimin e studimin e procesverbaleve të Asamblesë Kombëtare të pas bashkimit të saj, i tërhoqi vëmendjen fakti se nëpër to kishte plotë faqe të bardha që nuk ishin shkruar nga sekretarët.

Dhe doli se ato faqe kishin të bënin me deputetët arbëreshë, një pjesë e të cilëve duke qenë të pakënaqur e të zemëruar nga qeveria e pabesë, e kritikonin atë ashpër. Dhe kritikën nuk e bënin në italisht, po në zemërim e sipër, flisnin arbërisht dhe, me qenë se sekretarët nuk e dinin gjuhën, i linin të bardha faqet e procesverbalit.

Është shumë interesante se për mendësinë popullore arbëreshe historia ka dy epoka të ndritura, për të cilat mund të flitet me krenari: koha e Skënderbeut, kur sipas De Radës –të parët e tyre u ngritën dhe përballuan valët e vërshimit osman dhe koha e Rizorxhimentos ose e Përlindjes italiane, kur arbëreshët me trimërinë e virtytet e shquara shkruan faqe të ndritura të historisë së tyre dhe treguan sërish se sa të denjë ishin për atdheun e dytë.

Në ditët tona për këto ata flasin e shkruajnë, kërkojnë e zbulojnë, studiojnë në çdo katund.

Në këtë vështrim mund të themi me plot gojën se në asnjë trevë arbëreshe nuk punohet sa në katundet e Kozencës për histprinë e gjuhën, për ruajtjen dhe lartësimin e traditave.

Ato janë të mbushura me monumente, me dorëshkrime, me relike. Shtëpitë e tyre u ngjajnë arkivave e muzeve për nga vlerat që mbajnë brenda.

Arbëreshi është fanatik për ruajtjen e dokumenteve e të sendeve që kanë të bëjnë me historinë, ai i nderon e i çmon ato, se, tek e fundit, jeta i kërkon herë pas here prova të identitetit.

Ja tani i kemi përpara këto katunde arbëreshe. Vështrojmë nga pika të larta këtë panoramë, i soditim dhe na pushtojnë emocionet. S’dimë a janë emocionet e peizazhit të bukur apo emocionet e historisë që na faniten padashur. Apo vargjet e De Radës e të Serembes, që na vijnë nga fëmijëria e rinia e hershme e na buçasin në gjoks?

Tani gjendemi në ato vise ku jetuan e krijuan tërë ajo plejadë e ndritur poetësh e dijetarësh. Janë pikërisht këto vende, ku lindën e hodhën shtat veprat e tyre. Për ty që vjen për herë të parë bëhet e qartë, se sado vise të huaja qofshin, ato janë pjesë e gjeografisë se kulturës shqiptare.

Dhe të pëlqen t’i ngulësh sytë, t’i vështrosh mirë e të meditosh mbi to.

Ja, Maqi i fshehur e i strukur pas gjelbërimeve dhe Shën-Mitri krenar mbi shpatin e kodrës, që të kujtojnë De Radën. Pak më tutje, nga një kodër tjetër, vështron Mbasati i Jul Varibobës. Ja dhe Strigari, djepi i Z. Serembes. Futur pak më thellë, vjen Piçilia, vendlindja e A. Santorit. Rrëzë maleve të Polinit shtrihet Frashnita që nxori V. Dorsën e B. Bilotën.

Këtej lumit Krati është Shën-Sofia e Epirit, katundi i P. Bafës e E. Mashit, ndërsa matanë, Shën-Benedikti i vëllezërve Rodota, që bënë aq shumë për shkollën arbëreshe. Pastaj Ungroja që dha vëllezërit Stratigo dhe P. Irianin. Në mes malesh është Çifti, i njohur për burra të ditur e patriotë.

Po a mund të përmenden të gjithë? Dhe në qoftë se e bën këtë, a mund t’i vizitosh të gjithë, kur nuk ke mundësi! Prandaj, për aq kohë sa kemi, mendohemi mirë dhe vendosim. Nderi i parë i takon De Radës.

Në vendlindjen e De Radës

Nisemi për në vendlindjen e poetit tonë të madh. Kush e ka lexuar “Milosaon” dhe nuk e ka shtegtuar me kalin e fantazisë për në Maqi, atje ku lindën këngët e tij. Një e tërë plot ëndrra e vizione, që rri në kufijtë e legjendës. Tani po shkojmë drejt Maqit, sikur po dalim prej tyre.

Makina lë mbrapa rrugën kryesore dhe merr në të djathtë, duke u ngjitur në të përpjetë. Sipër në faqen e një kodre, zbardhëllojnë shtëpitë e Shën Mitrit, kryeqendrës arbëreshe të krahinës së Kozencës. Kalojmë përmes katundit, nëpër ca rrugë të shtruara me kalldrëm, dhe kthehemi majtas.

Shën Mitri me Maqin janë fare afër, sikur ishin lagje të një katundi. Ndërmjet tyre shtrihen ullishte, vreshta dhe hone të vogla, që zverdhojnë nga lulet e gjineshtrës.

Natyra mesdhetare këtej harliset nga gjelbërimi e hijeshia, Maqin e kemi përballë, tek rri majë kodrës si një kurorë e blertë me dritaret që vështrojnë horizontet. Kalojmë nëpër një urë, poshtë së cilës rrjedh një lumë. Mos është lumi i Rakundelit? Kemi hyrë tani në viset e dashura të poetit tonë. Është gjeografia deradiane.

Zbresim nga makina dhe ecim në këmbë. Vetëm kështu mund t’i qasesh vendlindjes së De Radës. Na duket sikur e njohim prej kohësh pozicionin e katundit, kur sjellim ndër mend kangjelet që na e pikturojnë diku në hapësirën plot dritë, midis vargut të kodrave dhe detit.

Silueta e tij e blertë lakohet nën qiellin e kaltër në vija të brishta e plot hijeshi. Është një pamje e butë e qetësindjellëse, që nuk arrin ta prekë hija e rëndë e maleve të Polinit. Në mes tyre shtrihet fusha e bukur e Sibarit, që laget në lindje nga ujërat e detit Jon. Pikërisht andej hapet një grykë në mes maleve të Polinit e atyre të Silës, prej nga vezullon deti.

Për Maqin dhe katundet arbëreshe të këtyre anëve kjo grykë shkëmbore ka qenë përherë si një dritare madhështore që shikonte nga Arbëria, përtej horizontit. Ishte ky vizion plot dritë që zgjoi dhe mbrujti frymëzimin e De Radës. Pa këtë shteg që të çonte në Arbëri ndoshta nuk mund të lindte “Milosaoja”.

Jemi me Vinçens Minishin, kryetarin e bashkisë se Mbusatit, njeri i njohur në lëvizjen e sotme arbëreshe. Ai s’është poet, po ka shpirt poeti dhe e ndien veten të prekur si dhe ne, megjithëse nga Maqi kalon çdo ditë.

— Maqi është Meka e arbëreshëve, po, me sa duket, pjesërisht dhe e shqiptarëve, — thotë me një zë të qetë Vinçensi. — Pa De Radën, mendoni sa të varfër do të ishim ne këtu në dhe të huaj.

Hyjmë në Maqi dhe shkelim nëpër udhën kryesore. Katundi ka gjallëri dhe lëvizje ndryshe nga ç’e mendonim nga larg. Lëvizin makina dhe kafshë, dëgjohen zëra, zërat e Maqit. Vëmë veshin mirë dhe dëgjojmë të kumbojnë fjalët e para arbërisht. Padashur na gufon gjoksi. Maqi vazhdon të flasë në gjuhën e poetit të vet. E kundërta do të ishte një ironi e hidhur, fyerja më e madhe që do t’i bëhej kujtimit të De Radës. Pas kësaj mund të ecim pa asnjë druajtje nëpër katund. Është po ajo pamje intime arbëreshe, po ajo atmosferë karakteristike, thuajse po ata njerëz. Burra mbledhur nëpër sheshe, pleq ulur në sofate, gra para portave, fëmijë që luajnë. Ngrenë kokën dhe na shikojnë. Diçka pëshpëritin, disa përshëndetin. Maqi është mësuar me miq, sidomos me vëllezër nga Shqipëria.

Njeriu i parë që takojmë është një burrë shtatlartë, me trup të drejtë, plak i thinjur. Ai ndahet nga shokët dhe na afrohet. Vinçensi na njeh. Është një nga stërnipat e De Radës, që rron në fshat.

— Kamilo de Rada.

Burri i Radenjve na përqafon fort dhe, edhe pse s’është hera e parë që pret miq si ne, është i mallëngjyer. Ai ecën përpara dhe na prin drejt shtëpisë. Lëmë rrugën e asfaltuar dhe futemi në një rrugicë me kalldrëm, në mes shtëpive të vjetra prej guri. Ndoshta jemi në Maqin e hershëm, sepse shihen qartë gjurmët e kohës. Përkrah shtëpive me tjegulla qëndrojnë ato me plloça të përhime, që janë më të lashtat. Mure të rrëzuara a të shtrembra, trarë të vjetër a të dalë si dhëmballë të kalbura, dritare të vogla, porta të stileve të shkuara… Është dekori tipik i katundeve arbëreshe, po këtu në Maqi merr një kuptim të veçantë.

Po përjetojmë një gjendje shpirtërore të çuditshme; ndjenjat e mendimet e bukura që na ka falur poeti, tani sikur zgjohen me vrull e dalin prej nesh, për t’u përzier me përshtypjet e gjalla që na jep katundi.

Ja dhe shtëpia e De Radës, — dëgjoj zërin e Vinçensit. Ai më shtrëngon për krahu dhe unë përmendem.

Kemi ardhur para portës së lashtë të shtëpisë së poetit. Një portë e madhe, me hark guri, ku është skalitur stema e vjetër e Radenjve: një degë lisi me dy yje. Mosha e saj u afrohet pesëqind vjetëve, dëshmi e prejardhjes shekullore të fisit. Ndoshta, porta është pjesa më e fortë nga tërë relika e shtëpisë së Radenjve. Koha, e mundur, është skalitur në gur. Kapërcejmë pragun dhe gjendemi në oborrin e vogël. Në qetësinë e gurëve të vjetër dëgjojmë hapat tanë të druajtur.

Përballë, një gur i madh mulliri në këmbë; sipër, në krah të majtë, emri i poetit në një pllakë të bardhë mermeri. Më tutje, strehët e lëshuara të shtëpisë. Qëndrojmë një çast në heshtje të thellë. Këtu pushon koha, koha e poetit. Të vjen të përsëritësh këto fjalë nga Fausti. Çdo gjë përreth ndjell jetën e tij.

Ngjitim shkallët prej guri të shtëpisë dykatëshe. Një shtëpi shumë e vjetër, e ronitur, me mure të plasaritura, të hirnosura. Poshtë, ku kanë qenë ahuret, jeshilojnë myshqet.

Sepse më shtrëngon diçka në gjoks. Vinçensi qëndron i menduar.

Stërnipi na prin në krye të shkallëve. Kokulur, hyjmë në shtëpi. Një korridor i ngushtë, gjysëm i errët dhe disa të ndara të çrregullta me dërrasa. Nuk dimë nga të shkojmë, kur nga dera përballë del një plakë që na zgjat dorën:

Mirësenaerdhtit!

Është nënë Nikolina, gruaja e Josifit, nipit të De Rades djali i të birit. Rodrigos. Ajo i pret e i përcjell tani miqtë në këtë shtëpi. Plaka rron fill vetëm. E kërrusur dhe e rrudhur, ajo ka një pamje shumë të pikëlluar. Marrim vesh se i kanë ndodhur disa fatkeqësi, të ngjashme deri diku me fat e poetit. Prandaj flet pak dhe, kur flet, nuk rri pa u ankuar. Kalojmë nga korridori në një dhomë me dritë. Ajo na thotë se ka mbetur fillikat, se nipërit e mbesat i ka larg…

Atmosfera ndryshoi sapo u hap biseda për Josif de Radën. I thashë plakës  se e kisha takuar dhe e kisha njohur të shoqin kur kishte ardhur në Shqipëri. Madje i tregova dhe një fotografi që kishim dalë me të në Shkodër.

Ja ku jemi në një rrugë të Shkodrës…Kemi ndenjur disa ditë bashkë; kemi biseduar arbërisht e kemi pirë verë shqiptare. Ja, kemi folur sy më sy, siç flasim unë e ti, nënë Nikolinë.

Plaka më dëgjonte e përqendruar dhe mundohej ti hapte sytë fort tek shikonte fotografinë,. Gati sa s’mu hodh në qafë, u bë tjetër njeri. Mori fotografinë në dorë dhe dridhej  e tëra, thua se atë ëast i qe ngjallur i shoqi. Tani nuk dinte si të na nderonte e ç’të thoshte më parë.

-Pati ardhur në 50 vjetorin e Pavarësisë, më duket…

-Po, po – ma ktheu plaka, e gjallëruar. E mbaj mend fort mirë…hoqi i mjeri shumë dhe prapë nuk arriti në festnë e madhe shqiptare…

I nxori pengesa guverna jonë këtu. Nuk ia dha menjëherë pasaportën. Atëherë Josifi i qëndisi një letër Presidentit të republikës. I kujtoi se ç’kanë bërë arbëreshët dhe De Rada për lirinë e Italisë, i tha se gjak kishin derdhur, sa njerëztë mirë i kishin dhënë historisë italiane…

I tregoi plot plot…dhe në fund e mbylli me këtë pyetje: “E, si ëshhtë e mundur që nipit të Gerolamo De Radës, bir i atyre që kishin luftuar nën drejtimin e Garibaldit të mos i jepej e drejta të shkonte në Shqipëri, kur Shqipëria kremtonte 50-vjetorin e Pavarësisë së saj? Arbëreshët e italianët që kishin derdhur gjakun së bashku për liri do të ngriheshin nga varri…”

Plaka tani fliste shtruar, i kujtoheshin të gjitha një për një:

  • E, ndodhi ajo që pritej. Pas pak ditëve, erdhi në shtëpi një i dërguar i prefektit ët Kozencës dhe i dorëzoi Josifit pasaportën. I lypi madje dhe të falur. Atëherë Josifi s’priti më dhe u nis për te Shqipëria. Ishte shumë i gëzuar, se asnjë nga Radenjtë nuk kishte pasur këtë fat të madh. Gerolamoja e mbylli jetën e gjatë me dëshirë të paplotësuar. Edhe i biri Zefi po kështu, megjithëse i ati e përgatiti për ta çuar e s’e çoi dot. Shkoi Zefi tjetër, i nipi…Ai e pati këtë nder të shenjtë….

Zëri i nënë Nikolinës papritur u mpak dhe ne vumë re se atë grua,në dukje të rreptë, e kishte mposhtur mallëngjimi.

Pas një heshtjeje të shkurtër nisi rishtas të tregonte:

-Kur u kthye, mbaj mend që solli me vete verë, verë te kuqe nga Arbëria. E ruante dhe nuk ia nxirrte kujtdo. E mbante atje sipër, në mes fotografisë së gjyshit dhe ikonës. Kur gostiste, ngrinte qelqen dhe thoshte: «Si kjo verë gjaku inë i shprishur, e kuqe e gjithë zjarr”. Pastaj Josifi pati një nder tjetër të madh. Mori letër nga Presidenti i Shqipërisë Enver Hoxha. Cili arbëresh tjetër ka pasur këtë nder?

Tani na dukej se ishim si në shtëpinë tonë. E zonja e saj s’na lëshonte dorën dhe mori të na rrëfente çdo gjë që ndodhej rreth e qark.

Vreni, — tha, — kjo është dhoma e Gerolamos… Kishim hyrë në një dhomë që binte në pjesën e pasme të shtëpisë. Një dhomë tipike arbëreshe qysh në pamje të parë: vatra në mes të murit, krevati i hekurit në krye, një raft e një tavolinë, të dyja të vjetra e krejt të zakonshme, dhe llamba e vajgurit mbi oxhak. Muret në të katër qoshet qenë të mbushura me fotografi të panumërta nga kohë të ndryshme. Sheh në to poetin e të bijtë, nipërit e mbesat, tërë brezat e Radenjve prej më se një shekulli.

Çdo gjë në këtë dhomë të tërheq. Dalëngadalë humbet në Botën deradiane. Të duket për një çast sikur përtërihet aty koha e tij, njerëzit e ngjarjet. Sikur ne mes heshtjes së mureve të ronitura kumbojnë tingujt e harpës së poetit, buçima e trompetës së tij. Sytë nuk të ndahen nga ai shtrat hekuri, ku u preh kurmi i paetit, nga rafti i moçëm i librave, që tani ka mbetur zbrazët, nga tavani, që motet e kanë kthyer në një dëshmitar të heshtur. Vështron tavolinën dhe të vjen të ulësh kokën para saj. Aty këndoi me zë të lartë muza e poetit. Aty lindi,, ndoshta, Milosaoja, Rina, Serafina e Bozhdari… Aty buçiti së pari thirrja e ngazëlluar arbëreshe. «Erdhi dita e arbrit!» dhe të vjen ta përsëritësh sa të gjëmojë shtëpia. Po çdo gjë përqark hesht!

Çapitesh nëpër shtëpi dhe padashur ndien se muret zgjerohen dhe marrin përmasat e jetës dhe të këngës së poetit.

Prej këtej Gerolamoja vrente detin. Është prapë zëri i nënë Nikolinës që na sjell në vete.

Ajo na tregon ballkonin e vogël që sheh nga lindja. Përtej në horizont kaltërojnë ujërat e Jonit, që duken përmes maleve të Polinit e të Siles. Edhe prej këtu duket ajo dritare e përjetshme që vështron nga Arbëria. Më këtej vjen Mbusati, vendlindja e Varibobës, pastaj kodra e lugina radhazi, derisa afrohet dhe ne shohim Zhurëzën, arën që e punonte poeti, Fjokatin, një nga krojet e dashura të tij dhe, në fund, nën ballkon, kopshtin e shtëpisë, të mbytur në lule e blerim. Në kujtesën tonë gjallërohen vrulltazi kangjelet e Milosaos.

III.

Rrimë të heshtur e të magjepsur, mbështetur në parvazin e ballkonit, ndërsa puhia që vjen nga deti na përkëdhel fytyrën. Vetë poeti, duke ndenjur këtu, ndiente, siç thotë, një qetësi të gëzueshme dhe vërente si alternoheshin erërat e maleve me flladet e detit. Janë çaste të një përjetimi të thellë, që na fal De Rada nga ballkoni i shtëpisë së tij të moçme.

Nënë Nikolina na gostit dhe s’di si të ma gëzojë. Pastaj këput lule nga saksitë e ballkonit dhe na i dhuron. Një lule nga shtëpia e poetit s’është vetëm një kujtim. Siç nuk është një kujtim i thjeshtë dhe një degë thane, që vjen nga kopshti dhe zgjatet në ballkon. Çdo gjë e kësaj shtëpie dhe e këtij kopshti kthehet vetiu në relike.

Zbresim nëpër shkallët e gurta me zonjën e shtëpisë për krahu. Para se të ndahemi, na rrok në qafë dhe na porosit: Shkoni dhe te Gerolamoja. Është me të bijtë atje…

Ne shohim njëri-tjetrin në sy dhe nuk e marrim vesh se ç’do të thotë me ato fjalë, po Kamiloja e vë re dhe na sqaron: E ’ka fjalën për vend varrimin e De Radës. Tani vemi… Pak më poshtë shtëpisë së Radenjve ngrihet kisha e Shën Mërisë. Aty është vendvarrimi i poetit. Kur vdiq ai, e varrosën në varrezat e Shën Mitrit, që shihen dhe sot majë një kodre. Vonë, pas lufte, ia sollën eshtrat në Maqi.

Shkoi në Shën -Mitër sa për të vdekur. — na tregon ngadalë stërnipi, — sepse vetëm pesë muaj para se të vdiste nga Maqi. Ditët e fundit i kaloi në shtëpinë e varfër të një bariu shënmitriot që kishte punuar në shtëpinë e tatrave tanë. Aty nuk jetoi gjatë, se e mundonte veten. Shkonte çdo ditë në kolegj e u mësonte fëmijëve të shkruanin e të lexonin gjuhën e mëmës.

Kështu dhe vdiq, ditën e prapme të shkurtit, kur në këto anë pranvera ishte te pragu.

Tregojnë se tërë gjindja arbëreshe ra në zi dhe gjithë sa mundën u mblodhën për ta përcjellë. Vërtet vdiq në një pleqëri të thellë por ajo që kishte bërë për arbëreshët dhe atdheun stërgjyshor, s’kishte të vdekur. Prandaj gjindja derdhte lot dhe arkivoli përcillej sup më sup, nga një dorë në tjetrën. Thonë se atë prag pranvere pemët kishin lulëzuar herët. Njerëzia me arkivolin në krahë, ngjitën kodrën përpjetë, të pikëlluar në mes të pemëve të ngarkuara me lule. Papritur, fryu era, një erë e fortë. Disa thonë se erdhi nga malet e Polinit, po tani të gjithë besojnë se fryu nga deti. Era e Jonit shkundi lulet dhe ato mbuluan arkivolin. Të gjithë u çuditën dhe në mes atij pikëllimi një hare ndriti në sytë e tyre. Natyra po i plotësonte dëshirë rihidhte lule mbi të. Këtë e bënte era që frynte nga deti e gjithkush e dinte se nga vinte kjo erë.

Tregimi i Kamilos na kishte tërhequr aq fort, sa nuk pamë nga kaluam, veç kur u gjendem para derës së kishës. Kur hymë brenda, përpara nesh u hap një sallë e madhe, që kundërmonte nga temjani i sapodjegur. Në murin jugor, në krah të djathtë, dallojmë një pllakë të madhe mermeri. Aty prehen eshtrat e De Radës. Në pllakën e bardhë janë skalitur këto fjalë:

«Përgjigju arbëresh! Këtu pushon Jeronim de Rada, këngëtar i Shqipërisë, Udhëheqës i parë i Lirisë. Gerolamo de Rada (1814-1903).»

Dhe ne ulim ballin. Fjala na pritet në mes. Nëpër trup na kalojnë të përqethura dhe gjunjët janë gati të përthyhen. Ndiejmë gjoksin të na gufojë nga kangjelet e tij edhe më shumë të na buçasin plot triumf fjalët që lindën këtu plot njëqind e pesëdhjetë vjet më parë: «Erdhi dita  e Arbërit/». Vallë, ç’forcë qe ajo që i zgjoi e i ndezi poetit këto fjalë profetike!

Mendimet të venë te ajo jetë prej luftëtari, që iu kushtua e tëra çështjes së shenjtë të atdheut, po nuk harron dhe jetën e tij prej martiri, të tronditur nga sa e sa fat. Ta kujtojnë këtë dhe dy pllaka të tjera mermeri i rrinë në krah. Aty janë dhe eshtrat e dy djemve, Mikelanxhelos dhe Zefit. Të bijtë e kanë vënë tatën në mes dhe flenë të qetë pranë tij. Po dhembja e tatës së përvëluar nuk flë. Ajo nuk ka mort, po të mendosh se ç’dramë i shkaktoi poetit vdekja e tyre, në një kohë kur ai kishte varur tek ata aq shpresa! Zefin e përgatiti ta dërgonte në Shqipëri dhe, kur s’ia arriti dot kësaj, për shkak të pengesave të pakapërcyeshme të kohës e frymëzoi të shkruante vargje arbërisht e të hartonte një gramatikë të gjuhës amtare… Donte që i biri ta zëvendësonte, po vdekja ia rrëmbeu ai provoi gjëmën më të madhe, mprehtë e më tronditëse është dhe dhembja për vdekjen e djalit tjetër, Mikelanxhelos, që poeti e ka derdhur në këto vargje të përvajshme:

“Preju këtu… Mikelanxhelo, biri im

Shkove n’tetëmbëdhjetë vjeç

Si një yll që shkrihet natën.

Syt’ e panë, po nuk ditën

Nga doli dhe ku u shua.

Vetëm se e bën më të madhe errësirën

E shpirtit të prindërve…

30 Shën Mitër 1873 Gerolamo i Radenjve

Si ngremë sytë nga mermeri ku dridhen këto fjalë, nuk guxojmë të shohim njëri-tjetrin. Salla na bëhet e vogël dhe era e temjanit na zë frymën. .

Kur dalim te porta e kishës ngopemi me frymë. Na presin plot pleq e fëmijë. Na përshëndetin arbërisht, na shtrëngojnë duart, na hidhen në qafë dhe ne sikur e marrim veten. Vendin e heshtjes e zënë bisedat e hareshme në gjuhën tonë. Për poetin kjo ishte një nga ëndrrat më të përmallshme, të vinin në Maqin e tij vëllezër nga Arbëria dhe të gëzoheshin shqiptarisht! Ja, në sup ndiej dorën e stërnipit të De Radës. Njërin krah ma mban të shtrënguar një plak. Nga poshtë më vështrojnë tërë gaz sy të bukur fëmijësh. Një vajzë e vogël zgjat lule të sapokëputura ne brigjet e katundit.

«Doemos do të takoheshim”, duket sikur thonë sytë e tyre. Ju vrejtët shtëpinë e Radenjve, vreni dhe katundin e tyre, — thotë dikush. — Është i bukur.

Më i bukuri katund arbëresh, — ia pret tjetri gjysmë buzagaz. Këtë katund: e kemi njohur e dashur që kur s’mbahet mend. Falë poetit. Maqi, përmes kangjeleve të tij ka ardhur deri te ne në Shqipëri…

De Rada, kur shkroi «Milosaon», desh t’u japë arbëreshëve një copë Shqipëri, duke i vendosur ngjarjet në Shkodër, — thotë Kamiloja. -Po kjo mbeti vetëm një ai dha Maqin, ja, këtë katund që shohim…

Dhe vërtet, gjithë sa kemi lexuar te «Milosaoja» e kemi tani përpara. Është po ajo topografi e janë po ato toponime për të cilat flet poeti. Katundi majë kodrës që rrihet nga flladet e erërave dhe vështron përtej detin. Ne shkelim nëpër rrugëzat e sheshet e tij e kundrojmë nga afër, thithim aromat e jetës arbëreshe. Po prapë është ashtu siç thotë poetik edhe pse kanë lulëzuar e janë tharë sa e sa lisa, përsëri jeta këtu gjallon e vazhdon. Maqi është i kredhur në gjelbërim e në lule. Peizazhin e Milosaos e kemi para syve në këtë ditë të kaltëruar prilli. Ja, ku janë vreshtat verdhullore, ullishtet gjetheargjendta, plepat hollakë, shelgjet delikate,manat krahëhapur…

Ecim në mes tyre, dalim, nga një rrugicë e hyjmë në një tjetër, qëndrojmë në një shesh e gjithnjë, sikur kërkojmë dikë në heshtje. Na bëhet se këtej pari do të na shfaqen Milosaoja dhe Rina. Madje, çdo vajzë dhe djalë arbëresh na duket se ka diçka prej tyre. Kangjelet e poetit na krijojnë mirazhe fluturake. Vallë, në cilat prej këtyre ullishtave shkoi Rina për të mbledhur ullinj dhe zuri të qante nga dashuria?

Ja dhe një krua, dhe mendja menjëherë na shkon te kroi ku u i takua për herë të parë Milosaoja me Rinën. Pyesim Kamilon. Ai buzëqeshi dhe ngre supet. Katundi ynë, — thotë, — ka shumë kroje… Është Fjokati, Pokfili, Kroi i Ri… Njëri nga këta është me siguri.

Dikush nga maqiotët që na shoqëron e dëgjon e thotë: Ata janë takuar në Fjokat. Ja, është ai kroi atje poshtë, që shihet edhe nga shtëpia e Radejve. Më tej, kur dolëm te një shesh i lartë, pyesim:

Po Rodhi ku gjendet? Disa të rinj që na vijnë pas qeshin dhe njëri prej tyre. Rodhi jemi tani. Ky është sheshi ku mblidhen burrat! Dikur këtu frushullonte elbi dhe poeti vinte e frymëzohej apo jo?

Jo, — ia pret një djalë. — Ai shkonte te Zhurëza. Atje rrinte vetëm dhe mendohej.

Maqiotët e njohin historinë e katundit të tyre, e dinë jetën e poetit dhe krenohen për këtë. «Milosao» dhe veprat e tjera të De Radës nuk janë për ta vetëm poezi, por edhe histori. Në to është shpirti i tyre. Eshtë «bota e madhe që nga erërat dhe fjalët». Kështu thotë diku poeti i tyre.

Kur hyn në Maqi, harron të dalësh prej tij. Humbet nëpër hapësirat plot ngjyra e transparencë, të joshin burimet e poezisë së De Radës. Sa më tepër rri apo endesh brenda e rreth katundit, aq më tepër ndien se Maqi është djepi që lindi dhe përkundi kangjelet e «Milosaos»; «këtu dita i buzëqesh detit dhe kodrave si një valle». Po mbi të Maqi nuk mund të kuptohet pa atë dritare që hapet në lindje mbi ujërat e Jonit. Ajo shihet nga çdo kënd i katundit. E shohin nga çdo shtëpi.

Atë e kundronte i mahnitur nga ballkoni tij dhe De Rada. Andej ishte Arbëria dhe kjo i jepte kuptim jetës së poetit, por edhe një mision të shenjtë poezisë. Me siguri këtë pamje ka pasur parasysh poeti kur Milosaoja në çastin e fundit u kërkon ushtarëve të tij t’i hapin tendën që «të shoh Shkodrën dhe time motër….”

Në të dalë të katundit përshëndetemi me Kamilon dhe vëllezërit e tjerë maqiotë. Rrugës së kthimit na shoqëron përsëri De Rada. Dikush nga me mban mend fjalë për fjalë një copë nga rrëfimet e tij për kohën kur shkruante «Milosaon», dhe e thotë me zë:

“Ecja i tronditur ëmbëlsisht nëpër pyje, nëpër brigje nëpër urija. U ngjitesha kodrave dhe një mendim lavdie më dehte. Shpesh ndër ditët e kthjellëta… rrinim në bregun e fshatit, flladi i jugut lëkundte degët e zbardhemëta të ullinj ve dhe gjithë sipërfaqja e detit ishte kthyer në shkumë. Ajo anë e tokës e braktisur më dukej sikur tronditej e fishkullonte e më sillte ndër mend rrënjët e brezave njerëzorë.”

November 3, 2019 12:26
Komento

2 Komente

  1. Artan Sejko November 6, 18:27

    Faleminderit. Qofsh mire!

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D.(Dh Xh) November 7, 19:55

    Mbrodhesite ju shoqerofshin Pr.i nderuar; Nasho Jogaqi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*