“Nëpunësi civil”, Kuvendi miraton aktin me 84 vota

October 17, 2013 15:27

“Nëpunësi civil”, Kuvendi miraton aktin me 84 vota

Kuvendi miratoi me 84 vota pro dhe 4 vota kundër aktin normativ të qeverisë që shtyn me 6 muaj efektet e ligjit ‘për nëpunësin civil’.
Deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në seancë, ndërsa opozita u përfaqësua në debat me katër deputetët e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), të cilët votuan kundër aktit.
Akti normativ u miratua nga qeveria më 30 shtator 2013. Miratimi i tij u pa i domosdoshëm për shkak të pazbatueshmërisë së ligjit në fjalë, si pasojë e mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit. Ky vendim i qeverisë u kundërshtua fort nga opozita e djathtë. Akti, sipas saj, synon që mazhoranca të bëjë spastrime në radhët e administratës.

 

***

Kuvendi i mbledhur sot në seancën plenare pritet të miratojë aktin normativ për disa ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”.

Para fillimit të seancës së sotme  u mblodh grupi parlamentar i Partisë Demokratike duke vendosur që deputetët e opozitës të mos marrin pjesë në seancën e sotme.

Pak minuta pas nisjes së seancës, tre prej deputetëve të opozitës u paraqitën dhe kreu i grupit parlamentar Edi Paloka lexoi qëndrimin e tyre lidhur me miratimin e aktit normativ për statusin nëpunësit civil.  Paloka bëri thirrje që akti të mos votohet ndërsa akuzoi mazhorancën se lexon keq apelet e Komisionit Europian kur flitet për termin, dialog dhe konsensus.  Pasi lexoi qëndrimin, Paloka la sallën e parlamentit, ndërsa asnjë deputet i PD nuk mori pjesë në punimet e Kuvendit.

Në përgjigje të Palokës, reagoi kreu i grupit parlamentar të PS, Ruci, pas tij dhe kryeparlamentari Meta.
Të dy theksuan se mazhoranca bëri çmos për dialog me opozitën, por kjo e fundit nuk pranoi.

Rendi i ditës i parlamentit parashikon sot dhe ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së shtetit të Kuvajtit, për shërbimin ajror, si dhe një ndryshim në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë.

Meta: Kërkuam dialog të nivelit të lartë, ju nuk pranuat

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi se janë bërë përpjekje maksimale për të arritur e siguruar dialogun me opozitën. “Lidhur me deklaratën e PD, duhet të sqaroj që Kushtetuta e miraton me rendin e ditës. Së dyti ne kemi bërë përpjekjet maksimale për të mos u nxituar madje dhe e shtymë nga java e mëparshme, e shtymë për sot diskutimin këtij akti normativ kaq të rëndësishëm me qëllim për dialog me nivele të larta të kryetarit të qeverisë dhe opozitës dhe kryetarit të kuvendit, gjë që nuk u bë.”- tha Meta.

Ruçi: Ne kërkuam konsensus, ju nuk deshët

Në përgjigje të Palokës ka folur kreu i grupit parlamentar të PS, Ruci që theksoi domosdoshmërinë e miratimit të aktit normativ që do të bëjë të zbatueshëm ligjin për statusin e nëpunesit civil.  “Akti normativ u zvarrit vetëm e vetëm për tu mirëkuptuar me opozitën” u shpreh Ruçi.

Ruçi tha se PS dhe qeveria ka kërkuar konsensus si asnjë herë më parë në historinë e Kuvendit. “Kam 22 vjet në këtë parlament, kanë dalë disa akte normative edhe kur kemi qenë ne apo zotërinjtë në pushtet, nuk është kërkuar që para se të dal akti normativ të bëhet kërkesë për dialog me opozitës. Para se të dilte akti, ministrat përgjegjës kanë kërkuar takim me opozitën për ta vënë në djeni”,- u shpreh Ruçi.  Sipas tij, raporti i KE-së thekson se reforma administrative është një nga prioritetet kyçe dhe miratimi ishte një hap i madh drejt depolitizimit, por ligji nuk ofronte dispozitat e nevojshme.

Paloka: Mos e votoni! E lexuat raport-progresin gabim, BE kërkon konsensus, jo udhëheqje

Kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka mori pjesë në seancën parlamentare vetëm për të përcjellë mesazhin e opozitës mbi miratimin e aktit normativ për Nëpunësin Civil.  Paloka i kërkoi mazhorancës, kryesisht kryeministrit Edi Rama që të lexojë drejt progres-raportin e Komisionit Europian.

“Edhe pse dje ribëmë një kërkesë për tërheqjen e Aktit Normativ që lidhet me ligjin për Nëpunësin Civil, sot ky akt mesa shohim do të votohet në parlament. Kërkesa që ne bëmë nuk u mor parasysh”

“Dje, KE i hapi rrugën për herë të dytë statusit për vendin kandidat për Shqipërinë dhe vetëm për meritë të PD. Por unë nuk e di se ku z Rama që sot paska deklaruar që vitin tjetër Shqipëria do të jetë anëtarë e BE me të drejta të plota. Nuk e di ku e ka lexuar fjalën udhëheqje në progres-raport ku kërkohet bashkëpunin dhe vetëm bashkëpunim nëse duam hapa të tjerë në procesin e integrimit. Paloka u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të votojnë kundër.
“Ju kërkojmë juve si deputetë që ju ka mashtruar juve të ndërgjegjësoheni dhe të votoni kundër këtij akti jo kundër aktit partiak, por për kërkesa më madhore. Ne kërkojmë të gjithë si deputetët të jemi bashkë në interes të shqiptarëve. Përndryshe me goditje të tilla ju vërtet mund të udhëhiqeni, por me këtë udhëheqje ku do ju cojë do e shihni shumë shpejt”.

Akti normativ, Basha: Mazhoranca përcaktoi qartë sjelljen që do ketë me opozitën

Në prag të nisjes së seancës parlamentare, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të demokratëve se me dërgimin e aktit normativ në Kuvend mazhoranca po përcakton qartë vijën e sjelljes me opozitën në të ardhmen .
“U bëjmë të ditur qytetarit që me vendimin tonë ne mbrojmë administratën, kushtetutën vlerat me mendje të hapur që aq shumë i duhet vendit. Sot Edi Rama me Ilir Metën po përcaktojnë vijën e sjelljes me opozitën që janë, arroganca arbitrariteti, paligjshmëria”, u shpreh Basha.

Sipas kreut të PD dhe njëkohësisht opozitës shqiptare, votimi i aktit normativ sot nuk quhet i ligjshëm dhe se PD do vijojë betejën në Gjykatën Kushtetuese.

“Votimi i sotëm nuk e bën të ligjshëm aktin normativ. PD do bëjë betejën kushtetuese për të ndaluar aktin normativ dhe cdo akt tjetër antikushtetues. Presim që Gjykata Kushtetuese të japë drejtësi”.

Sipas Bashës, Rama gënjeu dje kur theksoi se raport-progresi e ka mbrojtur aktin normativ. “Kjo është një gënjeshtër 24 karatëshe që vetëm Rama guxon ta thotë, akti ka shkelmuar konsensusin që KE e ka çmuar, tregon sesa i madh është oreksi i Ramës për të shkallmuar administratën publike për interesat e tij klienteliste”, tha kreu i opozitës.

“Ata po sfidojnë kulturën moderne që na thotë se konsensusi nuk është cështje numrash, por vullneti politik. Duke iu drejtuar qytetarëve i them se ligji e bën të papranueshme raprezaljen e Ramës”- tha Basha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD.
Basha nuk ngurron apelin për mbarë publikun kombëtar.

“Ne dje kemi lëshuar apelin, në këmbë për liri dhe ligjin për të zgjedhurit tanë vendore, apel që sot do t’ia drejtojmë publikut mbarë”.

Dje Konferenca e kryetareve
Dje ne mbledhjen e Konferences se Kryetareve, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u larguan disa minuta pas fillimit të mbledhjes. Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, opozita përsëriti kërkesën e saj për tërheqjen nga ana e qeverisë të aktit normativ “Për Nëpunësin Civil”. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka u shpreh se, kërkesa e opozitës për tërheqjen e këtij akti ka të bëjë drejtpërdrejt me Parlamentin dhe me çështjen e konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës. “Nuk jemi kundër dialogut, nuk jemi kundër bashkëpunimit, përkundrazi, por nuk mund të na kërkohet dialog kur jemi vënë përballë faktit të kryer”, – u shpreh Paloka.

Në përgjigje të deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi vuri në dukje se, “nga ana e qeverisë kjo çështje është parë thjesht dhe vetëm si çështje juridike”. Sipas tij, situata në pikëpamje të normës juridike është e tillë, që do të krijonte probleme edhe nëse për një moment do të mendonim që ta tërhiqnim këtë akt. Qëndrimi i z.Paloka në lidhje me aktin normativ të qeverisë, u mbështet edhe nga kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Fatmir Mediu, i cili e konsideroi veprimin e qeverisë të njëanshëm dhe antikushtetues. Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke mbështetur qëndrimin e z.Paloka dhe z.Mediu për këtë çështje, nënvizoi se “kjo forcë politike është e prirur të jetë pjesë e dialogut”.

Në përgjigje të kërkesës së përfaqësuesve të opozitës për të ndërhyrë që qeveria të tërheqë aktin normativ, kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta vuri në dukje se, në bazë të Kushtetutës, aktet normative hyjnë automatikisht në axhendën e punimeve të Kuvendit. Ndërkohë me anë të një reagimi për mediat, PD-ja, nëpërmjet zëdhënëses së grupit parlamentar, Jorida Tabaku, konfirmoi se opozita nuk kishte dhënë konsensus për kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, referuar publikimit të shpërndarë nga Parlamenti sa i takon miratimit të kalendarit tri-javor të punimeve. “Grupi Parlamentar i PD-së sqaron se njoftimi i shpërndarë nga Kuvendi për miratimin me konsensus të kalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 18 tetor – 8 nëntor, nëse nuk është lapsus, është dezinformim. Opozita është shprehur kundër dhe kalendari i punimeve është miratuar pa konsensusin e saj”, – u shpreh mes të tjerash Tabaku.

Me një vendim të datës 30 shtator qeveria përmes një akti normativ ka vendosur shtyrjen me gjashtë muaj hyrjen në fuqi të ligjit për “Nëpunësin civil”.

Kjo është kundërshtuar fort nga opozita e cila e ka akuzuar qeverinë se ka shkelur konsensusin e arritur mes të gjitha forcave politike dhe prej ditësh tashmë vijon bojkotin ndaj Kuvendit.

Katër ditë më parë, kryeministri Edi Rama përmes një letre të hapur drejtuar opozitës i ka bërë thirrje kësaj të fundit për bisedime, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.
Por kjo ftesë është hedhur poshtë nga opozita e cila është shprehur se do të dialogojë me mazhorancën vetëm nëse kjo e fundit tërheq aktin normativ nga Kuvendi.

October 17, 2013 15:27
Komento

4 Komente

  1. Ura e Bunës October 17, 21:09

    Një tjetër vetvrasje e PD! Sovrani mban shënim dhe inkurajon deputetet e Rilindjes të zbatojnë premtimet e deklaruara para zgjedhjeve!Partia kriminale PD,duhet shkaterruar totalisht,pasi është bandë kriminale ku rendojnë mijra vrasje, mijra krime e korrupsion, sikurse rendon shitja e detit Greqisë!Vetem antishqiptarët mund ta mbështesin kete bandë!…Mirë,Rilindja, por konkretizimi i opsioneve tuaja duhet të jetë më i shpejtë!

    Reply to this comment
  2. Pëllumb zaimi October 18, 01:44

    Me njé opozitë destruktive “lepe-peqet ” e tepërta shkaterrojnë imazhin e vendosmërisë se pozites,e kthejnë atë në një pozitë qesharake! Kujdes nga kjo sepse jo rralle terhiqeni në emër të konsensusit. Konsensus me provokatoret dhe me qente e tërbuar nuk ka. Në këtë rast “dajaku” eshte konsensus. S’thone kot “bëji nénën te te thotë baba”. Mos merni tiparet e “grarisë” o pozitë!

    Reply to this comment
  3. KADAFF October 18, 07:42

    Drejtoresha tjetër e Ramës, ajo e doganave ishte drejtoresha që në daljet e para publike fliste shpesh për traun e doganave. Sipas saj, ai nuk do të ngrihej më nga njerëzit me bark, ndërsa u shpreh se pesha e saj ishte pupël. Kur kaluan vetëm pak ditë nga posti që mori, ajo është përfshirë në një skandal ku trau i antikontrabandës është “ngritur” për t’i hapur rrugën një dëmi që sipas drejtorit të Antikontrabandës kap vlerën e 2 milionë dollarëve.
    “Bëhet fjalë për aksionin e kryer para pak ditësh në magazinën e kompanisë “Kurum”. Dyshohet se nga kjo kompani ka dalë në rrugë të jashtëligjshme pa u zhdoganuar një sasi hekuri prej 4 mijë tonësh. Subjekti me këtë veprim mund të ketë shmangur pagesën e TVSH-së në vlerën e 450 mijë eurove, arsye për të cilën ndaj kompanisë “Kurum” ka nisur një proces hetimi rreth shkeljeve të mundshme. Bëhet fjalë për një aksion prej 2 milionë dollarësh dhe mendoj se është pikërisht kjo arsyeja për të cilën po krijohet kjo situatë përreth meje”, deklaron drejtori i Antikontrabandës, Meidani, i cili menjëherë sapo ka ulur traun e doganës, duke mos lejuar këtë kontrabandë në nivele të tilla është pezulluar nga puna.
    Vetë Meidani u shpreh në media para dy ditësh se, shkarkimi i tij është bërë nga Spiropali, pasi ai i kishte vendosur një gjobë prej 1.4 milionë euro kompanisë “Kurum” për fshehje të TVSH-së së hekurit me vlerë rreth 2 milionë dollarë. Meidani deklaroi se, “m’u bë e qartë nga njerëz të “Kurumit” se, nëse e çoja në fund atë aksion, do të kisha pasoja”. Shefi i Antikontrabandës u largua nga detyra pse zbuloi skandalin e korrupsionit të 2 milionë dollarëve, por nuk dihet se në xhepat e kujt do të shkojnë këto para, të Spiropalit, apo të Ramës?!
    Urdhri i largimit është dhënë nga drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, e cila një ditë pas deklaratës së Meidanit për largimin hakmarrës nga detyra, deklaroi se, “pezullimi i Denion Meidanit është bërë, pasi ai ishte në provë prej tre muajsh dhe nuk i plotësoi kriteret”. Kështu ka deklaruar drejtoresha e Ramës, por faktet flasin krejt ndryshe. Meidani ka nisur detyrën si Shef i Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave para tre muajsh, pas nënshtrimit të konkursit, të cilin e kishte fituar mes mjaft konkuruesve të tjerë. Vetë Spiropali u emërua në krye të Doganave, pa konkurs dhe pa asnjë meritë. Shkaku i vërtetë i largimit nga detyra i shefit të Antikontrabandës është zbulimi i korrupsionit 2 milionë dollarë. Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, nga njëra anë lejon thyerjen e traut të doganave, siç ishte rasti i para pak ditëve në Doganën e Kapshticës, ku u lejua futja e një furgoni me 114 kg mariuanë në tokën greke, ndërsa nga ana tjetër, largon nga puna shefin e Antikontrabandës pse zbuloi një evazion fiskal prej 2 milionë dollarë në kompaninë “Kurum”.
    Që t’i ketë sajuar këto shifra Meidani, kjo është absurditet. Edhe drejtoresha e Ramës nuk e thotë këtë. Shkak për shkarkimin e tij zyrtarisht është bërë Kodi i Etikës. Pra, nxjerrja e sekretit në publik për këtë kontrabandë të pastër. Po përse duhej të mbahej e fshehtë dhe të mos bëhej transparente në publik. Arsyeja ka të bëjë me një bakshish të majmë që ka qarkulluar nën dorë në rastin konkret. E thënë ndryshe, ato para që drejtori i Antikontrabandës kërkoi të dërgoheshin në arkën e shtetit, drejtoresha e Ramës ka menduar ndryshe, janë më mirë ato para në xhepin e saj dhe shefit që e emëroi se në arkën e shtetit. Ndaj urdhëri i Ramës ka qenë i prerë, drejtori të shkarkohet se për pak i prishi pazarin, ngjarja të mbahej sekret dhe ryshfeti të kalonte nga drejtoresha tek shefi i saj në krye të qeverisë. Dhe ashtu është bërë, drejtori është shkarkuar. Firma është shpëtuar dhe paratë kanë shkuar atje ku janë kërkuar. Kjo po që është RILINDJE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*